| E diele, 21.11.2010, 08:58 PM |
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
FUNDI I DITËVE TË QETA
Vitet 1949—1950 ishin vite të vështira për ekonominë e vendit. Mardhëniet me Jugosllavinë ishin ndërprerë. Ato me Bashkimin Sovjetik nuk ishin konsoliduar si duhet. Në këto kushte arka e shtetit kishte filluar të zbrazej. Por, mendjet e udhëheqësve tanë nxorrën një metodë të rafinuar për të grumbulluar para. Kjo metodë ishte huaja shtetërore. Të gjithë qytetarët që ishin në punë me shtetin, detyroheshin të blinin një sasi të caktuar të obligacioneve të kësaj huaje. Shlyerja e saj do të bëhej çdo muaj me llotari për një periudhë prej njëzet vjetësh. Por, në të vërtetë, me këtë mënyrë u shlyen vetëm fare pak dhe, kur u plotësua ky afat, u shpik një nismë tjetër, sipas së cilës, ato që kishin mbetur pa shlyer i faleshin shtetit, gjoja vullnetarisht. Kështu përfunduan në xhepin e shtetit ato pak të holla që kishin qytetarët.
Ne kishim në punë babanë dhe Fatushen. Si gjithë të tjerët edhe ata u detyruan të blenin sasinë e caktuar të obligacioneve. Por kjo nuk mjaftoi. Me një vendim të posaçëm të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, të gjithë ish tregëtarët u detyruan të blejnë një sasi të madhe obligacionesh. Ne na u caktuan për të blerë 50.000 lekë të vjetra obligacione të tjera, një shumë kjo e barabartë me rrogën e dy vjetëve të një punëtori të asaj kohe.
U detyruam të nxirnim në treg edhe ato pak sende të vyera që na kishin mbetur. Por, këto nuk mjaftuan. Atëhere babaj u detyrua t’u drejtohej për ndihmë disa miqve të tij. Ata u treguan të gatshëm. Këto borxhe mundëm t’i lanim vetëm pas disa vitesh, falë zemërgjerësisë së tyre. Kështu e kaluam edhe këtë vështirësi..
15 Prill 1950. Im vëlla Besniku po përgatitej për të shkuar në një mbrëmje vallzimi që organizonte klasa e tij në shkollë. U la, u pastrua, veshi kostumin bojë kafe që ia kishte dhuruar babai, u kreh dhe u rregullua mirë e bukur, sikur do të bëhej dhëndër. Ishte sqimatar i madh. Kishte lezet ta shikoje kur u nis për në mbrëmje.
Pasi mbaroi darka u hoqa mënjanë dhe fillova të lexoj një libër. Mësimet i kisha bërë në pasdite. Dikur ndjeva se po më mbylleshin sytë. U ngrita, u thashë të tjerëve natën e mirë dhe shkova në dhomën e gjumit. Rashë në shtrat dhe më zuri gjumi menjëherë.
Kishin kaluar disa orë. U zgjova. Vura re se shtretërit e vëllezërve dhe ai i motrës ishin të patrazuar. Pashë përjashta. Sapo kishte filluar të agonte.
- Ku të kenë shkuar që me mëngjes? - mendova me veten time
Nga dhoma poshtë dëgjoheshin zëra. U vesha dhe shkova. Në dhomë ishin të gjithë me përjashtim të Besnikut.
- Çfarë ka ndodhur? - pyeta i habitur.
- Besniku nuk është kthyer në shtëpi mbrëmë. - u përgjigj motra.
Sytë më shkuan te ora e murit. Ajo tregonte 5.30.
- Ku të jetë vallë? Mbrëmjet e vallëzimit nuk vazhdojnë kaq gjatë.
Askush nuk u përgjigj. Babai vinte rrotull nëpër dhomë me duart nga prapa dhe duke folur me vete. Xhaxhai mundohej ta qetësonte. Nëna ishte mbledhur sa një grusht në një qoshe dhe qante pa zë.
- Të presim edhe pak dhe vemi të pyesim Lavdoshin. - tha Agimi.
Lavdoshi ishte shoku i ngushtë i Besos së bashku me Dinon. Pritëm ndonjë orë dhe Agimi u nis për atje. Lavdoshi u trondit shumë, kur mori vesh se ç’kishte ndodhur.
- Nuk e di. - tha - Ne u çuditëm se ai nuk erdhi fare në mbrëmje.
Nëpër mendje kalonim variante nga më të ndryshmet, por asnjëri nuk na dukej i mundshëm. Karakteri i Besnikut na kish krijuar këtë bindje. Atë ditë nuk shkuam në shkollë. Qëndroja në heshtje dhe dëgjoja bisedat që bëheshin. Vështroja nënën dhe motrën që qanin pa zë dhe nuk e di sepse edhe mua më mbulonin lotët.
- Këto kohët e fundit në shkollë kanë filluar të shpërndahen trakte të fshehta. Disa prej tyre i kam lexuar edhe unë. Mos ka gjë lidhje me to? - pyeti Agimi.
Të gjithë pamë njeri-tjetrin, por asnjeri nuk foli. Në këtë kohë hyri në dhomë Çelo Banci që banonte në shtëpinë tonë. Kur mori vesh se ç’kishte ndodhur, tha:
- Me siguri, këtu duhet të jetë në mes ndonjë femër.
- Jo, jo!– u përgjigj im atë. - Nuk kam ashtu djali unë.
Kështu, duke pritur me ankth, kaloi ajo ditë. Në mbrëmje, trokiti porta. Në dhomë hynë dy oficera të Degës së Punëve të Brendëshme. Prania e tyre na shqetësoi. Ata e kuptuan dhe njeri prej tyre foli:
- Mos u shqetësoni. Besnikun e kemi ndaluar ne për të sqaruar diçka.
- Çfarë ka bërë? - pyeti babai.
- Asgjë. Mbrëmë është grindur me një femër dhe ajo është ankuar. Kështu që ne duhet ta verifikojmë. Tani na falni, por duhet të kontrollojmë librat e tij.
Në të vërtetë kthyen përmbys gjithçka. Librat e Besnikut, Fatushes, Agimit, të miat, etazherin dhe gjithçka tjetër. Si nuk gjetën gjë, morën disa fletore të tij. Para se të largoheshin, ai që kishte folur më parë, tha:
- Mos u shqetësoni. Kjo punë për dy-tre ditë merr fund.
U ndjemë disi më të qetë. Të paktën tani e dinim ku ishte. Babai, si parashikues i madh, foli:
- Të gjitha ato që thanë nuk janë veçse mbroçkulla. Ishin njësoj si ato që tha Çelua. Atij, me siguri, do t’ia ketë thënë Tefta që punon në degë. Ajo është shoqe me çupën e tij. Agimi ka të drejtë. U nda djali nga gjiri ynë. Nuk e di në se do të rrojë deri sa ta shoh edhe një herë.
.Për herë të parë pashë lot në syt e tij. Ishte pesëdhjetetetëvjeç. Goditjet e njëpasnjëshme të pesë viteve të fundit ia kishin lodhur zemrën. Edhe kjo i duhej. I folën të gjithë deri sa e mblodhi veten.
Pas dy ditësh na lajmëruan që t’i shpinim rrobat. Kjo gjë vërtetoi fjalët e babajt. Tre javë më vonë u arrestuan Lavdoshi me Dinon. Tani çdo gjë u qartësua. Ata ishin arrestuar për krijimin e një organizate klandestine që shpërndante trakte me përmbajtje kundër pushtetit në shkollë. Kaluan gjashtë muaj. Gjykata Ushtarake Gjirokastër e dënoi
me njëzet vjet burgim. Lavdoshin me Dinon me nga pesëmbëdhjetë vjet. Gjykata e Apelit e ktheu dënimin e Besnikut në pesëmbëdhjetë vjet.
Arrestimi dhe dënimi i Besnikut ndikuan shumë në formimin tim. Porsa kisha mbushur të katërmbëdhjetë vjetët. Isha në një moshë që nuk arrija të kuptoja se kush ishte e drejta dhe kush jo. Megjithatë, ngjarjet e këtyre viteve të fundit, kishin influencuar në formimin e botkuptimit tim. Vrasja e djaloshit para shtëpisë tonë, ngjarja me partizanët për doktor Kërçikun në kohën e luftës së Tiranës, qëndrimi i Xhemilit karshi meje, dëbimi nga Tirana dhe së fundi episodi me mësues Kiçon, e kishin shndërruar në një farë mase karakterin tim. Nuk isha më ai djaloshi moskokëçarës, që nuk i interesonte se çfarë ndodhte rreth e rrotull tij që kishte si synim vetëm shkollën dhe arritjen e majave më të larta. Një ndjenjë tjetër kishte filluar të ziente brenda vetes time. Ishte ndjenja e protestës. Ajo priste vetëm shkëndinë, që të shpërthente me gjithë forcën e saj.
* * *
Tre muaj më prapa xhaxhaj u martua përsëri. Ishte i detyruar të bënte një veprim të tillë. Vetëm tridhjetenëntë vjeç dhe me katër fëmijë. Shtëpia ndjente nevojën e gruas. U martua me Zenepen, bijën e ish tregtarit nga Kruja, Sulejman Bedenit. Tregtari gjeti tregtarin. Për të marrë Zenepen në Tiranë shkuan xhaxhaj me Qamilen. Erdhën me autobuzin e linjës. Në agjensi i priste Agimi me një karrocë me kuaj. Në çastin kur ajo po hynte në shtëpi Fatbardha, vajza e madhe e xhaxhajt, ia nisi të qarit me zë të lartë. Ishte shtatëmbëdhjetë vjeç dhe, me siguri, në ato çaste, kujtonte nënën e saj të vdekur. Zenepja u bë zonjë shtëpie. Ajo u kujdes për burrin dhe fëmijët.
Në gusht tim atë e pushuan nga puna. Në motivin e shkruar thuhej:
- Pushoheni nga puna për shkak të aktivitetit armiqësor kundër Pushtetit Popullor të djalit tuaj Besnik Kripa.
Që nga ajo ditë nuk hyri më në punë. Mbetëm vetëm me rrogën e Fatushes. Duhej të ushqeheshim pesë veta dhe të mbanim edhe Besnikun në burg. Për t’i bërë ballë detyroheshim të punonim një bahçe të vogël që kishim akoma pranë truallit, ku tashmë shteti kishte ngritur një fabrikë të re vaji. Aty mbillnim perime të ndryshme që i përdornim për veten tonë. Përveç kësaj, kishim edhe ndihmën e motrave të martuara. Drita, që kishte ardhur në Vlorë, i propozoi tim eti të më merrte mua të vazhdoja shkollën në gjimnazin e Tiranës. Në këtë mënyrë hiqesh edhe një njeri nga pjestarët e familjes, që duheshin ushqyer. Babaj pranoi. Por, për fatin tim të keq, në gjimnazin e vetëm të Tiranës në atë kohë nuk kishte më vende. Mbetej vetëm shkolla pedagogjike. Babai nuk pranoi.
- Pse të gjithë fëmijët e mi do të vazhdojnë shkollën pedagogjike? - tha ai.
Këtu kishte parasysh Lirinë, Dritën dhe Fatushen që kishin vazhduar të njejtën shkollë. Edhe unë u gëzova që kjo nuk u realizua. Një gjë e tillë do më ndante nga Neri. Megjithatë ndoshta do të kishte qenë më mirë të kisha shkuar.
* * *
Në shtator fillova klasën e parë në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës. Qëndroja në një bankë me Jorgo Beshon nga Çatistra e Poliçanit. Ai vinte nga shkolla numër një. Shpejt formuam shoqëri me njeri-tjetrin. Ishim prej shtresash të ndryshme shoqërore. Unë, bir tregëtari, ai bir i një butexhiu të varfër. Megjithatë kjo nuk ishte pengesë në shoqërinë tonë. Unë isha nxënës i mirë, kurse Jorgua i nivelit mesatar.
Ishim në moshën e rinisë. Por për t’u pranuar në organizatën e saj, duhej bërë kërkesë. Gjithë klasa bëmë nga një të tillë. Ditën që organizata u mblodh për të shqyrtuar kërkesat, u grumbulluam të gjithë para shkollës. Prisnim rezultatet. Sekretari i rinisë, doli para hyrjes së shkollës dhe filloi të lexojë emrat e atyre që ishin pranuar. U lexuan të gjithë emrat e klasës. Vetëm emri im mungonte. Ishin pasojat e dënimit të Besnikut. E ndjeva veten shumë
ngushtë.
U largova i vetëm dhe po ecja duke menduar. Dëgjova që më thërrisnin. Ktheva kokën dhe pashë Jorgon me Myrtezanë
- Mos u mërzit! - tha Myrtezai.
- Ju faleminderit! - u thashë. - Për mua është e çmuar shoqëria e juaj.
Të nesërmen, në shkollë qëndroja i mënjanuar. Kisha frikë se shokët do të më qëndronin larg. Por nuk ndodhi kështu. Shumica e klasës u sollën me mua njësoj si më parë. Në mënyrë të veçantë më afër më qëndruan Donika, Aliqi, Neimeja, Myneverja, Ana, Vjoleta, Shazja, Zymbylja, Luani, Leka, Shezaiu Minella, Spirua, Mihali, Zakua, Dhimitri, Nexhati, Ibrua dhe të tjerë. Ato ditë katër vajza Vjoleta Muçua, Ana Papakosta, Shaze Xhindi dhe Zymbyle Hoxha, krijuan nja grup shoqëror që ne, duke u nisur nga katër inicialet e emrave të tyre, e quajtëm “VASHZ “. Po në të njëjtën kohë edhe ne, katër djem Zenel Zeneli, Jorgo Beshua, Ali Zankua dhe unë formuam grupin “ ZJAR “. Ato ishin vetëm lojra fëmijësh, por mua nuk më shkonte ndër mend se vetëm pak muaj më vonë, së bashku me Jorgon dhe Myrtezanë do të formonim një grup të vërtetë që do bëhej shkak për ndryshimin e jetëve tona.