Shtesë » Shoqëria
Diabeti, ja shkaktarët dhe pasojat
E merkure, 17.11.2010, 06:14 PM
Nga Eglantina Bardhi, Shekulli
Doktor Isuf Kalo shpjegon se diabeti zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për abotimet (prerjet e këmbëve), për infarkte miokardi. Shenjat e sëmundjes
Duke e cilësuar si një sëmundje tepër të rrezikshme edhe Drejtori i Qendrës së Akreditimit të Shërbimeve Shëndetësore, Isuf Kalo ka treguar pasojat e kësaj sëmundje. "Një person me diabet, sipas mjekëve, rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për abotimet (prerjet e këmbëve), për infarkte miokardi, për dëmtime në tru, etj", shpjegon ai duke shtuar se diabeti godet kudo çdo organizëm, çdo organ, çdo sistem dhe çon në invalidizëm, kjo do të thotë që njerëzit edhe vdesin para kohe, por më shumë invalidizohen. Sipas specialistëve, rrezikojnë për diabet të gjithë personat që paraqesin obezitet dhe mbipeshë, mungesë të aktivitetit fizik, ushqyerje jo të shëndetshme, trashëgimi për diabet në familje, sasi të lartë kolesteroli në gjak, moshë të madhe, gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe.
« Diabeti është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme. Kjo sëmundje shkakton pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale",- pohojnë specialistët duke shtuar se në këtë rast insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës).
Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme si etja, shtimi i oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet. Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet që bën në shumicën e rasteve, që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas një kalimi të një krize në zemër apo infarktit të saj. Po kështu shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes, varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.
Hoxha: Tashmë diabeti problem edhe për fëmijët
Diabeti nuk po kursen as fëmijët. Numri i të prekurve nga kjo sëmundje po vjen gjithnjë në rritje edhe në mosha shumë të reja. Shefi i shërbimit të Diabetologjisë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Petrit Hoxha shpjegon se fëmijët nuk po i shpëtojnë kësaj sëmundje. Megjithatë ai pohon se ndryshe nga të rriturit tek fëmijët sëmundja vihet re që në fazat fillestare. Ndërkohë ai këshillon të gjithë prindërit që kanë fëmijë të cilët vuajnë nga diabeti të tregohen shumë korrekt me mjekimin e tyre ndryshe pasojat janë të rënda.
"Dua të theksoj se prindërit duhet të kenë kujdes sidomos ndaj fëmijëve obezë sepse ata janë të predispozuar për t'u bërë diabetik. Tashmë është e vërtetuar se shumë obezë kthen diabetikë ndaj dhe mënyra e ushqyerjes ka një rëndësi shumë të madhe",- pohon Hoxha. Ndërkohë ai shpjegon se personat mbi moshën 40 vjeç, tek të cilët risku për të pasur diabet është më i lartë, të kryejnë një herë në tre vjet ose një herë në vit analizat e diabetit. Sipas tij, diabeti, të paktën tek gjysma e të prekurve mund të parandalohet, nëse kurohet që në fazat më të hershme të saj.
Cilat janë shenjat e diabetit?
Duhet të keni parasysh që diabeti i sheqerit futet ndër ato sëmundje "tinzare", të cilat kanë kohë që vendosen, por nuk paraqesin shenja. Këto shenja ato i paraqesin vetëm kur kanë dhënë ndërlikime.
Gjithsesi ekzistojnë ato që quhen shenja "parapritëse" të diabetit.
Këto shenja janë:
• Etje e pazakonte dhe tharje të gojës.
• "afeksion për banjën" dëshirë e papërmbajtshme për të shkuar në banjë (urinim i shpeshtë).
• Rënie në peshë për një kohë të shkurtër.
• Lodhje e pakufishme, gjithmonë pa energji.
• Infeksione të herëpashershme dhe që mezi shërohen.
Shkaqet e diabetit në varësi të llojeve të tij
Për diabetin e tipit të parë shkaktarë kryesore mbeten sëmundjet virale të cilat nxisin një përgjigje imune nga ana e organizmit. Si rezultat i kësaj përgjigje, dëmtohen qelizat beta të pankreasit (organit që prodhon insulinë), të cilat dalin jashtë funksionit. Kjo çon në mosprodhim të insulinës dhe rritje të sheqerit në gjak.
Për diabetin e tipit të dytë ekzistojnë dy kategori shkaqesh. Në kategorinë e parë futen të gjithë ato shkaqe për të cilat nuk mund të ndërhyhet. Këtu futen:
1- Histori familjare për diabet (kur ke ndonjë të afërm, prindërit, motra e vëllezër me diabet).
2- Mosha (zakonisht kjo sëmundje shfaqet në moshën mbi 45 vjeç). Megjithatë nga studimet e fundit është arritur në përfundimin që edhe mosha më të vogla (nën 20 vjeç) mund të shfaqin tipin e 2-të të diabetit.
3- Prejardhja (bërja pjesë në grupet etnike që janë me rrezik të lartë për të shfaqur sëmundje).
Në kategorinë e dytë, futen ato shkaqe në të cilat ju mund të ndërhyni dhe madje bëni të mundur t'i ktheni prapësht. Këtu bëjnë pjesë:
a- Pesha
b- Dieta
c- Alkooli
d- Duhanpirja
e- Stresi
f- Kequshqyerja
Sëmundjet kronike me të përhapura në vendin tonë
Hipertension
Diabeti
Kardiake
Astma Bronkiale
Epilepsia
Psikoza Skizofrenike
Hipoplazia e Prostatës
Tumori Malinj i gjirit të femrat
Insuficienca kronike e veshkave
Talasemia Major