| E diele, 24.10.2010, 02:54 PM |
Biblioteka
Poezia
Redaktor
Ali D. Jasiqi
Recensent
Halil Haxhosaj
Ballina
Litografia
Ndërmarrja shërbyese
“Jeta e re”
Prishtinë
2 0 1 0
LIMAN ZOGAJ
LOJA MBI GURË
- Poezi-
MBI FLATRA TË SHQIPONJËS
DJEPI
Gjyshi e ka gdhendur
Me briskun maje thyer
Me dorëzën prej bririt
Vetëm për t`na përkundur
Mes flatrave të shqiponjës
KULLA
Në oxhaku me zjarrin e pashuar
Nëna piqte bukë mbi prush
Zgjohuni, na thoshte se dielli ka lindë
E qengjat le të kullosin në fushë
LOJA
Një lojë e luanim të gjithë fëmijët
Dhe ishte më e bardha botë
Ag e terr në lojë
Me këngë e buzëqeshje plot
LUMI
Ura nuk i lidhte brigjet
Vetëm një lis i prerë mbi lumë
Herë mbytej Blerina
Herë mbytesha unë
PSE
Kur i preni malet
Ka me shumë vetëtima
Rrufetë të zënë në diell
Mbesim pa kulmin e blertë
Pse nuk i shembeni binarët e ndryshkur
Trepçës i shiten gjymtyrët
Në pikë dite shkrihet ari plumbi...
Në secilin horizont
Leukimia e dheut herr
Deri në palën e gërryer
Pse nuk u bini daulleve
Ta luajmë “Vallen e Rugovës”
Veshur me tirq e xhubleta të bardha
OFSHAMË
Goli Otoku
As ujdhesë
As det
As tokë
Aty
Shkretëtira dhe ferri
Zinxhirët
Nëpër gjymtyrët eshtra
Plagë në trupat-shkëmb
Mbytur në gjakun e zogjve të dritës
Shungulluar nga ulërima
E lakenjve me zgjebe
Edhe lulet e kujtimeve
Digjeshin në fotosintezën e parë
Aty në varrin e zi ferr
Në Goli Otokun varre
Dhe ti o i mjeri
O i ziu Burrel
Pse edhe ti varre
Pse edhe ti ferr?
MIOPET NËPËR DRITË
Buzë kënetave
Do varre
Në urnat prej metali
Zogj me flatra të prera
Në klinikën pa kulm
Ku operohet nën diell
Kadareja e solli Lindën B
Me dhimbje në zemër
Me shikim thyer errësirës
Autorin e deh ofshama
Një aktor për Luftën e Trojës
Luan të shtatë Liqenet e Lurës
Dhe shtegun e dritës s’e gjen
Sa e gjatë kukama
Derisa edhe unë pëlcita
Bashkë me ofshamën
NJË JETË
Me shpirtin nëpër dhëmbë
As i gjallë as i vdekur
Engjëll me biografi
Të djegur në ballë
Fëmija bonjak dridhet
Përtyp bukë misri
Tharë e rritur dimrave
Furtunave të zeza
Nuk është pak
Një jetë
Me shpirt nëpër dhëmbë
Duke e pritur dritën
MALET
Degët e lakuara gjer në dhe
Do lule nën borë
Dhe një zog të ngrirë
E mora në dorë
Sa vite të egra
Malet kurrë s`janë herrë
Dimrave nuk u thanë
Bleruan në pranverë
Fola dhe me lisat
E lartë gjer në qiell
Po ta kisha unë këtë shtat
Kisha folur me diell
E DI
Lëkurën e daulles
E bëra fitil-fitil
Dhe e harrova
Melodinë e valles
Varrmihësi i engjëjve
Ma kërkonte ditën e varrimit
E puthte tehun e kazmës
Dhe lutej për vdekje të reja
Në ugarin e parë
Është thyer urëza
Kuajt pa fre lodrojnë
Troku çohet peshë
Malësori me motosharrën “Still”
I sakaton malet e brinjave
Ka harruar
Se e herr blerimin
SI NË ËNDËRR
U tremba
Kur ta pashë lotin në qepallë
Edhe unë qava
Si në ëndërr
Në natën e dytë
Humbe si ylberi nga gurrat
Sa gjatë e prita
Kthimin e pafund
Do lakuriqë
E copëtonin terrin e natës
Në shtratin tim
Vriste heshtja dhe malli
Nuk ka ikje më të largët
Se deri në harrim
Edhe nëpër magmën e vullkaneve
Ka dallgë që ngrijnë
LOTËT
Kush ma e vodhi foshnjën
Oh e zeza unë
Loti m’u beftë gur
E britma furtunë
Për trimin thotë dhe populli
“Të merr gjak në vetull”
E jo foshnjën e kësaj nëne
Me çarçaf nën sqetull
Pas pesëdhjetë viteve kthehet lumi
Foshnja s’kthehet burrë
Te Motra lotshterur
Te Nëna zemërgur