| E diele, 07.11.2010, 08:52 PM |
Arta Alla
DIMRI MBRETACAK
Njëherë e një kohë,
sa çudi që ishte!
Ndryshe nga sot,
viti dy stinë kishte.
Verën dhe Dimrin,
që me rradhë mbretëronin,
e vendin njëri-tjetrit,
çdo gjashtë muaj i lëshonin.
E aftë tregohej Vera,
kur lehtësonte të ngrohtin,
dhe i zoti Dimri,
kur zbuste të ftohtin.
Ndërrimin e stinëve,
kafshët mezi e prisnin,
se festonin pa fund,
e sa donin ulërisnin.
Festimet arrinin kulmin
në prill kur Dimri shkonte,
se Vera kthehej e hijshme,
e pa fund i llastonte.
E si të mos mjaftonte
bënte dhe mrekullira,
trupin u zgjaste si me dorë,
dhe i thante nga lagështira!
Me sjelljen e saj të butë,
gjithkënd bënte për vete.
Megjithatë edhe dimri,
shumë mbrapa s’mbetej.
Çdo herë që mbretëronte,
kafshëve u sillte dëborë,
se ajo ish’ mënyra e tij,
për t’i përkëdhelur me dorë.
Dhe jo rrallëherë,
u sillte dhe shi,
se siç thoshte dimri,
ai ka bukurinë e tij.
Për një kohë të gjatë,
stinët u respektuan.
Por, kur Dimri u tjetërsua,
gjërat mes tyre ndryshuan.
Një festë të bukur prilli,
kur pritej të vinte vera,
për çudi në vend të saj
dimri u shfaq tek dera.
Me zë autoritarë,
bimët e gjallesat thonë,
u tha se kish’ vendosur
të mbretëronte përgjithmonë.
Në fillim kafshët,
dimrit s’i besuan.
“Të jetë një tekë e tij?”,
me vete menduan.
Në fund të fundit,
çdokush e dinte,
se me tekat e tij,
jetën shpesh ua nxinte.
Por për fat të keq,
Dimri mëndje s’ndryshoi,
veçse u akanis më tej,
e të gjithë i tmerroi.
Kudo zëri i tij,
i frikshëm kumbonte,
si për tu treguar
se asgjë s’e ndalonte.
“Fryj moj stuhi fryj,
forcën time trego,
vetëti mor qiell vetëti,
forcën time ushtro.
Për shekuj me rradhë,
verën kam duruar,
dhe pse a paaftë,
ajo ka mbretëruar.
Tani ka ardhur koha
të thuhet një e vërtetë,
se në këtë botë të pafund,
vetëm unë jam mbret”.
E si i marrë bënte,
e me të madhe qeshte,
sa kur kërciste dhëmbët,
lëkurën të rrënqethte.
Ndërsa ai gëzonte,
kafshët më tej u hidhëruan,
se s’dinin si të bënin,
ushqim për të grumbulluar.
Veçse, kur fuqia e Dimrit,
dukej e pashterrshme,
për Dimrin mendjemadh,
ndodhi diçka e tmerrshme.
Kur stuhinë si çdo ditë
e thirri në të gdhirë,
në qiell u shfaq Dielli,
ujin e shiut duke pirë.
Dhe bashkë me të,
u shfaq edhe Vera,
e hijshme dhe e fortë,
si gjithë herët e tjera.
Sa i pa Dimri,
i ngrirë në vend mbeti,
s’guzoi të fliste
se e kuptoi ç’e gjeti
Një mbretacaku si ai,
i kishte ardhur fundi,
se gjurmë shiu a breshëri,
s’gjendeshin më gjëkundi.
Se, pa verë s’ka shumë diell,
pa diell të fortë s’ka shi,
e pa shi e pa rrebesh,
dimri s’ka më fuqi.
Ndaj me padurim,
e thellë i penduar,
mori shkopin e tij,
dhe iku duke u nxituar.
E Madhërishmja Natyrë,
Verës i erdhi në ndihmë.
Që nga ai çast vendosi
se viti do të kish’ katër stinë.
Pranverën, Vjeshtën
dhe Verën e Dimrin,
që veç nga tre muaj,
në fuqi do të rrinin.
Se kur janë katër stinë,
vështirë të këtë rrezik,
që një stinë e vetme,
tre të tjerave t’u kallë frikë.
Siç kemi dëgjuar
e shpesh të rriturit thonë,
shumica bën fuqinë,
gjithmonë, gjithmonë.