Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Abdullah Prapashtica: Mbi librin ''Vrasja e Trefishit'' të Nuhi Sylejmanit

| E hene, 18.10.2010, 09:58 PM |


MBI LIBRIN „VRASJA E TREFISHT“

TË NUHI SYLEJMANIT

 

Nga Abdullah Prapashtica

 

Janë shkruar deri me tani disa libra mbi rënien e Dëshmorëve të Kombit, Jusuf Gërvalla Kadri Zeka dhe Bardh Gërvalla, të cilët u vranë nga dora e UDB-e me 17 Janar 1982, në afërsi të Heilbronit në Gjermani.

Në ato libra shumica e autorëve i qasen këtij krimi në mënyrë konstruktive me përpjekje për të hedhur sa më shumë dritë në rrethana që sollën te krimi. Secili nga ata mundohen të japin kontributin e vet pozitiv. Por, është edhe një numër i pa rëndësishëm minor që kryesisht merren me kakofoni klasike e cila nuk mund ti hyn në punë askujt, sepse më shumë sjellin huti e përçarje se sa që prezantojnë ndonjë informacion me vlerë.

 

MOTIVI, URDHËRDHËNSIT, ORGANIZATORËT DHE EKZEKUTORËT E KRIMIT NË STUTTGART

 

Në realitet, pasi në atë kohë, nga organet e hetuese jugosllave, pushteti informohet përmes të spiunëve të vet se kanë fillua bisedimet për bashkim mes PKMLSHJ, LNÇKVSHJ dhe OMLK në mënyrë intensive fillojnë përgatitjet për vrasjen e tyre, me qëllim që të bllokohet dhe pamundësohet bashkimi. Urdhrin për vrasjen e tyre e ka dhanë vet Kryesia e ish LKJ /RSFJ, mbledhjen e informacioneve mbi vendbanimin e vëllezërve Gërvalla dhe organizimin e bënë Konsullata e ish RSFJ në Stuttgart ndërsa krimin e ekzekuton UDB-a përmes të vrasësve të vet profesional.

Në momentet para se të vdiste Jusuf Gërvalla arrin të tregon se i vrau UDB-a, që do të thotë se ai ka arritur ta njeh dike nga vrasësit. Këtë e vërteton edhe oficeri i UDB-ës, Bozhidar Spasiqi në librin e vet, kur tregon se ai ka qenë shef i grupit për organizimin e atentateve në botën e jashtme ndaj emigrantëve që kanë qen kundërshtar politik të ish RSFJ. Bozhidar Spasiqi tregon se deri me ardhjen e Millosheviqit ka marrë pjesë në organizimin e të gjitha atentateve që i ka organizua UDB federale dhe se nga ajo kohë UDB- e Serbisë ia merr lëndët tjera që të i zbatoi vet.

Prandaj, tëra spekulimet tjera janë pjesë e propagandës të diplomacisë të ish RSFJ e cila tëra krimet e UDB-es në botën e jashtme i quan “qermi hesapesh mes emigrantëve politik”! Natyrisht se policia jugosllave vrasjet e veta i ka shfrytëzua trefish, sepse pos se i ka vra aktivistet më të rëndësishëm, ato vrasje pastaj i ka përdor për mbjelljen e dyshimeve dhe të përçarjeve brenda emigracionit dhe së treti me qëllim që të e shuan lëvizjen e rezistencës.

 

KRIMI NUK I SOLLI REZULTATET E PRITURA NGA BEOGRADI

 

Megjithatë, dështoi bllokimi i bashkimit nga ana e UDB-es, sepse bisedimet e filluara në nëntorin e 1981, me 17 shkurt 1982 përfunduan dhe nënshkruhet bashkimi në Lëvizjen për Republikë. Bashkimi që u arrit nuk ishte bashkim i thjesht fizik por bashkimin në platformën e Republikës së Kosovës. Ndërsa formacionet, për shkaqe të veprimit në ilegalitet, pra për shkaqe të konspiracionit vazhdojnë të veprojnë në formacione të veçanta të LRSSHJ.

Ajo që sjell Nuhi Sylejmani në librin e vet është dëshmia e ti personale si njëri nga bashkëpunëtorët e rrethit më të ngushtë të Jusuf Gërvallës në Gjermani, mbi atë bashkëpunim që kanë pas ata së bashku në kuadër të ish LNÇKVSHJ dhe dëshmi autentike e zhvillimeve të pastajshëme të cilat, LRSSHJ / LPK u detyrua ti mbijetoi në rrugën e vet të gjatë drejt lirisë.

Nuhi Sylejmani shkruan me kompetencë, sepse pas bashkimit të LNÇKVSHJ me PKMLSHJ në Lëvizjen për Republikë, është njeri nga tre përfaqësues të dy udhëheqjeve të organizatave nga të cilët krijohet Komiteti Drejtues i LRSSHJ. Në treshen e LNÇKVSHJ hynë Sabri Novosella, Xhafer Durmishi dhe Nuhi Sylejamni, ndërsa në treshen e PKMLSHJ janë Faton Topalli, Osman Osmani dhe Abdullah Prapashtica. Me 15 Maj 1982 me LRSSHJ bashkohet edhe OMLK duke u zgjerua edhe KD i LRSSHJ me anëtar të OMLK.

Dihet se LRSSHJ/LPK nga ajo kohë kalon nëpër faza të vështira të zhvillimi e zgjerimit të vetë deri me 17 shkurt 2008, kur e realizon një pjesë të programit të vet dhe synon që të e realizon atë në tërësi duke e vazhduar aktivitetin në drejtim të qëllimit final. Nga 17 shkurti 1982 LRSSHJ/LPK ka disa gjenerata udhëheqësishë të cilat e zëvendësojnë njëra tjetrën me sukses që nga KD i LRSSHJ e deri te Shtabi i përgjithshëm i UÇK. Ka edhe disa që me motive të ndryshme e devijuan këtë rrugë!

Nuhi Sylejmani me librin e vet e ka tregua vetëm një rrëfim nga kapitali i madh i veprimtarisë të ti patriotike, dhe presim nga ai edhe libra të tjerë.

 

ROL I I ÇMUAR I SECILIT PATRIOT NË MOZAIKUN HISTORIK

 

Sa për informacion mbi kontiunitetin e vazhdueshëm të kësaj lëvizje mund të thuhet se njëri nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981 që ka qenë edhe themelues i PKMLSHJ dhe themelues i LRSSHJ, po ashtu i vetmi në mesin e anëtarëve të KD të LRSSHJ të 17 Shkurtit 1982, e kemi prezent edhe në SHP të UÇK, e edhe në krye të Lëvizjes kundër sundimit kolonial të Brukselit pas vitit 1999. Lëvizje e cila nuk pajohet me heq dorë nga Programi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit të 1878, për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, në trojet e veta etnike.

Presim dëshmitë autentike edhe të secilit nga pjesëmarrësit e Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës (LPK), në të gjitha pjesët e historisë dhe në veçanti në atë të lidhur me Epopenë e pranverës të demonstratave të vitit 1981, me kërkesën për Republikën e Kosovës, ku secili ka marrë pjesë në mënyrën e vet në mozaikun historik të këtyre ngjarjeve.

Çdo pjesëmarrës në demonstrata të 1968 e 1981 dhe në organizimin e tyre, çdo anëtar i ish OMLK, LNÇKVSHJ, PKMLSHJ dhe çdo aktivist i bashkuar në LRSSHJ/LPK si dhe çdo aktivist i pavarur apo i organizuar në formacionet tjera ilegale, të cilët kanë dhënë kontributin e vet të çmuar në drejtim të lirisë e cila akoma nuk është arritur, nuk duhet anashkaluar assesi. Pra, nuk duhet mohuar por duhet çmuar lartë veprimtari e secilit, sepse vetëm me punën e përbashkët kemi arritur deri këtu dhe vetëm të bashkuar në një ide dhe ne një program do të arrijmë deri në aktin final të lirisë dhe të bashkimit kombëtar.

Për shkak të objektivitetit sugjeroj që secili në dëshmitë e veta të përshkruan vetëm veprimtarin në të cilën ka marr vet pjesë, dhe të kufizohet në përshkrime e vlerësime të ngjarjeve ku nuk ka marr pjesë dhe për njerëz me të cilët nuk kanë bashkëpunuar personalisht, për të evituar devalvimin që sjellin thash e të thënat ordinere nga burimet e treta! Pasi të bëhet përmbledhja e tëra dëshmive, shkencëtarët e historisë janë të vetmit kompetent që mund të e shkruajnë historinë kombëtare. Kjo do të ndodh kur kjo etapë historike të përfundon me realizimin e bashkimit kombëtar, i cili tanimë nuk është shumë larg.