| E diele, 24.10.2010, 07:43 PM |
Suedezët në Durrës
Durrës më 20. 10. 2010
MËSUESIT E SHKOLLËS “DEMOKRACIA” NË DURRËS PRESIN MIQ NGA SUEDIA
Këto ditë të Tetorit 2010, kolektivi i mësuesëve të shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit priti një grup mësuesish të “Fjärdingskolan”nga qyteti Borás në Suedi. Një vizitë e premtuar dhe e pritur prej kohësh, sepse mësuesit tanë këtu e katër viteve më parë ishin të parët miq që vizituan Suedinë në kuadër të një lidhjeje (Binjakëzim), mes të dy shkollave. Grupi i miqëve suedëz përbëhej nga : Znj. Gulsen Ozdenkos, drejtore e arsimit për rajonin e komunes Brämhlut të qytetit Boras, drejtori i shkollës Z. Per Kettisen dhe mësueset, Znj. Sonja Persson, Znj. Anette Ekelund dhe Z. Sokol Demaku një shqiptar nga Kosova, mësues, poet, gazetar, botues, i vendosur në Suedi dhjetë vite të shkuar.
Miqtë do të qëndrojnë disa ditë dhe programi është shumë i ngjeshur. Drejtori i shkollës “Demokracia” z. Avdyl Buçpapaj, i cili është edhe nismëtari i kësaj lidhjeje mes dy shkollave, tregon veprimtaritë që do të ndiqen: Bisedë dhe diskutim me mësuesit e shkollës “Demokracia”, takim në Bashkinë e Durrësit, takim dhe bashkëbisedim me drejtuesit e DAR, e për të vazhduar me vizita dhe biseda me drejtuesit dhe mësuesit e disa institucioneve arsimorë të Durrësit, si në Kolegjin “Turgut Ozal”, kopshtin “1 Maj”, shkollën “Fëmijë me aftësi të kufizuar”, shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, shkollën 9-vjeçare dhe të Mesme të Përgjithëshme Jopublike “Kasa”.
Më tej drejtori vazhdon: Mësuesit Suedezë janë shumë të interesuar për mënyrën e mësimdhënies në shkollat tona, prandaj një kohë të gjatë do t’i mundësohet ndjekja e mësimit nëpër klasa në lëndë të ndryshme sidomos matematikë, gjeografi, gjuhët e huaja, etj. në ciklin e ulët dhe në ciklin e lartë. Ata kanë kërkuar të shohin nga afër disa veprimtari me fëmijët e kopshtit që ndodhet në shkollën tonë. Kolektivi ynë u ka rezervuar një vizitë të përbashkët në Krujë, Shkodër dhe të shtunën, në ditën e fundit në Tiranë. Kam frikë se koha nuk do të na mjaftojë t’i kryejmë të gjitha, po do të mundohemi t’i kënaqim dhe të përfitojmë sa më shumë”.
“Është një vizitë miqësie dhe pune, ku mund të shkëmbejmë përvojë”, kështu e nisi fjalëne saj Znj. Gulsen, duke treguar edhe qëllimin e vizitës, dhe një pasqyrë të hollësishme të jetës arsimore në shkollat e komunës që ajo mbulon:
Në rajonin e qytetit Borás jetojnë rreth tridhjetë e tetë komunitete nga vende të ndryshme të botës ku përfshihen edhe shqiptarët. Vetkuptohet flasin tridhjetë e tetë gjuhë dhe sjellin po aq kultura të ndryshme. Politika e shtetit Suedez është e tillë që, bën gjithçka për të ndihmuar në integrimin e shpejtë të tyre në jetën suedeze, sidomos të vegjëlit dhe të rinjtë, por duke ruajtur identitetin dhe veçoritëe tyre. Shteti përballon të gjitha shpenzimet e shkollimit deri te librat falas për të gjithë. Natyrisht integrimi nuk është i lehtë, por kemi mbështetjen e të mësuesëve të shkëlqyer. Një vemendje të veçantë ze kujdesi pë zbatimin e demokracisë në shkollë, sidomos e drejta e fëmijeve për gjuhën e tyre e për të qënë vetvetja. Këmbëngulim dhe besojmë se jemi në rrugë të mbarë, pasi në qoftë se nuk i studjojmë paralelisht të dy gjuhët, nuk do të kemi sukses. Është një parim i njohur te ne dhe që vihet në jetë nga të gjithë punonjësit e arsimit: “Çdo orë e çdo minutë të dimë pse jemi në shkollë”. Në shkollat tona kërkohet të zbatohet me forcë një nga parimet themelore të mësuesisë që : “Jo vetëm të flasim, por t’i zbatojmë në jetë”, sepse çdo veprim i yni si mësues, është një fotografi për nxënësin. Askush nga mësuesit, apo punonjësit e arsimit nuk guxon, sepse edhe nuk ka të drejtë të bëjë diferencim dhe t’i thotë fëmijës, se ti nuk je i zoti, apo tjetri është më i mirë se ti, etj, etj. Për të gjithë ne, ata janë të barabartë, por të ndryshëm dhe secili ka vlera.
Z. Per Kettisen drejtori i “Fjärdingskolan” në Boras, në fjalën e tij vuri në dukje interesin e përbashkët të lidhjeve mes të dy shkollave, sepse 20 % e fëmijëve të shkollës janë nga trevavat shqiptare, kështu është në të mirë të tyre, që në të ardhmen vizitat e ndërsjellta të jenë për nxënësit, jo vetëm të mësuesëve. Ky është edhe synimi ynë. Me shumë kënaqësi tregoi bisedën që bëri me fëmijët shqipëtarë para nisjes: “U ula bashkë me ta dhe u thashë: me që do të shkojmë në Durrës, në Shqipëri, çfarë objektesh mund të vizitojmë dhe çfarë sendesh mund të gjejmë për të blerë. U gëzuan shumë. Më pëlqeu se kishin njohje për Durrësin, por më këshilluan që të gjeja dhe të merrja bustin e Skëndërbeut heroit tuaj kombëtar. E dinja se kështu do të ndodhte. U ngrita dhe shkova në zyrën time dhe u vura përpara në tavolinë bustin e Skënderbeut në kalë. Ata u habitën, por vura re se sytë i shkëlqenin nga kënaqësia.
Biseda me miqtë e largët zhvillohet fare natyrshëm. Mësuesit e gjejnë shpejt fjalën me njëri – tjetrin. Problemet e mësimit dhe edukimit janë kudo njësoj dhe secili përpiqet të bëjë më të mirën për nxënësit. Mësuesit tanë kërkuan të dinë më shumë si zbatohet demokracia në shkollë, pasi shoqëria dhe shkolla suedeze mbahen si model. Të dyja mikeshat mësueset Sonja dhe Annete u përgjigjën thjesht dhe bukur: Nga të gjithë fëmijët, në të gjitha klasat,mundohemi të kërkojmë të zbatohen pesë rregulla:
1. Çdo fëmijë që deshiron të futet në veprimtarinë e një grupi do të marrë lejë me këto fjalë: Á mund të marr pjesë? Ose: më falni á mundem?
2. Të gjithë duhet të dëgjojnë shokun, pavarësisht se si shprehet mirë apo keq. Askush nuk ka të drejtë ta ndërpresë tjetrin. Respekt ndaj njëri – tjetrit.
3. Të thonë fjalë të mira për të tjerët. Nuk pranohen ofendimet dhe fjalët e këqia.
4. Mjetet e punës dhe lodrat që kemi në përdorim i ndajmë dhe i përdorim bashkarisht.
5. Ndihma ndaj njëri – tjetrit, bile më shumë ndaj atij që ka më shumë nevojë.
I ndigjojmë dhe nuk çuditemi aspak. Janë pesë regulla fare të thjeshta, që ne mësuësve na venë në siklet të madh, sikur mbajmë një mal mbi shpinë. Jo që nuk i dimë, po á kemi vullnet e deshirë dhe sa përpiqemi t’i zbatojmë. Pikërisht këtu qëndron edhe çelsi i suksesit të mësuesëve në shkollën suedeze.
Mikpritja nuk u kursye edhe në Bashki, ku grupi i mësuesëve suedezë u prit nga n/kryetari, Z. Adrian Çela. Miqtë parashtruan arësyen e vizitës së tyre, për projkte të përbashkëta, shkëmbim përvoje, vizita të ndërsjellta, por sidomos të vizitave dhe të lidhjeve mes nxënësve të të dy vendeve. Mendime që u pëlqyen nga drejtuesit e Bashkisë, pasi të gjtha veprimtaritë janë në interes të fëmijëve shqipëtarë që ndodhen në Suedi, që ata të mos harrojnë gjuhën, origjinën dhe të forcojnë lidhjet me shqipqrinë.
Një bisedë e zgjatur u zhvillua në DAR me drejtoren Znj. Mira Bllani, sepse siç dihet, kur mësuesit hyjnë në të fshehtat e zanatit, vështirë të dalin lehtë. U diskutua për integrimin e fëmijëve në Suedi, janë të ndryshme por ngjasojnë, pasi edhe ne ndeshemi me integrimin brenda vendit. U rrahën mednime për decentralizimin e shkollës, programet, për lidhjen shkollë – prindër, zgjedhjen e teksteve mësimorë, veprimtaritë jashtë orës së mësimit, puna me librin etj..etj.
Miqtë nga Suedia patën deshirë të njihen me një shkollë jo publike. Vizita në kolegjin “Turgut Ozal” në Durrës dhe biseda me drejtorin Z. Seser Erdogan kaloi mjaft mirë. Shkurtimisht u njohën me ecurinë e shkollës në dhjetë vitet e saj në Shqipëri, e cila ka qënë gjithënjë në rritje. Drejtori i njohu me kompleksin e ri modern që po ndërtohet e mbaron së shpejti, programin mësimor, gjuhët e huaja. Mes të tjerave vuri theksin në kujdesin që tregohet ndaj nxënësve shumë të mirë dhe talenteve, për të cilët investohet dhe nxiten të marrin pjesë në konkurse shkencore si brenda vendit por dhe në ato ndërkombëtare. Sukseset nuk kanë munguar, pasi janë të shumtë nxënsit e kolegjit që janë nderuar me çmime dhe vende nderi. Në kolegj vemendje i kushtohet veprimtarive educative jashtë procesit mësimor, sidomos në plotësimin e prirjeve dhe deshirave të nxënësve, duke marrë në shkollë specialist si, piktor, fotograf, muzikant, koreograf, etj…etj.
Meqënëse mësuesit suedezë në shkollën e tyre kishin dy klasa me nxënës me aftësi të kufizuar mendore dhe fizike, treguan interes të bëjnë një vizitë dhe të njhen me punën e shollës në Durrës që njihet me emrin PLM. Pyetjeve të shumta i’u përgjigj drejtoresha Znj. Arta Veizi, e cila i njohu me problematikën e shkollës dhe të fëmijëve, pengesat që hasen në punë, sidomos me mentalitetin e prindërve të cilët e pranojnë me shumë vështirësi gjendjen e fëmijëve të tyre.
Tek miqtë suedezë me të cilët u formuan shpejt lidhjet shoqërore dallojmë një veçori që na pëlqen e s’mund ta lemë pa e përmendur, pasi edhe na shërben: Serioziteti dhe kujdesi për t’i parë e prekur gjërat ashtu siç janë, deri në hollësi. Dëgjojnë me vëmendje. Për ata s’ka gjëra të dorës së dytë, edhe vogëlsirat janë të rendësishme.
Çdo takim, bisedë dhe veprimtari u shoqërua me këmbim dhuratash simbolike. Vërtet ishin të shumta, të larmishme dhe konsumuan shumë kohë, po sa shumë gjëra të përafërta dhe të dallueshme kemi ! Në këtë shkrim vumë vetëm pak nga të gjitha, pavarësisht se çdo veprimtari e meriton një shkrim më vete. E rendësishme është se përfituam të dy palët, si miqtë, por ca më shumë edhe ne.
Kjo vizitë do të mbahet mend për shumë kohë, pasi te të gjithë la mbresa të pashlyeshme. Urojmë që miqësia dhe bashkëpunimi mes të dy shkollave të vazhdojë gjatë, duke forcuar lidhjet mes mësuesëve dhe nxënësve.
Përgatiti
Kadri Tarelli
Durrës