| E shtune, 06.11.2010, 06:10 PM |
Vahit
NASUFI lindi më 9 gusht 1945 në fshatin Veleshtë të Strugës, Maqedoni. Shkollën
fillore e kreu në vendlindje, Normalen dhe Shkollën e lartë Pedagogjike në
Shkup. Me shkrime filloi të merret që nga bankat e shkollës fillore. Shkruan
kryesisht poezi dhe prozë për fëmijë. Vahit Nasufi jeton dhe punon në Veleshtë.
Është anëtar i Shoqatës së shkirmtarëve të Maqedonisë që nga viti 1983. Dhe, i
Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni.
Autori
deri më tani botoi këta libra: Valët e Drinit, poezi (1980), Dallëndyshja dhe
lisi, poezi (1984), Kush ëndërron më bukur, poezi (1985), E kam shok bilbilin,
poezi (1987), Koha e xixëllonjave, poezi (1987), Heshtja e gurit, poezi (1994),
Gjyshja i numëron yjet, poezi (1996), Pesha e gurit, poezi (1997), Limalot,
poezi (1997), Edhe pak Hënë mbi mal, poezi (2005), Erë Drini, hajku (2009) etj.
EDHE PAK HËNË MBI MAL
Nuk është vetëm fjalë
nuk janë veç dy zanore.
dhe, tre bashtingllore
është diç më shumë.
Të rrish gjithë jetën në gjumë
natë e parë, natë e dytë
veç je humbur.
Mbytesh në detin blu
bëhesh shok i ëndrrës.
Dhe, nëse do të largohesh
ajo s’të lë të ikësh
s’iket prej vetvetes!
Nëse për një çast
ta zëmë se ti humbesh
atëherë më ti nuk ekziston
pra, ke vdekur i gjallë.
Më mirë që ke shok ëndrrën.
Është natë. Hëna të përcjell
deri te lëndina mbi fshat.
Hëna, ti dhe yjet.
Edhe pak Hënë mbi mal…
Vjen nga mezi i natës
Vjen nga mezi i natës. Atëherë
me siguri, ose do të shkëlqej Hëna
se do të bie shi.
Në sfondin e një bine artisti diletant
mbytet në patetikë, kurse xixëllonjat
natën mundohen e mundohen
të shesin pakëz romantikë!
Vjen nga mezi i natës… Nëpër terr
e veshur hyjnisht dhe ma sjell
në shtrat të Bukurën e Dheut!
Atëherë, ëndërra nuk është vetëm ëndërr
edhe pse vjen nga mezi i natës…
Parandjenjë
Në pikë të ditës ma vrave dritëhijen
bshkë me profilin tim të buzëqeshur.
Sa po kisha filluar një ëndërr të brishtë
edhe pak do bëhesha legjendë!
Dhe, tani jam nisur një rruge
për të më ndjekur ky mister.
Nëse më çon grykës së atij lumi
mos më mbyt para se të dalë Hëna!...
Hajku
Prej së largu
Ta ndjej aromën
Erë Drini.
***
Nëpër syrin e ujit’
Syri im
Rrjedh lot malli…
***
Edhe pakëz Hënë
Mbi mal.
S’kemi kohë për t’u puthur!
***
Për syrin
E ujt’ të Strugës
I kam borxh Fluturës…
***
Çeli fusha
S’e këputa
Një lule për ty!
***
Kungujt
Zgjatën duart.
Prekën gjarprin!
***
Bora
Zuri borën.
Ky mal di një stinë!
***
Era më tha:
Eja me mua!
Pastaj iku, më la.
***
Një ditë
Rrapi më tha:
E di sa vjet ke?
***
Mbi shtrat
Ra Hëna.
E mbulova të flejë me mua.
***
U humba në ëndërr.
Hëna për dore
Më çoi në shtëpi.
***
Nuk vij sonte,
Bukurezat më ndalën
Për darkë.
***
Lamtumirë Rrap
Ika
Me gjethet!
***
Unë i bie fyellit,
Naimi mbledh
Lulevere.
***
Qershia
S’di ç’është tregu.
E shesin të tjerë.
***
Vëllezër.
Drini i Bardhë
Ia lan sytë vëllait të vogël.
***
Mjellmë e bukur,
Të pres
Në Shën Naum!
***
Thonë se bunaca
Sa herë del mbi liqen,
Është duke pritur Lasgushin.
***
Pikuan gjethet,
Gjethet e Rrapit.
Ç’duhen pa dallëndyshet.
***
Rri nën Rrap.
Rrapi qan
Bashkë me shiun.
***
Gorricat e verës,
I ha dimri
Të papjekura.
***
Dënojeni kosën
Me vdekje.
Sa lule ka prerë!
***
Dua të eci
Me hapin e lumit.
Drini s’më pranon për shok!
***
U tremb nata.
Në lis
Korbi i Poes!
***
Edhe pak
Hënë mbi mal.
S’e korrëm një rreze!
***
S’je ylber
Pa të kuqen
E Omer Kaleshit!
***
Libër i grisur.
Mbi kopertinë
Leh një qen.
***
Vathën s’e zë
Gjumi.
Ka frikë prej ujkut!
***
As hija
S’më vjen pas,
Jam a s’jam unë?!
***
Bjer sa të duash
O shi!
Rrapin e kam ombrellë.