| E marte, 19.10.2010, 10:00 PM |
KLINASIT DHE GJIROKASTRITËT RRAHIN NË NJË ZEMËR TË PËRBASHKËT
Nga Mikel GOJANI
Kufiri që s`mund t`i ndalonte vetëm zogjtë dhe librin
Pothuajse, prej se jemi bërë të dimë dhe të ndjejmë dashurinë për Ylberin e Frymëzimit që lindte mbi Bjeshkët e Nemuna e të Sharrit, të Malësisë së Mbishkodrës e të Kosharës, të Qafës së Prushit e të Rrasave të Zogut etj., përherë kishim dëshirë, paksa edhe fëmijërore, që ta vizitojmë shtetin amë, Shqipërinë, vendlindjen e kolosit të madh Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të Ismail Qemalit, të Vaso Pashë Shkodranit e Luigj Gurakuqit, të Naim e Sami Frashërit, të Sandër Prosit, Kadri Roshit e Tinka Kurti dhe të shumë personaliteteve tjera të rëndësishme të historisë, artit dhe kulturës sonë.
Nuk është, thjesht, kureshtje njerëzore, pse përherë kur marrim këtë rrugë ndjejmë një ndjenjë kreshpëroje, madje edhe sot kur nga e kaluara e hidhur shumëçka ka ndryshuar.
Marrja e asaj rruge që duhet çarë trup për trup ato alpe të ashpra, të rikthejnë në retrospektivë dhe të përkujtojnë togfjalëshin “andej kufirit, apo “këndej kufirit…” ky rrugëtim të ngjallë nëm kujtesë vargjet e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare: “ Shirat bien pa reshtur s`prajnë dot gjakun nga fytyra e tij…” Po ashtu, në këtë rast të përkujtohen edhe mesazhet e poetit të mirënjohur, Xhevahir Spahiu, kur thotë se vetëm zogjtë dhe librin s`ka mundur t`i ndalojë ky kufi.
Majat e bjeshkëve që shprushnin frymëzimin e reminishencës
Dhe, një ditë të bukur pranvere, një delegacion prej afro pesëdhjetë zyrtarëve komunal, mjekë, shkrimtarë dhe artistë nga Klina, të udhëhequr nga kryetari i Komunës, z. Sokol Bashota, ia mësymë këtij “kufiri”, në drejtim të Qytetit të Gurtë, Gjirokastrës, me qëllim që Komuna e Klinës dhe Bashkia e Gjirokastrës të nënshkruajnë Kartën e Binjakëzimit. Këtë iniciativë e kishin ndërmarrë dy krerët e këtyre qyteteve, kryebashkiaku i Gjirokastrës, z. Flamur Bime dhe kryetari i Klinës, z. Sokol Bashota.
Autobusi ecte me shpejtësi magjistrales së bukur “’Rruga e Kombit”, që konsiderohet një arterie e fuqishme e këtij kombi. Dielli, tashmë kishte humbur përcëllimin. Gjendej mbi bjeshkët e larta e të thepisura. Kurora e maleve puthej me pjesën e sipërme të eterit. Atje, diku, në largësi, liqeni me valët e tij na i pushonte sytë. Fshatrat afroheshin rrëzë maleve. Në thellësi të luginave përroskat shkëlqenin në faqet e thepisura me ujin e kthjellët. Sytë tanë përbironin në labirintet e gërmadhave të atyre fshatrave të lartë. Me kureshtje i përcillnim bukuritë e rralla të atij vendi.
Pas disa orësh rrugëtimi futem në “zemrën” e Atdheut. Kalojmë Qytetin e bukur të Fierit dhe shkojmë në drejtim të Tepelenës. Nga lugina poshtë, nga rrugëtonim në drejtim të Gjirokastrës, malet dukeshin jo edhe aq të të larta, por të zhveshura, mbi to ngriheshin shumë maja karakteristike, disi edhe pse rrugëtonim në drejtim të kundërt, na bënte përshtypje se këto maje na tërhiqnin pas.
Para mesnata na gjen ne qytetin e lashtë të Gjirokastrës. Vendosem në hotelin e bukur dhe aty pushojmë për disa orë. Njihemi me njerëzit e gjakut, të gjuhës dhe të flamurit. Derdhet gjithë ai mallëngjim që ishte akumuluar për shumë dekada. Mallkohej ajo kohë zezonë që kishte ndarë një organizëm. Shkrimtari dhe gazetari i njohur i Dojçe Vele, Odise Kote, në tryezën e shkrimtarëve dhe të artistëve kërkon opinionet e tyre për vizitën. Në orët e orët e vona shpërndahem nëpër hotele. Një grup nga ne na caktuan të vendosem në hotelin luksoz “Freskia”.
Gjirokastra mijëvjeçare – pjesë e rëndësishme e qytetërimit shqiptar
“Kjo është verë është nga rrushi i Kosovës”, na drejtohet Abdullahu, me profesion ekonomist, i cili në kohën e diktaturës kishte punuar në një kooperativë bujqësore. “Shikoni, pohon ai, këtë realitet, para kohësh, nuk e ka menduar askush. Mirëpo, realitetet vijnë sikur stinët. Sot pa asnjë pengesë vijnë njerëzit, vijnë mallrat në Shqipëri, që dikur nuk ka qenë kështu, por vetëm në ëndërr kishim mundësi ta paramendonim. Në këto momente, po të më hidhet ideja mund të shkojë drejt dhe në Kosovë, madje edhe pa pasaportë, vetëm me një dokument identifikimi, bile edhe ata zyrtarët e kufirit nuk ia lëshojnë syrin ”.
“Keni qenë ndonjëherë në Kosovë?”- pyes Abdullahun, pas shumë bisedave që zhvilluam me të. “Jo, nuk kam qenë ndonjëherë, mirëpo shpirtin përherë e kam dërguar atje, mendoj që shumë shpejtë do të shkojë atje”, tha ai.
Mëngjesi na zënë në lokalet e hotelit të bukur “Freskia”. Aty i marrim dhe i shfletojmë të gjitha gazetat ditore, disa edhe nga ato periodike. Në një gazetën revyale lexoj historinë e Gjirokastrës. Duke shfletuar për të kaluarën historike të këtij qyteti ndër të tjera shkruan: Gjorokastra është qytet në Shqipërinë jugore dhe shtrihet në shpatin e Malit të Gjerë. Nga faqja e këtij mali ajo zbret deri në buzën e lumit Drino, i cili krijon një luginë shumë të bukur ne anën lindore të saj. Pa dyshim që ky qytet është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë për vlerat e saj arkitektonike dhe historike. Qyteti dominohet nga një kështjelle e mrekullueshme, dëshmitare e kohërave të ndryshme. Për herë të parë emri i Gjirokastrës përmendet në shekullin XIII. Fillimet e qytetit të Gjirokastrës sipas Studiuesit Apollon Bace mendohet të jenë në Shek XIII pas rënies se Hadrianopolit. Kështjella e Gjirokastrës mendohet të jete filluar nga Prijësi Shqiptar Gjin Bue Shpata, i cili i dha dhe emrin qytetit. Zgjerimet e kështjellës janë bërë nga Ali Pashë Tepelena, dhe nga Qeveria e Zogut.Gjirokastra është shpallur qytet-muze në vitin 1963 dhe në vitin 2005 është shpallur pasuri botërore nga UNESCO. Gjirokastra është një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike në Jugun e Shqipërisë. Aktivitet kryesore ekonomike ne rajonin e Gjirokastrës janë Tregtia , Industria e ambalazhimit të ujit dhe pijeve freskuese, si Glina,Uji i Ftohtë Tepelene , Uji Trebeshina, Uji Çajupi, Fresh Compani etj. Fabrikat e përpunimit të qumështit dhe prodhimit te djathërave dhe nënprodukteve të qumështit si Gjirofarma dhe Libohova. Industria e tregtimit dhe përpunimit të Drurit. Industria e prodhimit te Inerteve dhe Ndërtimit. Repartet e shumta te prodhimit te veshjeve dhe këpucëve për tregjet e huaja. Industria e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit për ndërtim dhe atij dekorativ. Në Gjirokastër vizitojmë Muzeun Etnografik në të cilin ruhen shumë vlera nga trashëgimia kulturore, historike dhe etnografike të këtij rajoni. Gjirokastra është qyteti i festivale folklorike kombëtare prej vitit 1968. Në kështjellë mblidhen çdo katër vjet grupe shqiptare popullore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia dhe treva ku flitet shqip. Këtu po ashtu mbahet edhe festivali folklorik “Argjiro”, ku prezantohen vlerat më të bukura dhe karakteristike të folklorit dhe artit të këtyre vendeve. Gjirokastra ka pamje të mrekullueshme e piktoreske. Shtëpitë karakteristike dhe arkitektura e veçantë i japin asaj pamjen e një anije në luginën e Drinos.
Rajoni i Gjirokastrës përfaqëson një zonë tipike historike e të kulturës kombëtare. Shpirti konservativ i këtyre banorëve ka bërë të ruhet në shekuj historia, tradita, gjuha, doket dhe vlerat e një qytetërimi, pjesë e rëndësishme e mbarë qytetërimit shqiptar. Gjirokastra, mbase ka edhe shumë vende të tjera magjepse, një bukuri e rrallë e atij vendi.
Akti i Binjakëzimit – momenti më i rëndësishëm i vizitës
Klinasit kishin shkuar në Gjirokastër për të sublimuar një akt shumë të rëndësishëm pas një bashkëpunimi të gjatë të ndërsjellë, nënshkrimin e Kartës së Binjakëzimit.
Në ditën e dytë të qëndrimit, në ambientet të Ndërtesës së bashkisë së Gjirokastrës, në pritje të kryebashkiakut z, Bime dhe të stafit të tij, gjenden vëllezërit klinas, duke u pritur me atë ngrohtësinë më të sinqertë, që nuk e kishin përjetuar ndonjëherë më parë.
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime, në fjalët e tij të para vëllezërve klinas ju dëshiroj mirëseardhje dhe me dëshirat që në këtë qytet të bukur të kalojnë çaste të këndshme. Bime, në vazhdim u shpreh se Gjirokastra dhe Klina janë bashkë, klinasit dhe gjirokastritet rrahin me një zemër të përbashkët, gëzimi është i përbashkët pas një rruge të gjatë dhe me plotë sakrifica për të arritur deri te liria e Kosovës, për të cilën ka kontribuuar edhe Gjirokastra në vitin 1999, duke strehuar rreth 5 mijë kosovarë të dëbuar dhunshëm nga vatrat e tyre shumëshekullore. Binjakëzimi me Klinën është vetëm një fillim. Klinasit dhe gjirokastritet do të jenë së bashku në projektet për trashëgiminë dhe zhvillimin. Ka një Shqipëri dhe këmbimet do të jenë të ndërsjella, si kundër edhe në Gjirokastër. Lidhjet do të thellohen edhe më tej, ku shpresojmë që së bashku do të realizojmë shumë projekte në shumë fusha të ndryshme të jetës”, u shpreh Bime në selinë e Bashkisë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, pasi që ka përgëzuar vëllazërisht qytetarët e Gjirokastrës dhe kryetarin e saj, Bime për pritjen që i është bërë edhe me rastin e shpalljes “Qytetar Nderi”, po ashtu edhe më këtë rast, nënvizoi se me binjakëzimin e dy qyteteve tona, Gjirokastrës dhe Klinës, ne e kemi hedhur një hap më tej në thellimin e bashkëpunimit. Tash është njësoj të jesh si në Klinë dhe në Gjirokastër, sepse përcjellim traditën shekullore të penës dhe pushkës”, ka thënë Bashota.
Me këtë rast Klinasit vizituan ambientet dhe zyrat ku punojnë personeli zyrtar i Bashkisë, me ç’rast u njohën me kushtet e punës dhe të arriturat e kësaj bashkie.
Delegacioni i Klinës vizitoi edhe qytetin e lashtë dhe të bukur të Libohovës, në qytetin e aktorit të madh Kadri Roshi, ku u pritën jashtëzakonisht ngrohtësisht me vëllezërit libohovas.
Në mbrëmje e bukur u përshkua në Galerinë “Gjin Zenebishti”, me ç’rast u zhvilluan aktivitete kulturore e letrare në mes të krijuesve klinas dhe të atyre gjirokastrite. Këtu u promovuan një mori veprash letrare të shkrimtarëve të të dy qyteteve. Po ashtu në galerinë e bukur në Kalanë e Gjirokastër, në një ambientet mjaft impozant u hap ekspozita me piktura të piktorëve klinas, që u përcoll me interesim të madh nga artdashësit vendës.
Mbrëmja e fundit u përshkua me një përurim të përbashkët të një projekti infrastrukturor të një rruge të një lagje të qytetit të Gjirokastrës, me ç’rast shiritin e prenë kryebashkiaku Bime dhe kryetari Bashota.
Mbrëmja përfundoi me një koncert me këngëtarë të afirmuar gjirokastrite, por edhe nga Tirana dhe pjesët tjera të Shqipërisë, koncert ky që la përshtypje të pashlyeshme.
Dita e tretë na kthen prapë “këndej” kufirit. “Muri i ndarjes” dhe “Gurët e gjakut”, akoma peshojnë rëndë, edhe pse ajo e kaluar e trishtë me esencat e saja tragjike ka ikur bashkë me kohën. Këto janë fjalë dhe shprehje që akoma ngërthejnë shumëçka nga ajo tragjikë shqiptare.
Prapë, pas asaj zbritje të thikshme, tash ngjitemi atyre majave që shpinin rrugën për në Tiranë. E kaluara historike dhe rezistenca e atij populli gjatë rrugës së tyre historike na kthen nëpër ato kohëra dhe ato histori. Në këtë pjesë të atdheut tonë vërehet ajo dhimbja e thellë, mirëpo edhe madhështia për sfidën e madhe bërë rrebesheve të kohërave.
Tatëpjetës së atyre brigjeve në të majtë shigjeta tregon rrugën që shpie për Tepelenë, më tutje Fier, Kavajë, Durrës, Mirditë dhe deri në “kufirin” që dikur vetëm zogjtë mund ta kapërcenin. Mbrëmja prapë na kthen “këndej” kufirit, përkatësisht në Vermicë, me kokën e kthyer prapa, bashkë me përshtypjet dhe kujtimet më të bukura për ato ditë të paharruara.