| E premte, 12.11.2010, 10:58 PM |
Mexhid YVEJSI, Gjakovë
ÇKA THA POETI-
DIN MEHMETI
Dikur pyesnin pleqët:
Kur rri dreqi?
Të gjithë e dinin,
Kur bënin llafe,
Se dreqi rri n’kafe!
N’Kafe t’Madhe
Ndërsa po bisedonim
Me miqë letrarë
Erdhi, u ulë, edhe poeti
Bacë Loku, Din Mehmeti.
Miku që e kishte fjalën
Posa e përfundoi,
Pa u vonue,
Poeti, Din Mehmeti
Iu drejtue:
„Unë, qysh me t’besue ty
Kur ti nuk i beson Zotit?“
Miku i përbashkët heshti,
Heshtën edhe ne.
Heshtja jonë fliste shumë!
Të lumtë! O Din Mehmeti!
Erdhe n’kafe si meleqi
Aty ku rri dreqi!
Na afrove mes veti,
Na afrove me Zotin...!
Shënim:
Kjo poezi u botue në revistën „FRYMËZIMI“, Nr.6, faqe:27, Gjakovë, Shtator, 2000.
Mbrëmë në Gjakovë në moshën 78 vjeçare u nda nga kjo jetë, kaloj në jetën e vërtetë, poeti – Din Mehmeti.
Din Mehmeti lindi në 1932 në fshatin Gjocaj të Junikut. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit. Ka qenë profesor shumëvjeçar në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës.
Sot, me 12 nëntor 2010, në Gjakovë, n’orën 15, në varrezat e qytetit, pranë varrit të Prof. Selman Rizës, u varros me nderime poeti-Din Mehmeti.
Poeti-Din Mehmeti poezinë e parë e botoi në vitin 1949, në revistën letrare “Jeta e Re”, Prishtinë.
Vepra më të njohura të tij janë:
Në krahët e shkrepave (1961),
Rini diellore. (1966)
Dridhjet e dritës (1969),
Heshtja e kallur (1972),
Fanar në furtuna (1981)
Agu, dramë (1982),
Prapë fillimi (1996),
Klithmë është emri im ( Tiranë 2002),
Mos vdis kur vdiset (2001).
Mexhid YVEJSI
Gjakovë, 12 Nëntor 2010