| E diele, 24.10.2010, 07:57 PM |
RESHAT KRIPA
RINI E COPËTUAR
Kujtime
NË QYTETIN TIM
Të nesërmen dola që me mëngjes. Kisha dëshirë të shihja qytetin tim. Katër vitet e largimit prej tij më kishin ngjallur mallin për të. Vendosa të ngjitem në Qafën e Topit, një vend nga ku mund të vështroja të gjithë qytetin. Përveç kësaj ishte edhe afër shtëpisë. Kur mbërrita atje, u ula në rrëzë të një bunkieri të ndërtuar që në kohën e Luftës së Parë Botërore nga italianët. Dikur, atje ishte një top i madh. Nga ky shkak kishte marrë emrin Qafa e Topit. Prej andej në kohën tonë gjëmonte topi që lajmëronte çeljen e Iftarit në muajin e Ramazanit.
Pikërisht në këtë vend, gjyshi kishte një vresht model dhe një bahçe me pemë. Ishin edhe shumë rrënjë ullinj. Shpesh herë na merrte me kalë dhe na shpinte atje. Luanim gjithë ditën dhe në mbrëmja ktheheshim në shtëpi. Tashti ky truall ishte shtetëzuar dhe i përkiste fermës. Nuk kishte më as vreshtë dhe as pemë. Mua më dukej si shkretëtirë.
Isha ulur dhe po vështroja qytetin tim. Shihja me rradhë lagjet e tij, Varoshin dhe Vrenezin, Lirimin dhe Karabashin, Lagjen e Re dhe Tophananë, Muradien dhe Skelën, Kumen dhe Çolen. Uji i Ftohtë nuk dukej. E pengonte kodra e Kuzum Babait. Pastaj fillova të vështroj godinat karakteristike. Ja, Konsullata Italiane që tashti ishte kthyer në zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit. Përballë saj ndodhej godina e burgut. Një e dridhur më përshkoi trupin. Ajo godinë të ngjethte shpirtin. M’u kujtua im atë dhe motra që kishte qëndruar tri ditë në atë godinë. Më tutje ishte xhamia e Tabakëve dhe hotel Gambinua . Më pas shtëpia e Sharrës dhe xhamia e Plumbit. Prej aty deri në Skelë pothuajse nuk kishte fare ndërtesa. Matanë Skelës kaltëronte deti dhe pas tij ngriheshin Sazani dhe Karaburuni, dy simbolet e Vlorës.
Hodha vështrimin nga plazhi dhe vështrova vendin ku dikur ishte vila e jonë. Ndjeva një keqardhje të madhe. Nga një qendër që dikur ziente nga zhurma e zërave të pushuesve, tashti ishte shndëruar në një gërmadhë. Minat gjermane kishin lënë vetëm një grumbull gurësh që i merrnin herë pas here qytetarët aty rrotull për të ndërtuar shtëpi.
Po rrija i shtrirë në shpinë duke menduar:
- Sa poetë kanë shkruar për ty, o Vlora ime?
M’u kujtuan vargjet e Ali Asllanit që i kisha lexuar në një libër këndimi:
Dhe me re të bardha, mora edhe dhashë,
Po si Vlorën time, një qytet nuk pashë!
U ktheva në shtëpi në mbrëmje. Ishin alarmuar për mua dhe po më kërkonin gjithandej.
Pas disa ditësh fillova mësimet në shkollën numër dy, “Naim Frashëri“. Vazhdoja klasën e pestë fillore. Atëhere fillorja ishte me pesë klasë Në klasë kishim shumë shokë si poetin Duro Mustafaj, Ramadan Hoxhën, Xhevat Llupën, Ali Zankon, Rushit Rushitin, Muhamet Kasëmin, Qani Kojanin të cilit unë i thërrisja “Kushëri”, pasi njerëzit e tij ishin nga fisi i nënës time, apo vajzat Mynevere Skënderin, Zymbyle Hoxhën, Angjeliqi Labovitin, Liri Lulen, Haxhire Alimerkon, Nedjate Llupën e të tjerë. Kështu kalonin ditët njera pas tjetrës deri sa mbaroi viti shkollor.
Vitin tjetër filluam përsëri klasën e pestë, por kësaj rradhe të shkollës shtatëvjeçare, që u krijua atë vit. Ishin së bashku katër klasë fillore dhe tre unike.
Ndërkohë, im atë, kishte filluar punë si teknik vaji në fabrikën e tij. Ishte specialist për atë punë. Fatushja kishte mbaruar maturën dhe emëruar arsimtare në shkollën fillore numër katër. Ky ishte një fillim i mbarë për ne në Vlorë.
* * *
Nëntori i vitit 1947. Ora e leximit letrar. Mësues Kiçua hyri në klasë, bëri apelin dhe tha:
- Hapeni librin te pjesa “Për një shishe vaj“! Aty do të shihni shfrytëzimin e egër që i bënin borgjezët klasës punëtore që nuk kishte të hante bukë. Do të shihni egërsinë e sistemit kapitalist.
Ishte një tregim i Aleks Çaçit. Në të bëhej fjalë për një punëtor të varfër në një fabrikë vaji në qytetin e Vlorës. Një ditë ky punëtor, i shtyrë nga varfëria e madhe detyrohet të vjedhë një shishe vaj, por diktohet nga pronari i fabrikës dhe pushohet nga puna. Qoftë për koinçidencë, apo ndoshta qëllimisht, autori, pronarit i kishte vënë emrin e tim eti, Qazim. Im atë ishte i vetmi pronar fabrike vaji me këtë emër në Vlorë dhe ngjarja tingëllonte e vërtetë .
- Do filloni ta lexoni të gjithë me rradhë. - vazhdoi mësuesi.
E para filloi leximin Angjeliqia. Pastaj Aliu dhe kur erdhi rradha ime mësuesi e kapërceu dhe vazhdoi leximin te Rushiti, shoku që rrinte në bankën bri meje. Mendova se e bëri qëllimisht për të mos më fyer mua kur të lexoja tregimin ku përmendej im atë. Por nuk ishte kështu. Kur i erdhi rradha paragrafit ku përmendej emri i tim eti, për çudinë time mësuesi thirri emrin tim. Unë e vështrova i habitur. Një buzëqeshje ironike dhe keqdashëse ravijëzohej në buzët e tij. Klasa kishte rënë në heshtje. Ajo priste se ç’do të ndodhte. Unë mbylla librin. Mësuesi, kur pa që nuk po lexoja, tha me një zë të ashpër:
- Kripa, ju urdhërova të lexoni!
U ngrita në këmbë dhe me një zë të sigurtë i
thashë:
- Më falni, Zoti mësues, por atë pjesë nuk mund ta lexoj
- E përse?
- Sepse im atë nuk ka qënë i tillë. Autori gënjen. Babaj im nuk ka shfrytëzuar njeri dhe nuk ka pushuar asnjë punëtor.
Ai u nxi në fytyrë.
- Dil jashtë! - thirri me një zë të ashpër.
Dola dhe ika në shtëpi. Kisha dëshirë t’ia shprehja dikujt dufin që kisha nga brenda. Atje gjeta babanë. I tregova çfarë kishte ndodhur. Vura re se u prek së tepërmi. Nuk do ta harroj kurrë shprehjen e fytyrës së tij në ato çaste. Megjithatë e mbajti veten. Më përkëdheli flokët me ëmbëlsi dhe më tha:
- Rrofsh or bir, se e tregove fisnikërinë tënde! Mos u mërzit! Nesër do të vete për të biseduar me të.
Ajo dorë ishte balsam për mua. Çuditërisht, e
ndieja veten të lehtësuar.
Të nesërmen shkova në shkollë si zakonisht. Ishim rreshtuar për të hyrë në klasë, kur para çetës doli komandanti i saj. Ai mbante përpara një komunikatë, të cilën e lexoi:
- Për sjellje të dobët, në kundërshtim me
normat e moralit të ri të pionierve tanë, nxënësi Reshat Kripa përjashtohet nga Organizata e Pionierit për një afat të pacaktuar. I bëjmë thirrje të reflektojë dhe të bëjë autokritikë para shokëve të organizatës.
Në korridorin e katit përdhes ndodhej gazeta e murit. Atje botoheshin vazhdimisht shkrime, ku kritikoheshin ato që quheshin shfaqje të huaja në shkollë. Gazeta dilte dy herë në javë. Kur hymë në klasë, hodha vështrimin nga ajo dhe pashë se në mes të saj kishin pikturuar një karikaturë timen dhe poshtë saj një shkrim me titullin me gërma të mëdha: “POSHTË BORGJEZIA“.
Përsëri po më dilte para termi “borgjez“, ashtu si në Tiranë. Ai po më përndiqte këmba-këmbës. Një revoltë filloi të zhvillohej brënda meje. Nuk e ndjeja veten fajtor, ndaj nuk kisha kujt t’i kërkoja ndjesë. Le të dilte ku të dilte. Vendosa të marrë mbi vehte të gjitha pasojat që mund të vinin.
Kur shkova në shtëpi, ua tregova të gjitha. Babai shkoi dhe takoi drejtorin e shkollës, Dhimitër Lakuriqin. Ai e dëgjoi me vëmendje dhe i tha:
- Jo të gjitha gjërat janë në kompetencat e
mia. Megjithatë, mos u mërzit. Ke djalë të mirë. Unë mendoj se së shpejti ajo do të korigjohet.
Pas disa ditësh u bë mbledhja e Këshillit Pedagogjik. Mësues Kiçua propozoi të më thyenin një notë në sjellje. E kundërshtuan pjesa më e madhe e mësuesve. Midis tyre Xhevdet Kofina, Kostaq Baltadori, Remzi Shtylla, Tish Daija, Kalmina Gurakuqi si dhe drejtori. Kundërshtimi i tyre ishte vendimtar. Kështu që nuk mundi të realizonte atë që kishte ndër mend.
Megjithatë korigjimi u bë vetëm vitin tjetër.
Atë vit e mbylla me të gjitha pesa, me përjashtim të leximit dhe gjuhës që i kisha tre. Ishin të vetmet nota që prishnin bukurinë e asaj deftese.Në atë kohë ishte në fuqi sistemi me pesë nota. Mësues Kiçua e kishte plotësuar misionin e tij.
Në mbrëmje rrija dhe mendoja çfarë kishte
ndodhur. Doja të bëja diçka, të protestoja në heshtje. Më lindi ideja që të shkruaja një poezi kushtuar kësaj ngjarje. Nuk jam poet, por njeriu në atë moshë ka shumë ëndrra të tilla. Mora penën dhe krijova poezinë e mëposhtme:
BORGJEZ…!?
Pse ky term po më përndjek?
Jam i vogël, jam fëmi,
Kudo shkoj para e gjej,
Si demon prapa më rri.
E dëgjoj kudo në shkollë,
Dhe nga njerëzit në rrugë,
Më tmerron, fikson në kokë,
Një mendim që s’dua unë.
Pse s’e lini botën time,
Botën time shpirtërore,
Po e ndrydhni me fiksime,
Më prishni ëndrrat rinore?
Lermëni të ëndërroj,
Të këndoj si zog i lirë,
Jetën time ta ndërtoj,
Më të bukur, më të mirë
Porse termi më përndjek,
Që nga mbrëmja në mëngjes,
Dhe në gjumë më thërret,
Ti s’je yni, je borgjez…..!?
Kjo ishte poezia ime e parë.