Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Mustafaj: Një hero për kohën tonë

| E diele, 24.10.2010, 07:59 PM |


Një hero për kohën tonë

 

Nga Besnik Mustafaj*

 

Më datën 8 të këtij muaji, në qendër të Shkodrës, në rrugën këmbësore që shkodranët e quajnë me krenari "Piaca" , në mes të ditës, saktësisht në orën 13.30, u vra një burrë rreth 30 vjeç, një baba, një shqiptar-shërbëtor i Zotit, emri i të cilit ishte Dritan Prroji. Unë nuk kam pasur fatin ta njoh. Dhe nga jeta e tij e shkurtër di kryesisht vetëm rrethanat në të cilat ai u masakrua dhe këto të mësuara nga shtypi. Di edhe që ishte pjesëtar i "Vëllazërisë Ungjillore...

... të Shqipërisë", pastor në kishën "Fjala e Krishtit" në qytetin e vet, një zgjedhje që ai sigurisht e ka bërë vetë dhe që tregon mjaftueshëm për natyrën e tij të mirë, thënë më qartë, për dashurinë e tij për njerëzit. Ai ishte krejt i pafajshëm. Por jeta e tij nuk u këput në mes në moshën më të bukur nga një aksident. Kjo e bën dhembjen tonë për të dhe humbjen e tij për ne edhe më të rëndë. Vrasësi është një djalosh 21 vjeç. Nuk e meriton të përmendet emri i tij në këtë homazh për Dritan Prrojin. Por një gjë duhet thënë: ai ka kryer një vepër barbare. Vrasësi është në burg tashmë dhe me siguri do ta kalbë aty gjithë rininë e tij e ndoshta edhe moshën e burrit. Mjerë shpirti i tij për vuajtjen që pret!

Dritan Prroji sigurisht që e ka ditur gjëmën që kishte shkaktuar pesë vjet më parë xhaxhai i tij në familjen e vrasësit. Familja e tij vinte nga Dukagjini dhe ai doemos që e ka njohur Kanunin. Por Dritan Prroji ka gjykuar siç i takonte të gjykonte një qytetari të viteve 2000, një shqiptari të ndershëm, një njeriu të Zotit: ai nuk është ngujuar. Ngujimi do e bënte Dritan Prrojin pjesë të një faji ku nuk kishte gisht. Ai ka vazhduar të bëjë jetën e vet për të ndihmuar familjen e vet, bashkëqytetarët e vet, besimtarët e kishës ku shërbente. Dritan Prroji me vetëdije nuk ka pranuar kështu të jetë në një mendje me vrasësin e vet, nuk ka pranuar të bëjë lojën e tij të mbrapshtë. Përkundrazi. Lum shpirti i tij për kujtimin që ka lënë!

Ajo  që ka bërë Dritan Prroji, duke refuzuar të ngujohet, është një trimëri e adhurueshme. Ai e pagoi tejet shtrenjtë, është e vërtetë. Por kjo nuk është një arsye të mendohet sot me pendesë se ai duhej të ruhej. Pse duhej të ruhej kur nuk ishte fajtor? Dhe nga kush duhej të ruhej në fund të fundit, kur nuk i kishte bërë të keqe askujt? Ma merr mendja se ai ruhej nga vetja, po, me siguri që ruhej nga vetja për të mos humbur rrugën e drejtësisë. Një gjë është e qartë si drita e diellit: nga barbaria e këtij lloji nuk shpëton duke u fshehur. Deri në çastin e fundit të jetës, kur madje ka ndaluar t'i tregojë emrin vrasësit të vet, Dritan Prroji ka dëshmuar se ka qenë një njeri me ndërgjegje të qetë. Njerëz të tillë, që kanë guxim të mos pajtohen me të keqen, i nevojiten qytetërimit tonë po aq sa ajri. Në këtë kuptim dhe ky është një kuptim madhështor, Dritan Prroji është një hero për kohën tonë. Ne, të gjithë bashkatdhetarët e tij, duhet t'i kthejmë sytë për një çast me përulje të thellë drejt këtij heroi. Kush tha se ka ikur koha e heronjve?

Ungjillorët e Shqipërisë i dhanë përcjelljes së Dritan Prrojit kuptimin që ajo ngjarje meritonte. Dhe siç do e dëshironte, jam i sigurt tashmë, edhe vetë i ndjeri. Ata e përshkuan në heshtje, plot dinjitet qendrën e qytetit, duke mbajtur në duar pankarta me thirrje. I drejtoheshin ndërgjegjes së shoqërisë tonë po aq sa edhe shtetit, ligjit, por edhe krerëve të komuniteteve fetare për t'u bashkuar të gjithë, secili me peshën e fjalës e të veprës së vet, në emër të nevojës për t'i dhënë fund gjakmarrjes, kësaj "fatkeqësie kombëtare", siç e quajti Fitor Muça, president i "Vëllazërisë Ungjillore". Zia për heronjtë trondit thellë, që do të thotë se edhe zgjon energji të mëdha pozitive.

Ndërmjet atyre që u bashkuan me këtë thirrje ishin edhe të afërmit e Dritan Prrojit. Dhe ky është një fakt veçanërisht i rëndësishëm. Domethënia e shembullit të tij do të ishte e mangët pa praninë e tyre në këtë ngjarje ku bashkohen në një politika si vepër e qytetarëve, morali si bindje e besimtarëve dhe kultura si sjellje e njerëzve që e duan jetën, për t'i shërbyer një qëllimi të përbashkët: rendit dhe paqes sociale. Besoj se praninë e të afërmve të të ndjerit në atë përcjellje e kanë kuptuar edhe të afërmit e vrasësit, ashtu siç e kuptova unë në Tiranë, si një shpallje se midis tyre dhe familjes Prroji nuk do të ketë më hakmarrje. Ky zinxhir ogurzi këputet këtu. Lavdi atyre që këputin zinxhirë të tillë!

Duke besuar me gjithë zemër dhe mendje në këto fjalë që po them, e ndjej për detyrë ta sqaroj mirë mendimin tim. Mos e dhëntë Zoti që ndokush të gabojë e t'i kërkojë familjes Prroji ta falë vrasësin. Familja Prroji nuk ka të drejtë as ta falë e as ta ndëshkojë. Ajo ka tagër vetëm ta besojë vrasësin në duart e drejtësisë, në duart e ligjit, i cili, uroj fort që të tregohet në këtë rast shumë i ashpër. Nuk ndjej me zemër në dorë asnjë dhembshuri për rininë e humbur të vrasësit, siç nuk ndjej dhembshuri për torturën e pafund shpirtërore që do të kalojnë sot e në të ardhmen prindërit e familjarët e tij. Jam i bindur se ai djalosh 21-vjeçar nuk do e bënte gjëmën që bëri po të mos e kishte cytur fort edhe rrethi i tij i ngushtë familjar. Tani është vonë për t'i pyetur ata nëse e kanë dashur vërtet birin e tyre tek e yshtnin të mbushte armën. Para pak vjetësh mbetën pa një djalë, dhe asohere ishin për t'u ngushëlluar, tani mbetën pa dy. Zoti u dhëntë fuqi ta kuptojnë sa faj të madh kanë bërë ndaj vetes dhe ndaj familjes Prroji!

 

*President i Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve

Kontakt: besnik@afalc.org

Panorama - Për ZSH: Gjergj Kabashi