| E hene, 15.11.2010, 10:57 PM |
MALLI PËR ATDHE
Nga Halit Bogaj
Malli për atdhe është një fenomen i cili prek zemren dhe shpirtin e qdo njeriu, sidomos te mergimtarëve të cilët kanë qenë një kohë të gjatë larg tij. Malli për atdhe lëndon qenien e brendshme të miliona njerëzve të cilët për arsye të ndryshme e kanë lëshuar atdheun dhe janë vendosur në vende të tjera. Arsyet më të shumta, si gjithmonë, ishin të natyrës ekonomike por edhe të motivuara politikisht. Prandaj, në kontaktet me mërgimtarët tanë kurdoherë dëgjohen rrëfime të llojllojshme të cilat nuk ‘’ I kanë lënë asnjëherë të qetë mërgimtarët tanë të vendosur nëpër vende të huaja’’. Në këtë drejtim
Mërgimin shqiptar e trajtuan një varg poetësh, këngëtarësh, piktorësh dhe pjestarë të fushave të ndryshme të jetës njerëzore, të cilët ishin të preokupuar me ëndrrat e tyre të kthimit, por që shpeshhere vdisnin pa I realizuar fare ato. Ata që nuk kishin mundësi të ktheheshin, i lenin porositë e tyre që një ditë t’u dërgoheshin bile eshtrat për t’u varrosur atje nga kishin ardhur.
Shkrimtarët dhe poetët tanë të mërgimit na i dhuruan një varg veprash të pavdekshme të cilat na kthejnë në kohën e tyre dhe në përjetimet e çastit kur i kanë shkruar ato vargje. Ta zëmë kush do t’i këndonte më bukur atdheut se Filip Shiroka i cili na mahniste me poezinë e tij antologjike ‘’ Shko dallëndyshe ‘’ me të cilën e porosit shpendin shtegëtar që, mes tjerash, t’i vizitojë edhe varret e prindërve të tij të dashur, të varrosur në ‘’Fushë të Rrmajit ‘’.
Motivi i mërgimit periodik, por edhe i atij shekullor, siç është rasti me arbëreshët e Italisë, ka lënë vrrage të thella në komunitetin e tyre atje. Ata kanë mbetur fenomenalë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave tona kombëtare, nga të cilët kane dalur edhe poetë të formatit europian dhe botëror : si Jeronim de Rada me veprën e tij të famshme ‘’ Këngët e Milosaos ‘’ për të cilën e kishin përgëzuar edhe poetë të njohur si poeti francez Alfons de la Martin. I tille ishte edhe Zef Serembe me vargjet : ‘’ Shqipëria matanë detit na kujton/ Se të huaj jemi ne n’ këtë dhe’’ ose Noli me vargjet :‘’ /Dhe një zë më vjen nga lumi /Me buçet më zgjon nga gjumi/Se mileti po gatitet /Se tirani lebetitet ‘’.
Pra, në krijimin e poezisë mërgimtare, kontribut të madh dhanë shumë poetë tanë të shquar ,në mesin e të cilëve janë: edhe Naim Frashëri, Asdreni, Pashko Vasas, Çajupi, Spiro Dine, Noli, Thimi Mitko etj..
Për shembull, kush mund t’i harrojë vargjet e fuqishme të Naimit: ‘’ Ti Shqipëri më jep nder/ Me jep emrin shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove /Plot me dëshirë e me zjarr ‘’ , ose ato të Pashko Vasë Shkodranit: ‘’ Moj e mjera Shqiperi/ Kush të ka futur me krye ne hi/Ti ke pasë kenë njo zonjë e ranë/ Burrat e dheut të quejshin nanë/, vargje këto që i mobilizonin masat e gjëra popullore për luftra të shumta për çlirim kombëtar. Të tillë ishin edhe poetë të tjerë patriotë që krijonin dhe jetonin jashtë kufijve të atdheut si: Asdreni, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Thoma Kacori dhe të tjerë të cilët kokën e kishin të kthyer përherë në drejtim të atdheut.
Kjo temë është tepër e gjërë dhe komplekse për t’u trajtuar, por ne u përpoqëm që shkurtimisht ta zinim në gojë rëndësinë e saj që e ka për të gjitha trojet shqiptare.