| E diele, 14.11.2010, 08:58 PM |
Nga e djathta: Ibrahim K. Malaj e Murat Gecaj
IBRAHIM KADRI MALAJ: PESË LIBRA KUSHTUAR VENDLINDJES, MALËSI E GJAKOVËS (TROPOJË)
Nga: Prof.as.Dr. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
1.
Ndërsa vazhdonin të hynin, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, të fturatit e shumtë, shumica nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), padashur mendja më shkoi në vitet e kaluara, para 1990-ës. Atëherë, numëroheshim me gishta familjet dhe banorët e ardhur nga ajo krahinë e që ishim me punë këtu. Pra, as që flitej për tubime të tilla në përurime librash a veprimtari masive, me ngjyrë krahinore. Ndërsa tani janë të natyshme mbledhjet përkujtimore, festat familjare ose përurimet e librave etj., në mjedise të ndryshme të Tiranës. Kjo sepse lëvizja e lirë e njerëzve krijoi hapësira të papara ndonjëherë dhe ata e ndiejnë vetën vërtet në kryeqytetin e tyre.
Të përqendruar në diskutimet e kolegëve…
Me që ra fjala për përurimin e librave, shënoj këtu se, ndoshta, autorët nga Tropoja janë ndër më prodhimtarët e me talente të spikatura. Ata kanë shkruar e publikuar libra me tematikë të larmishme, nga historia e gjeografia, traditat atdhetare e liridashëse, në prozë e poezi, për arsimin e kulturën, gjuhësinë etj. Megjithëse jam i sigurtë që do të lë pa përmendur mjaft emra, që e meritojnë plotësisht dhe këtë gjë e bëj vetëm nga pamundësia për t’i kujtuar të gjithë, tani po shënoj disa nga këta autorë, ku edhe kam patur rastin të marr pjesë në përurimin e librave të tyre. Të tillë janë Sokol Arifi, Ndoc Papleka, Miftar Memia, Besnik Mustafaj, Ndue Ukcama, Kolë Tahiri, Marash Mëhilli, Xheladin Gosturani, Marash Hajati, Ali Mula, Selim Matoshi, Frrok Vukaj, Ibrahim Hamza, Ramiz Lushaj, Zef Mulaj, Halil Hajdari, vëllezërit Bala dhe sa e sa të tjerë. Por më kujtohen edhe disa krijuese femra, ndër të cilat spikat prozatorja e talentuar Brunilda Zllami, poetja Enkelejda Tahiri e kështu me radhë.
Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria
Krijuesit e këtij rrethi, tanimë, janë bërë të njohur dhe për lexuesit e shumtë të Gjakovës e rrethinave të saj dhe në mbarë Kosovën, duke organizuar dhe atje përurime librash. I fundit ishte libri jetëshkrimor, kushtuar mësuesit atdhetar Salih Myftar Kolgeci, që e paraqita para pak ditësh në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës. Por dhe që atje kanë ardhur me librat e rinj të tyre në Shqipëri dhe tropojanët kanë qenë të pranishëm në përurimet e tyre. Këto shkëmbime të ndërsjellta kanë bërë që kultura dhe letërsia jonë kombëtare të bëhën pasuri e përbashkët e tërë shqiptarëve.
Nuk mund të lë pa përmendur dhe një dukuri tjetër. Në përurimet e librave në Tiranë, të autorëve nga qytete e krahina të ndryshme të Shqipërisë, marrin pjesë rregullisht dhe krijues e lexues të shumtë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja).
Libra, nga Ibrahim K. Malaj
2.
Në festë e bukur librash ose një tubim mbresëlënës, mund ta vlerësoj shkurt përurimin e dy librave të autorit nga Tropoja, Ibrahim K. Malaj. Deri tani, ai ka shkruar e publikuar pesë libra të tillë, pra me tematikë rrënjët e së shkuarës dhe të sotmen, traditat atdhetare e kulturën e kësaj krahine. Ata kanë titujt domethënës: “Tropoja ime”, “Tropoja në breza” e “Malësia e Gjakovës-Tropoja”, vështrim gjeografik e historik, arsimor e kulturor etj. Sigurisht, ai mendon e shkruan edhe për libra të tjerë, kushtuar vendlindjes së tij.
Në tubimin në fjalë, kishin ardhur për të marrë pjesë, në këtë gëzim të përbashkët, kolegë e miq të autorit, familjarë të tij e bashkëkrahinas, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë.
Veprimtarinë e çeli dhe e drejtoi publicisti Halil Katana. Pastaj, për librin “Traditat etno-kultuore shqiptare në Tropojë”, foli ish-drejtuesi i arsimit e kulturës në atë rreth, Haki Zllame. Ndërsa Prof.Hulusi Hako, duke komentuar rreth librit të ri “Besimet fetare në Tropojë”, u ndal në traditat e mira të bashkëjetesës fetare ndërmjet banorëve të asaj krahinës, ku malësorët kanë besimin mysliman e katolik. Kjo gjë është bazuar në raspektimin e objekteve dhe të emrave e praktikave fetare etj.
Studiuesi e botuesi nga Kukësi, Prof. Shefqet Hoxha dëshmoi pasurinë e madhe e të lamishme të traditave etno-kulturore në fshatrat e ndryshme të krahinës së bukur të Tropojës. Ndërsa publicisti dhe autori i disa librave, Ramiz Lushaj i quajti librat e Ibrahim K. Malajt “lumë vlerash” për njohjen dhe përjetësimin e traditave të gjithansheme të popullit të Malësisë së Gjakovës.
Në vazhdimësi folën Hysni Osmani, bashkëpunëtor i autorit në profesionin e agronomit dhe juristi Hasan Selimi. Studiuesi e botuesi i traditave popullore, Nuredin Sadik Lushaj, duke e vlerësuar punën e palodhur e cilësore të autorit, përdori fjalen e urtë se “Punën e bën vullneti e jo kyveti (fuqia)”. Mendimet e tij ai i shprehu dhe në vargje. Emocione të forta shkaktuan në sallë fjalët e nipit të autorit, vogëlushit Florian Malaj dhe sidomos të mbesës së verbër, Ada Malaj. Kjo e fundit, duke e përqafuar me dashuri dhe duke i dhuruar gjyshit lule të freskëta, iu drejtua me këto fjalë: “Ti, gjyshi im, je si ajo bleta punëtore, që kalon lule më lule dhe mbledh nektarin e tyre, që e bën mjaltë. Por librat e veprat e tua janë më të rëndësishmë se mjalta, sepse ato kanë me vete përjetësinë”.
Autori, i rrethuar nga nipat e mbesat…
Autori i dy librave, që u përuruan në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, Ibrahimm Kadri Malaj i falënderoi nga zemra folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari. Pastaj ata morën pjesë në koktejin e organizuar, me këtë rast dhe bënë shumë fotografi së bashku, të cilat do të jenë një kujtim i paharruar.
(Fotot nga: Murat Gecaj)
Tiranë, nëntor 2010