| E premte, 05.11.2010, 09:58 PM |
Vangjush Ziko
KAFE E MALLIT
KAFE E MALLIT
Pleqtë mblidhen
të pinë kafe
Plakat të bëjnë fjalë.
Ju s' e dini
se është një kafene
ku pinë kafe përzjerë me mallë.
S' e dini
se ora e tyre ka mbetur
me orën e avionit që i nisi.
Se orëndreqës
nuk ka për t' u gjetur
akrepët e saj t' i lëvizë.
Se gdhihen dhe ngrysen
në dhe' të huaj.
Se janë bërë shtetas të tij
me kohë
Por pasaportën e vjetër e ruajnë
pranë ikonës.
As dëshirën e tyre të fundit
s' e dini.
E mbajnë të fshehtë,
për vete.
Me atë pasaportë ata do nisen
në atë jetë.
ZJARRI I MALLIT
Me një fije shkrepse
ndez cigaren
dhe zjarrin bubulak.
Një kujtim.pa dashur fare,
mallin tim e përflak.
Me një rreze drite
ndriçoj errësirën,
terrin e natës zboj.
Një fjalë e ëmbël.e mirë
mallin tim e zgjon.
Me një ëndërr të dhimbshme
futem dhe dal nga një varr.
Gjithnjë në rrugë nisem
dhe kthehem
përzhitur me zjarr.
Dhe kthehem i bukur,
rinuar
Me thinjët përzhitur në flakë.
Dhe mallin dot nuk e shuaj
Digjem në të pakëz nga pakë.
DIVORCI I BOTËS
Bota po çmendet.E di.
Jetojnë e ndahen çiftet
Dhe botës s' i duket çudi,
As turpërohet.As vritet.
Ndahen dhe bijtë nga nëna
Me lotë dhe mall në zemër,
Me fjalë përgjysmë të thëna,
I ndjell kjo bota shemër.
Avionët me krahë çeliku,
Me drita,flamurë të ndryshëm
I shpien në dasmën e shpikur,
Përcjellë mga retë si krushqër.
Në dasmën e jetës së tyre,
Në dasmën që zgjodhë vetë.
Por nëna nuk është nuse
Ta ndash e të marrësh tjetër.
As jeta nuk është lodër
Me thinja,pa thinja qofsh.
Mund të firmosësh divorcë,
Veç zemra nuk njeh divorc.