Alqi Koroveshi, 44 vjeç, banor i fshatit Polenë në Korçë, është personi i vetëm deri tani i vënë nën akuzë për çështjen e Boboshticës. Rreth 1 javë më parë, banorët e këtij fshati denoncuan ngritjen e një memoriali dhe betonimin e një rruge varrezash, ndonëse poshtë ndërtimit të ri ndodheshin varret 200-vjeçare të të afërmve të tyre. Qëllimi i ndërtimit të ri u mësua të dielën, kur dhjetëra shtetas grekë kryen homazhe në këtë fshat, ku veç ushtarit të rënë, ata pretenduan se ka dhe varre të tjera të trupave të komandës greke. Nga punimet përgjatë varrezave u konstatuan mbi sipërfaqe disa eshtra, të cilat dyshohet se u përkasin kufomave të paraaradhësve të banorëve aktualë të Boboshticës. Pikërisht mbi këtë akuzë, atë të dhunimit të varreve, nisën hetimet, kryesisht prokuroria e Korçës. Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje shkoi në fshat, duke marrë dëshmitë e banorëve të vjetër dhe kryer ekspertizat në vend. Bazuar tek thëniet e tyre se mbanin mend që një punëtor me emrin Alqi kishte punuar për të hedhur betonin në fshat, në prokurori u thirr pasditen e së hënës 44-vjeçari. Ai mësohet se nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës, ndonëse nga ana tjetër nuk ka treguar se kush e thirri atë për të kryer punën dhe personat e tjerë që kanë punuar me të gjatë ndërtimit të memorialit. "Më thanë puno dhe unë punova aty", ka folur para hetuesve Koroveshi. Sipas grupit hetimor, punëtori nuk ka dashur të tregojë se cilët e kanë paguar, duke deklaruar gjithë kohës se nuk dinte asgjë se kush ishin punëdhënësit. Pavarësisht dëshmisë, 44-vjeçarit i është komunikuar akuza dhe ndaj tij do të kryhen hetimet në gjendje të lirë.
Ndërsa ditën e djeshme, gjatë një kontakti telefonik me gazetën "Panorama", Koroveshi e quajti absurde akuzën për dhunim varresh. "Është e turpshme që më akuzojnë për dhunim varresh. Kjo është një akuzë e rëndë. Unë jam vetë i krishterë dhe feja nuk ma lejon që të dhunoj varret", u shpreh ai. Sipas Koroveshit, rruga e re që po ndërtohej prekte vetëm një varr, por me konsensusin e të afërmve të të ndjerit, është lejuar vazhdimi i punës në krah. "Unë punoj për të mbajtur me bukë 2 fëmijët", deklaroi ai. Nga ana tjetër, prokuroria e Korçës mësohet se nuk do të ketë hetime vetëm mbi punëtorin, por pritet që në ditët e ardhshme të dalin dhe emrat e personave të tjerë, të cilët kanë organizuar dhe janë përfshirë në punimet e fshatit Boboshticë. Ditët e para reagoi dhe komuna e Drenovës, në të cilën përfshihet Boboshtica. Drejtuesit e saj pohuan se nuk ka pasur leje për këtë ndërtim, duke e quajtur të paligjshëm. Por në ditët që pasuan nuk pati ndonjë qëndrim të saj.