U percollen ne banesen e fundit kater femijet qe humben jeten mengjesin e se henes ne shtepine e tyre ne Sukth, asfiksuar nga zjarri. Ceremonia mortore eshte zhvilluar në fshatin Tapizë të Krujës, ku e shoqeruar nga police ka marre pjese edhe e ema e vogelusheve, Suzana.
Nën zhele e mjerim dhe fillikat të vetëm kanë ikur nga kjo botë Roberti, Vilsoni, Kasandra dhe Nertila. Pak kilometra nga sheshi ku tamtamet e qeverisë do të na rrëfejnë "mrekullinë e lirisë", në një kasolle 25 m2 mjerimi na shfaqi edhe njëherë fytyrën e vet të shëmtueme. Katër fëmijë të vdekur e një nënë që mallkon zot e dreq, që as një grusht dhe nuk mund t'i hedhë fëmijëve të vet.
****
Gurët e lagjes kanë qenë argëtimi i vetëm për katër fëmijët e Zana Xhekës. Në shtëpinë e tyre nuk sheh kërrkund lodra fëmijësh. Roberti (më i madhi i fëmijëve) ishte vetëm 13 vjeç. Në kasolle ka gjithkund vetëm zhele që mbulonin trupat e vegjël. Dhoma e vetme në një qoshëzë ka një televizor. Gjëkundi tjetër syri nuk të sheh orendi shtëpiake.
Në këtë mjerim, në qendër të Bashkisë Sukth jetonte prej dy vitesh Suzana Xheka me katër fëmijët e saj, Robertin 13 vjeç, Vilsonin 11 vjeç, Kasandrën 9-vjeçare dhe Nertilën 6 vjeç. Edhe pse në zgrip të mjerimit, fëmijët përpiqeshin të kujdeseshin për njëri tjetrin, dhe nëna e tyre bënte gjithçka, - vërtet gjithçka - për tu siguruar së paku ushqimin.
Ana Cenaj, fqinja e familjes Xheka na tregon se megjithë mjerimin e tyre, fëmijët shkonin në shkollë dhe për këtë kujdesej fort Roberti. 13-vjeçari asnjëherë nuk ndahej nga motrat dhe vëllezërit e tij, - tregojnë fqinjët. Gjithkush në Sukth i njeh fëmijët Xheka. Ndoshta jo aq fort prej mjerimit se sa prej faktit që gjithmonë qëndronin bashkë. E krejt në heshtje ikën bashkë edhe nga kjo botë.
As Ana Cenaj, as të afërm të tjetër të familjes Xheka nuk kanë dëgjuar ndonjë zhurmë apo thirrje për ndihmë nga kasollja. Gjatë natës së mërkurë, në Sukth nuk ka pasur drita. Të gjorët fëmijë kanë rënë shpejt për të fjetur në shtratin e vetëm që ka dhoma. Kanë rënë për të fjetur për mos t'u zgjuar më kurrë.
Ashtu të shtrirë mbi krevat, me sytë të mbyllur përjetësisht i ka gjetur në agim nëna e tyre, Suzana Xheka. Një vatër zjarri në banesë ka shkarkuar gazra helmues, ndërsa fëmijët kanë qenë në gjumë.
Sipas të dhënave të para mendohet se fëmijët kanë ndezur një qiri, ndoshta të frikësuar nga errësira. Nga ekspertiza mjekoligjore e trupave u pa se vocërrakët kishin shenja bloze në fytyrë. Policia dyshon se qiriri i ndezur ka krijuar një vatër të vogël zjarri që është shuar, por që ka prodhuar tym në banesë dhe ka asfiksuar Robertin, Vilsonin, Kasandrën dhe Nertilën..
Zyrtarisht ky është motivi i kësaj tragjedie në Sukth.
Rrëfimi shokues i Zanës, e martuar 15 vjeç, viktimë e dhunës nga bashkëshorti i larguar prej familjes. Punonte natën që fëmijët të kishin ushqim dhe të mund të shkonin në shkollë'Kam pranuar nëpërkëmbjen për të rritur fëmijët'Një grua e braktisur nga i shoqi para 4 muajsh është përballur me aktin më tragjik të jetës së saj kur ka parë fëmijët pa jetë që dyshohet paraprakisht se janë helmuar nga çlirimi i gazrave karbonikë. Rreth kësaj ngjarjeje policia ka deklaruar se me datë 11.11.2010, rreth orës 02:30, në një banesë të ndodhur në afërsi të Kantinës së Verës në Sukth, është konstatuar vdekja e 4 fëmijëve të familjes Xheka. Zëdhënësja që në orët e para të mëngjesit njoftoi se rezulton të kenë gjetur vdekjen nga asfiksia fëmijët Robert Besim Xheka, 13 vjeç, Vilson Besim Xheka, 11 vjeç, Kasandra Besim Xheka, 9 vjeçe dhe Nertila Besim Xheka, 6 vjeçe. Ekspertët e policisë që kanë shkuar në vendngjarje pas veprimeve paraprake hetimore përcaktuan se shkaku i vdekjes së këtyre shtetasve është asfiksia nga gazrat e shkaktuara nga një zjarr i rënë në një nga qoshet e dhomës ku ndodheshin fëmijët. Vatra e zjarrit është krijuar nga një qiri i ndezur për të thyer errësirën, por pasi i ka zënë gjumi nga qiriu ka marrë flakë televizori dhe tavolina të cilët kanë çliruar sasi të mëdha dioksidi të karbonit, që ka asfiksuar dhe marrë më pas jetën e 4 vogëlushëve të braktisur në mëshirë të fatit të keq. Policia ka sqaruar rrethanat duke saktësuar se në momentin e kësaj tragjedie të dhimbshme në banesë nuk ndodhej asnjë nga prindërit (babai prej disa muajsh nuk jetonte me familjen për shkak të konflikteve familjare, ndërsa nëna që prej pasdites ndodhej në punë në një lokal të Tiranës) Menjëherë pas marrjes njoftimit në vend kanë shkuar drejtues të Policisë së Qarkut Durrës, drejtues të pushtetit vendor (Prefekti i Qarkut, Kryetari i Bashkisë Durrës). Po kështu të njoftuar nga shërbimet e Sallës Operative në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe shërbime të zjarrfikësit të qytetit, Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës.
Historia30-vjeçarja Suzana Xheka është shtruar në urgjencë dhe është mbajtur nën mbikëqyrje të rreptë të mjekëve pas traumës së rëndë që ka pësuar. Ajo flet mbi jetën e saj të rëndë që po kalonte si rezultat i braktisjes nga burri i saj, i cili më parë e dhunonte vazhdimisht e që më pas i kishte lënë në mëshirë të fatit.
Ajo mezi flet dhe me sytë e mbyllur. Mbase është një qarje me ligje, por që dhimbja e ka bërë ta thotë në prozë fatin e zi të fëmijëve dhe të saj. E lindur në fshtin Selishtë të Dibrës ku kishte mbetur jetime që fëmijë, qan përsëri në spital se tani janë fëmijët të cilët e kanë lënë atë jetime.
"Për t'i rritur këta fëmijë, - thotë mes rënkimeve, - njerëzit më kanë shkelur me këmbë". Ky është prologu i tragjedisë së saj. E martuar vetëm 15 vjeçe, ajo nuk pa asnjë ditë të bukur. Suzana thotë se fati i dha një burrë që nuk ka punuar kurrë për të ushqyer fëmijët, dhe ajo është detyruar të punojë natë e ditë për t'i ushqyer në pamundësi të mëdha eknomike. Para disa muajsh ai e ka braktisur përfundimisht familjen. Tregimi i saj në spital është i dhimbshëm.
"Që kur lindi djali i parë e deri më sot kam bërë shumë sakrifica për fëmijët. Më kanë marrë njerëzit nëpër këmbë, sa unë nuk dija ç'të bëja për të ushqyer fëmijët...
Mbrëmë i gjeta. Vetëm gocën e vogël kam parë sipër krevatit, të zbardhur. S'guxova më të kontrolloj fëmijët e tjerë. Fillova të bërtas. Erdhën komshinjtë. I rashë telefonit të shokëve të punës të cilët më kishin sjellë në shtëpi. Ata sapo e kishin kaluar mbikalimin, kur u kthyen prapë dhe erdhën aty. Kishte nxehtësi e madhe te xhamat. I theva. Erdhën komshinjtë dhe hynë brenda. Kur pashë vajzën e vogel hapa derën dhe dola përjashta duke bërtitur me të madhe.
Burri nuk është përgjigjur kurrë për fëmijët. Asnjë copë bukë nuk ka sjellë në shtëpi. Asnjë palë çorape nuk u ka blerë ndonjëherë. Punoja ditë e natë. Kur shkoja në shtëpi haja dru edhe tortura nga ai. I thoshin njerëzit e mi "Mbaje gruan në shtëpi, dil e puno. Nëse kjo do të dalë nga dera, do të vime ne që ta mbysim në derën tënde. Kështu që isha e detyruar të dilja. Jam martuar 15 vjeçe. Kalama, që ta nxjerr nënën faqebardhë se ishim jetimë. Fëmijët e mi rrinin bashkë. Ata nuk ndaheshin nga njëri tjetri.
Kur ika i lashë me drita, kur u ktheva s'kishte drita. Ika për punë. Nuk kishte pasë në asnjë vend (drita) s'di ç'të të thotë më shumë motra jote..".
Suzana, nuk gjejmë dot fjalë për t'ju ngushëlluar.. Çfarë ndodhi me fëmijët? (qan) Nuk ka shumë kohë që unë kam filluar punë në një lokal nate në Tiranë. Më parë punoja kamariere këtu afër, por nuk më paguanin mirë ndaj gjeta këtë punën e re dhe fillova. Roberti kujdesej për fëmijët më të vegjël dhe si të thuash ikja pa merak në punë. Veç kësaj i kisha thënë edhe një fqinji këtu që të kujdesej natën për fëmijët. Kështu ndodhi dhe mbrëmë. E kam telefonuar rreth orës 12 për të mësuar si ishin fëmijët. Ai kishte ardhur për të parë dhe më tha në telefon se ato po flinin dhe unë vazhdova punën e qetë.
Pastaj u kthyet në shtëpi..Ishte ora tre e mëngjesit. I thirra Robertit të hapte derën, por nuk përgjigjej njeri. U bëra merak se Roberti e kishte gjumin e lehtë shpirti mamit.. (qan) dhe po gjuaja më fort mbi derë, por sërish asnjë prej fëmijëve nuk po përgjigjej. Kam dal nga ana e pasme e shtëpisë për të parë në dritare dhe brenda kishte errësirë...
Kam filluar menjëherë të ulërij dhe me një komshi që erdhi këtu kemi thyer dritaren. Kam parë trupin e vajzës mbi krevat. Ishte e mbuluar me pluhur. Dhe fëmijët e tjerë në krevatin e madh.. dikej sikur po flinin. (rënkon e qan) Pastaj nuk di gjë çfarë ka ndodhur. Gjithçka ishte e djegur, por fëmijët jo, nuk ishin djegur fëmijët...
Suzana, po bashkëshorti juaj ku ndodhet?Nuk e di. Ka kohë që jemi ndarë. Jam detyruar të denoncoj dhe në polici, jam keqtrajtuar prej tij.. Asnjëherë nuk ka punuar për t'u kujdesur për fëmijët (rënkon) Jam detyruar të punoj vetë për të ushqyer fëmijët e mi. Ata nuk ndaheshin asnjëherë me njeri-tjetrin. Me punën që bëja paguaja dhe qiranë, si dhe mundohesha që fëmijëve të mi mos t'iu mungonte asgjë në shkollë, ndaj dhe vendosa të punoj natën se fitoja më shumë..
Po asistencë a keni marrë nga Bashkia e Sukthit?Jo. Asnjëherë, deri më tani dhe pse ne jemi banorë të kësaj Bashkie. E vetmja ndihmë që na u premtua ishte nga kryqi i kuq. Ata erdhën para disa ditësh dhe panë ku jetoja. Më thonë që do të më ndihmonin, por tani ç'më duhet ndihma e tyre mua.. (qan).. Unë kurrë nuk do të kem më fëmijët e mi, për të cilët kam sakrifikuar gjithçka deri më tani.
Shaban Cenaj: Fëmijët i gjetëm pa jetë, nuk kishte asnjë mundësi shpëtimiKuja e vënë në mes të natës nga Zana i ka kallur datën Shaban Cenajt. Është fqinji më i afërt i familjes Xheka, ndaj dhe ka qenë ndër të parët që ka mbërritur aty për të parë dhe rrëfyer historinë më të tmerrshme të jetës së tij. Në një dhomë me katër metra katror gjithçka e shkrumbuar, ndërsa trupat e pa jetë të fëmijëve dergjeshin mbi shtretërit e rrënuar.
"Sapo kam dëgjuar ulërimën e Zanës kam shkuar për të parë çfarë kishte ndodhur. Dera ishte e mbyllur nga brenda dhe jemi detyruar të thyejmë dritaret dhe më pas kemi parë tragjedinë e ndodhur. Dhoma ishte e mbushur me tym, ndërsa fëmijët i gjetëm të shtrirë nëpër krevate. Dukej sikur po flinin. Nuk na mbetej gjë tjetër veçse të lajmëronin policinë, e cila ka ardhur menjëherë në vendngjarje",- rrëfen Shaban Cenaj.
Trupat e fëmijëve tërhiqen nga xhaxhaiNë orët e vona të pasdites, në morgun e spitalit të Fierit është paraqitur vëllai i Besim Xhekës. Xhaxhai i katër fëmijëve të asfiksuar ka kërkuar të tërheqë trupat e tyre dhe pas kësaj është larguar për në një fshat ë afërsi të Thumanës, ku edhe banonte. Mësohet se ka pasur një konflikt mes nënës dhe xhaxhait për tërheqjen e trupave, por duke qenë se nga familja e Suzanës askush nuk ka pranuar të merret me varrimin e fëmijëve, trupat e tyre i janë dorëzuar vëllait të të atit, i paraqitur në morg pasi ka mësuar vdekjen e katër nipërve.
-----------------------------------------------------------------------
4 engjëjt që na shkulën shpirtin...
Igli Totozani,Shekulli, 12/11/2010
Engjëj të vegjël që ikët kaq nxitimthi nga kjo jetë. Kaq të vegjël e kaq të fortë sa të na shkulni shpirtin. Deri dje, ne s'e dinim që ju ishit. Që luanit vetëm me veten tuaj, që rriteshit nga dita në ditë. Ne s'e dinim "ç'bluanin" ato mendjet tuaja të vogla, kur nata binte dhe mblidheshit rreth njëri-tjetrit, për të duruar të ftohtin, por edhe për të qeshur me çapkënllëqe pafund. Ne nuk e dinim, nëse kishit apo jo për të ngrënë mjaftueshëm. Nuk e dinim, nëse sakrificat e nënës suaj kanë mundur t'ju sjellin gjëra aq të mira sa ç'provojnë fëmijët tanë. Nëse kishit qenë ndonjëherë në një kënd lodrash... Ne nuk e dinim që ishit mbi këtë botë. E që jetonit kaq pranë nesh. E kaq ndryshëm nga ne. Por sot na keni thyer e përkulur sa s'mbajmë dot më peshën e ikjes suaj. Ne s'kemi ditur gjë për ju.
Por e ka ditur Zoti. Dhe Ai është në çdo fëmijë të kësaj bote. Dhe ndoshta vet Ai e di çka jetuar bashkë me ju, në atë kasollen e vogël që mediat e bën sot aq të madhe. Ai na shikon të gjithëve. Dhe ndoshta s'ka mundur dot të durojë t'ju shoh tek bëheshit të rritur. Pa qenë më parë fëmijë. S'ka mundur dot ndoshta të durojë as ato mungesat e jetës suaj të mjerë. Ishit kaq të vegjël. Të brishtë. E mëndja juaj, si e çdo fëmije të kësaj bote njeh vetëm të bukurën, të mirën, e nuk ngrihej dot "më lart". Në ato lartësitë që mundet truri i një të rrituri. Për të kuptuar se mund të kishte dhe për ju një jetë ndryshe. Plot gjëra të ëmbla, që ndoshta ju nuk e dinit se ekzistonin e që janë aq normale për fëmijët tanë. Ju ishit aq të vegjël e të pamundur. Për të kuptuar se ishit të ndryshëm në mundësitë e jetës.
Por, mesa duket, e ka ditur dikush tjetër që është mbi ju. E mbi ne. E ka ditur Zoti. I cili na sheh të gjithëve. E ndoshta s'ka duruar dot. Tek ju ka parë ashtu, çdo ditë, çdo natë të jetës suaj. Ashtu të zbehtë, nën dritën e një qiriu të mallkuar, në këtë natë të ftohtë dimri, si të gjithë dimrat e netëve tuaja. Ashtu të katërt, tek ngroheshit me njëri - tjetrin, në atë kasolle të ngushtë, të harruar nga ne të gjithë. Atë kasolle, aq të vogël për shpirtrat tuaj. Dhe i ka dhembur. I ka therur.
Më shumë akoma, me siguri, po të ketë menduar se kaq pranë tyre, ngrihet një qytet i madh e me drita, ku ka njerëz të pushtetshëm të gatshëm të shfrytëzojnë çdo shkak për të festuar dhe prishur miliona. Ato miliona që aq të ndryshme do ta kishin bërë jetën tuaj. Qyteti ku njerëzit e mirë janë mbledhur e bërë kruspull dje nga historia juaj e s'kanë më as zë e as zemër për të kundërshtuar këtë ikje... Që të shkul shpirtin.
E ndoshta s'ka duruar dot. Tek ka parë nga lart, aq lart sa qëndron Ai, një grumbull njerëzish teksa ngrinin në qiell skelat e koncertit të ardhshëm, të zhurmshëm e të madh. Pak kilometra më tej, katër zemra të vogla të vetmuara nga gjithçka. Dhe një qiri.
E i ka thirrur. I ka marrë me vete, në atë vendin e mrekullueshëm për t'i pasur pranë e kujdesur për ta. E ka ndjerë, e ka kuptuar: s'do t'ju mbërrinte kurrë një ndihmë nga ne.
Na latë pas një dhimbje që s'shërohet. Jo vetëm në zemrën e nënës, por në zemrat e të gjithë prindërve të këtij vendi. Të të gjithë njerëzve të urtë të këtij vendi, që prej nga s'mbahet mend, vazhdojnë të kërkojnë një jetë më të mirë e më të denjë. Në një heshtje të padenjë. E të padrejtë. Për të kërkuar një të drejtë, që vetë zoti ua dha.
Ne jemi tokësorë. Ne nuk mund të gjykojmë veprimet e Tij. Arsyet e tyre. E ndoshta s'kemi për t'i kuptuar asnjëherë. Të paktën, për sa kohë do të jemi mbi këtë tokë. Por arsyet tokësore i kuptojmë ama. E vazhdojmë të heshtim. Edhe kur Roberti, Vilsoni, Kasandra e Nertila, na përkulin nga dhimbja, tek ikin nga kjo jetë për shkak se në kasollen e tyre, si në mijëra të tilla të Republikës, nuk ka mbërritur vëmendja jonë. Duke harruar dhimbshëm kështu se, Zoti është në çdo fëmijë, në çdo njeri.