| E shtune, 06.11.2010, 08:57 PM |
Shkallët e jetës
Nga Baki Ymeri
Libri bilingv „Shkallët” me 75 faqe, i poetit rumun Victor Sterom, botohet në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, nën përkujdesjen e redaksisë së revistës „Shqiptari”.
Autorin e ka kapluar mosha e pleqërisë dhe e parandjen se tani e ka kapluar gjumi i rëndë dhe se dremit me thatësinë e mjegullës: „Në krahë/ Vetëm karajfilat më rrinë mbi ballë/ Duke ma shndritur kryqin/ Nën të cilin gjendem për përjetësi.”
Viktor Steromi është poet dhe kritik letrar. U lind më 14 shkurt 1937 në Mizil të Prahovës. Absolvent i Liceut Teoretik (dega humane), dhe i Institutit të Petrokimisë në Plojesht. Debutoi më 1965 në shtypin letrar (revista Familia,
Autori i Shkallëve ka themeluar revistat Sinteze, Sinteze Literare dhe Esteu, në të cilat i prezanton edhe vlerat shqiptare të krijuesve tanë nga Shqipëria historike dhe diaspora shqiptare. Është laureat i Çmimit të Filialës së Brashovës të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe i Çmimit për Shkëlqesi të Bashkisë së qytetit Plojesht, si dhe i disa çmimeve tjera të Festivaleve letrare në Sebesh dhe Tërgovishte. Është prezent me poezi në revista dhe antologji të Rumanisë, Austrisë, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Greqisë. Është i përfshirë edhe në antologjinë bilingve, shqip/rumanisht, Shpirti i fjalës, Bukuresht, 2009. Ka botuar deri tani 40 libra me poezi, prozë, aforizma, kritikë letrare, si dhe një numër të konsideruar vlerësimesh kritike mbi poetët dhe prozatorët shqiptarë të rikënduar në gjuhën rumune.
Lënda e librit në gjuhën shqipe
VICTOR STEROM
TREPTELE - S H K A L L Ë T
Përktheu nga rumanishtja: Baki Ymeri
REDACTIA REVISTEI ALBANEZUL
BUCURE?TI ( 2010) BUKURESHT
PA FJALË
Tani fshihem pas fshehtësisë
Tejmatanë syve kurreshtarë
Derisa do të zgjasë ankthi
Që vepron ngadalë
Duke e zhvendosur copë pas cope
Qenjen time fisnike
Derisa vetë koha më është
Një anije e mbushur me hije
Nga e cila nuk po shkëputem
Duke më mbuluar
Me madhështinë
E malit të shenjtë
Pastaj besoj se e kalova doganën
Fitimtar dhe i mundur
Prej kaherë
1
Nëse më fton
Muzgu do jetë më mendimtar
Humnera më pranë
Bindjen se po shkon
E mbaj në krahëror
Porsi një hije në hënë
Qëndroja i padukshëm vetë
Shikoja gurgullimat e ujit
Se si bëheshin gjaku im
2
Leshtak si tymi i pyjeve
Retë më endin andej/këndej
Sipas asaj që shoh
As zogu nuk po fluturon
Flatra është një varr i përbashkët
3
I dëgjoj çastet
Si do lojëra fëmijësh
Të zgjuara nga gjumi
E them këtë ngjarje
Në pëshpëritjen e pasqyrave
Të syve që degdisen në mua
Jemi njëri në tjetrin
Siç është errësira
Në tjetër errësirë
4
Ja që e dimë se ç’jemi
Një kalavesh ankthesh
Një shthurrje sekondash
Nëse më duhet një hije
E marr si një lojë
E gishtërinjve tanë
5
Asgjë s’kam parasysh ta harroj
Kjo është ngrica
Kjo është lutja
Ditë pas dite tmerri
Se nuk do të kthehem
Ma mbush rrugën me shkëmbinj
Të kem kujdes kur të arrij
Në të djathtën e humnerës
Që mos t’ia trazoj thellësinë
6
Jam në brendinë e fjalës
Një lëndinë e mbushur me shpresa
Pika që mbështet rënien
Qëllimi që të çon
Në luginën e hiçit
Gjatë disa shekujve
7
Më është shkrirë çasti
Në dorë të djathtë duke mbajtur
Përmbi kokë largësinë
Tani bie dëborë
Me mëshirë ndaj hyjnive
Bie shi me hije yjesh
Përmbi kryqin tim të përflakur
Një gazë sa një kishë
Numëron rrudhat e gojës duke bërtitur
Ndërsa përposhtë janë valët
8
Do të të ndjej duke vajtuar
Muzgun e harruar në mua
Porsi një fshehtësi degdisjen e rrezes
Mos më thuaj se je
Me derën e hapur
9
Ujërat e brendshme më thithin
Në turmën e tingujve
Duke u gëzuar se po shkoj
Nëpër vargjet e verbëta
Porsi nëpër tulin e tymit
Aroma e gjestit të fundit
Shikon në vetveten time
Shenjën e kohë lakuriqe
Që shëmbëllen me perëndimin
10
Në pëlhurën e hijeve
Në lundrat e hirit
E dëgjoj terrin
E shtrënguar si një grusht
Në etjen përvëlimtare
Të obsesionit tim
11
Porsi lugati në male jam
Tejmatanë vetvetes
Frymat ngavitrinat
Një tym plumbi të shkrirë dëgjoj
Mendoj se kthimi im
Tubohet në shpartallim
Në gjak më bëhet natë
Ndërsa çastet aq sa kanë mbetur
Më shndërrohen në harfa
12
Humbje të tërmetshme
Porsi fantazmat në mua
Shndërrohen në kënde
Me vetminë në krahë
Dëgjoj se si thyhet dimri
Në dritaret e verbëta
13
Ndoshta tjetërherë
Në rrethana të tjera
Do jem hija e fjalëve të mia
Disa kokrra rëre
Apo disa rreze valësh
Në përkujtimin e kujtimeve
Apo do t’i qaj gjethet
E rëna ndërmjet nesh
Nga mungesa e dritës
14
Tani po ik prej meje
I shpërndaj gjërat
Në rrugëkryqe absurde
Por ajo që më çmend
Është heshtja e madhe
Që më shtyp për vdekje
15
Tani e di përse
Ikim nga njëri/tjetri
Një qiell ndahet mes nesh
Trupat duke u terratisur
Furtuna duke na kapluar
Nëpër anë të ndryshme
Kur zanat vallëzojnë
Lojën e yjeve të topitur
Në shtjellën e shtigjeve
16
Duke pritur të vish e padukshme
Në odën time të qiellit
Siç vjen loti në fërgëllimë
Siç dridhja e rezes po vjen
Në perëndim të henës
Dhe në hijen e çdokujt
17
Pasi që dremita
Gjumi m’u zvogëlua
Sa briri i kërmillit të fshehur
Derisa e pashë
Gjithë rrethinën
E rënë në gjunjë
Ndërsa stacioni i vetmuar
Një gërmadhë milingonjash
Sa hiri i një klithje
18
Kur i hapa sytë
Mbi shinat e ndryshkura
Vërehej një gjarpër
Ai që të shikon tani
Është gjurma e gjakut tim
Dhe reja e thirrjes së fundit
19
Nëntë brirë dreri
Pinë nga shuplakat e mia
Krejt bukuria e botës
Aq i sigurtë jam
Se si në një çerdhe qyqeje
Hija e hënës
Të kam pritur një kohë
Pastaj ra dëborë e imtë
Derisa m’u mbaruan ditët
20
E shtrova një tryezë në qiell
Atje jam vetëm me mua
Atje nuk po të pres
Kishte për tepër hije
E rënë ndërmjet nesh
Nga loja e dashurisë
21
Arrij të jem një pikë
Dhe e mbështes turnin
Duke të pritur
Pastaj depërtoj në linjat e shenjta
Në humnerat e padyshimta
Gjithnjë e më thellë
Drejt një bote tjetër të humbur
Ndërmjet dhembjes dhe ëndrrës
Ndërmjet lindjes dhe vdekjes
22
Kur flej në mëndafshe engjëlli
I harruar nga ritmi që përvëlon
Qarqe dhe britma përjashta
Degdisem në gjirin e natës
Brigjeve të një humnere
Ku më bie ngadalë hija
23
Po mbushem me shikimin
E gjendjes së ikonës
Së vulosur në gjakun tim
Dhe shtrëngoj në grusht
Shkallët e qiellit
Dhe heshtjen e fjalës
Sa herë që ju thërras
Të ma mbani dritën në supe
Por sidomos errësirën
24
E kam bërë kohën lëmsh
Nga sytë e qyqes
Nën muret e mëshirshme
Që klithin në ëndrrën e kullosës
Degdisem në hijet e lulishtes
Në sytë e përlotur të një të verbëti
Një shtëpi sa një milingonjë
Në fund të rrugës
E di se po më pret
25
Bota nga dritarja e vdekur
Shpati pret duke përgjuar
Porsi heshtja mbi kryq
Ndërsa anët
Janë për mua
Labirinthe të paqarta
26
Shpirti im merr formën
E një lepuri që ik
Duke i çmendur felinarët
Në një dimension tjetër
Zbrazëtira e trillon
Këtë degdisje
Kur do të filloj udhëtimin
Porsi kërmilli nëpër altarë
Duke e përkujtuar acarin
27
Në filozofinë e gjerë të kryqit
Do të jem një lindje e hënës
Një mitologji me trup
Ndërmjet dy brigjesh
Shoh një djep të shenjtë
Turrë drurësh që po shembet
28
Atje do të të kërkoj
Do të të përfshij
Në mendimin tim për vdekje
Dita rri mbi ballin e gjarpërit
Duke e kërkuar hijen
Kur unë s’jam ende shpati
Që rri mbi tjetër shpat
Përplot me kryqe dhe heshtje
29
Dhembja e pemëve
Të shkulura nga furtuna
Më kalon nga tëmthat përpjetë
Thoja në ëndërr
Se mund të të ëndërroj në qiej
Porsi një klithje që më ndjek
30
Unë e shoh liturgjinë
Porsi një fëshfërimë mjellmeje
E degdisur në qiell
Tingujt e saj përkundin trupat
E atyre që nuk po kthehen
Përmbi valë
Klithjen e zogjve
E shoh të rrëmbyer
Nën kambanat enigmatike
31
Tani e përshkruaj një kryq
Në hijen që e lë
Syrin tim mbi kodrinë
Një ngashërimë e shurrdhtë
Ma mbush shtëpinë me kimera
Dhe memorjen me tym
32
E kam sulmuar magjinë e noçkës sate
Dhe e kam drëguar në bjeshkë
Pranë vesës së përjetshme
Përfytyrimi i heshtur
I fontanës së qiellit
Ma mbulon jetën
Ajrin e çiltërt e dëgjoj
Në trurin e një flake
Që vërtitet egërsisht
33
Tani më ka kapluar gjumi i rëndë
Dhe dremis me thatësinë e mjegullës
Në krahë
Vetëm karajfilat më rrinë mbi ballë
Duke ma shndritur kryqin
Nën të cilin gjendem për përjetësi
(I shqipëroi: Baki Ymeri)