| E merkure, 10.11.2010, 09:58 PM |
 Hajdin Morina
Hajdin Morina
ÇMIMI I FITORES
Bëj plane për Arbërinë
Me Gjergjin në Krujë
Asgjë s’ke për të fituar
Në mos u frikësofsh
Lufto 24 orë përkrah Gjergjit
Liri nuk fiton
Edhe nëse je ushtar i Skënderbeut
Edhe në mos të vrafshin
Në Torvioll Albulenë  Valkal
Asgjë nuk fiton nëse shpëton
Nuk i fiton as një palë këpucë të reja
Për ato që ke lënë ndër beteja
Por ai vështrim ai sy i Gjergjit
Tejpërtej krenarinë ta shpon
Syri i Gjergjit ai vështrim
Që kërkon shpjegim
Për gjithë këto plagë
Në qiellin në tokën
Për gjithë këto plagë
Në Flamurin tonë me Shkabë
TE JASHARËT
Nëpër qiell yje bëhen
Metaforat e Kadaresë
Për atë flakë-liri
Të kësaj Shtëpie
Për atë flakë-shqiponjë
Që dogji mjegullën
Përmbi Kosovë
Mbi qytete të Evropës
Dhe të Botës
Sytë e Lirisë plot Adem
Sytë e Ademit
Plot qiell Kosove
Përplot Liri
Sytë e Ademit
Birit të Lulzimit
Të Adem Jasharit
Fryn Liria e Kosovës
Asnjë re në qiellin e lartë
Mbi Jasharë
Plot qiej të kaltër
Në sytë e Ademit të Ri
Për besë zjarr 
Nga përqafimi i tij
Pranë varreve
Dhe në Kullë të Jasharëve
Ballin mbështet Liria
 
Dhe vijnë shqiptarët
Në Shtëpinë e Lirisë
Shprushin Jetën dhe Legjendën
EKOLOGJIKE
Pasi t’i largojmë
Të gjitha mbeturinat
Nga pragu i derës
Nga oborri
Nga fshati nga qyteti 
Nga fusha nga 
Dhe nga Deti
Si do ta pastrojmë ambientin
Nga kundërmimi i shpirtit