Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Shtohet kujdesi për nxënësit me aftësi të kufizuara

| E premte, 12.11.2010, 10:58 PM |


SHTOHET KUJDESI PËR NXËNËSIT  ME AFTËSI  TË KUFIZUARA

 

(Konferencë shkencore në Tiranë, ku marrin pjesë përfaqësues nga disa shtete)

 

Nga Prof. as. Dr. Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

 

Dje paradite, në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit tonë, u çel  Konferenca dyditore Shkencore e Tiflopedagogjisë (Probleme të arsimit për nxënësit që nuk shikojnë). Organizatorë janë Fondacioni “Vsio” i Holandës dhe Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë.  Merrnin pjesë nxënës e pedagogë të  këtij Instituti, nga institucionet arsimore e kulturore, media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë. Gjithashtu,  ishin të pranishëm përfaqësues të ministrive të Arsimit e Shkencës të Republikës së Shqipërisë e Kosovës, nga shoqatat e të verbërve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali I Zi dhe Lugina e Preshëvës.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori  i Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë, MA Hajri Mandri. Pastaj përshëndeti  përfaqësuesja e Fondacionit “Viso” të Hollandës, znj. Carina Poles. Ajo theksoi nevojën e kujdesit të veçantë të familjes, shkollës e mbarë shoqërisë për këtë kategori të nxënësve. Ndërsa  kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Dr. Sinan Tafaj u ndal në udhën e përshkuar, që nga themelimi I këtij Instituti në vendin tonë, më 1992, arritjet e deritanishme dhe  çështjet që mbeten për t’u zgjidhur në të ardhmen. Dëshmi e punës së bërë dhe arritjeve nga ky Institut është se, pas mbarimit të arsimit përkatës, tani i ndjekin Universitetet 121 studentë, të cilat kanë dalë prej tij. Ndërsa që nga themelimi i kan marrë diplomat e shkollave të larta 236 nxënës, që nuk shikojnë. Me gjithë kujdesin në rritje ndaj tyre, përsëri dalin problem të mprehta, si për tekstet e bazën tjetër material specifike, punësimin dhe integrimin e plotë në shoqërinë shqiptare. Për këtë qëllim, tha Dr.Tafaj, po hartohet një projekt i veçantë, shoqëruar me strategjinë përkatëse, me synimin që nxënësit që nuk shikojnë të përfshihen në arsimin e zakonshëm 9-vjeçar. Lidhur ngusht me këtë gjë është dhe hartimi e botimi i teksteve  të posaçme për këta nxënës.

Prof.Virgjil Nano, pedagog në Universitetin e Tiranës, në kumtesën e tij u ndal në punën e veçantë kualifikuese me personelin, që u shërben këtyre nxënësve, metodat e vëzhgimit dhe të trajtimit të tyre, në procesin e mësimit dhe të edukimit.. Po kështu, ai përmendi  veçoritë e nxënësve që nuk shikojnë, të cilët janë të tillë që në lindje ose që e kanë humbur këtë aftësi më vonë.

Vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi dhe kumtesa e paraqitur nga  Vedat Bajrami, drejtor i arsimit special në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës.  Ai përmendi politikat e gjithëpërfshirjes, që po synohen atje dhe vizionin për të ardhmen, bazuar në përvojën e deritanishme. Me inters të veçantë ishin dhe punimet e paraqitura nga specialistët tjerë të ardhur nga Kosova: Xhavit Kastrati (Pejë), MA Lulavere Behluli, Bujar Kadriu e Semiha Hamiti (Prishtinë).

Konferenca do t’i vazhdojë punimet edhe sot, datë 12 nëntor 2010. Ndër të tjera, do të bëhen vizita në mjediset e Institutit të Nxënësve që nuk Shikojnë të Tiranës. Aty do të mbahen kumtesa të tjera nga specialistë arsimit dhe pedagogjisë nga disa vende: Mehmet Kastrati (Kosovë), Zako Zalkovski (Maqedoni),  Fadil Muqiq (Mali i Zi), Prof. Shaban Sinani, Prof. Hajri Shehu, Geraldina Minxha, Emin Gjapi, Naim Zoto, Bujar Muça, Entela Puja e Halil Rama (Tiranë) dhe Gëzim Rexha (Kosovë).

Temat e paraqitura në këtë Konferencë dhe veprimtaritë e zhvilluara, me këtë rast,  dëshmojën kujdesin në rritje ndaj nxënësve që nuk shikojnë, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali I Zi dhe Lugina e Preshëvës. Me masat e parashikuara, bazuar dhe në mendimet e shfaqura aty, në të ardhmen synohet që kjo kategori e nxënësve të integrohet sa më normalisht në mjediset e vendeve, ku ata mësojnë sot dhe nesër do të punojnë e jetojnë.

Z.Vedat Bajrami, duke folur në Konferencë
Z.Vedat Bajrami, duke folur në Konferencë

Pamje nga salla, ku u zhvillua Konferenca
Pamje nga salla, ku u zhvillua Konferenca

Prof. Virgjil Nano, duke lexuar kumtesën e tij.
Prof. Virgjil Nano, duke lexuar kumtesën e tij.

(Fotot: M.Gecaj)
Tiranë, më 11 nëntor 2010