| E hene, 22.11.2010, 10:23 PM |
NË 80 VJETORIN E LINDJES SË BEDRI DEDJES
EVOKIME KUJTIMESH DHE RESPEKTIM I FIGURËS POLIEDRIKE
Grup autorësh: “BEDRI DEDJA - NË KUJTESËN TONË”, përgatitur nga Dr. Murat Gecaj, Tiranë - 2010
Nga XHELADIN MJEKU
Vlera e një figure të dëshmuar në jetën e tij profesionale, politike, shoqërore apo kulturore meriton të kujtohet edhe pas ndarjes nga jeta. Një gjest të mirë e bënë entuziastë dhe dashamirë të figurës poliedrike të Bedri Dedjes, që edhe në përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes tuboi miqë, shokë, bashkëpunëtor dhe adhurues të veprës së tij letrare dhe shkencore, për ta kujtuar mikun dhe për të evokuar kujtimet nga më të paharruarat prej tij. Në kuadër të këtyre aktiviteteve për shkrimtarin dhe veprimtarinë e tij vjen edhe libri voluminoz “Bedri Dedja - në kujtesën tonë”, ku sjell shkrime të ndryshme nga miqtë, bashkëpunëtorët, studiuesit e veprës së tij, e deri edhe adhurues e nxënës të tij, që paraqesin një pasqyrë të mirë për afrinë dhe dashurinë që ushqente shkrimtari Dedja, për të gjithë njerëzit që e rrethonin, e takonin apo mësonin prej veprave të tij, që konsiderohet ndër më voluminozët në krijimtarinë letrare për fëmijë, në publicistikë dhe në fushën e shkencës psikologjike dhe pedagogjike që e lëroi deri në fundin e jetës së tij.
Vlerat letrare dhe shkencore - dashuri e pafund e lexuesit dhe studiuesit të veprës së tij
Në librin “Bedri Dedja - në kujtesën tonë”, me mbi treqindegjashtëdhjetë faqe dhe me dyzetetetë autorë profilesh të ndryshme, si” akademikë e profesorë, shkrimtarë e publicistë, personalitete të kulturës e arsimit, të letërsisë, shkencës dhe shumë adhurues profilesh të ndryshme, të cilët shprehin me përkushtim evokime kujtimesh, shkrime kritike, çaste takimesh në kohëra dhe situata të ndryshme, veçanërisht për periudhën e ndryshimeve të mëdha politike në Ballkan, e në veçanti në trojet shqiptare, ku u krijuan kushte dhe mundësi të reja të kontakteve dhe takimeve të ndryshme në mes kolegëve, miqëve, dashamirëve, krijuesve e studiuesve të kulturës e shkencës.
Pas fjalës hyrëse të hartuesit të këtij libri, pasojnë shkrimet e autorëve sipas radhitjes alfabetike, që në një mënyrë konsiderojmë si formën më të mirë të organizimit të kësaj materie të prezantuar në libër. Emra e personalitete të ndryshëm të shkencës e kulturës, si: Agim Deva, Agim Faja, Aleko Likaj, Alfred Papuçiu, Alfred Uçi, Alma Mile, Astrit Bishqemi, Bardhyl Xhama, Elvira Dollomaja, Fatmir Terziu, Ferhat Cakaj, Hajrullah Koliqi, Halil Haxhosaj, Hamit Beqja, Hamit Boriçi, Hektor Veshi, Hysen Sinani, Ibrahim Hajdarmataj, Ilinden Spasse, Ilir Çumani, Isa Halilaj, Klara Kodra, Kolë Tahiri, Kopi Kyçyku, Kozeta Zylo, Marash Hajati, Mark Vuji, Muharrem Dardha, Murat Gecaj, Mustafë Xhemajli, Nuri Abdiu, Pajazit Nushi, Pajtim Bejtja, Pandora Dedja, Qazim Kashari, Rizah Sheqiri, Skënder Hasko, Skënder Zogaj, Shpresa Vreto, Xheladin Mjeku, Xhevat Beqaraj, Xhevat Syla, Viron Kona, Yllka Beçi, Altin Stafa, Katerina Xukaro dhe e bija Edlira Dedja, përbëjnë gjithë materialet e përmbledhura në librin me kujtime për Bedri Dedjen, që me përkushtim dhe angazhim të dëshmuar ia arrin ta realizoj Dr. Murat Gecaj, studiues dhe krijues i palodhshëm shumëvjeçar, mik dhe bashkëpunëtor i shkrimtarit Dedja. Një ndihmesë të konsiderueshme në realizimin e kësaj vepre të përbashkët, dedikuar jetës dhe veprës së Bedri Dedjes e ka dhënë edhe e bija e tij, Edlira Dedja, e cila sikur ndien një larje borxhi sadopak ndaj të atit: “Është një emocion i madh për mua, përzier me mall, dashuri e dhimbje, admirim dhe respekt, të ulem e t’i shkruaj këto radhë për Ty, ati im i shtrenjtë Bedri Dedja!”. E përcolla tek lexuesi gjithë përbërjen e autorëve në formën kronologjike të paraqitur në libër për të vetmin qëllim: të kuptohet më lehtë interesimi i profileve të ndryshme intelektualësh, krijuesish, shkencëtarësh, miq e bashkëpunëtor të Bedri Dedjes që të ndërtojnë kujtesën në nivelin e pashlyerjes, të përjetshmërisë dhe të dëshmojnë respektin dhe dashurinë fisnike që kishte krijuar miku i tyre i madh në të gjitha nivelet dhe kohërat që do të ketë përjetuar, me peripetitë, sukseset, rezultatet e pakontestueshme e deri te ndërtimi i një miqësie të paharruar të brezave që u frymëzuan dhe edukuan nga mendja e tij e ndritur dhe nga pena e pashuar prej shkrimtari të përmasave edhe jashtë trungut kombëtar.
Të dinjitetshmit ia ruajnë dinjitetin edhe fytyrave kombëtare dhe u japin vlerat meritore
Ky nëntitull vjen si konkludim i mirë dhe bindës për vlerat që përmbledh ky libër me dëshminë se vetëm me mirëkuptimin dhe besimin e pasardhësve të këtyre figurave i bëhet nderi dhe ipet vend meritor njerëzve të sacrificës në rrafshin intelektual dhe kombëtar. Ruajtja dhe kultivimi i vlerave të krijuara me mund e sacrificë nga pena të shquara të profilit të Bedri Dedjes kërkojnë një potencial intelektuali të devotshëm, që ka për qëllim ngritjen e moralit intelektual, ndërtimin institucional të vlerave të pakontestueshme kombëtare dhe vetëdijësimin e intelegjencës në sendërtimin e vlerave shkencore të krijuara me mund e përkushtim. Këtij mendimi të nxjerrur nga faktet e dëshmuara me këtë libër i takojnë hartuesit të palodhshëm, mikut të madh të Dedjes, Dr. Murat Gecajt, i cili mblodhi gjithë atë nektar krijimesh nga gjithë bota krijuese shqiptare, për t’i sjellur këtu si një hoje plot ëmbëlsi, ku mund të shijohet në çdo kohë e nga seicili lexues dhe studiues i veprës kolosale të Bedri Dedjes.
Pregatitja e mirë e librit, paisja me fotografi nga çastet e ndryshme të shkrimtarit, me miqë e familjar, pasqyrojnë pjesën tjetër të dëshmive të tij për afrinë me njerëzit, për kënaqësinë që ndiente për ta dhe dashurinë që ushqente në shoqërimin me njerëz të moshave e gjeneratave të ndryshme.
Të gjithë ata që kishin një respekt, dashuri dhe ndjenjë fisnike për jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e begatë e të gjithanshme të Prof.Dedri Dedjes, shprehin mendimet e tyre emocionale dhe admiruese, por jo e tëra mund të jetë në këtë përmbledhje, sepse shkrimtari ynë i madh kishte miq e adhurues të panumërt, të cilët jo më pak se këta që cituam kanë respektin dhe kujtesën për mikun e tyre të shtrenjtë.
Vlerat e pakontestueshme të fytyrave poliedrike të kulturës dhe shkencës sonë mund të ruhen e kultivohen vetëm me përkujdesin dhe respektin e institucioneve dhe njerëzve eminent e të sinqertë, siç vepruan me rastin e këtij përvjetori miq e kolegë akademikë, të cilët dinjitetshëm i ruajtën dinjitetin e veprës dhe figurës poliedrike të “Prof.Bedri Dedjes-Akademik dhe “Mjeshtër i Madh”, në dobi të Atdheut, arsimit e kulturës, publicistikës, shkencës dhe letërsisë sonë kombëtare!” (M.Gecaj), me bindjen se kjo do të mbetet tradicionalisht përvojë respekti e përkujdesjeje institucionale dhe njerëzore.