Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Neçaj: Curraj Eper

| E enjte, 11.11.2010, 10:12 PM |


CURRAJ EPER

 

Nën peshën prehistorike të shekujve,

U ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;

E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,

majave trishtuese lartësuar  n’rrokaqiell…

 

Ikën mëngjeset e agut me zëra fëmijësh,

Ikën netët e gjata të bubulakut dimër me pleqtë mendimtarë

ballë oxhakut…

 

Ikën nuset  dhe çikat e reja në mjegullnajën e kohës;

Tashmë nuk lajnë teshat breglumit,

Kur qysh larg  dritësonin në çdo stinë vetëm diell…

 

Sot…

Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve,

E shembjen   trishtuese  të mureve  rrënuese,

Nën rrfanat e jetës të plakave motit  netëve dimërore.

Ajkuna qan përmallshën për ikjen e banorëve,

E bjeshkët veç lotojnë  e ngushëllojnë…

Curraj  Eper !

Fillimi dhe fundi I një  epoke.

 

Sado të mallohemi,veç  shkruajmë fjalë lojcake,

Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë

Prapa një rudine,prapa një kodre…

 

Delir I trazuar vargu im,

E ndjej dhimbje mikluese për këto rreshta,

Përzier me britma,imazhe dhe kujtime të rinisë.

 

 

Gjon Neçaj

Bajram Curri, nëntor 2010.