Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Janaq Pani: Fshati me shakaxhinj - Humor popullor 3

| E shtune, 30.10.2010, 12:16 PM |


Janaq Pani

 

FSHATI ME SHAKAXHINJ - Humor popullor 3

 

       Me aq sa njoh unë, nuk kam hasur në tjetër trevë si Golemi, që edhe në mardhëniet me njeri-jatrin, këta njerëz të lindur për humor, do

të krijojnë situata të tilla që të bëjnë të harrosh për pak kohë jetën e ashpër e plot halle. Shprehjet hidh e prit hapin e mbyllin edhe bisedat

më të rëndomta mes tyre. Duke ndjekur Muzën e humorit, këtë radhë do na degdisë në një stan në rrethinat e Sarandës. Në këtë stan na

ishte i golemasi bashkë me të birin, që  nuk kishte vënë akoma brisk në faqe. Dikur u gjend atje edhe e shoqja e çobanit. Kishte afruar koha

që piqen gështenjat. Ndaj një mëngjes, e shoqja e të zotit të stanit u bë gati të niset për të mbledhë ç'të mundë. Ca pemë të veçuara me

gështënja gjëndeshin në një luginë që mbante një orë larg stanit. Dihet që çobanët, me dhuntinë e fituar në vite, e njohin mirë motin, ndaj

i thotë të mos niset. Po ta dëgjojnë llafin gratë? Ajo u nis e, kur ish në mesin e rrugës, një re u shkarkua e tëra mbi 'të sa që iu lag edhe

gjuha në gojë. Merret me mend si u kthye në stan. Atje hoqi ndërresat e lagura e u vesh me ca pak gjëra të të shoqit. Çobani mblodhi

karthije e bëri një zjarr për merak në kasolle. Pastaj të dy rreth vatrës u ulën e nderën në duar ndërresat e lagura për t'u tharë.

       Kështu i gjeti i biri kur u kthye nga kullota me bagëtitë. Që nga dera e kasolles i drejtohet të ëmës: "Jini bërë për t'u bërë një këngë."

       " E bën,- i thotë e ëma, po do të rrëmbej ndonjë urë zjarri"...

       Po i biri me gojën vesh më vesh ia nisi: " Vate mëma për gështënja,

                                                                 e zu shiu, erdhi brëna(brënda)

                                                                 xheshi tumënet e rëna(rënda)

                                                                 veshi rroba allafrënga,

                                                                 e vështon babai na këma(nga këmba)

                                                                 duket Delvinë e Sarëna(Sarënda)...

       Se ç'u bë më tej nuk di të them.

       Nga limeri i Sarandës, tani do të hidhemi deri në Kapariel, që si kemi thënë është lagje e Golemit. Bëheshin a nuk bëheshin në atë kohë

me gjithsej 25 shtëpi. Nga Kaparieli na qënkesh edhe kapter Taka që do e zemë tani në gojë. Mbase nuk e ze lemza. Taka shërbente pranë

një reparti ushtarak pranë qytetit. Një të shtunë më pasdrekëherë deshi Taka të shkojë në fshat. erdhi me "korieren" deri në Zhulat e,

mandej u nis më këmbë duke ndjekur këmbësoren në të kundërt e rrjedhës së lumit të Zhulate, një degë e të cilit të nxjerr në Kapariel.

Por nata e zuri në udhë e Takës nisën t'i duken shkurre e drurë si xhinde përrallash, ndaj hoqi koburen nga brezi e, dihet që koburja do

shkrepur kur nxiret nga këllëfi. Po, të shkretit, iu drodh dora e plagosi veten në këmbë. Oshëtinë shpatet nga shkrehja e kobures dhe

kaparielasit dualën fshaçe, e gjetën të plagosurin, e muarrën hopa në krahë e ia shpunë të ëmës në shtëpi. Shtëpia u mbush me miq e

kureshtarë. Si ia mjekuan plagën ashtu si dinin, e ëma e Takës, plakë e mençur, e mori me mend se të birit do i këndohej këngë, ndaj

vendosi t'ia këndojë vetë e para për të mos i vënë të tjerët në shpeza. Ngriti zërin e u drejtohet miqve: " Më bëni iso se dua t'ia marr një

kënge!" E pa e zgjatur ia nisi: Në lumë të Zhulatit - o

                                                      more shok - o,

                                           vrau Taka Takën - o

                                                      more shok - o,

                                           e vrau muti kakën - o

                                                      more shok - o....

Për më tej nuk e mba mend, e iu kërkoj ndjesë për këtë harresë.

       Me që mbaruam punë në Kapariel, jemi që jemi në rrugë, a nuk hidhemi një vrap deri në Kolonjë? Kjo Kolonja është ai fshati i parë

në rrugën kur zbret nga Golemi për në Picar e Gjirokastër. Natyra i ka falur ujë me bollëk, por ndryshe nga golemasit, kolonjarët nuk e

kanë shumë në gjak rregullin e pastërtinë. Dikur, një i golemas ia hip "korieres" në mëngjes e zbret në Kolonjë për t'i bërë një vizitë të

motrës e martuar në atë fshat. "Koriere" në ato vite quhej autobuzi i linjës që shpinte e binte ditëpërditë hallexhinjtë në qytet. Po të mos

zgjatemi me spjegime, e të ndjekim udhën e golemasit. Si zbriti nga "koriera" nxiti këmbët e i trokiti të motrës në derë. Iu hodh e motra

në qafë dhe e ftoi brenda. Po para se ai të zerë vend pranë oxhakut i drejtohet: " Më prit pak, o burazer sa ta shkund këtë qilimin jashtë

dere se do të të pinë pleshtat." I vëllai ia kthen në çast: "Rri rehat, Xhikoo, leri atje ku janë se nuk kanë nge të më pinë mua gjakun se do

të haen me të mitë...

       Kaq qe edhe kjo historia e pleshtave.

       Tani do të kthehemi te "koriera". Me këtë "koriere" golemasit u vunë në hall. Kur në krye të qeverisë na ishte ai i Fushëbardhasi, në

ato vite ekonomia kish marrë të poshtën e kish vatë tek s'mbante më. "U nis guri në varre, vuri vesh se ku do ve." - thotë një fjalë e urtë

e popullit. Nuk qe në gjendje shteti të mbante në punë ato pak "koriere" që lidhnin fshatrat me qytetin, për të zgjidhur njerzit ndonjë hall,

se për qejf as nuk bëhej fjalë. Kur u vate "sihariqi" i vendimit të qeverisë, golemasit u mblodhën fshaçe e i bënë letër parisë së rrethit.

Në atë letër paraqitën tre kërkesa: E para, kënga "Kurvelesh bëri xhadenë" e kënduar me brohori kur u përurua së pari rruga automobi-

listike, të hiqet nga repertori e të mos këndohet më. Së dyti, kërkuan t'u sigurohet farë patateje për të mbjellë trasenë e xhades, dhe e

treta, të hapet në qytet Hani i Stavros, si në kohën e merhumit Mbret, se tani na duhet të zbresim me mushka e gomarë.

       Nuk jam i informuar t'iu rrëfej se si u përgjigjën ata lart, apo nuk ua vërshëllyen fare, ama në Festën e Kuçit, që përkujtohet çdo

fillim gushti e mblidhen lebërit te Buronjat, pleqtë e Golemit ia bënë fora atëhere. Atë vit i kish nderuar me pjesmarrjen edhe vetë

kryeministri. Në atë festë pleqtë e Golemit zunë duart me sho-shoqin e u ngrenë në valle përpara trapezit të të parëve të vendit. Vallen e

hiqte një plak bejtexhi. I bënë ftesë dhe kryeministrit të futet në valle e ai u a plotësoi dëshirën. Me shaminë lart në erë si flamur të

bardhë, kreu i valles i shoqëroi hapat me këngën e improvizuar në çast:

                                              " Shoku A... mirë se erdhe,

                                                do qëndrojmë kësaj here,

                                                guri të bëhet gëlqere,

                                                po pleqtë kërkojnë "koriere"...

       Dhe kryeministri e bëri zemrën e gjerë e Golemit iu bë përjashtim nga rregulli i shkruar në kartë...

       Po dhe me pataten kanë patur një histori të golemasit. Në fillimet e kooperativës bujqësore, nuk kishte arka lekë të paguante ditët e

punës të antarëve të saj bujq e blektorë. Atë vit Kryesia vendosi t'u a kompesojë me patate, që prodhimi qe me bollëk e nuk kish të mbartur.

E ngritën zërin fshatarët po nuk i dëgjoi njeri. Ndaj një i moshuar zbriti në  një nga ditët në qytet. Me të pyetur u gjend te hyrja e godinës

të Komitetit të Partisë. Kërkoi të takohet me Sekretarine parë. Xhaxhai na ishte veteran e njihej me atë që nga koha e luftës. Ndaj iu hapën

ato dyer xhaxhait. Ngjiti shkallët deri në katin ku ish kabineti i të madhit e priti pak. Kur u hap dera e zyrës së madhe, i hoqi xhaxhai shollët

që kish të mbathura në këmbë duke fërkuar thëmbrat me njëra tjetrën e shkeli mbi qilimin e shtruar me çarapet e leshta. I hodhi një

vështrim miqësor Sekretari dhe i kërkoi t'i veshë opingat, po xhaxhai ia ktheu: " Jo shoku R... këtu do të bëj zakonin e fshatit. Edhe zotrote

në ma shkelsh ndonjëherë shtëpinë si mik do të duhet t'i heqësh këpucët në hajat e pastaj do të më nderosh në odën e miqve. Qeshën të

dy e u përqafuan. Zunë vëndet në karriget e buta, sekretari në krye të tavolinës e madhe e xhaxhai në anë të saj. U pyetën sipas zakonit,

e pastaj shoku R... i thotë: " Do të më thuash se ç'hall të ngriti e të vish deri këtu te unë."

       Xhaxhai nuk u nxit t'i përgjigjet. Kërreu nga xhepi kutinë metalike ku mbante duhanin e letrën e cigareve e ia vuri përpara: "Dridhe

një, o shoku R...! Duhanin e kam të sertë, por nuk të mundon kolla me të..."

       "Të faleminderit, por unë nuk e pi, Jam ndarë shpejt me të.

       " Nuk u bë qiameti se e ndeze njëherë." - ngul këmbë xhaxhai.

       " Mos më kërko një gjë që nuk ta plotësoj dot dëshirën, qëndron në të tij dhe sekretari.

       " Tani më dole në shteg, shoku R... që ju  një cigare nuk pranuat as për ta dredhur nga kutia ime. Tani do të kërkoj mendje, si të

birem unë, t'i marr apo të mos i marr ato patatet që do të m'i japë me detyrim kryesia e kooperativës?"...

       Për të marrë vesh se si përfundoi kjo histori patatesh, gjeni ndonjë të golemas moshatar e pyeteni vetë. Unë iu thashë aq sa dija, e

tani më duhet t'u le se kam edhe punë të tjera nëpër duar që presin mua. Të shihemi për të mirë herën tjetër...