| E enjte, 11.11.2010, 10:58 PM |
Qazim Sejdini
ELBASANI NË SYTË E MI
“Që kur në krye të Bashkisë së Elbasanit u zgjodh me vota të drejta z.Qazim Sejdini, u ndie një ndryshim pozitiv në zgjerimin e rrugëve, sistemimin me rregull brenda qytetit të qarkullimit rrugor dhe një sërë zhvillime të tjera pozitive. Qyteti i normalistëve nuk do të ishte më një qytet me bulevard të rëndomtë, por me një shëtitore madhështore që do ta kishte zili çdo qytet tjetër . Prandaj intelektualët dhe qytetarët elbasanas duhet ta ruajnë dhe të kujdesen që një pjesë e këtij bulevardi, pjesa përgjatë Kalasë, të mos rikthehet më në qarkullim makinash.”
Nga Arben LLALLA
Pas vitit 1990, një pjesë e mirë e qytetarëve elbasanas ikën në mërgim, si shumë bashkëkombas të tjerë, për punë dhe jetë më të mirë. Gjithnjë këta qytetarë të ikur nga vendlindja, ëndërronim një ditë të ktheheshin në shtëpinë prindërore, në qytetin e arsimit shqip, ku Engjëlli i diturisë nisi rrugën për shpërndarjen e ABC Pellazgjike.
Gjithnjë ne, mërgimtarët, vinim për vizitë në qytetin ku lindëm dhe vërenim një Elbasan të stagnuar. Rrugët brenda qytetit nuk ishin bashkëkohore, varfëria dhe papastërtia të mbyste gjithandej. Të ardhur me ëndrra se, pas kaq vitesh demokraci, do ta gjenim qytetin të bukur, me lulishte, parqe, shëtitore etj., pësonim zhgënjim dhe mendonim sa më parë të riktheheshim në tokën e huaj.
Shpeshherë ktheheshim në vendlindje si militantë të partive politike për të votuar me shpresën se edhe vendi ynë, qytetet tona do t’i ngjanin një ditë Evropës së qytetëruar. Por për shumë vite dëshirat tona për një Shqipëri dhe Elbasan të zhvilluar, bashkëkohor, nuk realizoheshin.
Fatmirësisht, në fillim të vitit 2008 në panoramën e qytetit tonë u vërejtën ndryshime thelbësore. Elbasani filloj të frymojë me një shëtitore madhështore ku moshat e ndryshme kalonin kohën e lirë dhe ku do të zhvilloheshin shumë aktivitete kulturore.
Hapësirat e zbehta nga pluhurat kishin filluar të gjelbëronin, pastërtia arriti në nivelin e pranueshëm. Transformimi i rrugës kryesore ku kalonim automjetet dhe parkimi i tyre vend e pavend, në bulevard për qytetarët, është projekti më i suksesshëm i viteve të fundit. Ky është një nga arritjet më domethënëse, ku qartë dallohen edhe vlerat e lashtësisë të Kalasë së Elbasanit. Pas investimeve, gërmimeve arkeologjike, dolën në dritë fakte të shtresave të nëndheshme. Duke vërtetuar lashtësinë e qytetit sa vetë toka arbërore.
Me iniciativën e Kryetarit të Bashkisë, z.Qazim Sejdini, i cili është i diplomuar edhe në degën e Historisë, nisën gërmimet afër rrapit të Bezistanit ku u gjet një Bazilikë me vlera të larta artistike dhe historike. Gjetja e kësaj Bazilike në qytetin tonë është njëra nga dëshmitë e shumta që tregon vjetërsinë e Elbasanit dhe të banorëve të saj. Interesim për këtë objekt kulturor kanë shfaqur jo vetëm qytetarët e Elbasanit, por edhe vizitorët e huaj që vizitojnë qytetin. Tashmë Elbasani ynë është njëri nga të paktët qytete të Shqipërisë që ndodhet në hartën turistike që ia vlen të vizitohet nga turistët e huaj. Ata, kanë se çfarë të shohin si: Kishën e Shën Mërisë, Xhaminë, Hamamin, muzeun me statujat e lashta etj. Kuptohet, edhe varri i babait të Fjalorit të gjuhës shqipe, Konstadin Kristoforidhit. Elbasani po shndrrohet në një Tempull ku, viteve të fundit, mësimdhënës dhe nxënës shqiptarë nga të gjitha trevat përtej kufirit shtetëroro-administrativ, vijnë për të vizituar masivisht qytetin e Normales.
Shqiptarët prëtej kufirit kanë një dashuri dhe respekt të veçantë për Elbasanin, sepse ishin normalistët elbasanas që në vitet 1941-1944 iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së Ministrit të Arsimit të atyre viteve, prof. Ernest Koliqi, për të dhënë mësim në trojet e Shqipërisë etnike, Çamëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.
Kultura dhe tradita e Elbasanit morri vlerësimin më të lart kur Dita e Verës ose, siç njihet edhe si Dita e Bollokumes, u shpall festë Kombëtare shtetërore. Duke bërë që festimi tradicional i kësaj feste të tërheqë pjesëmarrjen nga i gjithë Ballkani. Në këtë ditë festimi është një rast i mirë për promovimin e ëmbëlsirave, guzhinës elbasanase si dhe shërbimeve të bizneseve të tjera.
Si pasoj e ndryshimeve thelbësore në infrastrukturë të qytetit, përkujdesja e vlerave artistike, historike dhe kulturore, në tetor të vitit 2009 Bashkia e Elbasanit u vlerësua me çmim Ndërkombëtar në panairin e turizmit të mbajtur në Zvicër. Ky vlerësim i bërë nga komisioni i Turizmit Ndërkombëtar ishte shpërblimi për punën e suksesshme të kryetarit të Bashkisë, z.Sejdini dhe ekipit të tij, me moton: “Për një qytet të pastër, kulturor dhe turistik, ndërtimin e një ekonomie me rregulla, për të tërhequr investitorë të vendit dhe të huaj”.
Që kur në krye të Bashkisë së Elbasanit u zgjodh me vota të drejta z.Qazim Sejdini, filloi zgjerimi i rrugëve, sistemimi me rregull brenda qytetit i qarkullimit rrugor dhe një sërë zhvillime të tjera pozitive. Qyteti i normalistëve nuk do të ishte më një qytet me bulevard të rëndomtë, por me një shëtitore madhështore që do ta kishte zili çdo qytet tjetër. Prandaj intelektualët, qytetarët elbasanas, duhet ta ruajnë dhe të kujdesen që një pjesë e këtij bulevardi, pjesa përgjatë Kalasë, të mos rikthehet më në qarkullim makinash.
Kohët e fundit, disa këshilltarë të djathtë miopë, kanë kërkuar që Shetitorja e bukurisë së Elbasanit të rikthehet në qarkullimin rrugor të automjeve, pra, në gjendjen e pluhurit dhe të parkimeve vend e pa vend, siç ka qenë para disa vitesh. Siç duket, sukseseset e Bashkisë së Elbasanit i pengojnë këta njerëz, të cilët mendojnë si e si të rrënojnë atë që është ndërtuar me një strategji të devotshme.
![]() |
Ish Bulevardi |
![]() |
Bulevardi sot |