| E shtune, 23.10.2010, 09:07 PM |
Dilemat e Kosovës
Nga MENTOR NAZARKO, Panorama
Me krizën ekzistuese, Kosova vërtet ka hyrë në një moment të veçantë jo thjesht të historisë së vet politike, por dhe të historisë së saj institucionale, në kuptimin juridik. I duhet njëherësh...
... të mendojë për zgjedhje të parakohshme, për zëvendësim ministrash, për zgjedhje presidenti, etj, etj. E gjitha kjo po ndodh kur Kosova ballafaqohet me sfida të rëndësishme qoftë në planin e brendshëm, qoftë në planin rajonal dhe ndërkombëtar. Ajo duhet të miratojë buxhetin, të miratojë strategjinë e privatizimit të Postë Telekomunikacionit, të miratojë një Kod të ri Zgjedhor, të hyjë në bisedime me Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave, pasi Kosova sot është vendi më i izoluar në Europë, të hyjë në bisedime me Serbinë, etj, etj.
Por veprimi që ka thelluar krizën është padyshim tërheqja-nuk është dorëheqje-e ministrave të LDK-së. Ajo ndodhi disa ditë pas largimit të Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton. Si do sillen institucionet e Kosovës në një situatë të tillë, kur duket se vetëm Parlamenti ka legjitimitet, ndërkohë që të gjithë institucionet e tjera janë me legjitimitet të dyshimtë? Dhe e gjitha kjo me një premisë themelore: çdo veprim i organeve, institucioneve kushtetues në Kosovë, sot ka një rëndësi unike. Ato luajnë rolin e precedentit në ecurinë e këtyre organeve. Dmth. dhe në rastet kur këto veprime nuk janë parashikuar me kushtetutë, ato mbeten si veprim që duhet ndjekur në të ardhmen në situata të ngjashme. Kosova është duke testuar kushtetutën e vet, e cila është në vitet e para të jetës së saj. Është duke u provuar nëse Kosova ka aftësi shtetformuese. Po ku janë problemet me largimin e ministrave?
Ka një plan kushtetues të shikimit të problemit. Në të gjithë kushtetutat serioze europiane, ministri qëndron në detyrë deri në marrjen e funksionit prej ministrit pasardhës. Edhe pse kjo gjë nuk është shkruar në Kushtetutën e Kosovës, qëndrimi në detyrë dhe dorëzimi i saj pasardhësit, mbetet një parim universal i të drejtës kushtetuese. Ky qëndrim në detyrë lidhet me nevojën për vazhdimësi të mandatit nëpërmjet një figure politike, pra moslënien bosh të postit për asnjë moment. Ministri ka detyra specifike me karakter politik, që nuk mund të dorëzohen tek një sekretar i përgjithshëm, i cili është autoritet administrativ apo dhe tek një zëvendësministër. E keqja më e madhe është se në ndonjë rast janë larguar dhe zëvendësministrat, diçka që e thellon krizën për ministri të rëndësishme për jetën publike si shëndetësia, e jashtmja, e pse jo dhe e kulturës. Në pikëpamje të zakoneve të mira administrative, ndenja në zyrë deri në momentin e fundit kur vjen bujtësi tjetër, gjithashtu është njëlloj detyrimi i pashkruar edhe në rastet kur nuk është shkruar, madje dhe në Kosovë. Përshembull, ministrat e qeverive të ndryshme i kanë lënë stafetën njëri - tjetrit në zyrë, qoftë në momente zgjedhjesh, qoftë në momente krize qeveritare. Vende të caktuara madje kanë dhe ceremoni të dorëzimit të detyrës, kur paraardhësi i dorëzon pasardhësit dosjet e prioriteteve, problemet e mbetura të pazgjidhura, etj. Pa folur që në shumicën e kushtetutave europiane, mbarimi i detyrës së një ministri shënohet me dekret presidencial. Kushtetuta shqiptare p.sh parashikon dekretin me rastin e lënies së detyrës së një ministri, për dorëheqje, shkarkim, etj, etj. Madje Presidenti ka të drejtë të informohet përse shkarkohet, apo dorëhiqet një ministër.
Në planin politik, lënia e detyrës në këtë mënyrë është një veprim që zhvlerëson shumë funksionin e ministrit. Pasi zhvlerësoi rolin e Presidentit me mënyrën si zoti Sejdiu u largua apo si e ushtroi funksionin e vet), (ai zgjodhi të ishte kryetar partie dhe jo president), tani LDK po zhvlerëson rolin e një ministri. Ministrat ju bindën urdhërit të kryetarit të tyre dhe jo urdhëresave ligjore, kushtetuese, diçka që i ngarkon me përgjegjësi. Për të kuptuar absurditetin e një veprimi të tillë, duhet shqyrtuar dhe një situatë ekstreme. Supozojmë se ai që dorëzonte detyrën do të ishte ministër i Mbrojtjes në një moment lufte: a mund ta dorëzojë detyrën ministri si pasojë e largimit të partisë së vet nga qeveria?
Duke mbetur në pikëpamje politike, lënia e detyrës është një veprim politik agresiv, i cili imponon që PDK të zëvendësojë apo të bëjë diçka për vijimësinë e mandatit, pra kërkon ta thellojë krizën me çdo kusht. Duket e qartë se dhe LDK, si PDK kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, megjithëse nuk ndihet e sigurt se do ketë garanci në një proces zgjedhor të ndershëm. Megjithatë duket i çuditshëm ky ngut i zotit Sejdiu. Kreu i LDK, i cili dëshiron të shmangë shkuarjen në zgjedhje krahas PDK-së, diçka që do të thellonte rënien elektorale të partisë së vet, ka dyshime në seriozitetin e zgjedhjeve. Para se të merrte këtë vendim të largimit të ministrave, Sejdiu i kërkonte PDK ndryshime në Kod, pastrim të listave zgjedhore, etj, etj. Por sot duke dalë nga qeveria në ngut e sipër, LDK po heq dorë nga disa garanci plus, që ja jepte qenia në qeveri.
Nga pikëpamja politike për shumë arsye duket se LDK po hyn në konflikt dhe me perëndimorët, madje ky lloj largimi e shton konfliktin me ta.
Pra, duket se një veprim i tillë i ka krijuar jo thjesht probleme LDK-së, por dhe shtetit të Kosovës. Në këto kushte duket se as ndërkombëtarët nuk e kanë të lehtë të përcaktojnë një axhendë të veprimeve institucionale: duhet zgjedhur më parë presidenti, të shkohet në zgjedhje të parakohshme, të shkohet tek qeveria teknike apo me bazë të gjerë deri në fund të mandatit? Dilema interesante për një shtet të ri.