Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhmije Mehmetaj: Intervistë me shkrimtarin e shquar nga Kosova Arif Demolli

| E merkure, 20.10.2010, 09:00 PM |


Intervistë me shkrimtarin e shquar nga Kosova Arif Demolli

 

Nga Nexhmije Mehmetaj

 

Shkrimtari Arif Demolli hyn në radhët e njerëzve të shquar shqiptarë që botoi mbi 30 vepra letrare. Emri i tij dallohet si gjuhëtar, si aktivist i çështjeve kombëtare dhe si publicist në shtrimin e problemeve arsimore dhe në hartimin e teksteve shkollore. Si shkrimtar shkruan për fëmijë dhe të rritur, autor i suksesshëm i tregimeve, novelave, romaneve, dramave, eseve etj. Romani i tij “ Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” do të jetë i njohur edhe për lexuesin zviceran. Libri është përkthyer në gjuhën gjermane nga albanologu zviceran Dr Basil Shader, këto ditë pritet të dal nga shtëpia botuese “Waldgut- Verlag” në Frauenfeld të Zvicrës me ISBN 978-3-03740-262-7. Titulli do të jetë “Es war ein Dorf in Kosova (Na ishte një fshat në Kosovë).

 

VENDLINDJA – BURIM KRYSOR I FRYMËZIMIT PËR PROZAT E MIA

 

Megjithëse jeni i njohur, unë po nis bashkëbisedimin me ju me pyetjen: Vendlindja juaj dhe çfarë ruani prej saj në kujtesën tuaj?

 

Vendlindja ime është një fshat i vogël malor në Gallap, komuna e Prishtinës, që quhej Gllogovicë (tash: Murrizajë). Aty kam lindur ( 1949 ) dhe kam kaluar një pjesë të fëmijërisë, por të gjitha pushimet verore deri nga fundi i studimeve, kur familja ime është shpërngulur në Prishtinë. Prej asaj jete ruaj kujtimet më të dashura dhe më të pazakonshme, të cilat kanë gjetur vend në pjesën më të madhe të krijimtarisë sime letrare, por sidomos në librin tim të parë me tregime për fëmijë (“Pëllumbat e kujtimeve”, 1978), në romanin për fëmijë “Njeriu i Blertë” (1990), në shumë tregime për fëmijë e për të rritur dhe në romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie”, që e shkrova më 1984-85 dhe e botova më 1993, sepse një kohë të gjatë qesh i privuar nga e drejta e botimit, për shkak të burgosjes sime më 1981. Aty dëgjova rrëfime të jashtëzakonshme popullore, e mësova gjuhën shqipe me tërë larushinë e saj leksikore dhe frazeologjike dhe njoha shumë bashkëfshatarë, të cilët më vonë u bënë prototipa të personazheve të prozave të mia. Me një fjalë, aty u formova si njeri dhe falë trashëgimisë së saj jam ky që jam edhe si krijues.

 

Cilat janë veprat tuaja që keni botuar deri sot dhe planet tuaja?

 

Deri tash kam botuar rreth tridhjetë vepra letrare: përmbledhje tregimesh, romane, poezi dhe pjesë teatrore, jam autor e bashkautor i një sërë librash të leximit, jam përkthyes i pak librave letrarë dhe nëpër gazeta e revista kam botuar mjaft recensione e kritika letrare (në fazën pas mbarimit të studimeve). Këtu nuk do të kishte kuptim t’i përmendja të gjitha veprat e mia letrare, mirëpo po veçoj disa prej tyre sipas llojit: romanet për të rritur: “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” dhe “Vdekja e Akanit”, përmbledhjet e tregimeve për të rritur “Ballkonet e një qyteze”, Ante portas,” Si mbetën gjallë shqiptarët” dhe “Shkulësit e përjetshëm”, romanet për fëmijë “Njeriu i Blertë” dhe “Lulevera dhe Ylberi”, përmbledhjet e tregimeve për fëmijë “Pëllumbat e kujtimeve”. “Lushi si askush”, “Kur je më i vogli”, “Pse gjirafa ka qafë të gjatë”, “Farët magjike” etj., përmbledhjen me poezi për fëmijë “Libër larush”, përmbledhjen me pjesë teatrore për fëmijë “Princesha fisnike” etj. Ndoshta vlen të veçohen edhe pesë, libërtha me vizatime të botuar në dy gjuhë paralelisht (shqip-norvegjisht), të shtypur në tirazhe të mëdha dhe të shpërndarë falas nëpër bibliotekat e Kosovës dhe të Norvegjisë.

Për planet nuk kam dëshirë të flas, apo, më mirë të them, nuk shkruaj me plan, por vetëm kur ndiej nevoje të brendshme për të shkruar. Së ardhmes as i dihet, as i besohet.

 

Çfarë ju frymëzon për punën tuaj si shkrimtar?

 

Në krijimtarinë letrare për të rritur dhe një pjesë të mirë të letërsisë për fëmijë, sidomos në fazën fillestare, ka gjetur shprehjen mjedisi im shoqëror e politik në të cilin kam jetuar (jeta e fshatit, përvoja ime si gazetar i televizionit dhe i revistave etj.), kurse në krijimtarinë time të kohëve të fundit për fëmijë i kam thënë hapësirë më të madhe fantazisë dhe e kam kultivuar kryesisht përrallën si lloj letrar, e cila është shumë universale dhe e pranueshme prej shtresave dhe moshave të ndryshme të lexuesve. Librin e fundit për të rritur, me satira politike, e kam botuar më 1997. Pas lufte nuk kam mundur të shkruaj pothuajse asgjë për të rritur. Kam menduar shumë pse me ndodh kjo. Më është mbushur mendja, pasi “specializimi”im ka qenë kryesisht humori dhe satira politike, me çlirimin e Kosovës janë sendërtuar idealet politike e kombëtare te miat dhe të brezit, ndaj mund të jem i qetë...  Këto deformimet e pasluftës, aq të përshtatshme për shkrime humori e satire, nuk po më bëjnë gjithaq përshtypje. Mendoj se në rrethana të reja edhe vetë funksioni letërsisë është tjetër fare. Po, fundja, çështja e frymëzimit ka mbetur enigmatike deri sot, prandaj as unë nuk mund te them asgjë të re. Një gjë mund ta them me çiltëri: pothuajse asnjëherë nuk kam arritur të shkruaja atë që kam pasur shumë dëshirë, sikur nuk shkruaj unë por dikush tjetër e përcakton se çka do të shkruaj.

 

Cila është vepra juaj më e suksesshme?

 

Unë nuk mund ta them këtë në mënyrë të prerë, sepse vetë suksesi është fort relativ: ai kufizon me popullaritetin, ose bie ndesh me të. Fëmijët më njohin më së shumti falë përmbledhjes së tregimeve humoristike“Lushi si askushi”, kritikët në Kosovë, sidomos brezi më i ri i tyre, më duket se e çmon si veprën time më të mirë romanin “Vdekja e Akanit“, unë vetë jam i lidhur emocionalisht me fort me romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie”. Ka që më çmojnë si mjeshtër të tregimit të shkurtër... Ta zëmë, janë pëlqyer skicat dhe tregimet humoristike që nga “Ballkonet e një qyteze” deri te “Shkulësit e përjetshëm”, sepse satira ime shprehte një refuzim të fuqishëm të realitetit socialist jugosllav dhe të realitetit pas rënies së tij dhe një guxim qytetar, kur në skenën politike e shoqërore u shfaqen fenomene krejt të reja.. Ku ta di se çka do t’i bëjë ballë kohës prej kësaj që kam shkruar? Kam dëshirë, si çdo krijues, që së paku diçka të mbetet nga krijimtaria ime, që të të mos më ketë shkruar kot një jetë e tërë punë e sakrificë. Mirëpo unë jam i vetëdijshëm për rigorozitetin e seleksionimit të vlerave artistike. Fundja ndoshta mjafton kënaqësia që kam ndier gjatë punës sime.

 

Këto ditë del nga shtypi romani juaj “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie “, i përkthyer në gjermanisht nga albanologu zviceran Basil Shader si ndiheni tash?

 

Mirë, por jam në një moshë kur nuk mund të jem më entuziast. Nga natyra, nuk gëzohem shumë për asgjë. Mirëpo nuk do të isha i sinqertë të mos e pranoja se më ka ardhur shumë mirë që zotit Basil Shadër, si një joshqiptari, pa më njohur fare, i ka pëlqyer romani im dhe ka shfaqur dëshirën të më njihte dhe ta përkthente. Kështu ky roman nga ka ofruar shumë, nga bërë miq të jashtëzakonshëm... Duhet të them se ai ka bërë një punë kolosale, sepse romani ka një begati të tillë gjuhësore, ka një fond aq të madh fjalësh e shprehjesh frazeologjike, të cilat po dalin me të madhe për çdo ditë nga përdorimi i përditshëm, me një fjalë, po vdesin para hundëve tona. Shumë prej tyre nuk mund të gjenden në asnjë fjalor as njëgjuhësh, as dygjuhësh. Përkthimi i këtij libri ishte një aventurë e vërtetë, së cilës besoj se zoti Basil Shadër i ka rënë në fund me shumë sukses. I lumtë! Zoti ia shpërbleftë punën që ka bërë dhe po bënë për gjuhën dhe për kulturën tonë!

 

A mund të bëni një përshkrim të shkurtër librit tuaj “Të gjallët ....”

 

Zakonisht, nuk është e natyrshme që autori ta ritregojë librin e vetë. Çdo ritregim sikur e zbeh atë, e thjeshton, e varfëron, e zhvesh atë nga ajo që është art e gjuhë, sepse nuk ka art pa gjuhë e stil të veçantë, kur letërsia është art i fjalës. Sidoqoftë, po përpiqem ta përmbledh përmbajtjen e librit me disa fjalë. Romani mund të lexohet si autobiografi, si njëfarë studimi i lirë për jetën shpirtërore, shoqërore, e morale të një fshati të viteve ’60, por edhe si histori, si studim etnopsikologjik e etnologjik, si akuzë për pozitën shoqërore, ekonomike dhe politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për pozitën diskriminuese të femrës dhe të fëmijës në familje të asaj kohe etj. Mirëpo unë kam dëshirë të lexohet si një përrallë për një fëmijëri, për kënaqësi estetike, sepse, nëse nuk kam arritur të kënaq lexuesin nga aspekti estetik, nuk e konsideroj se kam bërë diçka me vlerë. Nëse më lejohet të them një mendim timin, më duket se këtë libër e kanë lexuar me ëndje të dy kategoritë e lexuesve: si ata që e kanë kaluar fëmijërinë e tyre në fshat, që janë identifikuar plotësisht me rrëfimtarin/autorin, si ata që janë rritur në qytet (të cilët e kanë përjetuar këtë realitet të fëmijërisë sime si ekzotikë). Të dy palët kanë pasur dëshirë ta vizitojnë atë fshat të jashtëzakonshëm, për të cilin donin të dinin në ishte është i tillë vërtetë apo e ka bërë të tillë imagjinata ime fëmijërore/krijuese. Ta shohim si do ta lexojnë dhe a do ta lexojnë fare lexuesit gjermano folës.

 

Cila është porosia e juaj për shqiptarët e diasporës shqiptare?

 

Nuk më shkon të janë porosi, por nuk po mund të durohem pa thënë: dërgojini fëmijët tuaj në shkollat shqipe! Mos bëni të vdesë kaq shpejt kjo gjuhë kaq e bukur e kaq e pasur, tiparin themelor kombëtar.

 

Në mbyllje të intervistës, me çka po merreni momentalisht?

 

Pasi po ngulni këmbë prapë, po ju përgjigjem se momentalisht po përgatis një version të ri të romanit “Të gjallët...”, sespe, duke e rixlexuar derisa z. Basil Shadër merrej me përkthimin, ndjeva nevojë të shtoja sërish diçka të re. Vërtet një plotësim i vogël, por që e plotëson tematikisht. Në pikëpamje të gjuhës dhe të stilit nuk e kam prekur, po të mos i llogaris përmirësimin e gabimeve gabimeve teknike në të cilat kam hasur (e nga të cilat nuk shpëtojmë dot) gjatë rileximit..

 

Prishtinë, tetor. 2010 - © www.zemrashqiptare.net