Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Në përvjetorin e lindjes

| E shtune, 13.11.2010, 10:29 AM |


Vullnet Mato

 

NË PËRVJETORIN E LINDJES     

 

Dielli të më jepte në trup

pak energji nga rrezet,

qielli të më dërgonte në sy

ca vezullime yjore,

era të më dhuronte

pak freski nga mëngjeset,

mund të bëhesha prapë

si  në vitet rinore.

 

Shkëmbinjtë të më jepnin

në muskuj forcën,

ujëvarat shkathtësinë

e vrulleve kërcimtare,  

lëndinat dendësinë mbirëse

të barit te flokët, 

mund kthehesha sërish

te mosha djaloshare.

 

Lulishtet të më falnin

pak nga hijeshia e tyre,

çiftet të shtonin për mua

një puthje më tepër,

dashnorët të më jepnin

pak ngazëllim fytyre,

me siguri do bëhesha i ri

dhe i bukur patjetër...