Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Çipi: Të kujtojmë Refit Hoxhën

| E diele, 31.10.2010, 07:58 PM |


TË KUJTOJMË REFIT HOXHËN

 

Nga Luan Çipi

 

Kaluan shumë vjet nga koha kur zemra e Refit Hoxhës, mikut tim aq të mirë, nuk rreh më. Trupi i tij i pajetë shtrihet nën dhe në Babicë të Vlorës.

Kur iku Refiti, aq papritur, në prag të pesëdhjetë vjetorit të jetës së tij, unë punoja në Fermën Bujqësore në Llakatund, ndërsa ai, në Kooperativën  e Bashkuar të Novoselës së Vlorës. Ishim dërguar, si vullnetarë të detyruar për “të ndihmuar fshatin”, që ta bënim dhe atë “të përparuar”, si qytetin.  Sapo ishte kthyer në mbrëmje për të fjetur në shtëpi, në Vlorë. Një atak në zemrën e tij të plagosur, i ndodhur pa ndihmën e parë aq të domosdoshme në këto raste, se ishte i vetëm me gruan e tij të paralizuar dhe... kaq ishte jeta e tij.

Kur e mora vesh vdekjen e papritur të Refit Hoxhës, ndjeva aq dhembje të thellë,

sikur të ishte im vëlla. Dhe nuk isha i vogël. Isha mesoburrë, mbi dyzet vjeç, por nuk kisha provuar tjetër herë një humbje dhe një dhembje të tillë. Qaja me lot, si i marrë. Lotët nuk më reshtnin as të nesërmen, ditën e varrimit, aq sa, duket, s’iu lashë radhë as vëllezërve të tij të një nëne, që në të vërtetë e mbanin veten, duke u treguar lebër e  burra zakoni. Jo vetëm ato ditë, po dhe më pas, sa herë

më shkonte mendja te Refiti dhe kjo ndodhte vazhdimisht, kaloja në gjendje të

thellë depresioni. Edhe unë po mos të desha, Refiti më shfaqej gjithnjë përpara, se rruga për në Llakatund kalonte detyrimisht midis varrezave të Babicës. Udhëtoja për ditë në atë rrugë dhe shpesh dy herë në ditë dhe, si në vajtje dhe në kthim, timoni i motoçikletës sime, instinktivisht, kthehej te varri i Fites, ku ndalesha gjatë e sikur bisedoja me bustin e tij të gdhendur mbi qivur. Gjendjen e dëshpërimit ma shtonin dhe kortezhet me të vdekurit e përditshëm, që përcilleshin nga qindra të afërt në banesën e tyre të fundit. Me sa duket, isha në pragun e ndonjë depresioni psikik. Vetëm transferimi në qytetin e Vlorës, dy vjet më vonë, duket se më shpëtoi nga çmendina. Kjo gjendja ime ishte e pavetëdijshme, instiktive dhe që nuk shpjegohet e përligjet, por e vërteta e pamohueshme ishte se nisi, pikërisht me vdekjen e papritur dhe shumë të parakohshme të Refit Hoxhës, refleks i ndjenjës së dhembjes së madhe dhe i konsideratës së jashtëzakonshme që kisha për të.

Në të vërtetë me Refit Hoxhën u njohëm më nga afër në vitet pesëdhjetë, kur ai dhe vëllai im, Enver Çipi, që ishin moshatarë dhe miq të hershëm, vinin për të dhënë provime në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Unë, në fakt, jam moshatar me Zaim Hoxhën, vëllain e vogël të Refitit dhe me të kemi qenë bashkënxënës në shkollën shtatëvjeçare në Vlorë, si dhe gjatë shërbimit të detyruar ushtarak në Tiranë.

Kështu që  nga kjo lidhjet tona ishin fort miqësore e familjare. Miqësia dhe marrëdhëniet e mëtejshme me Refitin vazhduan mbi njëzetë e pesë vjet, duke qenë bashkë si mësues në Shkollën e Mesme Financiare të Mbrëmjes në qytetin e Vlorës, dhe për gati dhjetë vjet si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT Vlorë, ku u bëmë miq shumë të ngushtë. Ishte nder i veçantë ta kishe mik Refit Hoxhën. Jo vetëm se për mua ishte më i madh në moshë dhe shumë me përvojë e më i pjekur në jetë e në punë,  si dhe me një rreth të gjerë familjar e shoqëror, por njëkohësisht, fort i ditur e me kulturë të gjerë dhe shumë i mençur.

 

Babai i Refitit, Nuro Hoxha nga fshati Tërbaç i Vlorës, ishte ndër mësuesit e parë të shqipes dhe i nderuar në të gjithë krahinën. Edhe vëllezërit e Refitit,  Qaniu agronom  dhe Zaimi mësues,  ashtu si dhe të dy motrat e tij, Sanija dhe Jeta, mësuese. u bënë mjaftë të dëgjuar dhe me emër të mirë në Vlorë Refiti ishte shumë i qetë, gjithnjë i drejtë, i logjikshëm dhe për çdo gjë jepte këshilla dhe zgjidhje të thjeshta, përfundimtare dhe krejt praktike. Ishte i papërtuar dhe kurdoherë i gatshëm për gjykimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve, qoftë dhe kur ato ishin me acarime të tejskajshme. Këto raste, ishin aq të shpeshta, sa do mendoje se kishe të bëje me një institucion. Me atë zërin e trashë prej basi, që sikur e ndjej te veshi, gjithnjë të bindte dhe për çdo gjë t’i jepje të drejtë; me atë logjikën e hekurt, me njohjen dhe njohuritë që kish për gjithçka, të çudiste; me drejtësinë e tij absolute e të pa prekshme nga çdo lloj ndërhyrje, të kënaqte; me shembullin moral maksimal, ai sikur të hipnotizonte në çdo rast për të rënë dakord me zgjidhjen e tij optimale. Të ishte gjyqtar në organet e drejtësisë, pa dyshim, do të ishte më i miri, një fat për palët në gjykim dhe shembull për gjithë vendin, se do ishte perfeksion i drejtësisë dhe mirësisë.

Edhe në punën e tij si financier, shef finance në disa ekonomi të rrethit, ishte

më i miri, me njohuri të gjera teorike, që i shtonte vazhdueshëm edhe si pedagog

i kontabilitetit, në Filialin e Fakultetit Ekonomik të UShT në Vlorë. Ai kishte

arritur përsosmërinë për zgjidhjen e veprimeve praktike kontabële, për të cilat

gjithnjë këshillohej me miqtë e tij, specialistë të mirëfilltë e të vjetër vlonjatë, duke formuar një si kuvend pleqësie të vlerësuar në shkallë vendi.

 

Po ta njihje Refit Hoxhën

Kurë s’të venitej kujtimi

Mençuri, që çudit botën,

Veç një fjalë-ndryshon mendimi.

 

Hyn guximshëm në çdo prag,

Bashkon çifte e shëronte  plagë,

Ndalte ndarje, shere e gjak.

Qysh i ri, ish si një plak .

 

Në mjeshtri si financier,

Një kontabilist i rrallë,

Midis shokësh, timonier

Që printe ngaherë në ballë.

 

Po, Refit Hoxha, më i miri në farefisin, miqësinë dhe shoqërinë, për fatin e tij

të keq, nuk arriti dot të ndërtojë një çerdhe të ngrohtë familjare. Ai, në moshë

të pjekur u njoh dhe u dashurua, si rrallë kush, me fisniken  e bukur nga qyteti

i Vlorës Lumturi Hamzaraj, me të cilën shumë shpejt edhe u martua. Brenda një kohe të shkurtër Lumes shtatzënë, iu krijuan shqetësime serioze shëndetësore, aq sa të vetmen shpresë shpëtimi i thanë se e kishte nëpërmjet provokimit të dështimit të fëmijës. Po edhe kjo, që u pranua me keqardhje nga Refiti, nuk e shpëtoi fatkeqen. Dalëngadalë ajo u paralizua krejt dhe gjymtyrët e poshtme nuk i ndiente fare. Vitet kalonin, pa asnjë përmirësim e shpresë. Edhe perspektiva

ishte e pa krye. Ajo ngeli uloke dhe për çdo gjë i shërbente në vend me

devotshmëri, motra e sajë e pandarë e heroike, S., që për të sakrifikojë deri

vitet më të bukura të rinisë. Edhe në këto çaste të vështira, për asnjë moment

Lumes nuk iu nda burri i sajë i mirë e gjithnjë besnik, Refit Hoxha.

Vëllezërit dhe motrat e Refitit, më shumë se kushdo tjetër, e shikonin me

keqardhje gjendjen e re të krijuar. Ata i qëndruan afër për çdo gjë, deri

financiarisht, por kur i humbën plotësisht shpresat e rehabilitimit, u

dëshpëruan edhe më shumë, jo vetëm se vëllai i tyre i mirë u gjend pa një

bashkëshorte, me të cilën do të zgjidhte bashkërisht vështirësitë dhe detyrat

familjare, por ai ngeli edhe pa trashëgimtar, siç ishte një detyrë në jetë,

madje, natyrshëm, u kthye vetëm në një shërbyes i ish gruas së tij, me të cilën

tani, në të vërtetë, nuk e lidhte më asnjë detyrim bashkëshortor njerëzor, veç

qëndrimit human. Këtë detyrë, të përkujdesjes për të sëmurën, arsyetonte kushdo, mund ta bënte edhe çdo grua e moshuar, kundrejt një pagese. Ata mendonin se: si nga ana fetare dhe nga ana njerëzore kjo martesë e dështuar duhet të zgjidhet sa më shpejt, kur Refitin e kishin ende të ri, tridhjetë e pesë vjeçar.

Me që nuk guxonin të ndërhynin direkt vet, këtë barrë ma ngarkuan mua, duke pasur parasysh se bashkëpunonim në Filial dhe kishim kontakte të shpeshta si dhe afrim e ndikim të dyanshëm. Me që për këtë ngulën këmbë shumë, në një mbrëmje takimi të zakonshme, nga ato që ne i kishim thuajse të përnatshme, pas mësimdhënies, të ulur me nga një gotë raki para, filluam ta trajtojmë larg e larg këtë temë. Duhet thënë se ai, kohët e fundit e kishte shtuar shumë të pirët dhe shpesh kthehej në shtëpi i dëshpëruar dhe  i shqetësuar. Kjo e rëndonte edhe më shumë gjendjen e tij shëndetësore. Kishte arritur mbipeshë dhe ndiente dhembje në zemër... Më së fundi, unë ia thashë me shumë ndrojtje mendimin e opinionit për këtë çështje.. Ai më dëgjoi me vëmendje, më përqafoi me dashuri dhe me lot në sy, më tha:

-I dashur Luan! Të kuptoj plotësisht. E kuptoj dhe tolerancën fetare dhe që kjo

rrugë zgjidhje është sipas logjikës njerëzore, mandej dhe sipas porosisë së

zotit dhe dëshirës së farefisit dhe të miqve e shokëve të mi më të dashur. Po,

unë do të të përgjigjem, siç ka thënë Çajupi: Tani që Zoti më mori si grua

bashkëshorten time, unë as Zotit nuk i besoj. Kjo punë nuk bëhet. Unë do të rri

përgjithmonë me Lumen time të shtrenjtë, me shoqen time të mirë fatkeqe. Po të

isha unë në gjendjen e saj, ajo nuk do të më ndahej për asnjë çast, po do t’i

ngryste deri ditë e fundit të jetës së saj me mua.  Kështu do të bëj dhe unë,

deri sa të vdesim...

Dhe vdiq Refiti fatkeq, pa i shërbyer me tej gruas, ndërsa Lumja rrojti, ashtu e

paralizuar shumë vite më pas, e dënuar të vuante shumëfish, e mirë dhe gojë

ëmbël siç ishte,  po edhe me dhimbjen e madhe shpirtërore, me kujtimin dhe

dashurinë e pashuar për njeriun e saj aq fisnik e besnik.

Ja, ky ishte vlonjati Refit Hoxha, modelin e të cilit do duheshin faqe romani

për ta përshkruar, ndaj me këto mundësi që pata, mendova se duheshin rishkruar aspekte nga jeta e tij dhe se duhet përkujtuar e respektuar ndër vite ai, si një burrë me cilësi e virtyte, që rrallë i ndesh gjetiu.        

 

Vlorë, më 05.10.2010