Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Borxhi i nënës

| E diele, 31.10.2010, 05:38 PM |


 Dy fabula nga Janaq Pani

 

PAPAGALLI DHE I ZOTI

 

Na ish dikur një papagall

që me Zotninë kish rënë në hall.

E nguc përditë këtë Zotnia

t'ia thotë emrin fshatit të tija.

 

U lodh Zotnia veç me të mirë

ta bindë zogun, po ish vështirë.

Kur më në fund humbi durimi

nisi dajaku, filloi "trajtimi".

 

"Thuaj KAPANO, thuaj, qyqar,

përndryshe shpirtin do të të marr!"

Përditë Zotnia matu e bjerë,

emri "KAPANO" s'u tha një herë.

 

Me këtë zog Zotnia ngeci,

një ditë e flaku brenda kotecit.

Me katër pula ai kish ndezë

sepse asnjera nuk i bën vezë.

E ky koteci si burg na ish

i mban Zotnia t'i bënte mish...

 

Iku Zotnia i zemëruar

për sa veproi nuk ish penduar.

Kur ditën tjetër shkon t'i shikojë

i shkreti mbeti me gisht në gojë.

 

Vetëm një pulë në këmbë kish mbetë

se tre të tjerat - këmbë përpjetë.

Dëgjon të flasë papagallin,

që i thosh pulës:"Si e ke hallin,

emrin "KAPANO" pse nuk e thua,

mos dashke të më lodhësh mua?!

Do të marr shpirtin, moj pulë e shkretë

dhe tij të fundit, që më ke mbetë..."

 

 

MBRETI DHE FSHATARI

 

Një ditë të bukur në mend i shkrepi

të shkojë në lumë, të lahet Mbreti.

 

Na ish ky Mbreti, i keq, shpirtzi

sa e urrenin plak e i ri.

 

E kur në lumë u xhvesh e hyri

e ndjeu rrezikun, për ndihmë thirri.

 

Një katundar sa e dëgjoi

për ta shpëtuar nuk ia përtoi.

 

Në luftë me dallgët, po ia arriti

e hallexhinë në breg e qiti.

 

Ashtu të xhveshur s'e njih i shkreti

që na qënkesh, ky vetë Mbreti.

 

Nga gojë e Mbretit kur e mësoi:

"Mundimi,- tha,- sot kot më shkoi."

 

-"Kërko ç'të duash,- i thotë Mbreti.

Me gjysmë zëri gjegjet i shkreti:

 

" Do të të lutem Madhëri,

këtë ta dimë veç unë e ti

e mos ta marrë vesh njeri!"

 

______

Janaq Pani

 

 

BORXHI I NËNËS

 

Papritur u fike atë ditë

e si fëmijë nisa të qaj,

as këngët që këndove duke më rritë

nuk munda të t'i laj.

 

Askujt ti nuk ia mirrje hua

t'i thoshte shpirti yt poet

e ëmbëlsoje zëthin përmbi mua

e bëje mjaltë mbi djep.

 

Te ai djep është zanafilla

nënoke e vargut tim të ndjerë,

borxhin tënd, gjer sytë të mbyll

them ta laj te të tjerë.

 

  PO TË BESONIN

 

Qysh se fëmijë e kam besuar

ringjallet Krishti çdo muaj prill

e mirësinë mban në duar

ta zbresë për ne nga ndonjë yll.

 

Nga Drejtësia Qiellore

në gjinë e saj të gjithë i merr,

ca në Parajsë i çon për dore

e ca të tjerë degdis në Ferr.

 

Po ta besonin njerëzia

si të vërtetë këtë aksiomë,

nuk do të lindte kaq të këqia

kjo botë e mbrapshtë që jetojmë.

 

DUKE LEXUAR ZHVARCIN POET

        ( Për Robertin)

 

Si vetëtimë në qiell të ngarkuar

nga yll' i largët q'e dinim të shuar

ky këngëzim na vjen si jehonë

me tone shpirti brenda vetes thurrë

e shfaqet ky apostull në qiellin tonë

me fjalë zemre m'i mençur se kurrë.

 

         NË QEPARO

 

Ullinjtë u shtrembëruan nga dhëmbja

e nuk lëshojnë më lastarë,

në Qeparo ka rënë rrëngëja

e zot s'del kush as për t'i qarë.

 

Në qafë na paçi, o pushtetarë!