Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Idealizmi dhe realizmi i artistit

| E enjte, 18.11.2010, 10:36 PM |


Adem Rusinovci promovon DVD-në “Kontakt II“

 

Idealizmi dhe realizmi i artistit

 

Nga Dr. Ilir Muharremi

 

Bashkimi i pikturës me muzikën,  ndriçimin, nënkupton një lojë artistike, tërheqëse dhe dinamike, madje edhe ngacmuese ose pranuese nga kolektivi dhe individi. Individi, në këtë radhë arrin të luaj estetikisht dhe konceptualisht me botën përreth. Ai na fut në lojë të superstrukturuar dhe të artikuluar, me një gjuhë të pastër figurative, që në të njëjtën kohë është edhe filozofike. Artisti kosovar Adem Rusinovci, të hënën, në Galerinë Kombëtare në Prishtinë, promovoi DVD-në e ekspozitës “Kontakt II” e cila është hapur para disa ditësh mu në këtë Galeri. Nëpërmjet një video ai prezantoi artin e tij më të ri, duke u nisur nga simbolet e ndryshme si: Llullat, rrotat të cilat simbolizojnë një lëvizje të vazhdueshme, muzikantët përkatësisht okrestruesit, të cilët nuk janë të qetë. Ata mbajnë kokat të mburrura lartë, në thellësi, ata përjetojnë melodi të ndryshme. Përmes ndriçimit të verdhë, që i ngjanë një pasdite verore, ata shoqërohen edhe me hijet e ndryshme, ata nuk muzikojnë, por na shikojnë nga lartë, duke na treguar me anë të mimikës, një melodi e cila pritet të ndodhë. Atyre  u mungojnë duart, nga frakët e tyre, ata ngjasojnë me shpezët, e kjo më së miri vërehet edhe nëpërmjet këmbëve të tyre të hollë.

 

Nëpërmjet imazheve të videos, artisti në detaje kishte paraqitur të gjitha punimet e ekspozitës duke mos anashkaluar asnjë vepër. Këmbët e këtyre muzikantëve, nuk shkëputen nga baza, edhe pse lakohen në gjunjë. Çka kuptojmë me këtë? Një siguri të mjaftueshme dhe të qëndrueshme bazike, të muzikantëve në fjalë.

 

Ndërkaq, simbolin e llullës, artisti e përdorë përmes qafës së tyre dhe kokës. Po të vështrohet koka dhe qafa, i ngjanë  një llulle të fikur, e cila pret të ndizet.  Por, nga materiali i hekurit, llullat nuk na vijnë të vjetra, por të reja. Materialet të cilat i përdorë artisti në punimet e tija janë: poliesteri, plastika, metali, litari etj.

 

Edhe pse format e lakuara na shpërfaqin imazhe të jashtëtokësoreve, artisti na kujton për një skenë të përtejme e cila është mjaftë reale, por duhet të gjurmohet në kujtesën tonë. Raportet, lidhshmëria jonë në këtë kozmos, nuk është veçse një ëndërr, por një ditë, mund të ndeshemi me ta, sepse edhe ne si një grimcë e vockël, jetojmë dhe mendojmë për përjetësinë. Dhe dukshëm na shfaqet përjetësia në punimet e Rusinovcit. Andaj, mesazhi dhe qëllimi është tejet filozofik, por duhet vesh për të kuptuar dhe sy të kthjellët për të vështruar, ose ndjenja të pastra për tu zhytur i tëri, pas sekreteve simbolike të këtij artisti. Pjesa tjetër funksionale, është ndriçimi i verdhë, i cili rrezaton mbi skulpturat e pafajshme. Ai i jep trajtë dhe imazh, i ndryshon në kohë të caktuar, madje në shumë raste i vë në lëvizje. Rusinovci, në shumë raste është dadaist dhe surrealist. Një pjesë e punimeve i përket edhe botës së tij imagjinare, duke pretenduar të pasqyroj pastërtinë, baraspeshën, të cilat i fut në një fragment të një beteje ideale artistike. Këtu vërehet qartë se ëndrra e artistit është që bota ideale të bëhet reale, të spikatet nga realizmi i ri. Nëpërmjet veprës, çdo artist sadopak prezanton edhe brendësinë e tij reale, sipas këtyre rezultateve, Rusinovci na vije me karakter të fortë krijues, këmbëngulës, i sinqertë me vetën. Njëri me ide dhe stil origjinal.