| E merkure, 27.10.2010, 09:58 PM |
Akoma pa ndonjë marrëveshje
Nga Shaban Peraj
Kaluan ditë nga zgjedhjet e përsëritura lokale të 17 tetorit për komunën e Ulqinit dhe nuk ka asnjë shenjë e nuk dihet (së paku në opinion) për bisedime të mundshme në mes të atyre që e fituan këtë të drejtë. Ajo që dihet është se sipas rezultateve jozyrtare për zgjedhje të përsëritura nga nëntë subjekte politike, sa në koalicone, sa më vete, Partia Forca e Re Demokratike-Forca ka fituar njëmbëdhjetë mandate, koalicioni Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi – Partia e Prosperitetit Demokratik ka fituar dhjetë mandate, Patia Demokratike e Socialistëve shtatë mandate, Partia Social Demokrate dy mandate, Partitë proserbe dy mandate dhe Lëvizja Qytetare- Perspektiva në mandat.Pra, në këte garë ishin të përfshira pesë sukjekte politike shqiptare e katër të tjera Për habi të të gjithëve partia më e vjetër shqiptare, Lidhja Demokratike në Mal të Zi kësaj radhe mbeti pa asnjë mandat dhe pas 20 vjet dominim në skenën politike të këtueshme mbeti jashtë parlamentit lokal!
Deri më tani në media të shkruara dhe ato elektronike, po edhe në masë, janë diskutuar koalicionet e mundshme për të qeverisur në pushtetin lokal të Ulqinit, por nga aktorët që do krijonin pushtetin e ri nuk ka asnjë informatë zyrtare, edhe pse menjëherë pas zgjedhjeve, po edhe gjatë fushatës elektorale, Partia e Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi-Partia e Prosperitetit Demokratik, prijësit e saj deklaruan se do të vazhdojnë qeverisjen me ish partnerin e koalicionit, Partinë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, gjë që për momentin po të vazhdohet ky koalicion mund të vazhdojë agonia e mandatit të kaluar, ndaj është e arsyeshme dilema të vazhdohet me partnerin e vjetër, apo të kërkohet mundësia për ndonjë variantë tjetër që do të ishte më produktive me një formë të re të qeverisjes lokale. Për të arritur këtë, aktorët e politikëbërjes lokale duhet të sakrifikojnë diçka brenda politikës së tyre me qëllimin e mirë për të sanksionuar qeverisjen lokale e cila për vitet e kaluara në pushtet dështoi në shumë segmente të jetës shoqëroro-politike. Ky është realiteti dhe atë e hasë në çdo fshat, e edhe në komunë ku gjatë fushatës elektorale u shfaqen fenomene të shfrenuara deri atje sa të ofrojnë çmim edhe për votën e qytetarit. Edhe më heret ka pasur fenomene të tilla, por kësaj here kandidatët janë shfrenuar në këtë drejtim. Këtë jo se e bëri vetëm njëri subjekt politik, atë e bënë të gjithë nga partitë e mëdha, së pari për të siguruar vetën, dhe së dyti për të eliminuar partitë e vogla. Në fshatrat e Anës së Malit bursa e votës ka arritë shifra marramendëse me çimento, zhavor e para , por një pjesë e vogël e votuesve nuk kanë pranuar një aferë të tillë. Kjo çmenduri e elektoratit është konkretizuar duke shkelur çdo parashikim, ndaj ankesat e subjekteve kandiduese për zgjedhje nuk e kanë marrë akoma epilogun përfundimtar nga Komisioni komunal zgjedhor.
Derisa politikanëve të njohur tashmë për rolin e tyre të kamufluar, vazhdimësia e “martesës së vjetër” duket se u janë djegur shpresat për koalicion të mundshëm, ndaj janë “strukur”, nuk bëjnë edhe aq zhurmë, ndoshta nga frika për ndryshim të situatave! Çdokush që ka ndjekur fushatën elektorale, po edhe veprimet e tyre gjatë legjislacionit të kaluar , sot pyet vetën: A mundet vallë që “armiqtë “ e djeshëm, sot të punojnë së bashku? A mund të bëhet koalicion me dike që deri dje je grindur, ofenduar e kundërshtuar? Them se po, sepse tek e fundit kjo është një politikë nga ku nuk guxojmë që dike ta trajtojmë si “armik”, kjo i takon vetëm fushatës, politikës dhe ajo nuk guxon të ketë lidhje me zhvillimin ekonomik, social e kulturor. Nëse e kaluara mund të “hidhet pas shpine”, kjo i detyron ata të arrijnë marrëveshje, të bëjnë koalicione, jo për të mirën e tyre, por për të mirën e komunitetit, të atyre që u dhanë votëbesimin, sepse politika nuk e ndanë botën me miq e armiq. Çdo urrejtje e manifestuar kundër armikut publik është jopolitike çka dëshmon situata e brendshme e krijuar këtu në trojet tona. Në ditët tona ka rryma të ndryshme politike dhe do të ketë. Para së gjithash njeriu ynë ndodhet në një krizë të thellë shpirtërore dhe këtë duhet shpëtuar ata që bëjnë politikë për të siguruar nevojat e tyre si një vazhdim të zhvillimit të tyre të natyrshëm, ndryshe me shtimin e presioneve të brendshme e të jashtme, shtohen edhe turbullimet.Ç’është e vërteta, tema e unitetit dhe e përçarjes është në ditët tona njëra prej çështjeve më aktuale që vazhdon ta ruajë rëndësinë e vet . Këtë aktorët e bisedimeve për ndonjë koalicion duhet ta tejkalojnë, ata kanë kapacitet politik po të duan dhe ne besojmë se tani është rasti dhe momenti i duhur për të tejkaluar këto dukuri.