Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Paja: Cikël poetik "Krahë ere"

| E diele, 24.10.2010, 01:22 PM |


Ilir Paja

 

 Cikël poetik "Krahë ere"

 

 

.Cigare thinjëdredhur

 

Bleu paketë cigaresh im atë

Në një nga mbrëmjet e tij, në darkë.

Cigarja në tavëll rënkoi pa

dhimbje si insekt,

cigare thinjëdredhur ke prush

zbardhur, flaka ruan ngjyrën

për gjakun, e kuqja në trup

agon thinjat para diellit.

 

31. Atë, bir, atë

 

Erdhe me lindjen.

Im atë shkëmbi.

Vala... jam.

E njoh tim atë,

dallgë ëndërruese.

Tani, unë guri lodhem me

gulshe dallgësh.

Qielli mbi supe,

shtrati që nëna ribënte.

Ati im, ndjek hënat përhershëm.

Unë yjet shpëtoj në përrallë.

Jam at’, lindur bir at’.

 

32. Kur shtyhen gjethet

 

Fëshfërijnë në thjeshtësi kujesh – gjethet.

Të rënat, mortet pa kurorën lot.

Era anije qiejsh diku fundoset.

Njeriu ndien trupin që kërkon

klithmën tjetër njeri

për ndihmë.

Shtyhen gjethet.

Rrugina, kthesa, bordura ere,

këta nëpunës me mëditje

s’ndiejnë mort gjetherënash.

Janë përtypje posterësh në pushtet,

a premtim i vdekur pa lindur?

Kërkojnë lejekalimin për në shpirt.

shtjellat e tyre të papesha.

Shajni ku lajmet ndehen në degë zogjsh.

Shtyhen gjethet.

Ç’donjëra pëllëmbë e degës me ëndrrën vozit

të takojë erë të pëllëmbta.

Cila do ta shohë sy më sy tjetrën

erë gjethja, gjethja e ertë?

Ku janë trupat e tyre tani

në këtë verbëri?

 

33.  Ecje mbi det

 

Shkriftohen valët me erë,

zëra horizonti.

Paqja kridhet me kthimin.

Bregu ndritet prej fatbardhësisë

së valëve..

Gurgullimë përqafimesh ndjesohet

nënvalë.

Reja-lajmi i bujshëm;

Thashethemnohet për çdo

litar shiu.

Jodi kripos mushkëritë,

të ruajë freskët puthjen

për qiellin.

 

34.   Etyd

 

Kjo buancë deti ngre në fluturim

pulëbardhat, anije fëmijësh.

Kjo erë deti, vela etërish,

horizonti, ky soditës në

kujtesë.

 

35.   Qielli në ditëlindje

 

Mbrëmja, tortë me qirinj yjesh.

Qielli ka ditëlindjen.

Jemi të gjithë,

gjithnajë njerëzish, kometash.

Fryjmë tortën me mushkëri zotash,

Ushtri erërash.

S’kuptojmë sa qirinj shuam

Qielli nuk rrëfen moshë...

Veç Hëna ra, një gishtlëpirje torte.

Yjet në ikje feksën gjumjen.

 

 

36.  Cohë qielli

 

Vajza pyet për ngjyrat.

Meditoj, fjalët ta përkëdhelin

Në cicërimë vargjesh.

Përbindëshi më i bukur thellësish

Qiej tokash, metafora.

Cohë e qielltë.

Uroj mos t’përhumbë vetëdijen

Në lavatriçe, kur gruaja

dremiti me telenovelën.

E shamitë cohë qielli,

Ka yllin e vet.

 

E dhurova brenda kafazit

Zog.

Shpendthi këndon sa unë,

ikanak nisem te vajza ime.

Ngjyros dhe unë pemën 30-vjeçare.

Lis, pishë, bredh.

Pylli i cohës prej qielli

Nuk kryqëzon me zjarr dheu veten.

 

37. I fundmi në qiell

 

Retë u rrahën nga era në qiell bosh.

Hëna vetpërtypi gjysmën e saj

krimbur me errësirë.

Koha plaçkë lufte e pambarimtë.

Zogjtë topuzë që me cicërimat

zgjatojnë teh shpatash.

Era oshëtin për shkëndijën

vetëtitëse, qiellin të shohë

Kalë me patkua resh.

Pemnaja u var laknyjelidhur

që me kërcinjtë.

I fundmi Krijuesi,

Pa vraga plagësh.

 

38.Kutia e zezë e qiellit

 

Në fluturim avionët dalin

nga zgavra horizontesh.

Motorët bluajnë qiell,

gatuajnë bukë resh.

Ajri është i lirë.

Zogjtë në garë me uturimë

Dhimbje mitesh.

Mitet tromaksen prej lartqiejve.

Sqep i avionit u thye

në fluturime padukjesh.

Qielli, hershëm dritarekrisur.

Muzgu mbështolli ditën në kuti

Pas harrimit për trupin metalik.

Thasët e najlonit i frymë tullumbace

të mbledhim cifla nga kuti e zezë

e hapësirës.

Vijat e bardha të pistës

marrim sërish fluturimeve.

I shtrijmë në qilima fluturues,

për paqe me qiellin.

 

39.   Krijomë

 

Jo prej fillit të fillimeve

në dritë, kordonin e kërthizës

sodisja mes gishtërinjve

të tim eti.

Tani më shfaqet në ylber

të së mbrames jetë.

Pret...

Krijomë! Fashë petale lulesh

dhe qendisur me vesë, xixëllonja pranvere.

Të mjekoj dëborën e kuqe

nga plagët e drerit.

Në krijimin e të gjitha krijimeve.

Hapësira, pallto e Krijuesit.

Unë – kopsë.

Heshtje trokitjesh falja.

Dy vrima kopse, ku gjilpëra

Tejshkohet lot moti.

Peri, damarë gjaku prej gërvimës së muzgut.

 

40.        Krahë ere

 

Era ka krahë pëllumbi

natyrën mbars në dhembje

gazdëshira nënë.

Kur vramendet nën tinguj

të vet,

kapitet në qeti motesh.

herë qerthullohet nën

bashkëtingëllore e rrathët hon

veshi ta veshë.

Era

Vrulltas si spirancë.

Grushtin thyen mes rrënjë pemësh.

Era dhe ecja ime vrinkthi,

Renë dhuron shalë,

krahët vozitin të erta,

por sytë shtegtojnë të parët.

Horizonti ylbere ngjyrimesh loti.

Era – veç puthja mallshtrënguar

Dashurojmë ne...!

E qielltë kjo orkestër harqesh shpirti.

Dashuri ere, fluturimthi

Dëshirojmë veç përqafime, puthje

ngjyer me pluhur resh.

 

41. Mjegulli

 

Në hi zjarresh  nëntoke,

gjethet  fshehtësisht  ëndërrojnë

magjinë  e  të  kthyerit  zogj.

Net-ditët  puthen  pa  mburrur  gjininë.

Era  humbet  rrugëtimet  e  vetvetes nën

Këtë  mjegulli.

Nëna  rend  pas  fëmijës  si  qielli  pas  stinës.

Mjegulli...

Tunel  ku  frikemi  në  çdo  shembje 

Erëra  gjethesh,

çukitje  zogjsh,

puthje  ere  qiejsh.

Terri kërkon  ndjesë.

Në mjegulli gjithnajat janë

jetimshëm  qiej  pa  gjini,

nënë  -  baba  çfarë  është?

Qiejt  modernë  ngjyejnë  retë

me  thonj.

Mjegulla, natë  verbuar  nën ditën.

E  ruaj  ortekun  e  radhës,

kur  rrugnaja  mendim  -  shtëpi  s’është

vetmi  me  mua  mallin.

 

 42.  Mbrëmja

 

E  burrtë  sonte  nata.

Hëna  vendosi  të  kositë  yjet,

Ky  drapër  që  pret  skuqjen  qiellore.

Qielli  gjithhershëm  mbjellë.

Yjet ortekë  të prushtë…

Hënës  trimëria  iu  flashk

Muskuj  Donkishotë…

Një  yll  u  këput,

drapri  u  harkua  edhe  më.

Veç  mbrëmjes  i  preu  rrënjë  të  thara.

Çdo  yll  kupton  se  Hëna  është

qiell  skalitur  mermerësh…

 

 43. Dhembja

 

Rrëkëllen pikëllimin e  drurit.

Sëpata  që  e  preu  farkëtoi  krahun

Në  kovaçanë.

Zemër  e  patruptë  pulson  angshtëm 

Si  era  pa  erën  qytetërim.

Dhembja  i  dhurohet  krahut  tjetër

të  fluturimit.

 

_______

 

Ilir Paja

 

Cikël poetik "Vjeshte e ve"

 

14.  Vjeshtë e ve

 

Vjeshtën i dashuri vetmoi,

atëherë kur duhej... s’duhej me erën.

Gjethet verdhur eshtake nisën puthjen me shiun.

I dashuri mendoi: veç erën – këtë dhuratë njohjeje

Me sendet e tjera s’do t’ia marr!

 

Vjeshta e ve shkapet gjithë dyert e erës njëherësh.

Gjithnjerzinë dyherësh.

Gjithnajat përdita të vetmen here.

 

Nata vetevjen pa stinët

Në prag zhgjëndrrash ka një vjeshtë të ve.

Muzgun e ngriti për jastëk,

Vjeshta degët të djegë për floknajë.

Veç hiri natës u ngrit në eter,

Vjeshta u ngjye me hire t’pagjëkundta,

Natyra s’ka varre,

Vjesht’ e ve dhe një mall tjetër

Vetmuar, heshtja e kudondodhur

Një puthje – dhe i bukur.

 

 

15.    Ag vjeshte

 

Qiellit ia pamë muskujt në kryqëzim.

Vjeshta kacavirret nëpër litarë shiu,

Këta qerpikë lotuar, qielli i mbrujtur

me mall lartësish.

Vjeshta – kjo vashë gjethnajash e jonesh

 

Ne prekim veç pëllëmbët e gjetheve,

janë miqësi të xhelozta...

Era nuk zbret e para në ag dite

Pa u puthur njëherësh

Gjetheve në degë vjeshtash.

 

16.   Faji i Hënës

 

U përvodh këtë mbrëmje

brenda qepallës ngrënë

Me syrin fshehur…

Mes floknajës ku nata

Duar ka rrugina Hëne

Enë gjaku ëndrrën pa frikë

E zënë në faj pret vetëpërtypjen

Angështuar agut.

Të plagoset para Diellit.

Netëve gjahtarët e nuhatin

Plagën e gjahut të cofur

Heshtja natë e hënës – ëndërr fjetur.

 

 

17.   Natë terrinë

 

Tis i mugët, retë eren për

fole me frymëmarrje balonash,

bonjakë zogjtë,

atdheu, i vetmi fluturim..

Qielli, hershëm, gjithshëm

dritarethyer.

Ftohem, u ngjirrem cicërimtha

shpendarakëve

kërcimtar si fluturimi?

Ç’mure shirash ngre vjeshta!

Era, hamallshëm s’shpinon

deri në fund të shtegtimit

orenditë vjeshtore.

Veç malli hedh mbi shpinë

të syve – qepallat, këto dy

tise muzgargjend.

Horizonti djersin hapësirë dhomash.

Prej saj njeriu hijeshon hijen

vetmi e paprindër.

Ç’mure vjeshtë e erët!

Njeriu jetëson të tashmen,

jetën etyd të pangjyrët.

Shkimet i pakohë mëngjesi.

E nesërmja, tërheq zharg

Një djep bosh

shpresash të palindura.

 

 

18.       Avionët

 

Të bardhë, në garë me kraharorë mitesh.

Truposur nga enjtja e ankthit lartfluturues

Të gjatë, të jenë maja malit qiej.

Të vetmishëm në pistë,

barkuar nën ngrënie të shtunave.

Njerëzit paketojnë fundjavën,

me dhuratën ikje – palëvizshmëri.

Po njerëzimi avionët shtegton të shtunave

Veç këtë ditë pasagjerët atje lart

të nesërmen horizont urban ndjekin në kërkim.

Gjatuar, bardhor, qepallfjetur.

Kur gjumi ulje u prishet.

Njerëzit në bark s’mendojnë se

në sedilje janë ende pa u zgjuar

hojet e mushkërisë së tij.

Dhe perdet qepalla ngrihen vetë

kur mëngjesi, netët ngjiten shkallëve pasagjerë

(Të vetmit janë, kuptojnë, frymëmarrjen

e tij – ky horizont i metaltë

veç sërish njeriu “fshihet” në bark të tij)

Atje, jashtuar n’shi,

mite kapur nga përgjuesit radar – këta

gojë qiejsh.

Nën shi, jashtë atje, kulla vrojtimit.

Promete kohor, zjarret ka mbjellë

në dy etërit e tij, tokë e dritët.

Kush u mban mëri miteve!

Avionë – rrëpira, a tatëpjeta qiejsh?

Uturimshëm krahët ajrit i vënë flakën.

Horizonti – pasagjer në këmbë.

Kurrë, as avionë, perëndi,

legjione zogjsh s’pret ta marrë.

Qielli – garderobë ku vetë

avionët fshihen në xhepa

jete, përtej jete.

Horizonti – përjetësi, pret kthimin

i mjaftojnë çorapet e reve

të mos i duket e përtejmja

lëpirës kohe…

Avionë, rrëqetheni zbritjeve

sikur reja do takojë

atin e dherët.

 

Por avionët klithin mallëngjyeshëm

vdekja në qiell shndrit zgjuar,

njeriu s’ka veten vetmi.

Avionët, sqetull derë nën krah

kyçen frymshëm.

Qeti, fshehtësi e lajmët ngjitja tyre.

Dhe pse asnjë prej tyre s’ka

turirin dredharak kalë i Trojës.

Janë qepalla qiejsh.

Stjuardesat sfilatë ku era

lë trupin zbuluar.

Pasagjerët luzma shikimesh të paturp

Bëhen zotër të frikës…

 

 

19.     Kafe me “dyer të mbyllura”

 

Kafe mëngjesi s’mund të jetë

shtryllur ekspres dielli nëpër qiej.

Kafe në këpucë pa lidhëset

as çorapet (modë në të zeza)

s’mund të djersinë mbi tokën e vestë.

Kafe – reja, shiu,

ajri i surb të dyja njëherësh

a reja mes vetes dhe shiut

surb ajër smog?

Dy miq në tavolinë...

Kafeja më parë, pastaj atdheu

uji është falas.

Njeriu në filxhanin tjetër,

ardhur zhveshur pa tabletat e sheqerta.