Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ferit Duka: Si u islamizua Vlora nga osmanët

| E merkure, 20.10.2010, 09:25 PM |


Si u islamizua Vlora nga osmanët

 

Nga Prof. Dr. FERIT DUKA

 

Vlora është një prej qyteteve shqiptare, roli dhe rëndësia e të cilave, gjatë kohës së sundimit osman, kanë qenë të spikatura. Kjo qendër e rëndësishme urbane ka qenë ndër të parat që u përfshi brenda rrezes së sundimit osman. Në vitin 1417, bashkë me Kaninën, Vlora iu dorëzua osmanllinjve nga ana e sundimtares lokale, Rugina Balsha.

Ndonëse nga të parat qytete që u futën nën sundimin osman, ende sot e kësaj dite, burimet historike të hershme me prejardhje osmane ku të jetë pasqyruar qyteti i Vlorës, pothuajse mungojnë fare. Regjistrimet osmane për sanxhakun e Vlorës që kanë mbërritur deri në ditët tona i përkasin fundit të shek. XV (kohës së sulltan Bajazitit II) si dhe shek. XVI. Është fjala për defterë përmbledhës (mücmel, icmâl) dhe të hollësishëm (mufassal) që përmbajnë të dhëna të çmuara për qytetin dhe për krejt sanxhakun me të njëjtin emër.

Falë pozitës gjeografike si dhe vendit të privilegjuar që zinte në planet politike dhe ushtarake të shtetit osman, Vlora në shek. XVI renditet ndër qytetet që shfaqin një zhvillim të shpejtë ekonomik e shoqëror. Dinamika e këtij zhvillimi duket, pikësëpari, në tiparet origjinale të evolucionit demografik të qytetit. Të dhënat e defterit të hollësishëm të regjistrimit të vitit l520 flasin për një rritje befasuese të numrit të popullsisë qytetare. Nga 762 shtëpi që numëronte qyteti në vitin 1506, në vitin 1520 regjistron 1367 shtëpi.

Duket qartë se një rol të veçantë në rritjen demografike të qytetit ka luajtur, krahas vërshimit drejt tij të popullsisë së fshatrave të rrethinës, edhe ardhja nga Perëndimi e një numri të madh azilantësh hebrenj. Përsa i përket faktorit të parë, d.m.th. zhvendosjes drejt qytetit të popullsisë rurale, duhet theksuar se ai vihet re si dukuri shumë më herët se disa qytete të tjera siç janë Berati dhe Elbasani, në të cilat ngulimi masiv i banorëve me origjinë nga rrethina fshatare, dokumentohet vetëm në dhjetëvjeçarët e gjysmës së dytë të shek. XVI. Kjo tregon më së miri se qyteti i Vlorës kishte hyrë më herët në rrugën e zhvillimit të shpejtë shoqëror-ekonomik se sa qytetet e tjera të lartpërmendura. Në mesin e popullsisë së ardhur nga rrethinat e qytetit, një vend të dukshëm zënë banorët e zhvendosur nga Kanina, një nga qendrat urbane dhe ushtarake të njohura të mesjetës, roli dhe rëndësia e së cilës në këtë kohë po vinte duke u zbehur për llogari të Vlorës. Ndërsa pjesa tjetër e popullsisë fshatare të vendosur në qytet, ishte nga fshatrat Palasë, Nartë, Drashovicë, etj.

Një pjesë e mirë e popullsisë vlonjate përbëhej nga hebrenjtë (531 shtëpi), gjë që tregon se qyteti i Vlorës u bë në këtë kohë edhe një nga pikat më të rëndësishme të përqendrimit të refugjatëve hebrenj të dëbuar nga Spanja, Portugalia dhe vende të tjera të Perëndimit dhe të pranuar nga sulltanët osmanë për t`u vendosur në territoret e perandorisë. Shtimi i shpejtë i valëve të eksodit hebraik drejt Lindjes pasqyrohet qartë në ndryshimin e shpejtë të numrit të banorëve hebrenj të regjistruar në qytetin e Vlorës. Nga 97 shtëpi hebrenjsh në vitin 1506, më 1520 regjistrohen 531 shtëpi ose 39 për qind e numrit të përgjithshëm të shtëpive të qytetit. Vlerësuar nga përqindja e popullsisë hebreje, Vlora në këtë kohë linte prapa qendra të rëndësishme të Perandorisë Osmane të banuara nga hebrenj, siç ishin vetë kryeqyteti i Perandorisë, Stambolli, qytete të tilla të rëndësishme si Manastiri, Shkupi, Tërhalla, Serezi, Edirneja, Bursa, etj., duke u vendosur menjëherë pas kryeqendrës hebreje të Ballkanit, Selanikut. Kolonia hebraike e Vlorës së gjysmës së parë të shek.XVI paraqitej në formën e një mozaiku bashkësish të ndryshme nga njëra-tjetra në pikëpamje social-kulturore, gjë e cila reflektonte në një farë mënyre gjeografinë e shpërnguljeve të hebrenjve iberikë dhe italikë

Po të ndiqet me kujdes gjendja demografike e qytetit në rrjedhën e shek. XVI, vihet re se aty nga fundi i shekullit, numri i përgjithshëm i popullsisë qytetare ka pësuar rënie. Në defterin e hollësishëm të regjistrimit të sanxhakut të Vlorës të vitit 1583 janë regjistruar gjithsej 962 kryefamiljarë (përfshij këtu edhe beqarët) të cilët po të konvertohen në shtëpi, mund të shkojnë gjithsej në rreth 800 shtëpi.

Rënia e numrit të popullsisë qytetare lidhet me një varg arsyesh. Këtu mund të përmenden epidemitë (në vitin 1557 Vlora u prek nga murtaja), largimet periodike të popullsisë hebreje, ngjarjet e stuhishme që shkaktuan konfliktet ushtarake periodike të shtetit osman me vendet perëndimore (qyteti i Vlorës për shkak të rolit dhe pozitës së tij strategjike vuante shumë nga rrjedhojat e këtyre ngjarjeve etj.), si dhe zbehja graduale e rëndësisë si qendër administrative e njërit prej sanxhakëve më të rëndësishëm të krijuar nga shteti osman në tokat shqiptare. Aty rreth mesit të shek. XVI, nga sanxhaku i Vlorës u shkëputën një pjesë e rëndësishme e krahinave jugore të tij, të cilat formuan sanxhakun e ri të Delvinës.

Më tej, për mungesë burimesh të drejtpërdrejta, është vështirë të flitet në mënyrë të detajuar për panoramën demografike të qytetit të Vlorës gjatë shek. XVII. Një nga burimet kryesore të kësaj kohe, udhëpërshkrimi i Evlia Çelebiut, megjithë të dhënat e vlefshme për qytetin, për aspektin demografik nuk jep ndonjë të dhënë të rëndësishme. Në se do t`i referohemi një dokumenti tjetër të fundit të këtij shekulli, një defteri të regjistrimit të popullsisë të përpiluar në vitin 1695 për disa krahina të jugut të Shqipërisë, këtu shënohet një qendër urbane me një emër të padëgjuar deri më tani "Gjoniqestra" ose "Gjyliqestra" ose "Gjoliqestra". Në një punim tonin të mëparshëm, në mënyrë krejt hipotetike, ne e kemi identifikuar këtë vendbanim me Vlorën. Nëse është me të vërtetë fjala për Vlorën, gjë që mbetet të sqarohet me kërkime të mëtejshme, atëherë duhet të pohojmë se tkurrja demografike e qytetit, e vërejtur në fund të shek. XVI, ka shkuar më tej, duke u reflektuar si në pakësimin e banorëve vendas, ashtu edhe të atyre hebrenj (numri i këtyre të fundit vërtitet rreth 50-60 shtëpi).

Qyteti i Vlorës paraqet një tipar specifik mjaft të rëndësishëm kur është fjala për përkatësinë fetare të popullsisë qytetare. Ndryshe nga shumë qytete të tjera shqiptare, popullsia e të cilave, pas vendosjes së sundimit osman në një pjesë të madhe të saj, iu nënshtrua procesit të islamizimit, Vlora, të paktën deri në vitin 1583, ka ruajtur homogjenitetin e krishterë të popullsisë vendase (këtu nuk flitet për parinë e islamizuar apo banorët hebrenj)

Madje, ajo ndryshon në këtë pikëpamje edhe po të krahasohet me qytetet e tjera të të njëjtit sanxhak si Beratin, Delvinën, Gjirokastrën, etj., të cilat në fund të shek. XVI regjistrojnë përqindje jo të vogla të popullsisë së islamizuar.

Megjithatë, ne mendojmë se panorama fetare e qytetit më pas ka ndryshuar në të mirë të përhapjes së islamit, gjë që kuptohet nga njoftimet e udhëpërshkruesit osman Evlija Çelebiu, i cili flet për ekzistencën, në vitet '70 të shek. XVII, e mëhallëve me emra myslimanë (përmenden mëhallët e xhamisë së Hynqarit, e Tabakëve, e Hysen Agait, e Mahqemesë, etj.). Gjithashtu, Çelebiu na bën të ditur praninë në qytetin e Vlorës të shumë objekteve të kultit islam, midis të cilëve përmend xhaminë e sulltan Sulejmanit, si një monument që binte në sy me kubenë e saj prej guri të mbuluar me plumb dhe me një minare të shembur. Veç kësaj, i njëjti burim përmend edhe xhaminë e Mumxhuzadesë, të mbuluar me tjegulla dhe me minare me gurë të gdhendur, xhaminë e Hysen Agait me të njëjtat karakteristika, tri medrese, tri teqe, etj. Midis këtyre të fundit përmenden teqja xhelvetiane e Jakup Efendiut, me qindra dervishë, si dhe teqja bektashiane e Baba Sulltanit, e quajtur ndryshe Kuzgun Baba (brenda në ullishtë, sot: Kuz Baba - F.D.) Prania e bektashizmit në mesin e besimtarëve myslimanë të Vlorës në këtë kohë ishte një fakt i pamohueshëm, një tipar themelor i pamjes fetare të qytetit, përderisa E. Çelebiu, kur fliste për mungesën e ujit të pijshëm në qytet, shprehte dëshirën që me pak shpenzime, një bamirës të mund të kënaqte shpirtrat e "dëshmorëve të Qerbelasë" (është fjala për banorët myslimanë të urdhrit bektashian - F.D.), d.m.th. të zgjidhte problemin e ujit për qytetin.

 

Panorama - Për ZSH: Gjergj Kabashi