Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Thjeshtësi që buron nga një jetë ëndërrimtare

| E enjte, 11.11.2010, 09:44 PM |


Thjeshtësi që buron nga një jetë ëndërrimtare

 

Mendime rreth vellimit poetik “Ndjenjën e lashë në prehërin tënd” të  poeteshës Adile Baletës

 

Nga Pëllumb Gorica

 

Titulli i vëllimit poetik: Ndjenjën lashë në prehërin tënd” sikur thotë gjithçka në vargjet:

                        “ Në prehërin tënd rri,

                         aty më lë dashuria” .

  Adile Baleta është poete e ndjenjës dhe mundohet ti shpreh ndjenjat e saj, që burojnë lumë. Në vargjet e saj ka dritë, ëmbëlsi, ëndërra. Poezia e Adile Baletës ka një frymarrje të gjerë, sepse e merr brumin nga realiteti i përditshëm. Ajo operon me fjalën e zakonshme, pa u sforcuar, pa i dhënë thellësi futuriste mendimit, por çdo gjë e prek me dorë, me zemër dhe pastaj e kthen në poezi. Fjalën nuk e përpunon deri në infinit, nuk rreket të gjej të pagjeturën, ta bëjë aludimin e pastaj të befasojë me të papriturën. Ajo si figurën letrare, ashtu edhe vargun pothuajse e merr të gatshëm nga ky realitet që jeton përditë dhe vetëm se e ritmon dhe  e rimon sipas situatës poetike.

Në një poezi të vëllimit Ndjenjën lashë në prehërin tënd” poetja Adile Baleta shkruan :

                        Mos mendo se jam baxhellë,

                         as princeshë në kështjellë,

                         jam një femër mëndjekthjellë,

                         dua dritë dua diell.

  Dhë këto vargje nuk janë vetëm lajtmotivi i librit të saj me poezi, por edhe qëllimi i jetës së një gruaje që në fund të fundit pasi ka kaluar halle e gëzime, ka takuar shokë e miq, kujton mësuesin e parë dhe dënon hajdutin dhe thashethemexhiun,  e pasi ka sfiduar  gjithçka, përsëri hap krahët dhe mushkuritë për të thithur vetëm ajër të pastër e diell jetëdhënës. 

   “Me “j “ fillon jeta, por ama kujdes thotë autorja, se  kështu fillon dhe jorgavani ,por ama  po i shtove  “j” një “o” , “prishet gjithë puna”.  Por Adilja si nënë e si mësuese  e kupton se kjo jetë është e brishtë, një presje ndan të mirën nga e keqja, një gërmë ndan mikun nga armiku, pohimin nga mohimi. Adilja në jetë fal siç falin poetët, edhe sfidon, por edhe ëndërron, dhe në kompleksin e jetës ajo duhet të mbetet e thjeshtë siç është vargu i saj:

                          “Jeta pa vargjet e mija

                           Është jetë pa dashuri” .

    Ajo e jeton jetën, herë në formën e një çobani që “ me krodhën e bukës në trastë, “ia merr një kënge të moçme shqiptare”, herë duke luajtur me nipin e vogël, e herë tek një çadër të prishur që e hedh në rrugë “si mace të ngordhur”, por adhuron edhe një lule që sapo ka çelur, edhe kur shkruan për dashurinë e parë, edhe kur “ulet mbi një trandafil”, Ajo kërkon jetë e thjeshtësi njerëzore edhe kur ka pranë dhinë brigjatë, edhe kur ka pranë mikun, kolegen zemërmire apo bisedon me nënën, e pasi kërkon të çlodhet pak, ajo bën thirrje,njeri “përballoje jetën”                       

                                “ Të jetosh një jetë

                                 Ështe rrugë e vështirë

                                 Në do të besosh

                                 Shihu në pasqyrë”.

   Tek lexon poezitë e Adile Baletës të duket vetja sikur je edhe në një majë shkëmbi e ndjen freski pranverore  vendlindje, apo je në një lëndinë e mbledh një tufë me lule, më tej ndjen sikur pi ujë në një burim fshati, apo ngazëllehesh në një dasëm me tupanë e daulle:

                              Le të bien fort daullet

                               Le të kërcasin fort tupanët” .

   Ajo dashuron dhe ëndërron, gëzohet dhe mallëngjehet, ndaj e do edhe dasmën e fshatit ku buzëqesh çifti i ri dhe orët e dasmës, janë orët e rilindjes dhe ripërtëritjes së jetës :”

                              “ Lidh shaminë në vesh të pajtonit

                              mbi kokë ke vënë kurorë.”

  Sa është hyjnore Adilja, aq është dhe njerëzore, prind e fëmijë, nënë e nuse, amvisë por edhe, e mbi të gjitha shoqe, kolege, njeri. Ajo ruan respektin për kolegen Afërditën, për prindërit, sidomos për babanë e përmallohet shumë që nuk e ka më gjallë, dhe duke e ndjerë shumë këtë mall si peng i mbetur në jetë, ajo psherëtin “doja veç ta kisha gjallë” në këtë jetë të larmishme larg vëndlindjes, që bën sot Adileje e të dy ti gëzoheshin gëzimeve të ditës, gëzimeve të saj familjare, shqetsimeve.I gëzohet natyrës së vendlindjes dhe e frymëzuar nga kjo shkruan:

                                  “Të jep drithërimën e shpirtit

                                  Peisazhi i bukur në çdo skaj

                                  Të jep frymzim të ri

                                  Të shkëlqen çdo mjegullnajë”

Adilja e do edhe votën e lirë, nga lind pushteti, demokracia, do zërin e dallëndyshes , por do edhe tingëllimën e sinqertë të ziles së celularit, edhe tek përkëdhel nxënësen e saj Enkelejda që “Ajo sot nuk jeton më”, por edhe porosit një vajzë tjetër “ ta përballojë jetën.” Në mënyrë simbolike vëllimin e saj poetesha Adile Baleta e mbyll me një poezi për vogëlushët e klasës së parë, kur i fton:

                            “Mirseardhët vogëlushë,

                            Ju qesh buza me gëzim”

 Ata nuk janë thjeshtë ushtarët e armatës së dijes, por armata që do të ndryshojë të ardhmen.

I urojme autores libra të tjerë po aq të bukur.