| E shtune, 30.10.2010, 07:58 PM |
Në zanafillë qé fjala
Nga Daniel Gàzulli
“Në zanafillë qé fjala” asht fjalia e parë e Biblës. Asht mësimi i mësimeve. Nëpërmjet fjalës njerëzit merren vesht njëni me tjetrin. Nëpërmjet fjalës ata i drejtohen vetë Zotit.
Fjalë do të thotë dialog, ballafaqim i lirë ideshë, krejt e kundërta e asaj që ndeshim shpesh në jetën tonë: përpjekjen me zgjidhë problemet në mënyrë, rrugë e mjete të dhunëshme.
Të gjithë ata që marrin pendën e ulen me shkrue duhet të kenë si busull pikërisht mësimin e madh, se në zanafillë qé fjala, ajo asht e duhet të jetë sa kohë të ketë njerëz mbi dhé.
Por jo rrallë edhe fjala kthehet në armë, në armë që vret moralisht, në armë që vret të ardhmen, në vend që të shërbejë si themel i ndërtimit të një shoqnije të qytetnueme.
Mediat do të duhej të ishin arenë e mendimit të lirë, i ballafaqimit të ideve, i diversitetit, por jo arenë ku të ndeshen për vdekje si në cirqet e lashtësisë. Nëse ndonjeni mendon se edhe me dhunë arrihet qellimi, heret a vonë do të mbetët i zhgënjyem: edhe kur mendimet, idetë që do të paraqiten do të jenë jo vetëm të ndryshme, por ndonjëherë edhe krejtësisht të kundërta, “beteja” duhet të zhvillohet vetëm me armën e fakteve dhe argumenteve, të arësyes së shëndoshë dhe gjithmonë dashamire.
Kjo nuk do të thotë frymë opportuniste, përkudnrazi. Kur bahet fjalë për parime të randësishme shoqnore, për ideale të shtrejta kombëtare, askush nuk ka pse të bajë lëshime dhe askujt nuk i kërkohet të bajë lëshime.
Ndaj shkrimeve veçanarisht kritike e me adresë të qartë do të duhej t’i lihej hapsinë e pakushtëzueme të akuzuemit, që të ketë të drejtën e replikës. Pëgjigja ndaj kritikës nuk duhet t’i mohohet askujt, mjaft që të ruhet në sendertimin e shkrimit linja e medias: fakte dhe argumente, jo fyemje e kërcënime.
Mediat elektronike kanë një gamë të përcaktueme temash. Trajtimi i tyne, pa ra në nivele vulgare, duhet të bahet sa ma thjeshtë, e kuptueshme për të gjithë lexuesit.
Tue pa gjendjen në trojet shqiptare, tema kryesore mbetet gjendja dhe rrygëdalja nga një qeverisje pak të thuesh rrënimtare. Mirëpo, për trajtimin e kësaj teme rrallë herë marrin pjesë specialistët e mirëfilltë, juristë, ekonomistë, sociologë etj., e atëherë, kush të çohet ma parë, o burra, kritikë. Pa i mohue askujt të drejtën me shprehë mendimin e tij të lirë, do të ishte e këshillueshme të tërhiqej mendimi i brezit të ri, qoftë për këte temë jetike për trojet tona, ashtu edhe për temat tjera. Jam i mendimit se shumë probleme teorike, praktike e aty edhe ligjore nuk mund t’i shtrojë drejt një brez i atrofizuem, (e në këtë rast besoj askush nuk do të fyhet, pse edhe unë baj pjesë në atë brez), veçanarisht pse ai ka peshën e randë të një formimi të indoktrinuem. Aq ma tepër që kritikat nuk janë edhe propozitive, me fjalë të tjera, që të ofrojnë alternativa, rrugëzgjidhje. Një kritikë vetëm mohuese e jo edhe propozuese vlen pak e aspak.
Edhe në tema, ku me të vërtetë në fillim e në fund, mjeti ma i natyrshëm duhej të ishte fjala, siç asht ajo fetare, tashma mjaft delikate në trojet tona, kalohet në trajta të tjera, ku fjala asht vetëm mjet me arrijtë qellimin, shpesh herë të mbrapshtë, e jo mjet dialogu, kthjellimi e udhëheqje drejt rrugës ma të drejtë.
Jezusi u drejtohet apostujve e nëpërmjet tyne meshtarëve: “Ju duhet të jeni bashkëudhëtarë e udhërrëfyes të njerëzve, jo sundues të tyne. Ju do të përdorni fjalën e Zotit dhe vetëm fjalën e Zotit, kurrë frikën e dhunën”.
Mirëpo na edhe fjalën, ate që duhet të bashkojë njerëzit në ide e synime të shejta, fisnike, atdhetare, të dobisë shoqnore, e përdorim si armë bejlegu. Rezultati asht si ai i dyluftimeve mesjetare: viktima të marrëzisë e të paradokseve ma arkaike.
Qoftë në gazetat shqiptare, ashtu edhe në mediat elektronike, asht krejt e zakonshme etiketimi fyes, denigrues për mendimin ndrysh. Ky asht një shej i trishtueshëm i mungesës së qytetarisë. Veçanarisht në komente gjenden gjykime përjashtuese të ideve të të tjerëve, aq sa, edhe kur shkrimi ka relativisht vlerë, ose të paktë një qellim të mirë, kthehet në arenë dyluftimesh të paprincipta.
Natyrisht, nuk kërkojmë uniformitet, pse një media që nuk ballafaqon dy mendime të ndryshme – aty edhe krejt të kundërta – mbi një temë, kryen një shërbim të keq, kurse një media që ofron si model antivlera – të çfarëdolloji qoftshin – kryen krim. E në mediat tona, jo vetëm për paaftësi profesionale, ndeshim përditë antivlera të tilla. Dikush do të vinte theksin tek vulgarizmi i saj, kjo edhe pse ulen e shkruejnë njerëz të një paditunia shembullore, por e keqja asht se në këto nivele bienë edhe jo pak prej politikanëve, gazetarëve profesionistë e komentatorëve. Ditët e fundit kemi pasë në media shembuj tipikë të tillë: kandvështrimi i papërgjegjëshëm i ngjarjeve të vitit 1997 nga Mero Baze, ashtu edhe analiza e shtrembnueme e rrjedhojave të Kanunit në ditët tona nga Blerim Uka. Asnjeni prej tyne nuk mund të quhet i paaftë në lamën që trajton. Atëherë vetiu del përfundimi se ka qenë që në nisje qellimi i mbrapshtë që i ka çue në analiza të gabueme apo të shtrembënueme.
Ajo që duhet të frenohet, që nuk duhet të gjejë hapsinë në media, asht shfrimi i mllefeve personale, apo edhe ma keq, për interessa politike, që bienë ndesh me interesat e Vendit. Pra, në vend që t’i shtrohemi analizës, për çdo kritikë serioze e të mirëfilltë, përgjigja asht agresive, deri në cilësime “si motit”: anmik i Vendit, shërbëtor i këtij e atij etj.
Asht e njohun në gazetari se fakti asht i barabartë për të gjithë, kurse interpretimi personal. Mirëpo, shumëkush, tue u nisë nga synime të mbrapshta, stisë faktin për të arrijtë qellimin. Në pikëpamje deontologjike kjo asht e dënushme. Tjetër se në Fakultetet tona të Drejtësisë, Gazetarisë, Mjeksisë etj., as që zhvillohet landa e deontologjisë.
Në media vazhdojnë të mbysin lexuesin me një propogandë pseodemokratike, e në fakt krejt bolshevike, qoftë nëpërmjet dhanjes së një hapsine të pakufizueme personazheve të diktaturës apo zadhanësave të tyne, e njëherësh nëpërmjet përjashtimit nga debati kombëtar mediatik i krimive të komunizmit të sjelluna prej gojës apo shkrimeve të atyne që e vuejtën direkt atë kohë skëterrë.
Edhe ma e pafalëshme asht moskorigjimi i teksteve shkollore, që presupuzohet se dalin nga Institutet tona shkencore. Shembulli ma i fundit asht paraqitja njëlloj si gjatë diktaturës, pra krejtësisht e fallsifikueme, e Luftës së Vlonës të vitit 1920, siç e ka shtjellue dhe argumentue me fakte historike studiuesi Enver Memishaj (Lepenica) në librin e tij “Emblema e një epopeje”.
Kjo ndodhë edhe pse gjithë bota e sotme, e ashtuquajtun e intelektualëve, shfaqë një shpërfillje mjerane ndaj rishkrimit të historisë, ashtu siç ka qenë me të vërtet, jo si ua kanë mësue në shkollat e trysnueme nga mashtrimet e fallsifikimet nga ma të paprinciptat, çka tregon personalitet të mangët qytetar e shkencor të historianëve tanë. Po shtrembënime të tilla, kemi jo vetëm për ngjarje të disa dhjetëvjeçarëve ma parë, por edhe të fare pak vjetëve ma parë. Tipik asht rasti i personalizimit të Luftës së Popullit të Kosovës nga viti 1981 e deri më 1999.
Atëherë, a mund të themi se media shqiptare po luen rolin e saj të prepulsorit për një zhvillim të mbarë e demokratik? A mund të themi se, ashtu si në zanafillë të njerëzimit, fjala lidhë njerëzit në marëdhanje shoqnore mbi bazën e së drejtës?
Në zanafillë qé fjala. Po sot? A mund të quhet e tillë ajo – ndërlidhëse e qelizave që krijojnë një shoqni të caktueme e ma gjanë, gjithë shoqninë njerëzore mbarë?
Në mos reflektofshim, rreziku që të kalojmë nga ligjërimi në lehje asht evident.