Flakët e tij kishin përfshirë kurorat me lule, të vendosura në bazën e kryqit, në përkujtim të ushtarit të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botëror. Ndërsa kurorat e vendosura poshtë kryqit lëshonin ende tymin dhe vazhdonin të digjeshin, në vendngjarje mbërriti policia e Korçës. Ekspertët e saj nisën menjëherë hetimet për të zbuluar autorët dhe qëllimin e këtij akti. Një drejtues i policisë lokale që ndiqte hetimet, tha se nuk ka ndonjë person të dyshuar për djegien e kurorave në memorialin e ushtarit grek. Djegia e kurorave me lule ndodhi afro një orë e gjysmë pas largimit të pjesëmarrësve në ceremoninë përkujtimore. Për këtë ngjarje lajmëroi policinë menjëherë OMONIA, e cila kërkoi zbardhjen e ngjarjes, duke theksuar se ajo ishte e qëllimshme. Nisur nga dyshimi për vendosjen e flakëve nga persona të paidentifikuar, ekspertët e policisë nisën verifikimet. Ata kontrolluan me imtësi zonën përreth memorialit, por nuk pikasën gjurmë shkrepëseje apo ndonjë të dhënë tjetër që të tregonte për zjarrvënie të qëllimshme. Dyshohet se zjarri mund të jetë provokuar nga flakët e një qiriu të ndezur në nder të ushtarit të vrarë. Ai ishte vendosur në fund të memorialit në formë kryqi, çka mendohet se mund të ketë shkaktuar përhapjen e flakëve drejt kurorave me lule. Megjithatë, në momentin e mbërritjes së policisë në vend, gjithçka ishte shkrumbuar dhe kryqi i bardhë ishte mbuluar nga hija e zezë e tymit. Pavarësisht pistës së zjarrit aksidental, policia e Korçës nuk ka lënë mënjanë atë të zjarrvënies së qëllimshme, megjithëse nuk ka prova apo persona të dyshuar për këtë. Pas ceremonisë mësohet se pjesëmarrësit janë shpërndarë dhe asnjë banor nuk është afruar në këtë zonë ku u kryen homazhet. Të parët që kanë reaguar dhe kanë lajmëruar policinë janë anëtarët e OMONIA-s. Pjesa e varreve të vjetra ndodhet në pjesën kodrinore të fshatit, ku dhe është ngritur pak kohë më parë memoriali dhe shkallaret që të shpien deri në këtë vend. Ndonëse ekspertët flasin paraprakisht për një zjarr aksidental, nga policia e Korçës pritet që vetëm sot të bëhet zyrtar përfundimi i hetimit. Gjatë ceremonisë së homazheve i vetmi incident ishte ai i përplasjes së vendasve në lidhje me faktin se kujt i përkasin varret. Por, dhe në këtë rast banorët ishin të moshuar dhe pa asnjë mundësi reagimi në zë të lartë. Një pjesë e tyre kanë qëndruar indiferentë, duke mos dashur të mbajnë asnjë krah. Gjatë gjithë ditës së djeshme ka munguar dhe reagimi i përfaqësuesve vendorë nga Komuna e Drenovës që ka nën juridiksion fshatin Boboshticë. Në ditët e para pas protestës së banorëve, komuna deklaroi se do të ndërmerrej shpejt aksioni për të prishur ndërtimin mbi varrezat e vjetra të fshatit. Por, edhe pse kanë kaluar 6 ditë nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për betonizimin e varrezave, veprim i konsideruar i paligjshëm nga vendorët.
Banorët protestuan për punimet
Më 26 tetor, banorë të fshatit Boboshticë, komuna Drenovë në Korçë, protestuan publikisht, duke bërë të njohur skandalin që sipas tyre kishte ndodhur këtu. Sipas banorëve, OMONIA, dega e Korçës, kishte hedhur beton mbi varret 200-vjeçare të të afërmve të tyre, me qëllim krijimin e një shkallareje deri në memorialin kushtuar një ushtari grek të rënë gjatë kohës së luftës. Pikërisht nga këto punime dhe reshjet e shiut, dy ditë pas identifikimit të këtyre veprimeve, të kryera pa lejen e komunës, dolën në sipërfaqe të tokës disa eshtra. Këto sipas të moshuarve të zonës u përkasin të parëve të tyre. Vetë banorët, një pjesë e të cilëve kanë jetuar Luftën e Dytë Botërore, treguan për gazetën se në këtë zonë është vrarë vetëm një ushtar grek, madje dhe ai është varrosur larg vendit ku kryhen homazhet. "Në këtë zonë u ngrit disa vite më parë një kryq, por me qëllim për të përfituar ndonjë vizë", pohoi në një intervistë një ish-mësuese e fshatit, Elpiniqi Manço, sot 80 vjeçe.
Prefekti i Korçës: Dënoj aktin e djegies së kurorave
Prefekti i Qarkut të Korçës, Andrea Mano, shprehet se është në dijeni vetëm të aktit të djegies së kurorave në varrezat e fshatit Boboshticë, akt të cilin ai e dënon, por ndërkaq pohon se nuk ka dijeni për sa u përket ndërtimeve prej betoni atje dhe nëse do të ndërhyhet për prishjen apo jo të tyre.
Zoti Mano, çfarë mund të thoni për betonimin e një pjese të varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë dhe pretendimet e kundërta se atje ka ushtarë grekë apo që janë varre të banorëve të fshatit?
Nuk kam asnjë dijeni për këtë dhe nuk mund të prononcohem.
Nuk keni asnjë reagim për atë se çfarë ndodh në Boboshticë, përfshirë edhe homazhet e ditës së sotme?
Di se janë djegur kurorat dhe këtë e quaj një akt të dënueshëm. Kjo është edhe më e dënueshme, sepse atje ka qenë përfaqësuesi i diplomacisë greke. (Konsulli i Përgjithshëm grek). Kjo ngjarje do të zbardhet plotësisht nga organet kompetente.
Po për betonimin e një pjese të varrezës, a ka ndonjë vendim për ta prishur, meqenëse konsiderohet si pa leje nga komuna?
Nuk kam asnjë dijeni për këtë gjë dhe se si do të veprohet.