| E premte, 12.11.2010, 10:57 PM |
Pena që trazoi heshtjen
Mr Bislim Pireva “Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade” Prishtinë, 2010
Nga Mehmetali Rexhepi
Libri i karakterit polemik, i autorit Mr Bislim Pireva, është njëri nga të paktët që i kundërvihet serisë së gjatë të qindra-mijëra librave, trajtesave e faqenxirësh të autorëve serbë, të individëve e grupeve, të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, të shtëpive botuese, që mëtuan të ngrehin të “vërtetën” dhe “të drejtën” e trashëgimisë serbe mbi trevat autoktone. E “vërteta” dhe “e drejta” e “shkencës” serbe u ngrit në mite, si miti i Betejës së Kosovës, më 1389, në paragjykime, në gënjeshtra, trillime, në kontekste historike, në gjysma-rrena, duke i veshur ato me një logjikë: rrej dhe rrej sa më shumë, sepse në fund diçka do të mbetet nga rrena.
Sipas kësaj logjike, përballë ekzistencës shqiptare, u ngrit historiografia serbe, që njëkohësisht ushqeu dhe rriti lukunitë e tërbuara serike të shovenëve serbë, sidomos pas fitimit të Autonomisë së Serbisë nga Turqia. Pastaj në vazhdimësi në Luftën Ballkanike, në Luftën e Parë Botërore, në LDB, qoftë si mbretëri, si republikë, si të djathtë a të majtë, radikal a demokratë, socialistë a komunistë, serbët dhe Serbia u zgjeruan me dhunë mbi trojet shqiptare.
Më 1830, shqiptarët u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit, pas formimit të ushtrisë së brendshme me Hatisherifin e vitit të përmendur. Krimet serbe mbi shqiptarët, mbi trevat, pasuritë, gjënë e gjallë, vlerat materiale, morale, shpirtërore janë të panumërta, të pa ndriçuara, të pazbuluara, gjithsesi të pagjykuara dhe të pandëshkuara nga gjyqet ndërkombëtare të botës bashkëkohore.
Në qoftë se pohohet për gjashtë milionë hebrenj të zhdukur nga fashizmi hitlerian në LDB, për shqiptarët kjo do të ishte vetëm një periudhë likuidimesh, ngase pashmangshëm përjetuan likuidimin biologjik prej serbëve në të gjitha periudhat e shekujve nëntëmbëdhjetë dhe njëzet. Për zhbërjen e shqiptarëve u përkujdesën strukturat shtetërore të Serbisë, duke pasur bekimin e kishës së tyre, me të gjitha mënyrat dhe mjetet. Madje, për t’ia arritur qëllimeve gjenocidale, shteti serb përgatiti hartuesit dhe bartësit e programeve për forcimin e “shkencës” së paragjykimeve, të trillimit, të gënjeshtrës, sajimit të situatave dhe gjendjeve të paqena, të mohimit, të mashtrimit të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, me paraqitje viktimizuese, për ta sforcuar urrejtjen deri në shkallën e racizmit, të fashizmit e ksenofobisë.
Janë të njohur namkëqinjtë shqiptarëngrënës, me elaboratet e tyre, si Ilija Garashanini (më 1844), Mita Rakiqi (1880-1881), Jovan Cvijiqi, Vasa Qubrilloviqi (1937), Atanasije Urosheviqi (më 1930), Ivo Andriqi (më 1939), këtij mjerisht iu njoh çmimi Nobel për letërsi, më 1961, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe, të gjithë popët që bekuan krimet në emër të ruajtjes së Kosovës si “Jeruzalemi” i Serbisë.
Këta përçues dhe zbatues namkëqinj të ideologjisë ksenofobiste kundërshqiptare dhe mijëra të tjerë të panjohur, ngritën monstrume të tipit Pashiq, Mihajloviq, Rankoviq, Milosheviq, e të tjerë.
Për shqiptarët dhe popuj joserbë, është funksionalizuar “shkenca” e mohimit dhe e sajimeve të faktit pas aktit të kryer. Ndaj, jemi larg marrjes me këtë “shkencë”, me sasinë marramendëse, me diskurset trishtuese të saj! Këto diskurse të pjekura me urrejtje shekullore, helmuan marrëdhëniet ndërfqinjësore, ricikluan trajtat e dhunës dhe të tragjedisë, sipas konjukturave ndërkombëtare, dhe, mbi këtë logjikë edhe në të ardhmen lugetëria serbe vetëm petkat mund t`i ndërrojë, hujin do ta ketë të njëjtë.
* * *
Autori i librit “Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq - Rade”, drejtpërsëdrejti shpaloi karakterin e një kronike dhe të një letërnxirësi. Këtu Bislim Pireva është motivuar nga letërnxirja e këtij serbi falsifikator e gënjeshtar, duke ia kundërvënë përvojën dhe shkathtësinë njohëse dukurive, ngjarjeve, bëmave, dëshmive... Përvoja jetësore dhe intelektuale e ka shpjerë në pohimin: se po nuk e njohëm historinë, ka rrezik të na përsëritet në trajtat më negative të saj. Kjo përvojë e vrazhdë i dha dorë Bislim Pirevës, që të ketë durimin e përballjes me një nga mijëra falsifikatorë të ndërlikuar e të rëndomtë serbë, si Radomir Trajkoviq - Rade.
Libri i autorit Radomir M. Trajkoviq - Rade “Strezovce sa okolinom” (Strezoci me rrethinë), Biblioteka - “Hronika sela”, u publikua në Vrajë, më 2008 dhe “Kamenica sa okolinom” (Kamenica me rrethinë), Vrajë, më 2009. Edicioni botues “ Kronika e fshatit”, deri më 2008, i paska nxjerr 255 vepra, ndërsa këto “dy kronika qenkan evidencuar, e para me numrin 205 dhe e dyta me numrin
* * *
Në këtë dhjetëvjeçar të shekullit 21, koha dhe hapësira njerëzore perceptohen në përputhje me ritmet e shpejtuara dhe dendësinë e shtrirjes të asaj që është ekzistencë njerëzore, së cilës po i shteren burimet. Ndryshe: për të organizuar, ndërtuar dhe ricikluar qarkun jetësor me parametra të përcaktuar, të patejkaluar kohor e mjedisor, në marrëdhëniet ndërmjet etnive dhe natyrës së shfrytëzuar, lypet tjetër mendësi, tjera qasje deri tek gjetja e burimeve të reja… Assesi me falsifikime qindra faqesh në dëm të etnisë tjetër, assesi me mendësinë ortodokse mesjetare që zotëron në kokat e Trajko - viqëve.
Ishte shtytje fortë e Bislim Pirevës të merrej me të palarat e Radomir Trajkoviq – Rade, të rrëzonte e pohimet dashakëqija në këtë lloj kronike të gjatë, “rrenacakiste” në vazhdime, me rreth nëntëqind e më tepër faqe libri.
Për ta zhvesh dhe nxjerrë cullake “të vërtetën” e fshehur e gjysmë të fshehur tek ky farë Trajkoviqi, profesor Pireva arriti, duke zotëruar tri parime të besueshmërisë: guximin, durimin dhe kërkimin e së vërtetës argumentuese. Mësymjen për depërtime në argumente dhe zbardhjen e tyre, i arsyetoi me gjerësi dhe saktësi të njohjes së mjedisit, të emërvendeve, të llagapeve, të lagjeve, familjeve të të dy komuniteteve, veçmas të trevës kah kalëroi serbi Trajkoviq - Rade.
Pena e Pirevës, gënjeshtrën, falsifikim - sajimin e bëmave të Trajkoviqit, i ndjek për t’i goditur nga dy përmasa: nga libri i tipit kronikë historike dhe, mjedisi jetësor i Gallapit, luginës së lumit dredharak të Kamenicës e përreth fshatrave malore e fushore.
Profesori Pireva është njohës i gjuhës, mendësisë, trashëgimisë, gjithnjë gjatë bashkëjetesës me hile, nënvizoi aty ku duhej nënvizuar, sjelljet e shtetit të Serbisë me shqiptarët. Ai në këtë libër kritik, argumentues e demaskues, nxjerr konstatimin e tij të qëndrueshëm, që e vë në ballë të këtij libri të shkurtë, por të dendësuar me logjikën e fakteve, si :“Krimet i bënë shteti” dhe, “Shtetin dhe pushtetin prej 1912 deri më 1999 e ka pasur Serbia”. Pra, “Krimet i ka bërë Serbia me aparatin shtetëror”
Ky është kryeargumenti dhe pika e referimit e Bislim Pirevës dhe e shqiptarëve, që pashmangshëm do të duhej ta ndiqnin, në përballjet me serbët dhe shtetin e Serbisë. Pikërisht këtu dhe kjo është pikënisja, në çfarëdo mosmarrëveshje a marrëveshje, në çdo mospajtim a pajtim të imponuar mbi shqiptarët e gjymtuar, për t’i pranuar integrimet rajonale dhe kontinentale me kutin serb.
* * *
Në këtë libër, rreth gjashtëdhjetë faqesh, renditen, stisen argumentet me saktësi e dendësi të atillë, pa lënë shteg askund për pasaktësi, për dyshime ose dymendje të të dhënave, të ndodhive të ngjarjeve, datave, personave.
Ku i gjeti të dhënat autori për t’i rrëzuar ato që i ngre “Trajkofëlliqi”? Ai të dhënat i sjell nga historiografia vetëdemantuese serbe. Ndërsa është i drejtëpërdrejtë e konkret në pohim - mohimet e tij, të llojit “Trillimet serbe zanat i moçëm”; “Hahni s`ishte as arnaut, as shiftar…”.
Në titujt e kapitujve që do të rendisim, zbërthehet brendia, ndonëse tërësia dhe kohezioni logjik nuk shmangen për asnjë rast, pos ndonjë digresioni funksional:
“Fol serbisht, që të kuptojë zoti”, “Kush kë e përzuri”, “As Amie Bye s`ishte arnaut”, “Ne paskemi pasur gjuhë të thjeshtë arnaute”, “Pse Serbia të jetë shteti ynë?”, “Mos qenka dashur që Halil Zajqeci t’i gostisë vrasësit”, “E din për Arifin, por jo për Danailin e Aleksandrin”, “Ç’kërkonin shqiptarët e çka serbët?”, “Ahmet Ukshini paska qenë kaçak, Tusha e Giga mos kanë qenë engjëj”, “Kur i din emrat e shqiptarëve nga Tygjeci, Zajqeci, Busavata e Ruboci, kush i vrau 198 shqiptarë nga këto fshatra?”, “Edhe Tito armik i juaj”, “Ishte mirë deri sa ju sundonit”, “Amerikanët okupatorë, ju çlirimtarë”, “Çdo gjë e ka fundin”...
Këta tituj që përmbajnë tërësinë e lëndës, edhe ca të tjerë, sublimojnë anë të ndryshme të veprimeve pushtuese të shtetit e të pushteteve serbe ndaj shqiptarëve. Në pikëpamje të stilit, ose mënyrës se si i kap faktet për t’i rrëzuar pohimet e një kronisti tejet dashakeq, kundruall fqinjëve shqiptarë, pikërisht në tituj spikatet, përmblidhet, dendësohet aspekti i akceptuar. E akceptuara e dhënë është kondensuar në qasjen, pamjen e një egoje krejtësisht të ngurtë, anshmëri e skajshme paragjykuese. Ndaj titujt i paraprijnë stivimit të fakteve pa dymendje. Jo rastësisht, vlerësuesi i vëmendshëm e vëren këtë veçori të stilit dokumentues të autorit Bislim Pireva.
Trajkoviq nuk lë sferë të jetës së shqiptarëve, në hapësirën e Gallapit, i përqendruar në Kamenicë, pa e thurë rrjetën e merimangës së vet për t’i mbërthyer shqiptarët si miza të trazuara. Këtë rrjetë për gjatë gjithë kësaj kronike, autori B.Pireva fillim e mbarim e shqeu dhe e përshkoi tejembanë: “Pra, motoja e Radës dhe i të tillëve si ai, që nuk kanë qenë pak, ishte dhe është:rrej, shpif, plaçkit, dhuno, falsifiko dhe gjithnjë vajto se je viktimë. Betohu në të vërtetën,por kurrë mos e thuaj” *
* Bislim Pireva “Falsifikatori…”, Prishtinë, 2010
* * *
Gjuha dhe stili që sjell Bislim Pireva, për ta përshkuar tej e tutje diskursin falsifikues të kronikanit të fshatrave të Kamenicës me rrethinë, Trajkoviq ose “Trajkofëlliq”, si e thërret ai, është sarkastike. Toni ironik i mohimit të pohimeve të paqëndrueshme, nuk ka si të mos veshet me epitete, ironi, shpotitje, shprehje habie dhe nervoze, ngase e mban të ndezur luftën polemike, logjikën kritike të saj. Ky stil nuk është pasojë e pohimit a mohimit kuturu të diçkaje personale. Është i tillë pasi ia ka përcaktuar saktë diagnozën sëmundjes, ligësisë shfrenuese serbe.
Ndaj, konsideroj, është edhe një arsenal funksional, për ta përmbysur këtë logjikë, aq shumë të kultivuar në letrat e publicistikës, historiografisë, medieve pamore, dëgjimore, politikës, kishës ortodokse serbe, etj.
Ndonjëherë, për këto parime demaskuese, Pirevës i shërben edhe tipi thirrmor i fjalisë, si në rastin: “E ti o Radë, nëse ka ndonjë çmim për rrenc, gënjeshtar, shpifës, falsifikator konkurro se s’do të mbetesh duarthatë, por mos pandeh se je rrenci më i madh. Ka pasur dhe ka rrenca, shpifës dhe falsifikatorë shumë më të mëdhenj se ti” *
* Po aty
* * *
Ironia dhe tingëllimi epitetik nuk janë burim i panatyrshëm, as sedër e panjerëzishme në gjuhën, stilin, kuptimin e kumtet argumentuese të një njohësi të thellë të marrëdhënieve shqiptare - serbe, veçënarisht i ambientit ku shtrihet kronika “rrenacakiste” e këtij farë Trajkoviqi.
Megjithatë, Mr Pireva në librin e tij argumentues, asnjëherë nuk u rrëmbye, nuk fyen, nuk urren vlerat e kombit serb. Me këtë libër literaturës shqiptare i solli njohje të aspekteve të errëta, projekte shfarosëse dhe, njëkohësisht nivel të lakmueshëm të guximit intelektual, rreptësi e saktësi gjykimesh, luftë të pakompromis pikëpamjesh të paafrueshme, ndjeshmëri dhe përgjegjësi për gjithat që është vlerë e shenjtë njerëzore dhe kombëtare:
”As nuk janë shqiptarët engjëj, as nuk janë serbët djaj. Krimet i bën pushteti, e pushtetin kurrë nuk e kanë pasur shqiptarët, por Serbia. Prandaj krimet ndaj shqiptarëve dy shekuj i ka bërë Serbia me të tillët si ti” *
Janë marramendëse dhe të llahtarshme krimet dhe gjenocidi serb ndaj shqiptarëve dhe, është për të mos e besuar se si nuk u zhduk etnia shqiptare pas masakrimeve të përsëritura e tejet mizore… Këtë e dëshmuan edhe disa burime serbe, si “Radniçke Novine”, shtypi evropian, përfaqësues të konsullatave të huaja në qendrat ballkanike, por me gjithë këtë, shumë, shumë, shumëçka mbetet e pashkruar, e pasistemuar në libra.
* Po aty
* * *
Gjëma e stërpërsëritur shqiptare nga zezonat serbe, ishte ajo, që e ngacmoi sedrën kombëtare të shkrimshëruesit Bislim Pireva.
Ta heshtësh këtë gjëmë, do të thotë, të pajtohesh ose të dorëzohesh, ose ta kesh frikën në palcë, të jesh i pushtuar nga ajo, ikanik pa fatin tënd, të cilin ta shkruajnë të tjerët… Të heshtësh, do të thotë,t’i pranosh:gënjeshtrën, falsifikimin, krimin, përbuzjen, poshtërimin, etnocidin. Të heshtësh, do të thotë, të mos kesh kurajë as kombëtare, as qytetare, as intelektuale, as njerëzore.
Në këtë mënyrë, Bislim Pireva nuk heshti, por heshtën shumë të tjerë me dhe pa vokacion të historianit a të penshkruesit.
“Shkenca nuk është livadh ku kullosin gomerët”, është sinteza ironike, përkufizimi për të gjithë letërnxirësit me vetëdije të ligë, urrejtje patologjike dhe nivel antishkencor e antiqytetërues.
Nga leximi rrëqethës i këtij libri, reflektohen mbresa për politikën dhe politikanët tanë të tashëm e të ardhshëm, për pasojat e vënies lehtë të nënshkrimeve, në çaste të detyrimeve dramatike, për përfitime vetjake, grupore a partiake, dhe, humbje të tërësisë e mospasje të një vatre të ngrohtë për shtrirje të gjymtyrëve të brezave…
Gjilan, nëntor 2010