Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Kabo: Një letër për Naim Frashërin!

| E marte, 19.10.2010, 07:06 PM |


Një letër për Naim Frashërin!

 

Nga Dr. Përparim KABO, Gazeta Shqiptare

 

Eh poet ikën 110 vite nga dita që mbylle sytë dhe "qiriri" e fiku flakzën e shpirtit, u tret dhe lëshoj aromën duke u përhapur kohërave! Të zgjova or "profet" kështu u shpreh vite më pas një tjetër zë i poetikës shqiptare, Lasgush Poradeci për ty Naimi ynë i frashëllinjëve! E le mëmëdheun në kohë të vështirë por ai u bë i pavarur më 1912, me shtet dhe institucione në 1920, njohu republikën dhe mbretërinë, komunizmin dhe tash ka 20 vite që përpiqet të mësojë demokracinë si në Europë! Rrugë e gjatë, pa dyshim, por ja ëndërrimet dhe mundi juaj nuk vajti dëm! Ç'ka ndodhur gjithë këta vite me shpirtin tënd poetik që na le, do dëshiroja t'ua tregoja shkoqur dhe më zemër në dorë! Vepra juaj nuk ka humbur, tashmë e kemi të mbledhur të plotë në 6 vëllime të përgatitur nga dy akademikë, një gjirokastritë Jorgo Bulo e thonë, dhe një shqiptar nga Kosova, Rexhep Qose e quajnë! Mos u habit "poeti" ynë, kemi prej kohësh "Akademi të Shkencave" dhe akademikë, sepse kombi bëri përpara me mund dhe vështirësi në rrugën e mendimit, të zgjimit dhe të punës, si edhe e dëshiroje aso kohe kur ligjërove me shqipen tonë të vjetër dhe të re! Është e natyrshme të dish se si je vlerësuar në kohëra, ç'kanë thënë dhe shkruar për ty dhe universin tënd poetik, për mendimin tënd në prozë, për kontributet në ruajtjen dhe lëvrimin e shqipes, në sjelljen dhe qëndrimin ndaj kulturës botërore!

Po të rrëfej Naim ynë i shtrenjtë! Bazuar në studimet letrare, filologjike, filozofike, albanologjike dhe estetike, është shkoqur përfundimi se te mendimi i Naim Frashërit (më ndje që po ju drejtohem në këtë mënyrë), gjejmë orientimin e pakufizuar global.

Kjo ndodh me ata krijues që ndjekin ecurinë e dijes duke e vlerësuar këtë materie si universale në kohë dhe globale në shtrirje. Ja përse Perëndimi dhe Lindja ngjizen në veprën e Naimit si një njohje e thellë e një bote të hapur, e një shoqërie globale që nuk mund të përjashtonte pluralitetin kulturor dhe dialogimin mes tyre, aq më tepër që kombi yt naiv për shkaqe të thella historike i kishte njohur dhe strehuar të dyja! Është e plotë dhe edukuese vepra e Naim Fashërit, është një univers kulturor frymëzues dhe udhërrëfyes, sepse ajo ngrihet mbi një njohjen dhe zotërim e letërsisë së vjetër greko-romake, letërsisë europiane prej Rilindjes Europiane dhe deri në kohën kur ai jetoi, por edhe se Naimi ynë, njihte dhe letërsinë mesjetare persiane dhe arabe duke zotëruar shterueshëm filozofinë e lindjes, liturgjinë e asaj hapësirë, e mbi të gjitha prurjet e atij civilizimi në kohën kur perëndimi ishte zhytur në radikalizmin papal të "mesjetës"! Nëse fati i Shqipërisë ishte mes Perëndimit dhe Lindjes, nuk mundë të ndodhte që mendimtarët e kombit të pozicionoheshin radikalisht ose në njërin krah ose në krahun tjetër. Më keq akoma në vend të dialogut, ata të ushqenin konfliktin dhe përjashtimin! Aq më tepër që mendjet e ndritura të zgjimit rilindas europian, e kryen këtë vepër duke e njohur lindjen, prurjet e saja humane dhe progresite, sepse kuptuan si nënvizonte njëri syresh Goethe, se dija është globale në çdo moment të universalitetit të saj. Se arti vërtetë bën një shërbim kombëtar, por se nuk mund të ngurtësohet provincialisht si një bejte lokale që glorifikon izolimin dhe mbylljen në vetvete! Vetëm në sistemet diktatoriale ideologjike si edhe ishte komunizmi, art quhej ajo "materie" artistike që kishte karakter klasor dhe kombëtar! Pasojat e këtij deformimi ndjehen edhe sot, kur jo rrallë ndodh që shkruhet brenda rretheve të mbyllura për shkak të mosnjohjes së kulturave të tjera dhe për rrjedhojë të mos aftësisë për të gjetur kanalet komunikuese dhe pikërëndesat sinergjike! Naim Frashëri konsiderohet bazuar në argumente shkencore filologjike e gjuhësore, si një kontribues i përkorët në lëvrimi dhe shkrimin e gjuhës shqipe, me një begati të tillë të fjalës dhe një ndërtim të tillë të mendimit, dhe përdorim të gramatikës si të tillë, sa që jo thjesht të duket por se ashtu është, të dy dialektet e shqipes të vijnë shumë pranë në një paqtim harmonioz. Poetika Naimiane e shprehu dhe arkitektoi shqipen si një gjuhë të pasur dhe krijuese me një gjallim të brendshëm të mendimit. Megjithëse prej shekujsh, ajo nuk ishte shkruar por qe lëvruar gojarisht, vjershërimi naimian tregoi se shqipja ishte edhe një gjuhë e artit të fjalës si një gjuhë letrare. Begatia e leksikut dhe muzikaliteti i saj zanor flisnin për një botë të pasur shpirtërore dhe një gnoseologji ideore që aq bukur harmonizohej me poetikën tingëlluese. Mendimi i disiplinuar gramatikisht përmes gjuhës letrare ofronte informimin komunikues dhe arsyetues sepse Naimi me veprën e tij letrare krijoi në mënyrë të kompletuar, një aksiologji poetike ku, bashkëjetojnë logjika e arsyetimit me përjetimin shpirtëror vlerësues. E gjitha kjo materie e filozofimit poetik rrëfenjës dhe përfundim sjellës, frymëzues dhe zgjuës përmes dijes dhe historisë së vërtetë, janë përmbajtja e stilistikës së tij që lidhet me kulturën e tij, me "magjinë krijuese"!

Stili tij ka brenda një plazmim të përkorët të muzës me gjuhën e kultivuar që përdorte ai! Naimi provoi se shqipja edhe në këtë aspekt ka atribute të thella dhe pjellore, ajo ndërton stilistikë moderne kur vjen si frut i mendjes moderne! Akti krijues në vetvete ndikon në konsolidimin gramatikor të gjuhës dhe pasurimin dinamik të saj pasi çdo shprehje e re duke mos dashur të pengojë mendimin në furinë dhe zhgulmin e tij, domosdo që e gjen të arsyeshme të rishikojë dhe ribëjë rregullat disiplinuese në shërbim të pasurimit të stilistikës shprehëse dhe komunikimit të pa censuruar apo ngushtimit që vjen prej arkaikes mbytëse! Vepra e Naim Frashërit po ta lexosh të plotë dhe integralisht, pa më dyshje është "autobiografi në vargje" e çdo gjëje shqiptare. Atje është etnogjeneza, kontributet, historia, marrëdhëniet me imperilaitetet, dialogjet mes civilizimeve, raportet me providencën dhe rrëfimin liturgjik, janë të "qëndisura" natyra, njeriu dhe zakonet, është atdheu në të gjitha trevat, etj etj. Në këtë kuptim poemat naimiane kanë si tipar të tyre një "homerizëm shqiptar", ku në qendër dhe gjithçka është kombëtarja dhe universalja, përtej provincializmave dhe krahinizmave. Me një frymë optimizmi dhe përgjegjësie, Naimi i këndon bashkimit, kohezionit; larg dasive e përjashtimeve, qofshin ato fetare, kulturore, apo si pengje të zakoneve të mbyllura dhe dialektalizmit përjashtues! Ja përse e tërë vepra e Naimi Frashërit e merr valencën e vlerave njerëzore universale duke e parë atdheun fatin dhe njeriun shqiptar si pjesë e një universi të tillë ku ka vend dhe detyrim kontribues për të gjithë, në emër të "urdhrit historik"; të njohim kontributet dhe të mos ua mohojmë lirinë askujt, edhe popujve të vegjël e të varfër!

* * *

Mendimi filozofik naimian apostrofon për njeriun si një univers civil i përgjegjshëm dhe në këtë kënd vështrim ai nuk mbetet peng thjesht dhe vetëm i njeriut shqiptar. Kjo metodologji arsyetimi është në shërbim të nxjerrjes së shqiptarit nga guaska dhe vënien para përgjegjësisë! Kështu, në aspektin kohor segmenti është i mbyllur vetëm formalisht në datën e botimit, por se lënda poetike e gjen kohën të pamatëshme prej gjeneze nistore deri në pafundësi, gjithë kjo falë vlerave të sjella si mendim! Hapësira dhe koha trajtohen filozofikisht sepse kategoritë e përdorura janë po të tilla, madje godina e tyre sjell forma të kompletuara të ndërgjegjes teorike si; kozmogonia, etika njerëzore, gnoseologjia udhërrëfyese, ontologjia antropomorale dhe ontohistoria dimensionuese, aksilogjia vlerësuese dhe normat e përgjegjësisë. Të gjitha sa më lartë i shërbejnë ushqimit të civilizimit prej kulturës në shumës. Mosparagjykimi i orientit dhe qëmtimi i aspketit human të tij si kontribut, është përballja me realitetin dhe guxim për ta kuruar. Ajo që ndriçon është orientim europianist për shtetin shqiptar që mungonte aso kohe. Kjo tregon se Naimi nuk ishte i penguar, megjithëse ai punonte dhe jetonte së fundi në Stamboll dhe në administratën e Shtetit Osman. (Drejtori i Drejtorisë së Censurës në ministrinë e Arsimit). Multikulturalizmi naimian në ekuilibër dhe dialogim bazuar në vlerat civilizuese të gjithëpranuara, e bëjnë Naim Frashërin jo thjesht një poet të kombit, por edhe një vizionar edhe në ato raste kur poetika si musht estetik mund të mos jetë e përkryer, sepse thelbi i poetizmit tek ai është te kënga e mendimit të tij. Vepra si vetëdije e njeriut të thjeshtë, e të kënduarit për historinë, vjen si një "libër i shenjtë" i eskursionizmit gjithëkohor shqiptar që nga gjeneza, por vjen gjithë po aq, edhe si qëmtimi i vlerave të ritualit antropologjik shqiptar ndaj dhe e sjellin poezinë e Naim Frashërit edhe si visar të albanologjisë! Vepra e tij ndërton ndërgjegje, ushqen vetëdije, mëkon përgjegjësinë e individit ndaj vetes, familjes, atdheut dhe historisë! Krijohet mrekullisht prej saj trinomi njeriu real me të mirat dhe mangësitë-njeriu i civilizuar me vlerat qytetare universale të gjithëpranuara dhe ushqimi me të bukurën që udhëton mendueshëm dhe me përshpirtje nga ajo gjendje reale njerëzore e natyrore (binomi njeriu-natyra) tek ai realitet antropoqytetar që ndërtohet përmes një zhvillimi qytetar të epërm. Filozofikisht, kjo do të thotë të bëhet njeriu përmes civilizimit, të zhvillohet civilizimi kur mëkohet njeriu me përgjegjësinë për lirinë dhe domosdoshmërinë e sovraniteteve! Ja përse te poetika e Naimit, romantizmi ndjehet si frymëzim, realizmi vjenë si përgjegjësi, kriticizmi ngre krye si zgjim i vetëdijes, ndërsa futurizmi flladitë si vijimësi e të qenit në çapitjen e progresit të pashmangshëm! "Vepra letrare e Naim Frashërit, shkruan akademiku Rexhep Qosja është vepra e mendimtarit që di të të shqetësojë me bukurinë e fjalës dhe e vjershëtorit që di të të qetësojë me mençurinë e mendimit"! Si një erudit me mendim të kompletuar nga studimi, Naim Frashëri vjershëroi në shqip, në persisht dhe në greqisht! Poemat në shqip "Bagëti e Bujqësi" dhe "Lulet e Verës", janë dy kolona himnizuese për atdheun dhe fatin e tij! Naimi e sheh Shqipërinë në trungun e saj natyror, por se do të preferoja të ndalesha tek një thelb filozofik, raporti me fenë! Është një gjetje artistike jo e paramenduar por që nënshtresëzohet nga burimet e prurjes, paganizmi i antikitetit me panteizmin modern si një determinizëm natyror, që vijnë në një dialogim mes tyre dhe së bashku me njeriun. Kjo ndodh jo rastësisht! Civilizimi perëndimor në bazamentet e tij ka antikitetin greko-romak, kulturën e Rilindjes si qytetërim të krishterë jo thjesht fetar, Protestantizmin liberal dhe liritë e njeriut. Naimi i respekton këta themele ndaj paganizmi antropologjik në brendi të objekteve natyrore, si fenomene, dukuri, planetë dhe marrëdhënie të materies, ai i gjen te parahelenizmi pellazg të cilit i këndon hera herës ndër vepra, por edhe drejtpërsëdrejti te vjersha; "PELLAZGËT-SHIQPË-TARËT" (botuar për herë të parë në Revistën, "Albania", Bruksel, 1897, nr 4, f. 50. )

Thot' Herodhoti,

Në Tomor Zoti

Shtëpi qëmoti

Kishte Dhodhonë;

Është më e vjetër,

Ngaha çdo tjetër,

Shumë më tepër

Kjo gjuha jonë.

Panteizmi është filozofia e kohës kur ai jetoi, por dhe shtegu shpëtimtar për të larguar autoritetin religjioz nga funksionet shtetërore dhe për të shndërruar atë thjesht në një sjellje krejt private si edhe mëtonte John Lock. Kjo skemë e çliron njeriun nga vargonjtë dhe i jep të drejtën të ndryshojë. Naimi në saje të këtij dimensioni e kapërcen fatin njerëzor si vullnet të perëndisë dhe e sjell si fat njerëzor qytetar, civil dhe ligjor, si një dialogim dhe marrëveshje me ligjësinë e natyrës! Bërja dhe ribërja e njeriut si ripërtëritje morale duke ushqyer vlerat e duke i ndërtuar ato, këtë Naim Frashëri e sheh si një "porosi" të fuqisë së krijuesit të cilin ai e konsideron "hegelianisht" si arsye universale.

Fillesën e sheh nga materialja dhe kjo të kujton filozofinë teologjike orientale. Është jashtë botëkuptimit të tij "rilindja e shpirtit" pas vdekjes. Gjykimi i tij në raportin jetë-vdekje janë një "transplantim" poetik i optimizmit pellazgjik për njeriun e vdekshëm!

Tek vjersha "Perëndia", Naimi me një drejtpeshim filozofik shpjegonte se Zoti dhe gjithë arkitektura liturgjike nuk kanë ekzistencë jashtë njerëzore. Perëndia është arsyetimi i njeriut për të. Një arsyetim i tillë çliron shpirtin dhe inspirimin optimist me energji ndryshimi.

Është në shesht Perëndija,

Sicilido mund ta njohë

Po se mbuloi e padija

Njeriu tekdo mund ta shohë.

Ajo që të lë mbresë është fakti logjiko-poetik se Naim Frashëri bisedon hapur si me Jezu Krishtin edhe me Abas Aliu-n, kjo për shkak të një argumenti bindës se pavarësisht nga besimi fetar, për Naimin feja duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe njerëzores, duhet të ushqejë jetën dhe dashurinë njerëzore. Tek Naimi gurgullon humanizmi fetar dhe jo autoritarizmi dhe obskurantizmi liturgjik antinjeri! Kështu, Naimi na parathotë se shoqëria shqiptare mund të ketë një peizazh fetar mozaik ku çdo fe zgjidhet lirisht dhe respektohet nga besimtari, por se njëherësh shoqëria do të ketë në qendër njeriun civil në raportet me shtetin, ligjin dhe zhvillimin shkencor për t'i shkuar më thellë sekreteve të natyrës!

Tek poezia "Filozofi", Naimi qartazi shprehet se objekti i njohjes është natyra dhe njohja është e pafundme. "Thelbin tënd s'e di njeriu moj natyrë dhe pse thellë kësaj fushe i ka hyrë.

Po kështu tek poezia "Dielli" marrëdhëniet e njeriut me Tokën shtjellohen në trajta kozmogonike dhe lipsen e jepen shpjegime jashtë fetare. Teza vjen si një arsyetim shkencor naiv dhe rikëndohet "kënga e vjetër pellazgjike" se fillimisht ishte gjithësia, natyra e njeriu dhe mandej ai krijoi nga mendja perëndinë"! Kjo tregon se Naimi është më shumë laik se sa fetar, më shumë për shkencën se sa për fenë, më i bindur për vet-ekzistencën e universit, se sa për krijuesin e parë. Brenda këtij dimensionimi gjithnjë e më tepër ai e fokuson perëndinë si një energji morale që e ndihmon njeriun dhe që e pastron nga veset dhe shtrembërimet egoiste!

Edhe vet njeriun ashtu si filozofët e antikitetit, Naimi e karakterizon në dikotominë subjekt-objekt dhe ysht këdo me fjalët; "Njeri njih vetveten aty është edhe Zoti"!

Kush do ta shohë të tërë

Të shohë mirë njerinë

Vethen e ti re të vërë,

Atje e gjen perëndinë.

Naimi krijon trinomin shpirtëror moral-liturgji-filozofi kur shkruan: Bes' e fe ki urtësinë. Lihet të kuptohet se dija është autoriteti udhëheqës, e drejta është ndërtimi i shoqërisë prej njerëzve qytetarë të barabartë përball të drejtës ligjore dhe mirësia është harmonia në marrëdhëniet gjithëplanësore. Njeriu bëhet moralisht duke hequr dorë "nga dhelpëria dhe makutëria"! Naimi i këndoi vlerave të begata të filozofisë dhe moralit që solli Revolucioni Borgjez me shembjen e sistemit feudal. Kjo është madhështia e poetit dhe "Rilindjes sonë Kombëtare". Jo në fillim pavarësia e vendit e mandej të shohim se çfarë shoqërie do të ndërtojmë. Zgjimi kombëtar përmes emancipimit shoqëror për të përqafuar me mendje dhe shpirt vlerat e civilizimit borgjez dhe paralel me atë proces, edhe realizmi i qëllimit për një shtet të pavarur shqiptar. Europianizimi për të qenë të pavarur, dhe jo thjesht jashtë Perandorisë Turke, por sërish preh e prapambetjes dhe injorancës! Të ngrihemi nga dituria dhe jo vetëm nga kordha ky është mesazhi që përcjell poetika iluministe naimiane! Poeti i mëshon alfabetizmit të shqiptarëve, përparimit të gjuhës dhe shkollës shqipe. Vjershat "Gjuha jonë" dhe "Korça" janë epitafe filozofiko-poetike që gulojnë nga idetë e iluminizmit europianë! Tek poema "Lulet e Verës" tek vjersha "Përse", hapur Naim Frashëri e shpreh orientimin nga perëndimi.

O dit' e bardhë,

Dhe jakë, jakë

Se të pres,

Nuk vdes,

Jak'o dit' e uruar!

Që lind nga perëndon,

At anë e ke ndritur

E ne pse na harron.

Kur një krijues vë në qendër të veprës njeriun, stili i tij është njeriu dhe jo sistemi politik. Kur himnizon fatin e atdheut dhe progresin e tij, frymëzimi është i sinqertë dhe i tillë që nuk vjetrohet! Ky është Naim Frashëri! Hyjnizimi i atdheut vjen nga kujtimi i të vdekurve që me veprën dhe jetën e tyre bëjnë që mëmëdheu të mos vdesë! Poema "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve" botuar në 1886-n ku Naim Frashëri shkruan se ja dedikon: "Nënës sime të ëmbël SHQIPËRISË. Asaj që më dha gjithë forcën që kam; Ai e shkroi atë në greqisht që ta lexonin edhe grekët! Naimi ua freskon memorien me historinë e vjetër dhe të re, si dhe ua sqaron se feja dhe kombësia nuk janë të ngjashme, ndryshe sqaron ai gjithë europianët që janë të krishterë do të ishin grekë, por ja që nuk janë si dhe; "As Krishti as apostujt s'kanë qenë kurrë grekë". Shqipëria porosiste Naimi që do të bëhej kur fqinjët të mos e shohin si preh dhe të yshten ta copëtojnë. Fqinjësia e mirë është klima më e dobishme për cilindo komb të madh apo të vogël!

"Ne me sllavët edhe grekët, me të gjithë fqinjët tanë,

Duam të rrojmë ngaherë në harmoni, si vëllezër,

Veç e drejta e secilit gjithnjë të respektohet

…………………………

Rroftë kombi yn'në shekuj! Rroftë vllazërimi ynë!

Poshtë armiqt' e tiranët! Poshtë grindja, errësira!

Rroftë Besa dhe liria! Rroftë drita, dituria!

* * *

Ja Naim ynë i shtrenjtë, kështu të kemi velerësuar e të vlerësojmë edhe sot kur kanë kaluar 110 vite që ti nuk jeton më! Nuk mund të harrojmë sepse edhe një varg i yti do të na mbante zgjuar dhe në këmbë të gjithë ne shqiptarëve:

TI SHQIPËRI MË EP NDERRË MË EP EMRIN SHQIPËTAR!

Merr Naim Frashëri POETI.

Dërgon Përparim Kabo shqiptar nga gjaku dhe shpirti!

Eh poet ikën 110 vite nga dita që mbylle sytë dhe “qiriri” e fi ku fl akzën e shpirtit, u tret dhe lëshoj aromën duke u përhapur