| E hene, 22.11.2010, 10:56 PM |
Kostaq Duka
Malli dhe largësia
-Cikël me poezi-
I verbëri dhe i vetmuari
I verbëri
Shumfishon pamjet me sytë e miqve
Prekjen mishtake
Dhe zërat e ngrohtë të jetës.
I vetmuari
Magjinë e ngjyrat e botës,
I zbardh me ankthin e kotësisë, mosekzistencës......
Prindi
Fle djali
Thosh gruaja e unë ecja ngadalë
Ajrin per të mos lëvizur mbi fytyrën ëngjëllore.
Tani kur ai ështe burrë e është larg
Vetë mbetem pa gjumë:
A është mirë, mos po lodhet shumë?!
Largim në prag divorci
(Sociologët në Amerikë e quajnë sukses bashkëjetesën së paku
deri në rritjen e fëmijve në moshën 18-të vjeçare)
Në një çantë sportive
Vuri gjithë sendet e rrobat e tij...
S’harroi dhe fotot familjare
Nga koha kur paqja e dashuria i mbështillte të gjithë.
Pastaj veç e veç puthi nënën e babanë që rinin
Në dy anët e derës, të ndarë.
-Po iki- tha -faleminderit për 18 vitet që më dhatë,
Tani pa praninë time grinduni me sherr e shamatë.
Secilit në jugë apo veri i uroj mirësi
Kur të martohem dëshirë do kisha t’u shihja bashkë.....
Dhe iku….
Pas tij çatia fiktive e bashkëjetesës
U rrëzua me zhurmë.
Një grusht para
Dërgoi së pari
Një grusht para
Për të bërë të dukshëm varrin e gjyshit dhe gjyshes.
Më tej i dërgoi nënës për varrin e babait,
Motrës për varrin e nënës,
Nipit për varrin e motrës
Së fundi mikut të vet
Me testament i la të fundit grusht me para,
Atë grusht eshtrash për t'ja nisur
Pranë të afërmëve që pas Ikjes
Njëherë nuk i pa.
Edhe pse s’kam porosi
Kur shkoj në varreza, në vendlindje
Në duar mbaj jo një por disa buqeta me lule
Dy tre për të afërmit
Të tjerat për të dhimbsurit e bashkëemigranteve të mij,
Edhe pse prej tyre s’kam porosi....
Dhe përsëritet ky rregull i pashkruar
Që pjeston mallin dhe largësinë,
Vetminë e të ikurve
Që rivdesin
Pa ndjerë pranë frymën e të gjallëve.
Nëntor 2010