Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fehmi Ramadani: Reformat politike-domosdoshmëri për Kosovën

| E enjte, 28.10.2010, 08:31 PM |


Reformat politike-domosdoshmëri për Kosovën

 

“Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa tani po ikni me pasuri përrallore”- Faik Konica

 

Shkruan: Fehmi Ramadani

 

Kjo çfarë ndodhi me prishjen e Koalicionit qeverisës ndërmjet PDK dhe LDK-së, sikur të kthen kujtesën mbrapa, sidomos pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë londineze 1912, kur ky vend kishte probleme të mëdha, si nga brenda, por edhe nga jashtë.  Me këtë rast, pas vitit 1924 në Parlamentin Shqiptarë të regjimit të mbretit Zog, në shenjë revolte dhe pakënaqësie ndaj deputetëve shqiptarë që kishin katandisur Shqipërinë, Faik Konica, një patriot i madh i asaj kohe kishte thënë:”Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa po ikni me pasuri përrallore”. Këto mësime historike, sikur nuk i kanë mësuar politikanët dhe udhëheqësit shqiptar të Kosovës dhe këtë po e përsërisin pas një periudhe 100 vjeçare në skenën e saj politike.

 

Braktisa e institucioneve të Kosovës dhe lënia në baltë e tyre në momentet më të vështira të saj për vetëm dy tre muaj para zgjedhjeve të rregullta nacionale që duheshin të mbaheshin në fillim të vitit 2011 tregonë më së mire papërgjegjësinë totale të një kësti politik të këtij vendi, i cili për fat keq ishte pjesëmarrëse e disa proceseve mjaftë të rëndësishme në Kosovë.

 

Kjo ngjarje është ngjarja e dytë më e rëndë në LDK pas ngjarjeve të vitit 2008 në “Konferencën e karrigeve”, pasojat e së cilës ishin shkapërderdhja e tij në dysh LDK dhe LDD, si dhe humbja e zgjedhjeve të vitit 2008. Ndërsa, pasojat e grushtit të dytë janë ndaj institucioneve të Kosovës, vetë qytetarëve të këtij vendi që i kishin mbështetur, si dhe imazhit të jashtëm ndaj Kosovës. 

 

Këto gabime të rënda politike të LDK-së, të cilat e futën Kosovën në krizë institucionale, por e cila në të kaluarën konsiderohet si prijëse e pavarësisë së saj së bashku me liderin e saj karizmatik Ibrahim Rugovën, tani është buzë falimentimit politik dhe shpartallimit total të saj. Kjo po bëhet nga vetë udhëheqësit e saj, sepse populli thotë:”Çfarë ke mbjell, atë do ta korrësh”. Ky këst politik, për një kohë të gjatë ka mbjellë politikën e inercionit, përjashtimit, interesit personal dhe grupor, politikën e shantazhit dhe destruktivitetit, si dhe përvetësimit të vlerave kombëtare me qëllim të përfitimeve dhe mbijetesës së saj politike.

 

Politika e LDK-së nuk ka pasur reforma kadrovike një periudhë të gjatë dhe shumica e njerëzve që udhëheqin këtë parti janë të periudhës moniste dhe të shkollës titiste. Ky mosperceptim i duhur politik ka lënë këtë subjekt në gjendje të rëndë dhe nuk kishte lëvizje në asnjë aspekt të saj. I vetmi ndryshim kapital i saj është pasurimi i udhëheqësve të tyre në kurriz të këtij populli dhe përfitimet e tyre marramendëse.

 

Argumentet janë të shumta, mund të shikoni vetëm automjetet dhe benefitet e tyre të cilët gëzojnë nga Kosova, shteti më i varfër në Evropë. Këta njerëz kanë paga mujore të majme, ndërsa pasuria e tyre është bërë përrallore.

 

Sot, shumica e tyre kanë shtëpi moderne në vlerë të mëdha, lokale të ndryshme, tokë të uzurpuar, shtëpi vikendi të standardeve më të larta. Vetëm shkoni dhe vizitoni Brezovicën, Prevallën, Liqenin e Badofcit, Grykën e Rugovës,Veternikun, Lagjen Arbëria, Taslixhen, etj, dhe shumë lehtë mund të mësoni mbi shtëpizat e këtyre politikanëve, të cilët vjelin pasurinë e këtij vendi.  Kjo është bërë dhe po bëhet në emër të popullit, ndërsa shumica e tij jeton në varfëri të madhe, ndërsa vetëm sipas UNDP-së 1/3 e popullit të Kosovës jeton në varfëri të skajshme. Ku është morali i tyre njerëzor, e mos të flasim për moral politik, sepse u pa shumë qartë se të shumica e këtyre politikanëve nuk ekziston fare

 

Andaj, jo rastësisht Faik Konica, ky atdhetar i madh shqiptar kishte thënë fjalinë e lartcekur lidhur me këstin e atëhershëm politik të Shqipërisë londineze, të cilët e kishin shndërruar Shqipërinë në lodër të interesave të tyre personale dhe grupore. Kjo filozofi politike e ka çmimin e saj dhe mund të shfaqet shumë shpejt, sidomos në sfidat që ka Kosova me Beogradin dhe bisedat e ashtuquajtura teknike. Po ashtu, kjo politikë mund të shfaqet edhe në arenën ndërkombëtare, sepse ky vend tashmë ka ngecur në rrjedhat e integrimeve në shumë struktura ndërkombëtare.

 

Gjithashtu, çmimi i saj në arenën e brendshme është i shumëfishtë, si në veri të vendit, zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe shumë dukurive negative të këtij vendi. Reformat politike dhe ndryshimet kadrovike në politikën e këtij vendi mund të ndryshojnë demokracinë e Kosovës.

Vetëm me këto reforma në të gjitha aspektet, por së pari duke filluar nga stafi politik, duke angazhuar njerëz të rinj në politikë që kanë guxim, aftësi intelektuale dhe vizion të qartë për të ardhmen e këtij vendi mund të shkohet përpara. Formë tjetër të zhvillimit të këtij vendi nuk ka, andaj nuk guxon të ketë ngecje në këtë drejtim. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë një test shumë i rëndësishëm i këtyre reformave shumë të pritshme.