Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Stuart Gottlieb: Luftë kundër Islamit apo kundër dhunës?

| E enjte, 21.10.2010, 08:48 PM |


Luftë kundër Islamit apo kundër dhunës?

 

Nga Stuart Gottlieb

 

Një nga aspektet më definuese të strategjisë kundër terrorizmit e administratës Obama, ka qenë përpjekja për të ndryshuar qasjen retorike për kërcënimet terroriste, në veçanti terrorizmin islamik. "Gjuha që përdorim, ka shumë rëndësi", i tha Obama televizionit, Al Arabija, një javë pasi kishte filluar punën si president.

 

Ato që u fshinë prej fjalorit ishin termat e kohës së Xhorxh Bushit, terma si "lufta kundër terrorit", "islami radikal" dhe "xhihadistët". Strategjia Kombëtare e Sigurisë e hartuar nga Shtëpia e Bardhë për vitin 2010, edhe formalisht e ka zëvendësuar termin "terrorizmi islamik" me "ekstremizmin e dhunshëm". Qëllimi i ndryshimit semantik ishte i dyfishtë.

 

Së pari, qëllimi ishte që lufta kundër terrorizmit të definohej si luftë e veçantë kundër Al Kaidës, jo kundër ekstremizmit islamik, për të cilin Obama mendon që ka kontribuar në krijimin e idesë së pas sulmeve të 11 Shtatorit se Amerika është në "luftë kundër Islamit".

 

Retorika e re, është përshtatur shumë mirë me zgjatjen e dorës së pajtimit që i bëri botës myslimane, me qëllim të ndërtimit të "një partneriteti të ri të mbështetur në respektin dhe interesin e dyanshëm".

 

Së dyti, kjo ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera që të zbutet frika e Amerikës për terrorizmin islamik, të cilin zyrtarët e Obamës besojnë se përdoret më së shumti nga vetë ekstremistët.

 

Tani është e drejtë që të bësh pyetjen nëse përdorimi i gjuhës nga Obama për terrorizmin është verifikuar si i suksesshëm. Sondazhe të reja tregojnë që nuk është verifikuar i suksesshëm.

 

Sondazhi i parë, Instituti Brookings, në Uashington, tregon se nga maji i vitit 2009 deri në majin e vitit 2010, numri i arabëve të Lindjes së Mesme që shprehin optimizëm në qasjen e Obamës drejt atij rajoni, ka rënë nga 51 për qind në vetëm 16 për qind.

 

Ndërkaq, ajo pjesë e të intervistuarve që e kanë përshkruar veten si "të shkurajuar" me presidencën e Obamës, është rritur nga 15 për qind sa ishte vitin e kaluar, në 63 për qind sivjet.

 

Sondazhi i dytë, ai i realizuar nga Qendra "Pew Research", tregon që në gusht të vitit 2010, më pak amerikanë kanë një këndvështrim favorizues për islamin, pikërisht 30 për qind. Ndërsa, 35 për qind e amerikanëve thonë se islami inkurajon dhunën më shumë se fetë tjera. Këto trende, që janë jo pak negative, tregojnë dobinë e kufizuar të gjuhës së përdorur në luftë kundër terrorizmit.

 

Kur shikon përtej gjuhës me nuanca dhe premtimeve atraktive, ajo që myslimanët nëpër botë shohin është një administratë, e cila e ka marrë tatëpjetën në luftën e Afganistanit, duke vrarë civilë myslimanë nëpërmjet sulmeve me aeroplanë pa pilot, si dhe një administratë që vazhdon të mbajë mbi një mijë të burgosur myslimanë në Guantanamo, Bagram dhe burgje të tjera, ndërsa e vazhdon përkrahjen e pa kusht për Izraelin.

 

Këto gjëra nuk thuhen për të kritikuar politika të tilla, por për të treguar se ato politika nuk përshtaten me pritjet në rritje të botës myslimane. Një çmim po paguhet gjithashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Një sondazh i bërë nga Gallup dhe që u bë publik muajin e kaluar tregon se amerikanët favorizojnë republikanët para demokratëve, sa i përket çështjes së terrorizmit. Nuk është ende vonë që të përmirësohet ky trend shqetësues. Shtëpia e Bardhë mund të fillojë duke përdorur një retorikë e cila nuk nxjerr "fitues" as në Amerikë, e as jashtë saj.

 

*Ish-këshilltar i Politikave të Jashtme në Senatin Amerikan. Botuar në "Christian Science Monitor

 

Shekulli