| E merkure, 27.10.2010, 06:45 PM |
Kasam Shaqirvela
ATY TEK PORTA SKEE
Ti Porta e Madhe, ku hëna fle
N’bedenat e vjetër nën kulm
Porta ime, ti Porta Skee
E moçmja Portë, me nam e zulm‘
Aty, t’parët e mi, më patën le
Me fat tragjik e fund të pafundtë
Shigjeta t'Akili edhe t'Odiseut
Prite n’ballin tënd të përflakur
T'gjakosën sikur thumbat Prometheun
Tuajt ta përmbysën t’votrës pragun
Të tjerët, në fyt, ta vunë lakun
Dielli këtu lind edhe më i zjarrtë
Qielli me detin puthen hiç pa nda
Dashuri hyjnore e njelmët si kripa e re
Çfarë fate njerëzish ndanë molla e artë?
Kundërmon histori kjo tokë e lashtë
Shpata e Damokleut më dysh për ta pre.
Këtu dhe zoti të shikon ndryshe
Dridhet dhe foshnja që akoma s'ka le
Përveç se lejlegë s'ka më dallëndyshe
T’i këndojnë këngët e moçme tek Portat Skee
Fusha përpara, e mbushur përplotë
N'damarë të grisur, fytyra n’lemëri
Si det i mbuluar nga të derdhur lotë
Mungon veç zemra, kohën e mbajmë në gji.
Dhe, vetë unë, me sytë e mi i pashë
Tek ngjitesha bedenit të Portës Skee
Aty pranë, shkëlqimit të trimave,
Iu përkula në shpirt, në gjunj u rrashë
Akil, Hektor, të tjerë...dhe Odhise,
Bisedonin me një gjuhë bukur të trashë
Thonin vetë me vete, ç’është kjo marëzi ?
Vallë, ç’po i bëka vëllau vëllasë?!
Vetë unë, me dor? i preka,
Imazhin syve ua dhashë
Heshta të thyera, mburoja të çara
Parzmore të shqyera si barqe luajsh
Shtrirë ndër muret e kalasë
Si t’ishin kurban a flijim buajsh.
Mendjen ma shponin rroje përpara
Trupa luftëtarësh dhe kuajsh të rryer
Mbushur bregore e lugje ndër ara
Nga gjak i ngjizur me lotë përzier
Mbetur syhapur me dritë të fikur
Etja për lavdi, vepër e pakryer
Veç një çast i smirës prore
La një vragë që as koha se fshinë
Një fund tragjik i një kulture njerëzore
Ndodhi e mbarsur për njerëzinë.
E shtruar dhe pyetja si trilogji
Cila qe e para?- as vetë s’e di!
-Bukuria femërore për dashurinë?
-Lavdia e verbuar për pasuri?-apo
-Krenaria e lidhur për trimërinë?
Të gjitha këto e bënë historinë
Që atëbotë dhe sot një mister,
Mbeti kjo enigmë që kërkon liri
Zbërthimi i saj t’mos mbetet n’terr.
* shkruar te pragu i rënur i Portës Skee
Trojë, 17- prill-2004, Ora 18:45