Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lupus Ilirikus: FeR, mjet kundër Vetëvendosjes!

| E diele, 21.11.2010, 08:39 PM |


FeR, mjet kundër Vetëvendosjes!

 

Nga Lupus Ilirikus

 

Me zgjedhjen e Isa Mustafës për kryetar të LDK-së antagonizmat mes PDK dhe LDK, dy subjekteve tani për tani më të mëdha politike në vend, janë shtuar dhe vështirë do ta kishin të gjejnë pika të përbashkëta për tu puqur. Edhe pse ekzistojnë qarqe që ende i shohin zgjedhjet e ardhshme si betejë ku fjalën kryesore do ta kenë dy partitë politike, janë pikërisht këto dy parti që po dallojnë një tjetër subjekt politik që mund t’ua prish llogaritë zgjedhore.

 

Duke pas në dispozicion të gjitha mjetet e pushtetit, qysh para prishjes së koalicionit, ose më saktë qysh nga bërja publike e lajmit që “Vetëvendosja!” do të garojë në zgjedhjet e sivjetme parlamentare, PDK dhe LDK filluan të mendojnë projektin që do t’ua hiqte qafe secilin rrezik për ta. Është pikërisht frika nga shtrirja e vrullshme e “Vetëvendosjes!” në çdo segment të jetës publike dhe shoqërore, në çdo rajon të Kosovës, ajo që i bëri bashkë këto dy parti politike (shto edhe përfaqësuesit ndërkombëtar) dhe si rezultat i kësaj frike lindi projekti i quajtur “FeR”.

 

Me gjasa minimale për të kaluar pragun zgjedhor, FeR-i zgjodhi të mos hyjë në koalicion parazgjedhor me asnjë parti të madhe edhe pse mundësitë qysh nga fillimi i kishte të mira për një gjë të tillë. Përkujtojmë vetëm afërsinë që një prej themeluesve të FeR-it, Shpend Ahmeti, kishte me kryeministrin Hashim Thaçi në disa dalje të tija publike. Kjo afërsi shkoi deri ne atë shkallë sa që gjatë kohës së riformatizimit të qeverisë Thaçi, mediumet shkruan për Shpend Ahmetin si zëvendësim të mundshëm të Ahmet Shalës në postin e Ministrit të MEF-it.

 

“Në listën e ministrave për t’u larguar, sipas burimeve të kësaj gazete janë ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala (zëvendësimi i të cilit pritet të jetë Shpend Ahmeti nga institute GAP). (Koha.net)

 

Edhe pse të vetëdijshëm për një dështim për kalimin e pragut FeR zgjodhi t’i hyjë kësaj gare si e vetme, duke shtuar dyshimet se është projekt me afat të shkurtër i cili ka për qëllim që të ndajë votat e të pakënaqurve me partitë aktuale, që padyshim do të shkonin te “Vetëvendosja!”, në dy pjesë. Për këtë flasin edhe kopjimet që FeR ia bën “Vetëvendosjes!” si për nga veprat (radhitja alfabetike e listës zgjedhore) e gjer te terminologjia (jo qytetari në interes të pushtetit, por pushteti në interes të qytetarit).

 

Por, ky projekt nuk përfundon vetëm me kaq. FeR-i do të jetë një armë e fortë në duart e atyre që e krijuan, edhe pas procesit zgjedhor. Më saktë, FeR-i i duhet atëherë kur do të numërohen votat, atëherë kur do të vidhen votat. Duke mos pasur komisionarë të vetin në numërimin e votave, padyshim që “Vetëvendosja!” do të jetë pala më e dëmtuar gjatë procesit të numërimit të votave.

 

Të frikësuar nga “prirja e Vetëvendosjes për të protestuar” partitë e mëdha (PDK-LDK) nuk do të luftojnë për të marrë votat e “Vetëvendosjes!” për vete, por mundësi e mirë shihet që këto vota t’i dhurohen FeR-it, duke arritur kështu dy caqe.

 

I pari cak do të ishte larja e borxhit ndaj FeR-it i cili me votat e falura do të kalonte pragun zgjedhor, dhe menjëherë do ti njihte rezultatet si të drejta dhe zgjedhjet si fer dhe demokratike.

 

I dyti, më i rëndësishmi, do të ishte krijimi i alibisë për partitë e mëdha dhe ndërkombëtarët karshi akuzave të “Vetëvendosjes” për vjedhje votash, duke u fshehur pas rezultatit të FeR-it me arsye banale si “edhe FER-i nuk ka pasur komisionarë në numërimin e votave por prapë se prapë janë të kënaqur dhe nuk ndihen të dëmtuar dhe kanë përfituar aq sa kanë merituar”. Me këtë pritet të krijohet një diskurs rreth Vetëvendosjes! si parti humbëse e cila nuk di që në mënyrë demokratike të pranojë humbjen.

 

Sipas të gjitha gjasave, Kosovën e pret një fushatë e ngjashme me kutitë e Shqipërisë. Hap kutitë ose ik!

 

Ky shkrim është mendim personal i një qytetari dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrim të ndonjë subjekti politik, e as të “Vetëvendosjes!”