| E shtune, 30.10.2010, 07:01 PM |
Përshëndetje, lexues i nderuar,
Meqë ky punim: Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar (në prag të regjistrimit të popullsisë), do t’i bashkëngjitet si kreu VIII (shtojcë) monografisë me titull “Rreth formëzimit të emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe”, e cila është e përgatitur për botim, Ju lusim që për hir të aktualitetit dhe risimeve që sjell, ta lexoni me vëmendje dhe vërejtjet e Juaja për këtë punim të na i dërgoni sa më parë në adresën:
nuhiveselaj@hotmail.com,
në mënyrë që kontributi Juaj të ceket dhe të kihet parasysh me rastin e rishikimit të tekstit para botimit të tij.
Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Prishtinë, tetor 2010
Me nderime,
Nuhi Veselaj
Emërtesat e guidave të sotme zyrtare të profesioneve me shqipe të dëshiruar
(në prag të regjistrimit të popullsisë)
Nga Dr. Nuhi VESELAJ
P ë r m b a j t j a
Hyrje
Konstatime paraprake
1) Versionet e formulimit të klasifikimit të profesioneve dhe kodimi i tyre
2) Numri i grup-profesioneve sipas guidave në shqyrtim
3) Pasqyra e emërtimit të grupeve të mëdha sipas burimeve dhe nivelimi arsimor sipas ISCO-88
(1) KONSTATIME TË VEÇANTA RRETH GJUHËS SË TRI GUIDAVE
TË SOTME TË PROFESIONEVE
A. Nga Klasifikimi i profesioneve në Kosovë
1. Konstatime ose vërejtje të përgjithshme formale teknike e parimore
Sqarim
2. Konstatime dhe vërejtje konkrete gjuhësore
B. Nga Standardi ndërkombëtar i nomenklaturës së
profesioneve sipas ISCO-88
1. Konstatime dhe vërejtje për disa defekte të përgjithshme formale (teknike)
2. Vërejtje gjuhësore
C. Nga Lista kombëtare e profesioneve
1. Konstatime dhe vërejtje të përgjithshme formale (teknike)
2. Vërejtje të përgjithshme e të veçanta gjuhësore
Sipërfundim
(2) KONSTATIME RRETH EMËRTIMIT TË
PROFESIONEVE NË FGJSH 2006 ME THEKS NË
KONKURRENCËN EMËRFORMUESE TË PRAPASHTESAVE
SPECIALE
1. Konstatime rreth lëshimeve formale (gabime shtypi)
2. Konstatime rreth pranisë të emrave të vepruesit me cilësi
profesioni dhe prirja e prapashtesave speciale në luftën konkurrente
1) Përparësitë e prejpjesorëve me prapashtesën –S ndaj huazimeve
me fundore-formante të huaja
2) Përparësitë e prapashtesës –TAR ndaj formanteve të tjera
3) Përparësitë e prapashtesës –AN ndaj formanteve të tjera mbi bazë të ndërkombëtarizmës me –IK(ë) fundore
a) Zgjidhjet në shqipe pa prapashtesën –AN
b) Zgjidhjet në shqipe me prapashtesën –AN
c) Sqarime rasti
4) Formanti –IST si më i favorizuari ndaj fundore-prapashtesave të tjera të huazuara
5) Bashkëjetesa e prapashtesave speciale vendëse –S dhe –TAR në emrat mbi temë të njëjtë fjalëformuese
(3) KRITERE DHE KONSTATIME PËRMBYLLËSE RRETH
ZGJIDHJES SË EMËRTESAVE TË PROFESIONEVE
NË GJUHËN SHQIPE
1) Kritere themelore rreth hartimit të Listës unike kombëtare të profesioneve
2) Konstatime përmbyllëse rreth plotësim-konsolidimit të profesioneve në gjuhën shqipe
P ë r m b y l l je
KREU VIII (SHTOJCË)
EMËRTESAT E GUIDAVE TË SOTME ZYRTARE TË
PROFESIONEVE ME SHQIPE TË DËSHIRUAR
/në prag të regjistrimit të popullsisë/
H y r j e
Siç mësojmë nga masmedia dhe nga burime të tjera në muajt e parë të vitit të ardhshëm (2011) është planifikuar të bëhet Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, duke përfshirë pothuajse të gjitha shtetet ose trojet ku jeton e ngulitur edhe popullata shqiptare. Pra, ky regjistrim i popullsisë nuk do të përfshijë vetëm Shqipërinë e Kosovën. por edhe Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, mbase edhe më gjerë, duke përfshirë edhe tërë diasporën e mërgatën shqiptare. Pa dyshim, ngjarje kjo me rëndësi të shumanshme për shqiptarët kudo që janë.
Gëzon fakti, se në të gjitha këto treva (shtete), por sidomos në Kosovë, pohohet, se qenkan bërë të gjitha (para)përgatitjet e duhura për këtë eveniment të rëndësishëm “konform standardeve dhe kritereve të KB-së e BE-së (UNESCO-s)”, përgatitje këto që, siç thuhet, “garantojnë një regjistrim rezultativ”. (Zëri, Prishtinë, 26.05.’10, f. 1.)
Dhe vërtet, me sa bëhet me dije, e kemi fjalën kryesisht për Kosovën, pasi, para disa viteve me bekimin e organizmave të BE-së, qenka miratuar nisma për regjistrim, qenkan siguruar edhe mjetet për këtë punë, jo vetëm mjetet materiale, por bashkë me to edhe mjetet e tjera të domosdoshme teknike e ato byroteknike përcjellëse, siç janë: guidat ose doracakët e udhëzuesit bashkë me formularët përkatës, duke u siguruar deri edhe “hartat e nevojshme (të hartuara e të incizuara) që nevojiten për “regjistrimin e banorëve dhe të pasurisë të tyre”, madje qenkan trajnuar edhe kuadrot e nevojshëm për regjistrim etj.
Ne nuk jemi kompetent dhe as që duam të sjellim në dyshim përgatitjet e tilla, por kur është fjala rreth problemit të teksteve a të guidave përkatëse në gjuhën tonë, sidomos në trevat ku përdoret a duhet të implementohet gjuha shqipe, shprehim rezervë të ligjshme se kjo punë do të jetë kryer kënaqshëm. Kur themi kështu mbështetemi në faktin se jo të gjitha punët gjuhësisht mund të jenë kryer, si thuhet, okej, sepse, ç’është e vërteta, edhe pse, në të gjitha trevat shqiptare, e ndeshim të përqafuar një gjuhë standarde shkrimi, ajo, sidomos në aspektin e njëzimit të terminologjisë, por edhe përgjithësisht, me sa dimë, prej treve në trevë nuk del dhe aq e njëzuar, madje edhe brenda vendit amë hetohen mangësi. Pse qëndron një gjendje e tillë? S’është vendi as nevoja ta shpjegojmë këtu. Dihen shkaqet objektive, por edhe ato subjekto-objektive. Ne, pa zënë në gojë probleme të njohura gjuhësore të kësaj natyre që nuk janë të pakta, do të ndalemi vetëm në një çështje: në segmentin rreth përgatitjes dhe qëndrueshmërisë lidhur me guidat (doracakët) e profesioneve në gjuhën shqipe, ngase klasifikimi dhe formulim-përcaktimi i profesioneve, siç dihet, është “standard i obligueshëm” në çdo administratë shtetërore dhe kjo implementohet sidomos në institucionin e regjistrimit të popullsisë dhe së këtejmi në formularët përkatës të regjistrimit qenka paraparë me u shënua edhe profesioni i personit të regjistruar.
Sidoqoftë, siç u paracek ne pikërisht lidhur me këtë temë, d.m.th. rreth gjuhës së profesioneve, emërtimit të tyre, se çfarë parapërgatitjesh janë bërë në këtë drejtim dhe cilat probleme mbesin të hapura dhe çfarë duhet bërë aktualisht e në të ardhmen, veç tjerash, si më të ditës, konsultuam këto tri burime (guida) zyrtare:
1) Klasifikimi i profesioneve në Kosovë (botim i Prishtinës 2006), hartuar dhe miratuar nga UNMIK-u dhe pesë institucione profesionale shtetërore të Kosovës;
2) Standardi ndërkombëtar i nomenklaturës së profesioneve sipas
ISCO-88 (publikim i Tiranës nga fillimi i dekadës së parë të 2000-shit) dhe
3) Lista kombëtare e profesioneve (publikim i Tiranës në internet),
miratuar nga Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë qershor-gusht 2009.
Në të vërtetë, para se të paraqitin vëzhgimet tona, për gjuhën e tri guidave të sipërshënuara, fillimisht do të japim disa sqarime praprake dhe më pastaj, duke u mbështetur në lëndën e shtruar po në të tri burimet e sipërshënuara, do të japim konstatimet me vërejtje të përgjithshme e të veçanta, ku shqipja standarde sipas nesh, del e dëshiruar e vende - vende mbase, mund të thuhet, se del edhe si e dështuar(!) dhe së fundi, do të përpiqemi me dhënë ndihmesën tonë modeste, së paku me sugjerime e propozime konkrete, se si mund dhe duhet me u zgjidhë në gjuhën tonë çështjet e hapura gjuhësore lidhur me këtë problematikë shumë komplekse (emërtimit të profesioneve), por që ne nuk e shohim pa rrugëdalje.
Konstatime paraprake
Para se të japim konstatimet tona se çfarë duhet bërë që edhe Lista e profesioneve në gjuhën shqipe të jetë më e niveluar dhe të vlejë për të gjitha trevat e hapësirës shqiptare po njoftojmë lexuesit se me gjendjen dhe rrjedhat e kësaj problematike (rreth emërtimit të profesioneve) kemi qenë të involvuar mjaft përnjëmend që në fillim të viteve të ’80-a të shekullit të kaluar e pak përpara, d.m.th, para formulimeve të ISCO-88, (pra, para materialit nga burimi i dytë i sipërcekur i përkthyer nga ekspertët e Tiranës), ngase qysh atëherë duke qenë i ballafaquar me probleme të emërtimit të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe te ne (Kosovë), sidomos në ndërmarrje prodhuese metalpërpunuese (Uzinën e Amortizatorëve të Prishtinës), ku isha i punësuar si përkthyes, qemë të interesuar të njihemi më gjerësisht rreth problematikës në fjalë. Dhe këtë interesim nuk e patëm kufizuar vetëm me kërshërinë, por aq më shumë e patëm ndërlidhur e kuptuar seriozisht si zotim për t’i kryer si duhet me ndërgjegje të plotë, punët dhe detyrat nga vendi i punës, sipas të drejtës ligjore, që më fort ishte e drejtë fakultative, që na jepej në atë kohë, andaj i cytur ndërgjegjësisht (si arsimdashës që më dhunë më ishte marrë ditari i mësuesit) u angazhuam që në këtë fushë të parrahur sa duhet gjuhësisht, si te ne, ashtu edhe më gjerë, ta përqapnim temën rreth emërtimit të profesioneve dhe sadopak ta jepnim kontributin tonë në këtë kontekst. Po atëbotë bëmë përpjekje që të merrnim njohuri se si dilte e zgjidhur kjo çështje, jo vetëm në kuadër të Kosovës e në shkallë ndërshtetërore (Jugosllavi – Shqipëri), por edhe më gjerë në suaza europiane e botërore.
Qysh atëherë, pra, kryesisht nëpëmjet literaturës në gjuhën serbokroate ishin në dijeni rreth regjistrit të profesioneve nga ILO-ja (Zyra Ndërkombëtare e Punës), përkatësisht u njohëm sadopak me të dhëna për ISCED com. Paris (Unesko) 1976 etj., ngase atëherë në ish-Jugosllavi bëhej përpjekje për reforma jo vetëm në sistemin shkollor-arsimor, por edhe më gjerë, në mënyrë që sistemi ekonomik i vendit të ndërlidhej me tregun e punës (me ekonominë e tregut) në shkallë europiane e botërore, andaj edhe në administratën shqipe që praktikohej sadokudo në atë kohë shumica e emërtimeve të tilla të profesioneve u përkthyen në shqip (u kalkëzuan) nga serbokroatishtja, qoftë për nevojat e Entit statistikor, qoftë për Institucionin e punësimit.
Kështu, ndërkohë pikërisht rreth verifikimit të përshtatshmërisë gjuhësore të barasvlerësve përkatës të emërtimeve në fjalë serbokroatisht shqip e anasjelltas ose rreth qëndrueshmërisë, apo jo, të rasteve të veçanta të tyre, hetuam mjaft golle në këtë fushë dhe ndërkohë e me kohë filluam t’i shprehnim vëzhgimet tona edhe botërisht, kështu, në të vërtetë, patëm filluar me botue artikuj, duke ngulmuar që emërtimet në gjuhën shqipe patjetër drejtshkrimisht duhet të ishin në përputhje me normën letrare, në frymën e Kongresit të Drejtshkrimit 1972, përkatësisht që gjuha e profesioneve në shqipe përmbajtësisht gjithsesi të ishte në përputhje me natyrën e gjuhës sonë dhe patjetër të ishte në harmoni, sa ishte e mundur, me ato emërtime që i dinim se përdoreshin në Shqipëri. Nga ato shkrime (artikuj e trajtesa) të botuar që preknin këtë çështje, numri i të cilave kalonte pesëdhjetëshin, këtu, për lexuesin e nderuar, po i rikujtojmë vetëm titujt e këtyre katër trajtesave:
1. Çështje të emërtimit të njerëzve sipas profesionit (Seminari... 1983).
2. Çështje rreth emërtimit të profesioneve në shkollat tona të mesme (reviste Gjuha në shkollë”) 1987.
3. Çështje rreth emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë në gjuhën shqipe nga ndërkombëtarizmat me –IK(Ë) fundore, botuar në revistën Përparimi (Prishtinë) nr.3/89, f. 377-397)) dhe :
4) Rreth specifikimit të prapashtesave në emërtimin e njerëzve sipas profesionit sipas tipave kuptimorë (Seminari...2003).
I përmendëm këto trajtesa, ngase mendojmë se rezultatet nga përmbajtja e tyre ende nuk janë konsumuar si duhet e sa duhet në jetën tonë praktike.
Ç’është e vërteta, po në këtë fillim-periudhë, d.m.th. në vitet e ’80-a të shekullit të kaluar po kësaj problematike i patëm kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje dhe këtë e dëshmojmë me faktin se po në atë kohë e ndërkohë e patëm trajtuar si tezë doktorate temën me titull: Struktura fjalëformuese e emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe, të cilën e patëm mbrojtur më 1992. Këtë punim para mbrojtjes dhe më pas, e patën vlërësuar shumë pozitivisht studiuesit e njohur (oponentë) të asaj e të kësaj kohe, si prof. Idriz Ajeti, prof. Androkli Kostallari, prof Latif Mulaku (mentor), prof. Rexhep Ismajli, prof. Mehmet Halimi, prof. Murat Blaku e të tjerë, tekst ky që, ishte paraparë me u botue në edicionin e botimeve të Institutit Albanologjik të Prishtinës, por mjerisht për shkak të rrethanave jo të favorshme që pasuan, mungesës së mjeteve etj., jo me fajin tonë, punimi në fjalë deri tani. ka mbetur dorëshkrim.
Në të vërtet, po bëjmë me dije opinionin, se ne atëherë, pos fjalorëve përkatës gjithandej të botuar deri në ato kohë nuk patëm mundësi ta kompletonin punimin me të dhëna zyrtare nga shteti shqiptar, përkatësisht nuk patëm mundësi të konsultonim emërtimet përkatëse në institucionet dhe ndërmarrjet përkatëse prodhuese të atëhershme të Shqipërisë, po këtu në Kosovë i patëm konsultuar, jo zyrtarisht, por mbi bazë shoqërore), pothuaj shumicën e organikave (sistematizimeve të vendeve të punës) të institucioneve dhe të ndërmarrjeve përkatëse të njohura të vendit, ku aplikohej dygjuhësia (serbokroatisht-shqip).
Sidoqoftë, ne që atëherë në punimet e botuara për zgjidhjet më të përshtatshme terminologjike në gjuhën tonë patëm dhënë mjaft supozime e risime, zgjidhje teorike e më fort praktike rreth konsolidimit të emërtimeve në fjalë, por që mjerisht mjaft çështje të diskutueshme për të cilat atëherë ofronim zgjidhje të pakundërshtueshme ose të përshtatshme, nuk gjetën implementim dhe kështu deri në ditët e sotme mbeten të pazgjidhura, ngase nuk njiheshin nga ekspertët e caktuar, si te ne, ashtu edhe më gjerë (në Shqipëri), por megjithatë, disa mendime e sugjerime tona nuk mbeten krejtësisht pa jehonë. Madje ndonjë gjurmë të kësaj jehone hetohet edhe në guidat që po i trajtojmë këtu.
Në të vërtetë, atëherë kishte implikime jo të vogla rreth disa termave që binin në kundërshktim me sistemet përkatëse shkollore si dhe disa në raporte ndërshtetërore, andaj ato ndryshime mbeten si të tilla deri në ditët tona. E themi me keqardhje, mbeten deri në ditët tona, edhe pse tashti në dhjetëvjetshin e parë të këtij Mijëvjeçari të ri u krijuan kushte shumë më të favorshme për trajtimin edhe të kësaj teme, seç i kishim ne atëherë. Themi me keqardhje, sepse ende nuk është bërë punë e duhur në të mirë të harmonizimit të terminologjisë përkatëse shqipe, siç kërkonim ne atëherë dhe kërkojmë më me ngulm edhe sot, harmonizim ky që duhet ta bëjnë sa më shpejt e mirë institucionet tona përkatëse ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë-Maqedoni Ç’është e vërteta, tashti ka mundësi që kjo punë të bëhet në një atmosferë konsultimi shumë të përshtatshme, jo vetëm në raportin ndërshtetërorë Shqipëri – Kosovë, por edhe me bashkëpunim të drejtpërdrejtë të qendrave përkatëse profesionale në kuadër të fakulteteve e ndërmarrjeve prodhuese shtetërore e private, kombëtare e ndërkombëtare.
Më sa dimë, pra, një harmonizim i tillë ende nuk ka filluar me seriozitetin e duhur dhe lidhur me ketë mbase mund të ketë ndonjë arsye, por ne, në mos qofshim të gabuar, kemi bindjen se një mospunë e tillë më fort është rrjedhojë e shkaqeve subjektive, se sa për aso subjekto-objektive. Me sa dimë, sot nuk mungojnë kuadro ekspertësh, por më tepër mungon organizimi, iniciativa dhe financimi i një bashkëpunimi të tillë ndërinstitucional Tiranë - Prishtinë e më gjerë. Nuk mund të besojmë që faktorët përkatës ndërshtetërorë nuk e kuptojnë rëndësinë e këtij veprimi. Me fjalë të tjera nuk dimë pse nuk po shfrytëzohen sa duhet këto dy favore që ne nuk i kishim më përpara:
e para, bashkëpunimi, pa pengesa, ndërshqiptarë i terminologëve (Tiranë-Prishtinë-Shkup) dhe
e dyta, sistemi shkollor pothuajse unik, ngase në të gjitha qendrat arsimore shqiptare (sidomos Shqipëri –Kosovë) është duke u zbatuar sistemi shkollor, sipas kurrikulave përkatëse të Bashkimit Europian, siç dëshmojnë edhe tri guidat e sipërcekura.
Pra, nga ai sistem (ISCO-88), në tri burimet e sipërpërmendura nuk është përvetësuar vetëm metoda e mënyra e klasifikimit, por janë përvetësuar me kalkëzim (përkthim e përshtatje) shumica e emërtimeve në fjalë, me ndonjë ndryshim specifik jo aq me peshë. Si rrjedhojë e kësaj nënkuptohet se ne tashti nuk e diskutojmë, pra as metodën e punës, as shifrimin a mënyrën e klasifikimit të profesioneve, por e diskutojmë dhe tërheqim vërejtje vetëm rreth qëndrueshmërisë, apo jo, të gjuhës dhe të terminologjisë shqipe në tekstet e burimeve në fjalë dhe përgjithësisht.
Sidoqoftë, ne tani, vëzhgimet tona për materialin e këtyre tri burimeve, të cilat më pak ose më shumë, përveç të mirave që kanë përshkohen nga lajthitje e anomali të ndryshme gjuhësore, të tolerueshme e të patolerueshme, po e shfrytëzojmë si krye më vete, për të përplotësuar dhe rifreskuar të njëjtën temë ose një segment të saj, që e patëm trajtuar në monografinë tonë Struktura fjalëformuese e emërtimit të profesioneve në gjuhën shqipe, që tani mendojmë ta botojmë me titull të modifikuar: Rreth formëzimit të emërtimeve të profesioneve në gjuhën shqipe. Së këtejmi, po japim në vazhdim disa zgjidhje e sugjerime që i gjykojmë se janë me shumë interes praktiko-shoqëror e teoriko-shkencor që kryesisht kanë të bëjnë me emërtimin e njerëzve sipas profesioneve në gjuhën shqipe, të dhëna këto që e përplotësojnë sadopak, siç u paracek, objektivin e punimit tonë të doktoratës, duke paraqitur të dhëna të reja rreth versioneve të formulimit të klasifikimit të profesioneve në grupe dhe kodimin e tyre shifror, numrin e grup-profesioneve sipas guidave në shqyrtim dhe pasqyrën e emërtimeve të grupeve të mëdha sipas burimeve në shqyrtim dhe nivelimin ose shkallën arsimore sipas ISCO-88.
1) Versionet e formulimit të klasifikimit të profesioneve
dhe kodimi i tyre
Tash fill po i themi dy fjalë rreth versioneve të formulimit të klasifikimit të profesioneve në grupe dhe kodifikimin shifror të tyre sipas ISCO-88, ku janë bazuar të tri burimet e sipërcekura, por edhe punimi ynë i doktoratës (edhe pse ai qe kryer nën ndikimin e doracakut përkatës të gjuhës serbokroate), burime këto që do t’i citojmë me këto shkurtesa:
– Klasifikimi i profesioneve në Kosovë, shkurtesa KPK;
– Standardi ndërkombëtar i nomenklaturës së profesioneve sipas ISCO-88, shkurtesa: T1;
– Lista kombëtare e profesioneve, shkurtesa T2 si dhe
– Klasifikimi unik i profesioneve në ish-Jugosllavi (1986), ku është bazuar disertacioni ynë (shënuar formulimi serbokroatisht e përkthimi shqip), shkurtesa Ds.
Siç dihet në tri guidat e mësipërme emërtimi shqip i profesionit ose më mirë: emërtimi i njeriut sipas profesionit, është bërë nën ndikimin (kalkëzimin) e emërtimeve të tilla në gjuhët përkatëse zyrtare të BE-së, e në veçanti në versionin në gjuhën angleze, ndërsa në punimin tonë të doktoratës të viteve te ‘8O-a të shekullit të kaluar qe kryer nën ndikimin e emërtimeve të gjuhës serbokroate, sipas doracakut: “Klasifikimi unik i profesioneve Lista alfabetike e emërtimeve të profesioneve, botim i Entit Federal të Statistikës Beograd, dhjetor 1986. (Shih Jedinstvena klasifikacija zanimanja Abecedni spisak naziva zanimanja, Beograd, decembar 1986.)
Ja si dalin formulimet ose emërtimet e paralajmëruara lidhur me kodimin në fuqi:
I. Kodi me 1 shifër (shifra e parë):
angl major groups;
shq. KPK – grupi kryesor, T1 dhe T2 – grupet e mëdha;
Ds: grupe zanimanja / grupe profesionesh.
II. Kodi me 2 shifra:
angl. sub-major groups;
shq. - KPK - grupi nënkryesor, T1 nëngrupet e mëdha, T2 nëngrupe të mëdha (fusha të aktivitetit);
Ds - vrste zanimanja / llojet e profesioneve.
III. Kodi me 3 shifra:
angl. minor groups;
shqip: KPK - grupet e vogla të profesioneve, T1 - grupet e vegjël, T2 grupet e vogla ;
Ds: podvrste zanimanja / nënllojet e profesioneve.
IV. Kodi me 4 shifra:
angl. unit groups;
shq. KPK- grupi njësi i profesioneve– T1 njësitë e profesioneve T2 – grupet njësi (profesionet);
Ds - skupine zanimanja / grupet bashkënjësi ose grupet bashkësi të profesioneve.
V. Ndërsa kodi me 6 shifra ose kartërshifrori + 01, 02 etj...
sipas KPK-së nënkuptohet profesioni, T2-shit numri i profesioneve, ndërsa sipas disertacionit në fjalë shpjegohet: numri i profesioneve të veçanta:
a) me profilim të gjerë,
b) pa profilim të ngushtë dhe
c) me profilim të ngushtë.
Është interesant se në Vendimin e Qeverisë së Shqipërisë, dt. 11.06.2009, shifrimi shpjegohet kështu:
Kodi numerik i profesionit është një bashkësi me 6 shifra, të cilët tregojnë:
a) shifra e parë “grupin e profesionit,”
b) shifra e dytë, “nëngrupin e profesionit,”
c) shifra e tretë dhe e katërt së bashku “Profesionin” dhe
ç) shifra e pestë dhe e gjashtë së bashku”Punësimin”.
Siç po shihet në të gjitha burimet e sipërcekura terminologjia nuk është bash e njëjtë, po kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të njëzohet plotësisht në tekstin unik shqip, nëse çështja (ri)shtrohet para një komisioni ekspertësh mikst, i përbërë nga profesionistë të degëve përkatëse prej të gjitha trevave shqiptare, ku do të merrnin pjesë patjetër edhe gjuhëtarët e përgatitur.
2) Numri i grup-profesioneve, sipas guidave në shqyrtim
Sa i përket numrit të grupit kryesor ose grupeve të mëdha lidhur me kodin shifror gjendja qëndron konstant 10, ndërsa sa i përket numrit të grupeve a profilimeve të tjera të kodeve shifrore, sipas burimeve dalin ndryshime si më poshtë:
__________________________________________________________________
Burimi kodi 1 kodi 2 kodi 3. kodi 4 kodi 6-shifror
KPK 1 28 112 382 2.022
T1 1 28 116 390 3.600 (?)
T2 1 37 125 435 4.224
Ds 1 58 127 1021 21.000
Siç po shihet, veç rubrikës së parë të gjitha shifrat e tjera ndryshojnë, për nga numri. Ne punimin tonë të doktoratës, sipas kodit 6-shifror, patëm manipuluar, pothuaj, me afro 20 mijë emërtime të profiluara profesionesh.
3) Pasqyra e emërtimit të grupeve të mëdha sipas burimeve në
shqyrtim dhe nivelimi arsimor sipas ISCO-88
Duke tërhequr vëmendjen në tekstin përkatës, sipas burimeve të caktuara, po japim pasqyrën e kodit të grupeve të mëdha ose të grupeve kryesore dhe shkallën e kualifikimit ose të aftësive a shkathtësive të fituara sipas nivelit arsimor:
__________________________________________________________________
Kodi Emërtimi i grupeve të mëdha Niveli arsimor
sipas burimeve sipas ISCED-76
---------------------------------------------------------------------------------------------------
1. KPK: Ligjvënësit, zyrtarët e lartë dhe menaxherët -
T1: Ligjvënës, nëpunës të lartë dhe drejtues
T2 Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë
ekzekutivë
2 KPK: Profesionistët
T1: Specialistë me arsim të lartë IV
T2: Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)
3 KPK: Teknikët dhe profesionistët e ngjashëm
T1 e T2: Teknikë dhe specialistë në zbatim III
4 KPK: Nëpunësit
T1: Nëpunës të thjeshtë II
T2: Nëpunës
5. KPK: Punëtorët e shërbimeve dhe punëtorët e shitjes në dyqane e në treg
T1: Punëtorë të shërbimit të shitblerjes dhe dyqaneve II
T2: Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve
6. KPK Punëtorët e kualifikuar të bujqësisë dhe të peshkimit
T1: Punëtorë të bujqësisë dhe të peshkimit II
T2: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit
7. KPK: Zejtarë dhe punëtorë të ngjashëm
T1: Zejtarë dhe tregtarë II
T2: Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to
8. KPK: Operatorët dhe montuesit e pajisjeve dhe makinave
T1: Punëtorë të uzinave mekanike edhe montues II
T2: Punonjës të montimit dhe të përdorimit të makinerive dhe pajisjeve
9. KPK: Profesionet elementare
T1: Punëtorë fillestarë I
T2: Punëtorë të profesioneve elementare
0. KPK: Forcat e armatosura -
T1 e T2: Forcat e armatosura.
Siç po shihet grupi i parë nën 1 (Ligjvënës...) dhe grupi i dhjetë nën 0 (Forcat e armatosura), nuk janë përfshirë në nivelin arsimor të ISCO-s bazuar në ISCED-76, ndërsa nga të dhënat rreth nivelit arsimor, moshës dhe kohëzgjatjes së arsimimit kuptohet se:
a) për nivelin I (profesionet elementare) po sipas këtij përcaktimi parashihen 5 vjet shkollë ( prej 6-7 deri 11-12 vjet moshë),
b) për nivelin II për kodet (4,5,6,7 e 8) parashihet 5+3 vjet shkollë (5+3 =8 vjet shkollë) ose 14-15 vjet moshë që quhet cikli i ulët, dhe + 3 vjet cikli i lartë i shkollës së mesme profesionale) që do të thotë 12 vjet shkollë, d.m.th. kryhet shkolla e mesme,
c) nivelin arsimor III (nën kodin 3 fillon në moshën 17-18 vjeçare + 4 vjet arsimim arrin moshën 20-21 vjeçare ose kryen 15-16 vjet shkollë, nivel ky që barazohet me vitin I të universitetit,
ç) niveli arsimor IV (nën kodin 2) fillon në moshën 17-18 vjeçare + 3- 4 ose më shumë vjet, varësisht nga dega e specializimit, që nënkuptohet se kap moshën mbi 21-22 vjeçare.
Sigurisht sqarime më të hollësishme arrihen varësisht nga sistemi konkret shkollor shtetëror (shoqëror) e privat që zbatohet në shtetin përkatës. Por kjo punë sa u përket emërtimeve përkatëse në gjuhën shqipe, mund dhe duhet të harmonizohet patjetër në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror e ndërgjuhësor në hapësirën mbarëshqiptare jo vetëm formalisht por edhe përmbajtësisht.