Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Çerkin Ismaili: Ethe të trishta (XII)

| E diele, 31.10.2010, 07:58 PM |


Çerkin Ismaili

 

Ethe të trishta

(XII)

 

(Roman)

 

***

 

Në hyrje të hotelit me pesë yje  valëvieteshin flamujt e lëshuar në gjysmështizë në shenjë dhembjeje  e zije  gjithëqytetare për Rahilën ?! Valonin flamujt e  gati krejt botës, sikur para  selisë së OKB-së, të lëshuar në gjysmështizë që simbolizonin dhembjen dhe zinë mortore që kishte pllakosur kryeqytetin?!

-Përpara dyerve të hotelit, në platonë prej mermeri, ishin parkuar makinat,  ndër më luksozet që njeriu kishte prodhuar , kurse bodiguardët  e mërdhirë  rrinin përjashta, duke hukatur duart, si duket , nuk shanin vetëm shefat e vet , por  edhe Rahilën me gjithë ceremoninë e të shtatave.

Sapo të ftuarit hedhnin hapin e parë në holin e hotelit , në shenjë respekti dhe përshpirtësie për Rahilën, Tatlije fallxhesha e Dudie hanmi u  ngjitnin në jakë të kostumit nga një lule të kuqe prej plasmasi, kurse  të bijt e Zibanit dhe Haramit i përcillnin në katin e dytë deri te dera e sallës solemne, ku i prisnin me temena doktor Zebeku dhe Ziban Ziu, kurse sipas protokolit dhe hierarkisë drejtoheshin nga Harami te kolltuqet e mëndafshta të paraparë kastile për çdonjërin musafir.

Në cepin  e djathtë të sallës ishte vendosur një fotografi e madhe e zgjedhur me kujdes nga rinia  e Rahilës,   mbi të cilën rrinte lëshuar një shirit i zi, kurse afër fotografisë ishte vendosur foltorja  e stolisur me fjongo të zezë dhe shumë mikrofona që kishin vënë gazetarët, kurse përballë ishin vendosur tavolina të mbuluara , gjithashtu, me cohë   të zezë dhe tri karrige luksoze të veshura me telatinë.

Koha e fillimit të ceremonialit,  sipas protokolit, kishte gjysmë ore që kishte kaluar,ndërsa nikoqirët akoma nuk kishin arritur.  Musafirët që nuk i përshoshi njeri pse kishin ardhur nisën muhabetet për politikat e ditës e motin e lig që kishte përfshirë kryeqytetin dhe si duket kishin harruar pse kishin ardhur. Doktor Zebekut e Ziban  Ziut nuk u zihej vendi vend. Pandërprerë shikonin orën e varur në sallë dhe sekëlldiseshin për vonesën e Akunit dhe Harunit.

Njëri nga të bijt e Haram Harambashit  iu afrua doktor Zebekut dhe i foli diç në vesh. Sigurisht që i tha se nikoqirët , tanimë, kishin arritur në holin e hotelit në katin e parë. Doktor Zebekut i qeshi nuri nga gëzimi kur doli para  foltores. Sapo hyrën nikoqirët në sallë, doktor Zebeku ftoi musafirët të ngreheshin në këmbë në shenjë respekti për nikoqirët. Disa nga musafirët nuk ia varën as doktor Zebekut as nikoqirëve, kurse disa tjerë  për shkaqe reputacioni u ngrehën në këmbë dhe duke vënë dorën në zemër qëndruan në këmbë derisa Lugati, Akuni e Haruni u ulën.

Sapo u ulën nikoqirët , pasi fshiu djersët, Lugati mori fjalën në emër të familjes së pikëlluar dhe  vonesën e arsyetoi me tollovitë në trafikun e kryeqytetit dhe fjalën ia kaloi burrit të parë të së ndjerës.

Pasi mori fjalën, Akuni rregulloi gravatën e  syzat i lëshoi deri në maje hunde. Sapo përmendi emrin e Rahilës nisi të qante, kurse Haruni, sipas porosisë së Lugatit, nisi të shkarravitej në dysheme. Të gjithë musafirët, edhe pse shumica nuk kuptonin ritualin e shkarravitjes, edhe ata nisën të shkarraviteshin si Haruni. Disa qeshnin derisa shkarraviteshin e disa tjerë mundoheshin të silleshin seriozë, sipas kodeksit diplomatik. Derisa në sallë vazhdoi rituali i shkarravitjes në dysheme , i biri i Ziban Ziut iu afrua Lugatit dhe i foli diç në vesh. Lugati ndërroi pamjen në fytyrë dhe, si rëndom, kur ndodhej në situata të palakmueshme, pa e parë njeri u zhduk.

Në sallë vazhdonte pa asnjë rregull  rituali i shkarravitjes, kurse në foltore Akuni pa e dëgjuar njeri, llomotiste diç.

Njëri nga musafirët u ndie i fyer nga rituali i paparaparë me protokol dhe pa  e prezantaur njeri, i revoltuar doli në foltore dhe nisi të fliste, por as atë nuk e dëgjoi njeri. Fjalimi i musasfirit, i cili nuk dihej nëse ishte i ftuar apo jo,  jehoi si  protestë e zjarrtë publike, por as zëri i musafirit protestues nuk u dëgjua nga njeri!  Musafiri i inatosur fishkëlloi me sa fuqi pati, kurse  fishkëllima u  thye në muret e sallës  dhe u kthye si jehonë, që solli në vete musafirët që akoma  vazhdonin  ritualin e  shkarravitjes!

- Të krisur , a kemi ardhur në ceremoni mortore apo në cirk!? Ky ritual është në kundërshtim me çdo normë etike  ndaj respektit për të ndjerën, vdekja tragjike e së cilës ka tronditur kryeqytetin?!

Derisa musafiri fliste në foltore edhe të ftuarit tjerë  u  kënaqën që kryen ritualin e shkarravitjes, duke marrë qëndrim serioz. Papritmas, te dera e sallës u dëgjua një zhurmë e pakuptimtë për atmosferën mortore .

- Më lësho, more pis, dua të hyj edhe unë!- u dëgjua zëri rebel i Lushi Rebelit.

- Nuk bën xhaxhi Lush! Të lutem mos hyn! Nuk ke ftesë, xhaxhi Lush! Më nxjerrin nga puna! Kij mëshirë, xhaxhi Lush!...-  përpiqej ta ndalonte  Lushin për të hyrë në sallë  djaloshi me  shiritin e kuq që e mbante lidhur në dorën e majt.

Lushi , pasi u mbështet në njërën kukzë, me tjetrën e kërcënoi kujdestarin se nëse do të tentonte që edhe më tej ta ndalonte për të hyrë në sallë do ta qëllonte  me kukzë.

- Ma lësho rrugën ose ta thyej kokën, djalosh! A kupton? Lushi i djeshëm jam edhe sot! Ih, sa janë përpjekur të më ndalnin e nuk kanë mundur, kur më bëhej mendja top!

Djaloshi me shirit të kuq nuk mundi ta ndalonte Lushin, që atë natë, ndryshe nga musafirët e ftuar, kishte veshur uniformë lufte. Kasketa ushtarake me shqiponjën e stisur mbi ballë, që nuk mbulonte dot  xhufkat e  flokëve  të thinjur dhe mjekra e dredhur trandën musafirët në sallë.

- Eja Lush Rebeli, eja, të lutem!- e mori me të mirë doktor Zebeku! Na fal që të kemi harruar pa të ftuar!  Dasmës i bëhet gati njeriu, por mordja nuk dihet kur vjen, zoti Lush! Shyqyr Zotit që qenke gjallë! Kemi menduar se je  harruar në kryeqytet, zoti Lush! Ndaj ushtarit, si thoshte Napoleoni, sapo mbaron lufta, vdes respekti!... Na falë që të paskemi harruar, Lush Rebeli!

- Shporrmu sysh, renegati i ndyrë!-shfreu Lushi.Ju mund të më harroni , por unë nuk ju harroj dot juve! Ju mban mirë në mend rradakja ime! Si fantazmë do t’u ndjek këmba këmbës në këtë dhe atë botë! Në nëntë rrathët e skëterrës do t’u gjej dhe do t’u hakmirrem! Ende nuk u ngope me vrasjet që i kualifikove si vetëvrasje, a?! Krimin mbi mësuesin Fazli nuk ta fali, doktor Zebek? Po harrove ti, dhe nëse edhe unë harroj, ndëgjegja e popullit nuk harron! Heret apo vonë do të hakmirret!

Pas fjalosjes së nxehtë  me doktor Zebekun, Lushi ngadalë shkoi te foltorja, mori mikrofonin dhe foli pak fjalë për Rahilën. Të pranishmit u habitën me Lushin kur e quajti Rahilën ”të ndjerë” dhe bashkëpunëtore e shërbimit kundërinformativ të gueriljes çlirimtare. Të gjithë i duartrokitën fjalimit të Lushit. Vetëm anëtarët e Klanit të Mëhallës së Xhehenemit u përmbajtën pa duartrokitur. Pasi pushuan duartrokitjet, sallën e pushtoi një heshtje për musafirët e pakuptueshme. Lushi mori frymë thellë dhe iu drejtua Akunit e Harunit, që qanin duke u shtirë sikur nuk u kishte lënë mbresa fjalimi i Lushit për Rahilën.

- Ku është Lugati, Akun Bishti?- pyeti Lushi.

- ?

- Po të pyes ku mbeti Lugati?

- Ku ta di unë i shkreti, ku është Lugati, more? Këtu ishte , por ja që u avullua?! Gjeje ti nëse mundesh! O, ai Lugati i dikurshëm ka mbetur akoma?! Të zhduket para sysh, të shfaqet kur nuk e pandeh dot?!

- Ngrehu në këmbë Akun Bishti! Edhe ti Harun Bixhozxhia!  Ngrehuni edhe  ju degjenerikët tjerë të Mëhallës së Xhehenemit!

- Pse e varët Rahilën?! Cili nga ju i lidhi  lakun në qafë, a?! 

-     ?!

- Përgjigjuni , përse akoma  vrisni natën e qani ditën?

-     ?!

- Ju debilët e dreçit, a nuk u ngopët me tragjedinë shpirtërore të Rahilës, por e likuiduat edhe fizikisht, a?! E detyruat të bëhet skllave e dy hudumave që nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeçe!

 Për të krijuar karrierë me moralin e saj e detyruat të flejë në shtretër prostitucioni me agjentë të UDB-së! E nxitët të bëj krime! Por, Rahila nuk vrau njeri! Rahila as nuk tredhi kë ,si e stërvitët ju! Të shkretën e konvertuat edhe në  kurvë të gjeneral Gexhës! Mendoni se këto nuk i di kryeqyteti?! Mendoni se nuk i di Lush Rebeli çalaman?! Jo, jo, gënjeheni, zotërinj të denj për turp! Ju ishit argatët e ushtrisë okupatore! Ju i ngarkuat maunat me kufoma! As varre nuk u keni lënë të rënëve për liri! Sytë hapur u kanë mbetur martirëve, jo për jetën, por për varr në tokën e vet! Shikoni fotografitë e kufomave të mjera të varura para parlamentit! Me sy hapur presin kush do të paguajë haraqin për riatdhesim në varrin  e merituar!   Medet, i shitët kufomat për në grusht para, more mjeranë?!

Hë! Folni tash, por mos thuani se Lush Rebelit të harruar i ka shkalluar mëndja! Flisni!

-?!

 - Fliiiisni!

-?!

-Ani pra, heshtni të gjithë, por kokulur heshtni dhe thuani se krenaria nuk u ka hija, përderisa eshtrat  mbeten pa u tretur në dhe të huaj, përderisa sytë e tyre lëshojnë ethe të trishta në kryeqytet! 

Të ftuarit në sallë nuk kuptuan shumë, por të vërtetën për Rahilën e mësuan mirë. Para se të shkonte, Lushi edhe njëherë iu kthye Akun Bishtit me një ton fare lutës:

- Ku është nënë Naza, Akun!?Të lutem, ma thuaj të vërtetën për nënën time , sado e hidhur qoftë!

Askë në këtë botë përpos nënë Nazës nuk kam! As nuk kam grua, as nuk kam fëmijë! Kisha shumë shokë, por hallet e pasluftës i bënë të më harrojnë! Fol Akun Bishti, ku treti nënë Naza!

Mos ngurro Akun se Lush Rebeli nuk vret! As nënë Naza nuk vriste! Unë veç akuzoj! Edhe shpirti i nënë Nazës, si shpirtërat tjerë akuzon!

-?!!!....

- Fol Akun Bishti ,fol! Së pakut, bile gënje diç! Ngjit ndonjë bisht si dikur!

-?!...

- Më vraj Lush Rebeli! Të lutem më vraj! Plumbin e kam hak në lule të ballit! Më vraj të lutem! Mos më ler midis njerëzve me barrën e krimeve të mia në qafë!

Lush Rebeli  u hodhi një sy përbuzës musafirëve heshtakë, që me padurim prisnin darkën e të shtatave të Rahilës, dhe iku nga foltorja e sallës mortore të hotelit me pesë yje, duke shtrënguar fortë kukëzat...

- Lush Rebeli, të lutem, ndalu sonte në darkën mortore të viktimës tonë të fundit!- u dëgjuan zërat vajtues  të Klanit të Mëhallës së Xhehenemit.

Lushi edhe një herë vështroi prapa me përbuzje njerëzit në sallë dhe doli jashtë i heshtur, kurse të pranishmit, si duket , u gëzuan që ngjarja kaloi pa ndonjë skandal të madh. Në sallë përsëri u kthye disponimi. Përsëri nisën muhabetet shtruar midis musafirëve , jo për Rahilën , por për Lush Rebelin. Gjithkush e komentonte  skandalin e Lushit sipas shijes së vet. Disa nuk e quanin skandal, por skeq humori, disa e quanin lojë cirku, kurse disa që ishin më seriozë dyshonin se vetë Lushi kishte dorë në vrasjen e Rahilës! Vetëm anëtarët e Klanit të Mëhallës së Xhehenemit nuk flisnin.

Akuni e Haruni u zverdhën, kurse Haram Harambashi e Ziban Ziu menjëherë pas Lushit me gjithë të bijt ikën pa e pritur darkën për Rahilën. Tatlije fallxhesha e Dudie hanmi mundoheshin të  hapnin rrugë për të ikur, por doktor Zebeku i ndaloi te dera. Gënjyen se do të shkonin në toalet, por doktor Zebekut nuk mundën t’ia hedhin:

- Kthehuni, mori plakat matufe! Tridhjetë vjet haremka të Klanit e tash do të ikni, a?! E , jo qe besa!

- As në toalet nuk na lejohet të shkojmë, ?- pyeti  fallxhesha .

- Jo, jo ! S’ka sonte toalet ! Pshurruni në brekushe!- u përgjigj prerazi doktor Zebeku. Pasi t’i shpall rezultatet e obduksionit dhe pasi të mbyllet dosja hetimore për Rahilën, bëni ç’të doni!

- Sa  kohë të liga kanë ardhur!- u ankua Dudie Hanmi. As të pshurrësh nuk mundesh nëse t’i ka vërbuar sorra sytë e ke hyrë në Klanin e Mëhallës së Xhehenemit!

-Pëëëssst! Vetë i deshëm salltanëtet e Klanit , e s’na mori njeri me zor! Buka e rinisë së agjentit në pleqëri është helm!,- thoshte gruaja e Haram Harambashit, kurse ne e përqeshnim!-reagoi fallxhesha. Tash në daç çmendu, në daç pirdhu në daç pshurru, fati i Rahilës na pret!

Akuni e Haruni, si finokë që ishin, edhe njëherë gjetën fuqi për t’u përpjekur të dilnin nga situata dhe vesh më vesh kurdisën planin që të shfajsoheshin para musafirëve.

- Tash fol Akun! Përdori dredhitë e vjetra se na mori lumi!- tha Haruni.

- Jo, ti e ke radhën Harun!

- Kjo nuk është bixhoz, Akun!

- Por, këtu bëhet pazari, Harun! Pazaret e bixhozin, thoshe se kryeqyteti i merr si  vlera arti!

- Më mungon estrada muzikore! Yjet e kryeqytetit! ! Me muzikë  e vallëzim mëndjen do t’ua bëja rrotë në tym e mjegull!

- Ani, pra po flas unë!

- Akun, arti i bishtave të vjetër ka ngordhur! Dizajno tash bisht modern për Lush Rebelin! Kur t’i rjepësh lëkurën le ta ndiej sikur e kruan!

- Po frikohem Harun! E njoh mirë Lush Rebelin! Ah, sikur të ishte Lugati... he nënën e nënës që na la në baltë!

- Nisja, Akun nisja!...

- Ndoshta këta budallenj e harruan Lushin!- dyshoi Akuni.

- Nuk harrojnë këta Akun! Kur jemi lindur ne,  spiunimi i tyre ka qenë me mjekër!

Akuni mori zemër dhe doli në foltore. Mori mikrofonin në dorën e majtë, kurse të djathtën e vuri në zemër. ”Tash duhet zgjedhur fjalët!”- i tha vetes, kurse musafirët bëheshin gati të dilnin nga salla, duke menduar se e tëra ishte humor,

- Miq të dashur!- klithi Akuni me mikrofon.

- Miqë të nderuar, ju flet Akun Bishti! Dëgjoni ju lutem! Me zemër të plasur e me shpirt të thyer ju flas! Ju lutem na ndjeni për skandalin e atij fakirit të krisur! Nuk është i keq i shkreti, por traumat e luftës i kanë çakërdisur mendjen! Nuk di ç’flet, i gjori! Një e shkretë nëne i ka humbur diku gjatë luftës e ka ardhur edhe këtu mos helbete do ta gjente dhe sapo pa se nëna e tij nuk ishte këtu , e patë sa i qetë doli! Lush Rebeli është burrë i mirë?! S’ka gjë që kalon jetë skandaloze! Qyteti ynë kurrë nuk ka qenë pa njerëz skandalozë si Lush Rebeli!

- Protestoj! Ashpër protestoj!- u dëgjua një zë nga rrjeshti i parë i kolltuqeve të sallës.

- Ani de, mire, protesto!- aprovoi me cinizëm Akun Bishti. Skenarin mund ta zgjerojmë edhe me një skeq humori indian! Kryeqyteti i do kulturat e gjithë botës veç të  veten e injoron!

Personi i zërit protestues ishte zëri i prokurorit indian, që peshonte drejtësinë në kryeqytet.

Protesta e tij ndaj fjalës së Akun Bishtit u shfaq si revoltë pasi mori mikrofonin.

- Ti zotëri gënjen ose tallesh dhe nuk skuqesh fare! Njeriu me kukëza nuk është as me trauma lufte as i krisur! Ai njeri, bile, është i vetmi që i rezonon truri në kryeqytet! Ai njeri që ti e quan fakir të krisur qëndroi gjashtë muaj në burg  për pasojë të shpifjeve të Klanit tuaj! Atij njeriu i uzurpuat shtëpinë, kurse duarlidhur nënën e tij ia dorëzuat ushtrisë armike dhe ...! Ai njeri do vlera të reja në art, kulturë, letërsi...Është kundër bixhozit, kazinove, shtëpive publike, trafikimit të femrave, që ka pllakosur kryeqytetin! Ai njeri është i vetmi njeri që rri zgjuar në kryeqytet, ndërsa ju shihni ëndrra të bukura! Lush Rebeli do qasje dhe guxim intelektual të politikanëve, kurse ju e injoroni! Zotërinj, jam habitur  sa mirë e njihte kulturën e kombit tim! Netë të tëra më ka  folur për Ramajanën, Mahabharatën, Vedat, Rabindranat Tagoren, Mahatma Gandin... Gaboni  zotërinj nëse e trajtoni skandaloze këmbënguljen e njeriut me një këmbë që kërkon të ëmën, kufomën e së cilës dikush e ka shitur! Ndoshta nesër do të shpifni se ai njeri e vari Rahilën? Por, po ju përkujtoj se ai njeri ishte në qeli burgu kur u vra Rahila! Për shpirt të idhullit tim, Lush Rebeli nuk ka dorë në vrasjen e Rahilës!

- Të falemnderit zoti prokuror!- tha Akuni pasi indiani përfundoi fjalimin protestues. Edhe ju thatë si thash edhe unë! Ju juristët kërkoni të rruani qime në vezë! Më rrëshqiti nga goja ajo e shkretë fjale kur e quajta skandaloz performimin artistik të skeqit të Lush Rebelit. Por unë thash se Lushi është burrë i mirë! Edhe ti thua se Lushi është burrë i mirë! Unë thash se Lush Rebeli kërkon të ëmën! Edhe ti thua se Lushi kërkon të ëmën! Zotëri , na ndje por ne jemi me zemër të lënduar për Rahilën! Të shtatat për Rahilën mos i shndërroni në aferë skandali... Skandaloze ishte jeta e të shkretës...! Bile vdekja e Rahilës mos të shndërrohet në skandal! Kryeqytetin tonë nuk e bashkon jeta! Vdekjet i bashkojnë njerëzit e këtij kryeqyteti, kurse  meritat, sakrificat dhe përkushtimet liridashëse të të vdekurve , elitat e kryeqytetit  ia atribuojnë karrierës së vet  sikur të ishin vetë heronjtë!

- Ju aludoni te refugjatët e 1999-ës?

- Pikërsiht, zotëri! Në kryeqytet vetëm të mbijetuarit mburren për heroizëm! Të rënët nuk flasin! Kështu, kryeqyteti ka heronjtë e ”trenit humanitar të gjeneral Gexhës,” të ”Korridorit të Gligorovit,” të plazhit të Ulqinit, Durrësit, Kuksit, Sarandës ...! Sa librat janë shkruar pas luftës për heroizmin e ikjes së kryeqytetasve nga tmerret e luftës!

- Sa keq që të rënët nuk shkruajnë histori!- ndërhyri prokurori indian.

- Sa mirë që të rënët as nuk flasin as nuk shkruajnë! Nëse do të flisnin e  të shkruanin të rennet, historia e kryeqytetit do të ishte krejt ndryshe dhe sikur të rënët në luftë do të mund ta lexonin  historinë e të gjallëve nuk kam dyshim se do të pshurrnin në te!  Të gjallët shkruajnë historinë sipas kutit të kostumit që u bie tamam! Asnjë ngjarje apo datë me rëndësi nuk mund të shkruhet pa u lidhur me heroizmin e një heroi të gjallë, do të thotë me heroizmin e shpëtimit të prapanicës së kryeqytetit nga katrahura e luftës!

- Disi nuk po flet qartë zoti Akun!- prapë ndërhyri prokurori.

- Paqartësia dhe konfuziteti janë filozofi e kryeqytetit!

- Lush Rebeli ku e ka vendin në këtë mjegull paqartësie?

- Ku ta di unë?Pyeteni Lush Rebelin! Ai është i gjallë! Le ta shkruaj edhe ai historinë e vet si të gjithë tjerët! Si i krisur që është, ndoshta, pret që unë  t’ia shkruaj histiorinë e tij!

-Por Lushi nuk ishte refugjat?!

- E di!-  shkurt u pëgjigj Akuni. Ju si duket keni më tepër nostalgji për të kaluarën se për të ardhmen e mjegulluar të kryeqytetit!

-Po ti dhe Klani ku ndodheni në këtë mjegullirë, zoti Akun?!

- Frikohem mos do të kthjellet moti! Unë dhe Klani im shohim vetëm në mjegull?!

- Prapë nuk po të kuptoj, zoti Akun!

- Mësoje qartësinë e paqartësisë tonë dhe ta kuptosh!

- Do të thotë se ju shkruani histori individësh apo klanesh e jo kolektiviteti!

- Ashtu është! Tash ia qëllove ! Historia e këtij populli është histori individësh dhe histori familjesh, për shembëll histori e Kastriotit të Krujës është histori e familjes së kastriotëve , e Ali Pashës gjithashtu. Oso Kuka dhe Vranina prapë histori që i atribuohet një individi!

- Disi si dokrra më duket historia e këtij vendi! Mos më ik larg! Afrohu në këtë luftën e fundit!

- Të gjithë jashtëtokësorët thonë se këtu nuk kishte luftë , kurse unë u besoj atyre! Një mijë herë në ditë luftën e tkurrin si konflikt!! Konflikt...! Konflikt...! Konflikt...! Konflikt midis Adem Jasharit dhe ushtrisë së gjeneral Gexhës! Konflikt midis gueriljes dhe ushtrisë së tretë në Evropë?!

-  Ju prapë aludoni në heroizmat dhe sakrificat familjare!

- Flasin varret, zotëri!

- Më parë the se varret nuk flasin!

- Flasin nëse ka njerëz që e kuptojnë gjuhën e tyre!

- A e di Lush Rebeli gjuhën e varreve?!

- Ndoshta e di?!

- Ndoshta Lushi do ta shkruajë  historinë?!

- Histori rebelësh, a?

- Histori heronjsh, zotëri!

- Do të ishte i njëanshëm! I urren lugetërit! Unë nuk pranoj që lugetërit të mbeten në margjina të historisë!

- Si duket i frikohesh historisë, Akun Bishti?!

- Aspak!

- Atëherë pra,  frikohesh nga varret!

- As nga varret nuk frikohem! Ih, sa varret i kam hapur derisa mjegulla ishte e dendur!

- Qenke vrasës Akun Bishti?! Krimi nuk vjetrohet kurrë!

- Vendit i duheshin heronj, kurse çdonjëri fatzi i  varrosur në varret që kam hapur është shndërruar në hero!

-Kam vetëm edhe një pyetje  konkrete, Akun Bishti.

 - Si urdhëro, zotëri! Pyet sa të duash!

- Si t’i vëjmë kapak dosjes së Rahilës! A është varrosur edhe Rahila në varrin  që ke hapur ti?!

- Mbylle dosjen e Rahilës! Shpalle vetëvrasje në rrethana të pasqaruara! Shpalle të çmendur edhe Rahilën si të tjerët! Thuaj se ishte vetëvrasje enigmatike!

- Mirë zotëri, por shërbimi im  është i shtrenjtë!

- Ka Klani im para sa të duash!

- Korrupcion?! – tha me zë të ulët indiani.

- Shpërblim! – u përgjigj Akun Bishti.

- Milioni nuk mund të trajtohet si shpërblim !

- Ec nëpër mjegull, zoti prokuror!  Kur ka  mjegull, milioni i korrupcionit  në kryeqytet e ka emrin shpërblim! Dakord?!

-???

-Hë?!

- I vura kapak edhe dosjes së Rahilës.Derisa  Akun Bishti dhe prokurori bënin pazar, kamarierët kishin servirur darkën e të shtatave për shpirtin e Rahilës në sallën solemne të darkave të hotelit me pesë yje. Të fundit , darkën mortore  për shpirtin e Rahilës, e hëngrën indiani dhe Akun Bishti, ndërsa pas darkës, trupa e baletit  kërceu vallen për Rahilën, sipas skenarit të Lugatit dhe muzikës së aranzhuar nga Harun Bixhozxhia!