| E premte, 22.10.2010, 07:36 PM |
Janaq Pani
NJË KAUZË E KISHA
Një kauzë e kisha unë dikur
nga geni i të parëve trashëguar,
e çoja lart si flamur
ma quajn' tani të vjetëruar.
U zhbë atdheu në thërrmija
e vrik fluturim hodhi gjerdhet,
por tek çdo xixë të ruhet dashuria
e s'ka arësye një ditë të zbehet.
U NGJIT SYTË
Në ia ngjit sytë malit në majë
ia shoh dhe qiellit kaltërsinë,
se di më gjatë kush do më mbajë
për t'ia kënduar gjith' madhështinë.
Se për të dy hapur mbaj gjinë.
MALET E VENDIT TIM
Malet e vendit tim me hone e rrëpira
nuk janë më të bukurit në rruzull,
por ruajnë aq zëra e ndodhira
sa zemrën time e mbajnë pezull.
Ma njohin edhe hapin edhe zërin
u njoh çfarë fshehin thellë në gji,
që malli më drithëron të tërin
nuk duhet kjo të habitë njeri.