| E enjte, 20.12.2007, 06:52 PM |
EKSKLUZIVE/ Flet për gazetën “Albania” kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime
Petrika GROSI
Festiviali Folklorik i Gjirokastrës nuk ka pse të lidhet me 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, kur fare mirë kjo lidhje mund t’i bëhet me përvjetorin e Kadaresë apo të Çabejt. Kështu shprehet numri një i Bashkisë së qytetit të gurtë, Flamur Bime, në intervistën ekskluzive dhënë për gazetën “Albania”. Sipas kryebashkiakut Bime, heqja e festivalit do të ishte një dëm i pallogaritshëm për qytetin, jetën e tij, biznesin e deri te humbja e seriozitetit në marrëdhëniet me homologët e huaj. “Askush nuk do ta kuptonte prishjen e një tradite tashmë të shenjuar në të gjitha kalendaret e homologëve tanë dhe UNESCO-s, sidomos kur bëhet fjalë për shkaqe të tilla. Bashkia, por edhe qeveria, do të humbiste shumë pikë nga serioziteti” – shprehet Bime. Biseda vijon më tej të prekë problematikën e qytetit muze, ndërtimet pa leje, planet për infrastrukturën si dhe investimet që po bëhen në Gjirokastër nga bashkia, qeveria dhe ndërkombëtarët. Në këtë aspekt, Bime pohon se ministri i Arsimit, Genc Pollo, e ka injoruar në mënyrë të pafalshme Gjirokastrën për vitin 2007, duke mos futur qoftë edhe një karrige apo bankë të vetme të re nëpër shkolla. E jo vetëm kaq, sipas Bimes, Pollo shkon edhe kundër atyre që qeveria ‘Berisha’ ka shpallur si prioritete, siç janë futja e internetit, bibliotekave, etj. Për më tepër detaje mbi këto dhe shumë të tjera Bime është shprehur më gjerësisht në intervistën e mëposhtme.
Teksa jemi në mbyllje të 2007-s, a mund të na njihni me investimet e bëra në Gjirokastër gjatë këtij viti?
Janë 720 mijë dollarë nga Bashkia e Gjirokastrës që vazhdojnë të derdhen për infrastrukturën. Me gjysmat e këtij fondi do të rikonstruktohet pjesa historike e muzeale e qytetit, muret mbrojtëse të kalasë, rrugët e brendshme në Dunavat I dhe II. Këtu përfshihen dhe tre projekte të tjera në lagjen “Palorto”, një rrugë turistike në Kërcullë, si dhe rruga e lagjes “Partizani” në zonën e skajshme. Gjithashtu, po merremi me krijimin e Unazës për të mbrojtur pazarin në mënyrë që ta bëjmë të vizitueshëm nga turistët dhe gjatë ditës brenda tij të mos ketë qarkullim të automjeteve. Unaza lidh lagjet e reja me Palortonë, Manalatin e Dunavatin. Gjysma tjetër e fondit që thamë do të investohet në pjesën e re të qytetit. Ne kemi edhe dy projekte madhore siç janë: 1) Tregu i fruta-perimeve me shumicë, që vjen si investim i Bankës Botërore (600 mijë dollarë), ku bashkia ka investuar 60 mijë dollarë dhe 2) Qendra sociale për njerëzit me sëmundje të rënda, e cila kushton 200 mijë dollarë. Me një fond prej 70 mijë dollarësh do të bëjmë restaurimin e një çerdheje që nga pllakat, lyerja, suvatimet, pagat, personeli, pajisjet e ndryshme në bashkëpunim edhe me Onkologjikun, etj. Kjo çerdhe nuk shikon restaurim që në vitin 1985. Pa u zgjatur shumë dua të përmend dy investime të tjera të rëndësishme që u gëzohemi, siç janë 6 hektarë park te kalaja. Aty po duket investimi i katër viteve me pemët dhe bimët dekorative që janë rritur. Kjo zonë mendohet të shndërrohet në park për turistët dhe banorët e qytetit. Është dhe parku mbi Palorto në Kërcullë, (23 hektarë) ku janë mbjellë 1500 qiparisë, gorica, pisha, arra, etj. Kemi një projekt dhe me PNUD-in për infrastrukturën turistike dhe ndriçimin e pazarit. Më tej vijnë bashkëpunimet me Bashkinë e Galantinës në Itali, me të cilën do të bëjmë studimin e ofertës turistike e historike jo vetëm për qytetin, por edhe për rrethinat. Mbi bazën e këtij studimi do të vendosen më vonë strategjitë e bashkisë për të ardhmen. Me një bashki tjetër në Itali, siç është ajo e Grotemaras, kemi projektin transizmik që kushton 555 mijë euro dhe financohet nga BE. Së fundi, për herë të parë do të bëjmë ndriçimin e pjesës së brendshme të kalasë me panele diellore, projekt që kushton 90 mijë euro.
Kur mendohet që të mbyllen të gjitha këto projekte që thatë?
Projekti i ofertës turistike është drejt mbylljes, ndërsa projekti transizmik sapo ka filluar. Për të tjerat pjesa më e madhe mbyllet gjatë këtij viti dhe 2008-s.
Nuk mund të rri pa ju pyetur për diskutimin e heqjes së Festivalit Folklorik nga Gjirokastra. Cili është qëndrimi juaj?
Ka një statut që është miratuar me kohë dhe që vendos se festivali do të zhvillohet një herë në katër vjet në Gjirokastër. Deri në këtë moment statuti nuk ka ndonjë ndryshim. Nëse ky festival nuk bëhet më në Gjirokastër, i heq qytetit tonë një mundësi të madhe. Ai nuk është një festival i thjeshtë kombëtar, por ka përmasa mbarëkombëtare e shërben edhe si një promocion nëpër botë. Festivali i paraprin dhe disa investimeve të mëdha që pritet të bëhen në Gjirokastër. Është një mbështetje për biznesin e, mbi të gjitha, një spot në mediat europiane e më gjerë. Duke qenë një traditë, është ushqyer ndaj njerëzve një sensibilitet e po kështu ndaj studiuesve, agjencive turistike, etj. Do të ishte mungesë serioziteti prishja e kësaj tradite dhe një gjë e tillë nuk shkon për shtat as me prioritetet e qeverisë. Të mos harrojmë që tashmë jemi në UNESCO dhe kemi disa detyrime. Qytete shumë më të vogla se ne dhe me më pak vlera e ndjekin këtë praktikë. Nuk kemi pse ta lidhim festivalin me 100-vjetorin e Enver Hoxhës, se çdo vit ai do të ketë një përvjetor. Le ta lidhim festivalin me përvjetoret e Kadaresë apo me prof. Çabejn.
Përveç humbjes së seriozitetit dhe zbehjes së vlerave të Gjirokastrës, heqja e festivalit nga ne nuk ka ndonjë vlerë tjetër. Ministri i Kulturës, si djalë gjirokastrit që është, i bën një nder vetes dhe qytetit nëse e kupton këtë gjë. Nuk do të ishte mirë që ne të kishim probleme me partnerët tanë dhe të humbim seriozitetin si bashki e si qeveri për një kapriçio të tillë. Askush nga të huajt nuk do ta kuptonte dhe nuk do ta justifikonte diçka të tillë. Gjirokastra aktualisht është anëtare e rrjetit të Bashkëpunimit Ballkanik të 30 bashkive më të mëdha në tetë shtetet e gadishullit. Homologët e kanë fiksuar festivalin në axhendat e kalendarët e tyre. Ato shtatë ditë janë të arta dhe për biznesin vendas që mezi i pret. Festivali është veprimtaria më kulmore për qytetin. Së fundi, me statut ministri Pango është kryetar i tij, ndërsa unë nënkryetar. Ajo që të gjithë presin është që ne të ulemi e të bisedojmë për të nisur përgatitjet e festivalit.
Një debat të madh ka pasur edhe për ndërtimin e universitetit në zonën muzeale. Në ç’fazë jeni aktualisht me këtë projekt?
Kam marrë garanci nga vetë kryeministri Berisha se universiteti do të ndërtohet në pjesën muzeale. Alfa e të gjithave është rijetëzimi, sidomos kur flasim për zonën muzeale të qytetit. Gjirokastra ka problem shtëpitë pa frymë, pa njerëz, pa shpirt. Ato shtëpi duhet që të ishin kthyer në muze, dyqane dhe pritëse të turistëve në katet e sipërme. Kush bën këto e fiton Gjirokastrën. Ndaj, universiteti në këtë zonë do të kthejë jetën.
Nuk po bëjmë shpikje. Këtë problem kështu e kanë zgjidhur edhe qytete të tjera të ngjashme me ne.
Si paraqitet gjendja me ndërtimet pa leje?
Gjirokastra ka një deformim, një masakër urbane. E kam fjalën për sipërfaqet e gjelbërta dhe ndërtimet pa leje. Janë 180 të tilla që do të prishen të gjitha. Aksioni që ne kemi filluar do të pasohet edhe me ndërhyrjen e UNESCO-s, por të gjitha këto do të vijnë gradualisht. Ndërkaq, pjesa e re e qytetit ka 320 ndërtime pa leje. Te pjesa e re do të gjejë aplikim ligji i legalizimeve dhe gjithçka që do të pengojë infrastrukturën nuk ka për t’u legalizuar. Rreth 30 ndërtime pa leje i kemi prishur pa hasur rezistencë dhe 8 të tjera me leje i kemi shpronësuar. Më pozitivja në këtë aspekt mbetet ndërgjegjësimi i banorëve. Nëse do të mburremi, duhet të mburremi me ndaljen e së keqes. Po mendojmë dhe për mushkëritë e qytetit, parqet që i nevojiten banorëve të Gjirokastrës dhe që nuk janë të zëna. Pas marrjes së Inspektoratit të Ndërtimit, kemi vështirësi me koston. Duhen njerëz e mjete që të tregojmë dhëmbët kur është e nevojshme.
Shtëpitë muze kanë qenë gjithmonë problematike. Çfarë jeni duke bërë në këtë drejtim?
Kryeministri Berisha ka rënë dakord që MTKRS-ja të punojë për të ndryshuar ligjin e trashëgimisë. Pronarët e banesave të vjetra duhet të jenë më të përgjegjshëm për shtëpitë e tyre e të mos i lënë që të shkatërrohen. Parashikohet edhe lehtësimi i rikonstruksioneve, lejet të jepen nga bashkia e qytetit ose nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve. Duke qenë se pushteti vendor është më pranë gjendjes dhe problemeve të këtushme, mund të na jepen më shumë kompetenca për të ndërhyrë në raste specifike.
Cili është fondi që Gjirokastra duhet të marrë nga buxheti për vitin e ardhshëm?
Granti duhet të vijë në proporcion me popullsinë. Sipas kësaj llogarie, Gjirokastra merr mesatarisht gjysmën e qyteteve të tjera. Nëse do të niseshim nga ndarja e grantit në proporcion me sipërfaqen, sërish jemi të diskriminuar pasi marrim vetëm 1/4 e asaj që na takon në krahasim me mesataren e qyteteve të tjera. Pastaj te ligji i ndarjes së granteve duhet të merren parasysh edhe vlerat e veçanta të qytetit. Ministri që e ka injoruar më tepër Gjirokastrën duke mos e mbështetur fare këtë vit ka qenë Genc Pollo. Ne paraqitëm shumë projekte për arsimin, por asnjë prej tyre nuk u miratua. Ky vit po mbyllet ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës në shkollat e Gjirokastrës nuk ka futur as një karrige për nxënësit. Janë hedhur vetëm 14 milionë lekë që është investim i realizuar qysh më 2006-n. Për kopshtet e qytetit, shkollat e mesme dhe fillore, MASH është inekzistente. Gjendja është katastrofike, sidomos tani në dimër. Vetëm në dy shkolla mund të bëhet mësim, te “Çajupi” e “Naim Frashëri”.
Ministria e Arsimit ka harruar të zbatojë prioritetet e shpallura nga vetë qeveria për arsimin dhe internetin. Nëpër biblioteka, qendra interneti, laboratore, sisteme ngrohjeje e kënde sportive të vetmet investime kanë qenë ato që ka bërë bashkia. E theksoj edhe një herë se asnjë bankë e asnjë karrige nuk është futur në Gjirokastër këtë vit nga ministri Pollo. Nuk ka ndodhur kurrë më parë një gjë e tillë. Nuk mund të përjashtosh nxënësit nga milionat e buxhetit.