| E enjte, 28.10.2010, 09:34 PM |
Ishujt e dhembjes dhe deti i nostalgjisë
Muhamed Kërveshi shkruan për poetët dhe doganat e ajrit, dhe flet për Kosovën si një vend ku „zogjtë mbyllin sytë/ pranë varrit të martirëve/ që shëmbëllejnë mes vedi”. Shkruan për pritjen e një lirie të vonuar, për nënat kosovare që i kanë humbur fëmijët, për fëmijët që i kërkojnë prindërit me sytë kah qiejt dhe varrezat. Por edhe për një Kosovë që ka „sytë e dashurisë/ në ballë”.
Nga Marius Chelaru
Atë që s’e thot fjala, atë që s’e thot syri, loti e thot. Loti sipas një krijuesi të talentuar kosovar, është ishulli i dhembjes dhe deti i nostalgjisë. Po qe se duam ta definojmë shkurtimisht vëllimin e Muhamed Kërveshit, këtë mund ta bëjmë duke parafrazuar fjalët e autorit, poet dhe poliglot, personalitet i shquar shqiptar, sipas të cilit „sytë e dashurisë” janë skalitur „në ballin e Kosovës”, apo: „duke e pritur lirinë e vonuar”. Edhepse nuk flet në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo aluzive për fatin e kësaj pjese të botës, seleksionimi i poemave të këtij vëllimi të shpie drejt një teme qëndrore që bën fjalë për fatin e njerëzve të vendlindjes, për dramat e rrënjosura thellë në shpirtin e tyre. Një vëllim që të shtyn ta lexosh e rilexosh me mendimin te bota e poezisë, e njerëzimit, dhe jo e politikës.
Tejmatanë faktit për të qenë në anën e njërit apo taborit tjetër, për ta pyetur ndonjë politikan se cila është e vërteta kur flasim për vende si Afganistani, Kosova, Iraku, Izrali, Gaza, dhe, për fat të keq, mund të themi edhe vende tjera, do të duhej pikësëpari të mendojmë te fati i individëve, i njerëzve të thjeshtë, pa marrë parasysh entninë e tyre. Te jeta e njerëzve të prekur thellësisht nga konfrontimet që kanë ndodhur atje ku mundohen ta çojnë jetën dhe të rrisin fëmijë. Atje ku mundohen të jetojnë, të jenë njerëz, ndërsa plagët e historisë janë të hapura ende dhe ende, të alimentuara (ushqyera) madje dhe me gjakun e tyre, të të gjithëve, pa përjashtime nacionale apo konfesionale. Nuk ma merr mendja se e përkëdhel dikend lajmi i trishtë kur shuhet kandili i jetës së një fëmije po qe se na thonë se cilit „taborr” i përkasin prindërit e tij. Ndoshta më elokuente në këtë drejtim është një fragment i poemit Pas perdesë: „drama jonë/ nacionale// aktorë të paduksheëm/ sqenografi e huaj.”
„Shkëmb i egër” dhe „jetë e egër”, thot në një moment autori. Janë aq gjëra që s’i sheh syri i huaj në ato vende ku po ndodhin gjithfarë gjërash. Atje ku ndërpritet drita elektrike dhe kupton fragmentarisht gërshetimin e mundimeve ndërmjet njerëzve që përjetojnë gjithfarë traumash ekzistenciale në këtë epokë ku informacionet janë shpeshherë të importuara përmes mediatizimit të dirizhuar konform sintagmës “politically correct”, saqë, në rastin e një vëllimi të tipit të këtillë „duhet të depërtosh në brendinë e këtyre vargjeve prej guri/ për ta kuptuar jetën e gurtë”, për të kuptuar, qoftë vetëm përmes një pikëshikimi, përse Drini është i bardhë, apo përse është i zi, një lumë i përbujshëm që i shenjtëron rrugët iliriane të mbretëreshës Teuta. Apo për të depërtuar e gjithë korola e ideve që lindin në mëndjen e një përjetuesi në këtë hapësirë të do emrave si Lekë Dukagjini apo Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Muhamed Kërveshi shkruan për poetët dhe doganat e ajrit, dhe flet për Kosovën si një vend ku „zogjtë mbyllin sytë/ pranë varrit të martirëve/ që shëmbëllejnë mes vedi”. Shkruan për pritjen e një lirie të vonuar, për nënat kosovare që i kanë humbur fëmijët, për fëmijët që i kërkojnë prindërit me sytë kah qiejt dhe varrezat. Por edhe për një Kosovë që ka „sytë e dashurisë/ në ballë”. Kështusoj, para se të jetë një vëllim poemash që mund të anlizohen dhe vlerësohen si do perla poetike të një hijeshie të rrallë, ky seleksionim vlerash antologjike i dedikohet Kosovës, të cilën njohësit e historisë e konsiderojnë si „motra binjake e Besarabisë”.
(Reçension kushtuar vëllimit poetik të Muhamed Kërveshit, Melankoli, që e sheh këto ditë dritën e botimit në Bukuresht, në përkthim të Baki Ymerit)