| E marte, 19.10.2010, 09:59 PM |
A duhen hapur dosjet?
Nga Reshat Kripa
Një nga problemet kyçe të shoqërisë shqiptare të sotshme është dhe problemi i dosjeve. Një pjesë janë për hapjen totale të tyre, ndërsa pjesa tjetër për mos publikimin. Personalisht kam qenë për hapjen e tyre për persona te veçantë që kërkonin të ngjisnin shkallët e karierës. Nuk isha dakord me hapjen e dosjeve per ata që rregjimi diktatorial i detyronte te nenshkruanin me çdo kusht një kontratë bashkëpunimi. Kjo për arsyen e thjeshtë që metodat e përdorura nga ish sigurimi i shtetit ishin aq monstruoze sa nje mendje e shendoshe nuk mund t’i konceptojë. Lidhur me këtë unë di raste që janë përdorur metoda të jashtëzakonshme për një qënie njerëzore për t’i detyruar të pranonin nënshkrimin e një deklarate të tillë. Për realizimin e kësaj janë përdorur metodat më monstruoze që një pushtet diktatorial mund të përdorë, si torturat e tmerrshme, tentativat e përdhunimit të familjarëve në sy te tyre dhe plot metoda të tjera.
Megjithatë sot jam në një mendje ndryshe. Gjykomëni dhe më thoni nëse kam të drejtë apo jo. Sot jam i mendimit që dosjet duhet të hapen për të gjithë, të djathtë dhe të majtë, dhe ata që rezultojnë të implikuar në kthetrat e diktaturës komuniste të përjashtohen nga çdo detyrë shtetërore, partiake apo shoqërore që kanë zaptuar padrejtësisht. Përsa thashë më lart jam dakord që kjo hapje dosjesh të fillojë që nga personi im që ngre këto probleme dhe nëse unë rezultoj i imlikuar në aferat e tmerrshme të ish sigurimit të shtetit jam dakord që të mos kem nderin të përfaqësoj një shtresë fisnike të mohuar prej kaq vitesh.
Për të gjitha këto kam parasysh disa fenomene negative të ndodhura në shtresën tonë. Në shumë raste dalin në pah disa individë të dyshimtë dhe . do të thoja., ish bashkëpuntorë të sigurimit, që dërdëllisin gjithfarë shprehjesh mbi demokratizimin e shtetit shqiptar, por që, në të vërtetë, janë vegla të sistemit të përmbysur. Fatkeqësia e këtij vendi është se pikërisht këto mbeturina të komunizmit ngrihen në piedestal nga një pjesë e shtypit dhe medias elektronike dhe harrohen përfaqësuesit e vërtetë të përndjekurve politikë. Kjo gjë arrin deri në sferat më të larta siç është institucioni i Presidentit të Republikës apo ndokush tjetër i afërt me të.
Për këtë mund t’ju jap këto shembuj. Sot kanë dalë në krye, të ndonjë shoqate të ashtuquajtur të përndjekurish politikë, njerës që dikur, kur ishin në burg, njiheshin për veprimet e tyre aspak dinjitoze kundrejt shokëve të tyre. Lexoni librin e fort të nderuarit at Zef Pllumbit dhe do të bindeni për këtë. Gjithashtu ka edhe të tjerë që nuk kanë qenë në burg, përkundrazi kanë qenë në strukturat udhëheqëse te sistemit komunist dhe kanë shkruar edhe vargje për sistemin e kalbur dhe që sot ligjërojnë, pa pikë turpi në emrin tonë për të drejtat e njeriut dhe që publikohen në faqet e shtypit shqiptar si heronj të demokracisë. Por ka edhe të tjerë që kanë qenë në shërbim të sigurimit të shtetit dhe në mënyrë të kamufluar kanë arritur të depërtojnë në sferat më të larta të përndjekurve politikë. Kjo duhet eliminuar. Dhe për të eliminuar këtë duhet të hapen dosjet. Kësaj rradhe po mjaftohem vetëm me një përgjithësim të tyre. Tjetër herë ruaj të drejtën e shpalljes edhe me emra konkretë. Kjo varet nga ata.
Duhet të hapen dosjet sepse vetëm në këtë mënyrë do të pastrohet vendi nga mbeturinat e komunizmit që ende i kemi nëpër këmbë dhe na ngatërrojnë në ecjen përpara. Duhen hapur dosjet sepse vetëm në këtë mënyrë vendi do të eci përpara në rrugën e demokracisë së vërtetë të ëndërruar prej shekujsh nga mijra dashamirës të së drejtës dhe demokracisë. Rrugët për miratimin e një ligji të tillë i takojnë mazhorancës ta gjejë.
Vendet e tjera që kanë vuajtur nën sistemin totalitar kanë vite që e kanë hedhur poshtë atë sistem dhe veglat e tij. Është koha që edhe ne, të mos jemi të vonuar në këtë drejtim, por të gjejmë rrugën e drejtë të shpëtimit moral dhe shpirtëror. Ftoj të gjithë intelektualët shqiptarë, të djathtë dhe të majtë, të shfaqin pikpamjet e tyre në këtë drejtim. Brenga ime është: A duhen hapur dosjet apo jo? Këtë përgjigje kërkoj nga ju. Unë mendimin tim e dhashë. Pres përgjigje.