| E diele, 23.12.2007, 04:04 AM |
Futbolli nuk është i Federatës Shqiptare të Futbollit, por i Shqipërisë
Nga Besnik Dizdari
Besnik Dizdari |
Nuk ngjet në asnjë nga vendet më futbollistike të Evropës, që, si në Shqipëri çdo ditë siglat “FSHF”, zërat ”FSHF”, sektorët e “FSHF” me emrat e drejtuesve të saj të përmenden në kësisoj shpeshtësie. Eshtë vërtet fantastike se si ndodh që gati çdo ditë thuajse, citohen deri vetë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF, e përgjegjësa të ndryshëm të saj sikur në duart e tyre të ishin fate të mëdha të këtij kombi. Se përsa i përket presidentit të FSHF, emri i tij është si të thuash i orëeçastit, ndonëse dihet qartë se ai, përveç të tjerave, është një zgjedhje vullnetare, jo i funksionit të nëpunësisë. Në të gjithë vendet e tjera ai që përmendet më fort është emri i sekretarit të përgjithshëm të Federatës Kombëtare të Futbollit, si njeriu drejtues ekzekutiv i përditshëm i punëve të saj, figurë e cila në Shqipëri po rrezikon të shndërrohet në thuajse e panjohur apo krejt e prapaskenës, kur mu ai është figura ndër të parat e kësaj skene zyrtare të forumit drejtues të futbollit kombëtar.
E kemi të vështirë t’i japim spjegim të plotë kësaj dukurie të çuditshme, por thelbin e gjithë kësaj, na duket se mund ta marrim me mend. Qofshim të gabuar, por mendojmë se e gjitha kjo ngjet nga fetishizimi i rolit të Federatës Shqiptare të Futbollit, më saktë, të kreut të saj, nga rritja artificiale e autoritetit të saj, ndoshta dhe nga dëshira e ndokuj për të na mbushë mendjen se punët e futbollit, sporti më popullor në Shqipëri, janë vetëm ndër duart fatmëdha të kësaj Federate. Dhe se futbolli posaçërisht është i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe jo i Shqipërisë. Kur është krejt e kundërta. Pra, që futbolli është posaçërisht i Shqipërisë dhe që drejtohet prej Federatës Shqiptare të Futbollit.
Si “u përjashtua” Shqipëria nga FIFA më 1996 për gëzimin e FSHF-së
Gjithmonë historia ndihmon. Dhe është shumë interesante të hulumtosh atë që ka marrë flakë në Shqipëri: atë që është përcaktuar si “ndërhyrja e qeverisë shqiptare në punët e Federatës Shqiptare të Futbollit”. Ndonëse Federata Shqiptare e Futbollit, me rënien e regjimit komunist dihet, dhe jo vetëm ajo, por sidomos ajo, ka marrë një pavarësi që as në ëndërr nuk e ka pa. Aq e fortë është pavarësia e saj, saqë e pakta tash nja 10-12 vjet, nëse për një çast qeveria, shteti, pushteti, a s’di se kush, merr guximin të ndërhyjë në punët e Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo menjëherë nis e kërcënon me padi në FIFA dhe UEFA. Si të ishte e FIFA-s dhe e UEFA-s dhe jo e Shqipërisë. Dhe sa merr vesht për padinë e mundshme, qeveria, shteti, pushteti a s’di se kush, menjëherë hesht. Moral i fabulës? Frika e padisë?...
Nuk mund të harrohet konflikti zhurmëmadh i nëntorit 1996.
E vërteta është se mu për shkak të ndërhyrjeve të administratës shtetërore në punët e forumit drejtues të tij, papritmas FIFA njoftoi për përjashtimin e Shqipërisë nga rradhët e saj. Lajmi i agjensisë Reuters i 27 nëntorit 1996, fjalë për fjalë ishte ky:
“SHQIPËRIA PEZULLOHET NGA FIFA”
Zurih, 27 nëntor, Reuters
Shqipëria u pezullua të mërkurën nga FIFA për një periudhë të pacaktuar pas një spastrimi qeveritar të Federatës Shqiptare të Futbollit. FIFA, organizmi drejtues i futbollit botëror e mori vendimin pasi që Ministria Shqiptare e Sporteve urdhëroi pezullimin e sekretarit të përgjithshëm të FSHF, Eduard Dervishi dhe shpërndarjen e Komitetit Ekzekutiv. FIFA i bëri të ditur Federatës Shqiptare të Futbollit se ajo nuk i njihte këto vendime dhe se do të vazhdonte të komunikonte me Dervishin dhe Komitetin Ekzekutiv të shpërndarë si të vetmin kontaktues zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo masë e vë në rrezik ndeshjen kualifikuese të Shqipërisë për Kupën e Botës në Grupin 9 kundër Irlandës së Veriut më 14 dhjetor. Në Grupin 9 bëjnë pjesë gjithashtu Gjermania, Portugalia, Ukraina dhe Armenia”.
Me cilësinë e kryeredaktorit të gazetës “Sporti Shqiptar”, siç e kisha emërtuar një vit më parë, dhe e cila kishte marrë statusin e ndërmarrjes shtetërore jobuxhetore, kam botuar shkrimin tronditës me titull “FIFA dhe “Fakset klandestine””, i cili fillonte kështu:
“Gjergj Fishta ka pasë shkruar kështu për kundërshtarët e këqinj: “Mos na len zot pa ta!”… Në të vërtetë një lajm i ardhur prej agjensisë Reuters për një pezullim të Shqipërisë prej FIFA-s, duhet marrë paksa edhe me humor, sepse dihet “nuk ka gjë më serioze se humori”, siç thotë sentenca…”
Isha i bindur, dhe jo i vetëm, që FIFA nuk mund të përjashtonte kështu me një të rënë të lapsit një shtet anëtar të saj. Në të vërtetë FIFA kërcënonte. Mbaj mend se më mbas sekretari i përgjithshëm i FIFA-s i asokohe, Joseph Blatter, iu tha drejtuesve të sportit kombëtar “se nuk jam i mirëinformuar”. Kuptohet, vendimi i pezullimit apo përjashtimit të Shqipërisë nuk zgjati as 48 orë, e shteti heshti ndërkaq me mosveprim dhe dy javë më mbas Shqipëria luajti normalisht ndeshjen e saj me Irlandën e Veriut në Belfast.
Më tepër se kërcënimi, e kishte marrë fjalën diplomacia e futbollit, sepse atje, në FIFA, e dijnë fort mirë se futbolli i një shteti nuk është pronë e Federatës së Futbollit të atij shteti, por e popullit të atij shteti, i cili gëzohet, dëfrehet dhe merr kulturë edhe përmes futbollit. Megjithate, FIFA apo UEFA edhe të pezullojnë. Edhe kjo ka ndodhur me Shqipërinë kur e përjashtuan nga pjesëmarrja në Kupat e Evropës dy herë, më 1992 dhe 1997. Dhe në të dy rastet sepse, simbas UEFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit nuk arrinte të siguronte zhvillimin normal të Kupës së Evropës në tokën arbnore dhe Shqipëria mbeti e përjashtuar për ato dy sezone. Nuk ishte faji i saj megjithate, por i pamundësisë së qeverisë shqiptare për të siguruar rendin e qetësinë në ato dy vite të trazuara 1992 dhe 1997.
Moral i fabulës?
Pa një bashkëpunim të shtetit apo qeverisë me Federatën e Futbollit, kurr nuk do të ketë zhvillim normal demokratik të këtij sporti dhe të vetë sporteve të një kombi, të një shteti.
Pamja dhe përbërja e ngushtë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF
Eshtë vërtet e pashembullt në historinë e kohëve të fundit, kur vëren se në mbledhjen e Komisionit kundër Dhunës në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa vjen e merr pjesë sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, nuk vjen asnjë përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit! Që dihet se është Federata me problemet më të mëdha të dhunës në sportin shqiptar. Dhe bën gjestin e mosardhjes në këte mbledhje të rendësishme shtetërore apo ministrore përtej çdo guximi, çdo vetjakizimi të futbollit!
Le të mendojmë për një çast sikur Federata Shqiptare e Futbollit t’i shkruante UEFA-s apo FIFA-s, që janë aq të shqetësuara për dhunën në futbollin e sotëm, se “unë e nënshkruara, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk denjoj të marr pjesë në Ministrinë e shtetit tim në mbledhjet e Komisionit kundër dhunës”. Atëherë ndoshta vërtet që FIFA-s apo UEFA-s mund t’i shkonte ndërmend që të nxirrte urdhërin kërcënues për pezullimin e Federatës Shqiptare të Futbollit e jo të Shqipërisë. Kuptohet, një pezullim kërcënues si më 1996, që natyrisht do të anulohej përsëri mbrenda 48 orëve.
Mbërrin retorika e jonë: Morali i fabulës?
Shteti, qeveria, Ministria dhe Federata Shqiptare e Futbollit e kanë për detyrë institucionale, kombëtare, sportive, shoqërore, politike, statutore, “fifase”, “uefase” që të bashkëpunojnë. Dhe doemos, para Federatës Shqiptare të Futbollit, për këte, më fort se kushdo i takon të luftojë qeveria, Ministria. Eshtë kjo së cilës i takon të lëshojë më fort, të çojë mesazhe në Federatë, të thërrasë, të ftojë, të diskutojë. Dhe mbi të gjitha të bindet se asnjë ndërhyrje e saj, sidomos në zgjedhjet e Federatës Shqiptare, nuk mund të çohet nëpërmend. E, për hir të së vërtetës nuk dimë të jetë ndërhyrë asisoji sado që e dëgjojmë përditë se është ndërhyrë mu asisoji. Përjashto ato që parashikon ligji para të cilit jemi të gjithë të barabartë. Pra edhe Federata Shqiptare e Futbollit ndonëse përjeton pavarësinë e saj më emblematike (shembullore) që ka pasë ndonjëherë në histori. Natyrisht jo deri aty sa ajo t’i ndjejë futbollin, Kombëtaren apo Kampionatin Kombëtar më tepër të vetët se sa të popullit shqiptar.
E pra, çka ka që përmendet kaq përditë Federata Shqiptare e Futbollit, presidenti i saj, sektorët e saj, Komiteti Ekzekutiv i saj? (Mungon vetëm përmendja e sekretarit të përgjithshëm të saj). Dhe kështu papritmas, mu për këto, të duket se futbolli nuk është i Shqipërisë, por i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Sidomos kur vëren nëpërmendjen “mashtruese” më të përditshme se të askujt, sidomos të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili më fort se kurrnjiherë përjeton dinamovitizimin dhe jo kombëtarizimin, kryeqytetarizimin dhe jo ndërqytetarizimin, atëherë padyshim vetvetiu nis e bindesh për argumentin e mësipërm: që futbolli më shumë se i popullit qenka i Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe qé, tek janë 11 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit: Skender Hyka, Bujar Kasmi, Lutfi Nuri, Muhedin Targaj, Gjergji Thaka, Medin Zhega, Kreshnik Çipi, Mehdi Bushati, Tahir Kastrati, Arben Dervishaj. Pjesë e këtij Komitetit merret me mend është dhe presidenti i FSHF, Armand Duka. Shihet që gjeografinë e drejtimit të futbollit të Shqipërisë (që më tepër qenka i Federatës Shqiptare të Futbollit) e sundojnë dinamas e kryeqytetas!
Siç kemi shkruar edhe më parë, kjo është një Federatë Shqiptare e Futbollit e cila ka një Komitet Ekzekutiv që nuk është përfaqësues për futbollin kombëtar, sepse nga njëmbëdhjetë anëtarët e tij, vetëm dy janë jo të kryeqytetit. Kjo do të thotë që Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça, Kavaja, Berati, Lushnja, Lezha apo Gjirokastra – dhe jo vetëm këto - qendra të mirëfillta të futbollit kombëtar, historisë, traditës dhe të sotmes së tij, nuk përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FSHF. E meqë ka një mani këtu në Shqipëri për të bërë tash e parë krahasime me Perëndimin, po rikujtojmë se të 14 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së saj të Futbollit, Gjermania i ka nga 14 qytete apo krahina të ndryshme të saj. Kundër çdo drejtimi diktatorial dhe lokalist, apo klientelist, siç thuhet sot, Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Anglisë prej 20 anëtarësh, të 20-tët i ka nga 20 qytete apo krahina të ndryshme.
Nuk ka monopol klubist si në Shqipëri kur përshembull prej të 11-tëve të Komitetit Ekzekutiv tre trima kanë prejardhje nga një klub i vetëm: Dinamo! Madje aty ka anëtarë që drejtojnë edhe një Federatë tjetër sportive dhe askush nuk bzan prej kësaj shkeljeje ligjore të pafalshme, për të nxjerrë kështu vendimin për zëvëndësimin e menjëhershëm të tij. Pa shkuar te rasti “historik” që Shqipëria mund të ketë rekordin evropian ndër vendet e ish- Lindjes Komuniste ku përshembull mund të ndodhë që drejtuesi i parë i sportit të regjimit komunist, i cili vitet më të shumta të detyrave të tij mund t’i ketë kaluar në aparatin e Sigurimit të Shtetit, sot në demokracinë kundërkomuniste ia ka arritur të jetë një prej drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe president i një Federate Shqiptare të një sporti tjetër! Shumë bukur Shqipëria! Je vërtet rast unik (vetanak)!
Atëherë? Vetëm kjo përbërje e njëanshme, jokombëtare, por lokaliste e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, të bind edhe më fort se futbolli më shumë ndjehet i Federatës Shqiptare të Futbollit, se i shqiptarëve. Dhe mjafton kjo përbërje e njëanshme e Komitetit Ekzekutiv të saj për të na çuar te shkrirja e menjëhershme e këtij Komiteti, te zgjedhjet e reja në Federatën Shqiptare të Futbollit, natyrisht pa asnjë ndërhyrje të qeverisë apo shtetit, por vetëm me një ndërhyrje sublime: asaj të shoqërisë futbollistike kombëtare shqiptare.
Eshtë vërtet e rrallë ndërkaq, dalja shpesh në rubrikat sportive e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, kryesisht për të mbrojtur interesat e ngushta të Federatës Shqiptare të Futbollit, çka është një konflikt interesash i rangut. (Në vend që të bëjnë “anëtarkomitetekzekutivasin”, duan të bëjnë gazetarin!). Duhet formuar Liga Profesioniste, - tha njëri prej tyre këto dit në TV si të bënte një zbulim. Dhe shtoi fjalë për fjalë me megallomani udhëheqësish të dikurshëm: “Liga profesioniste do të bëjë që FSHF të mos merrej me Kampionatin, por me politikën e futbollit. Bëjeni dhe ne jemi dakord. Unë s’di asnjë inisiativë!”.
Nuk na mbetej gjë tjetër veçse të ngriheshim në këmbë dhe, të entusiazmuar prej këtij pseudolideri apo lideri të vetndjerë, që harron se regjimi tij ka rënë tash 16 vjet, të brohorisnim si dikur: “Rroftë PPSH!”.
Mjerë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit!
Ka ardhur koha që Federata Shqiptare e Futbollit të ketë Këshillin e saj prej të cilit të dalë jo ky Komitet Ekzekutiv “i frikshëm” në ngushtësinë e autoritetit e tij artificial, por një Komitet Ekzekutiv që të përfaqësojë jo Dinamon dhe kryeqytetin Tiranë, por të gjithë, sidomos kryeqendrat historike të zhvillimit dhe përhapjes së futbollit kombëtar: Durrës e Shkodër, Elbasan e Korçë, Kavajë e Berat, Lushnje e Gjirokastër! Vetëm pesha e Këshillit e zgjedhur nga Asambleja me përfaqësues prej zonave tradicionalisht më futbollistike të vendit, mund të nxjerrë Komitetin Ekzekutiv si një përfaqësues i futbollit të Shqipërisë, jo i futbollit të Federatës Shqiptare të Futbollit. E dini tashmâ se Anglia e drejton futbollin përmes Këshillit, atij që njihet si FA Council. Nuk mund të imitohen superfuqitë e futbollit, natyrisht. Mund të merren vetëm për shembull që kësisoji në një specifikë shqiptare, të mund të themelohet treshja Asamble-Këshill-Komitet Ekzekutiv. E kemi stërthënë edhe këte.
Morali i fabulës?
Pavarësia e jashtëzakonshme që ka fituar me të drejtë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila sapo qeverisë apo shtetit i shkon nëpërmend t’i ndërhyjë, e ajo, si në rastin e “fakseve klandestine” të vitit 1966 ulet edhe bën padinë “burrërore” në FIFA apo UEFA, kjo pavarësi pra, e pengon ate të ndjejë varësinë tjetër, atë të pakundërshtueshmen, të domosdoshmen, jo atë të shtetit, por të shqiptarëve futbolldashës që janë mbi 3 milion. Federata Shqiptare në të vërtetë duhet të ketë frikë prej ndërhyrjes së 3 milion shqiptarëve futbolldashës, i të cilëve është futbollit. Qoftë edhe për faktin se këta ajo nuk mund t’i padisë në FIFA apo UEFA siç mund të bëjë tash e parë me qeverinë apo shtetin e saj!...
Pesë problemet dhe kushedi sa të tjera... për FSHF-në
Federata Shqiptare e Futbollit me të drejtë ndjehet e trimëruar tejet prej pavarësisë që ka fituar po me të drejtë prej demokracisë. Ndoshta është në gjendje psikologjike euforie edhe për shkak të fushave të përtërira të disa stadiumeve të Shqipërisë, apo për modernizimin e mjediseve të punës në kancelerinë e saj, apo dhe me rritjen edhe fuqizimin e Kombëtares në këto vite, pavarësisht fiaskos së dy ndeshjeve të fundit, apo të analizës së rrufeshme që i bëri këto dit Komiteti i njëanshëm Ekzekutiv i Federatës me mendimin më lakonik në historinë e futbollit: euforia e futbollistëve! (Kemi lexuar këto dit në “France Football” ku për çudi prej ndeshjeve të EURO 2008, përmendeshin vetëm dy ndeshje për dyshim trukimi, ato Shqipëri – Biellorusi 2-4 dhe Rumani – Shqipëri 1-6, për çka e kemi të vështirë të besojmë).
Kështu pra, Federata Shqiptare e Futbollit ngrë në qiell një “eufori”, harron ose bën sikur harron pikat 7, 8, 9 dhe 10 të dekalogut të FIFA-s që thonë:
7. Refuzo korrupsionin, drogat, violencën, bastet dhe çdo veprimtari të rrezikshme për futbollin.
8. Ndihmo të tjerët që t’i rezistojnë nxitjeve për korrupsion.
9. Mos u mjafto vetëm t’i thuash “jo”, por denoncoje ate që kërkon të korruptojë ose të mashtrojë të tjerët.
10. Përdore futbollin si instrument për t’i dhënë botës një vend më të mirë.
Absolutisht asnjërën prej këtyre, Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund t’i realizojë pa bashkëpunimin me qeverinë apo shtetin. Merreni me mend sikur një ditë të ndodhë dhe shteti të çmendet e t’i thotë Federatës Shqiptare të Futbollit- e cila “trimërisht” e padit këte shtet apo qeveri në FIFA apo UEFA, kur atij i shkon nëpërmend për t’i ndërhyrë- që këte javë nuk t’i jap stadiumet për ndeshje apo që këte javë nuk ta dërgoj policinë për të siguruar rendin në ndeshjet, çka nuk mund të ndodhë kurrnjiherë! Sigurisht asnjë ndeshje e Kampionatit nuk do të mund të zhvillohej. Sepse dihet që asnjë Federatë nuk ka policinë e vet dhe, po ashtu, asnjë Federatë futbolli nuk i ka prona të vetat stadiumet e vendit. Ky është një shembull që vërteton detyrimin e marrëdhënieve të ngushta shtet– Federatë Shqiptare e Futbollit. Kaq mjafton që Federata Shqiptare e Futbollit të mos guxojë të përmendë mbështetjet financiare që ashtu si të gjithë shtetet e Evropës e të Botës i merr nga FIFA dhe UEFA. Dhe kurrnjiherë për meritë të saj, por për politikë e strategji të FIFA-s e të UEFA-s. Sepse në thelb këto nuk i jipen Federatës Shqiptare të Futbollit, por futbollit shqiptar si veprimtari kulture e sportive për pasurimin e jetës shpirtërore të popullit shqiptar. Eshtë njëlloj sikur qeveria apo shteti shqiptar të guxojë të përmendë financimin për mbajtjen e stadiumeve, apo policinë në të mirë të Kampionatit Kombëtar dhe të rrahë gjoksin Ministri i Mbrendshëm dhe ai Kulturës.
Ajo që i takon të bëjë me guxim Federata Shqiptare e Futbollit na duket se është kjo tjetra: mbasi të hulumtojë e të ndjejë shqetësim, të gjejë rrugët për të bërë të mundur zgjidhjen të paktën të vetëm këtyre pesë problemeve të mëdha:
1. Ardhjen e shqiptarëve në ndeshje se ka mbërritë aty ku nuk shkon më tej: nga dy rradhë me spektatorë patën të shtunën që shkoi dy skuadrat kryesuese të Kampionatit, Dinamo e Partizani. Merrni filmimet e i përimtoni.
2. Paraqitjen e përgjigjeve për opinionin kombëtar sportiv përse gjatë gjithë këtyre viteve ka kaq shumë ndeshje dyshuese në rezultate dhe ajo ende s’ka zbuluar asnjë, nuk ka dënuar asnjë, nuk ka gjetë asnjë fajtor.
3. Përimtimin e shkaqeve përse futbolli i qyteteve tradicionale futbollistike si Durrësi, Korça, Gjirokastra, Berati, Fieri e Lushnja po shndërrohen në qendra gati “jofutbollistike”.
4. Ndërtimin apo rindërtimin të paktën të një, vetëm të një stadiumi modern në Shqipëri, natyrisht përmes një plani në bashkëpunim me shtetin a qeverinë, sepse vazhdon krenaria me vetëm Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të ndërtuar prej Italisë fashiste, që as ai ende nuk është modernizuar.
5. Privatizimin e klubeve të futbollit për t’i dhënë fund njëherë e mirë dyzimit ekonomiko-financiar të tyre që i ka shndërruar klubet e futbollit në amorfë dhe të pafuqishëm në gjithçka.
Flasim për pesë probleme sepse ka tjerë të të panumurt: të rinjtë, që zhvishen në anë të fushës të stërvitjes, në natyrë; kultura e mejdisit të ndeshjeve që është më ulët se 20 vjet më parë; botimet që i ka në asgjâ; organizimin e tipit evropian të shitjes të së drejtës televizive të Kampionatit Kombëtar, që ende nuk dihet se çka është; përgatitjen e gjyqtarëve të cilët po shndërrohen në diktatorë të vetdijshëm apo të pavetëdijshëm ndeshjesh. (Mjaftojnë episodet e javëve të fundit, për të cilat Federata Shqiptare e Futbollit hesht në mënyrën më të vetkënaqun). E shumë e shumë të tjera…
Morali i fabulës?
Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund t’i bëjë e vetme të gjitha këto. Ajo vetëm mund t’i drejtojë të gjitha këto ose të bëhet promotore e tyre. E, mandej, të ulet në tryezë me qeverinë apo shtetin e saj.
(Muajin që shkoi UEFA u ul në tryezë me Bashkimin Evropian për të bashkëpunuar për dhunën në sport. ”Më 2008, - tha presidenti i UEFA-s, Michel Platini, - do të ulemi me Bashkimin Evropian për të bashkëpunuar dhe diskutuar për luftën kundër korrupsionit në futboll”). Dhe së bashku ta vështrojnë futbollin kombëtar, mbi të gjitha, si një dukuri ndikuese shoqërore në përmasa të gjëra shpirtërore dhe kulturore, që pasuron jetën e rinisë dhe e largon ate nga sëmundjet e kohës: drogës, kotësisë, krimi, pijes, tymit të kafeneve, pashpresës, pesimizmit.
Në fund të fundit, për të bërë të mundur shërimin e futbollit kombëtar, ngaqë ai është i sëmurë. Kjo do të arrihet vetëm mbasi Federata Shqiptare e Futbollit të bindet se futbolli nuk është i saj, por i shqiptarëve. Ky do të ishte hapi i parë për ta ndryshuar gjithë përftimin e detyrave, të drejtave, veprimtarisë dhe në tanësi, të vetë drejtimit që i takon të marrë përsipër Federata Shqiptare e Futbollit, për modernizimin e së cilës nuk mjaftojnë zyrat e rinuara të kancelerisë së saj. Përsa kohë që në njinjishmëninë e saj papritmas zë vend edhe BFSSH-ja e dikurshme të cilën edhe ne e patëm shkurorëzuar qysh në gushtin e vitit 1991 me editorialin tonë që u bë i famshëm, ndonëse ishim edhe vetë pjesë e saj.
Me të ardhë keq, vërtet, shumë keq!