| E hene, 18.10.2010, 10:00 PM |
Hapja e Manifestimit Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, në Shkup.
PËRCJELLJA E NATËS ME POEZI
DHE KËNGË DERI NË AGIM
Nga KALOSH ÇELIKU
Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, u themelua para trembëdhjetë vjetëve për të freskuar varfërinë e madhe kulturore që mbretëronte asaj kohe në Shkup gjatë muajve të verës. Edhe atë, me një karakter krejtë tjetër nga manifestimet e tjera kulturore që mbaheshin në IRJ të Maqedonisë, të politizuara deri në palcë. Jo rastësisht, e pagëzuam edhe TAKIME NËN RRAP, manifestim i veçantë dhe specifik i poezisë erotike, që do të mbahej për çdo verë nga fundi i gushtit në organizim të Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë. Dhe, i zhveshur krejtësisht lakuriq, ashtu siç e ka lindur Nëna nga politika ditore e partive politike, por i veshur me art e vlera të arrira letrare - artistike.
Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, qe manifestimi i parë poetik, që në vitin 1997 në Shkup e zgjoi nga gjumi shekullor Çarshinë e Vjetër, rrëzë Kalasë dhe i tuboi penat më të njohura nga të gjitha trojet etnike shqiptare, Diaspora dhe bota. Menjëherë, pas luftës së 2001 – shit qe i vetmi manifestim kulturor që solli në Shkup aq shumë poetë (një autobus me targa TR), që kurrë nuk ka pasur në gjirin e vet ndonjëherë tjetër ky kryeqytet i vjetër i Dardanisë, ku u lexuan poezi erotike dhe patriotike në mesin e tankeve. Megjithatë, edhe pse manifestimi është i veçantë dhe i vetëm, vite me radhë përballet me vështirësi të mëdha materiale e politike. Shkaku se, individët që merren me politikë te ne në IRJ të Maqedonisë, nuk kanë haber nga arti, e ku më ta duan poezinë. Mos të them, edhe se e luftojnë me të gjitha forcat dhe armët politike. Partive politike në pushtet, u duhen manifestime të politizuara, ku ata të munden të trumbetojnë lirishtë të arriturat e tyre demagogjike në politikë, arsim e kulturë. Fotografohen para kamerave dhe në mjetet e shkruara të informacionit gjatë hapjeve të këtyre manifestimeve kulturore si politikanë të “sukseshëm” e dashamirë të arsimit dhe kulturës. Fatkeqësisht, Manifestmi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, nuk ua ka mundsuar këtë reklamë politikanëve, po poetëve dhe njerëzve të kulturës. Ja, edhe arsyeja e vetme, që ky manifestim kulturor tradicional ndërkombëtar, edhe pse sivjet u mbajtë për të trembëdhjetën (XIII) herë me radhë, ende përballet me vështirësi të mëdha materiale e politike që i ngatërrohen me vite nëpër këmbë.
Vështirësitë, problemet dhe presionet e ndryshme ndaj këtij manifestimi kulturor tradicional ndërkombëtar, në vend që të zbuten pas Luftës së 2001 – shit, ato thellohen edhe më tepër, përpiqen ta ngulfasin këtë manifestim kulturor në zemër të Çarshisë së Vjetër, në Shkup. Edhe atë, me veprime trumbetuese për rrethin e vet të trusakatëve partiak, familjar, miqësor e klanor duke trumbetuar manifestime të improvizuara të “vëllazërim – bashkimit” në Çarshinë e Vjetër, në Shkup.
Megjithatë, edhe përkundër këtyre vështirësive e presioneve u mbajtën dhe po vazhdojnë të mbahen këto takime për të trembëdhjetën (XIII) herë me radhë. Edhe atë, mu në zemër të Shkupit, Çarshinë e Vjetër, në të cilin edhe kësaj radhe muarrën pjesë poetë nga të gjitha trojet etnike shqiptare: Pano Taçi, Hida Halimi, Fazlli Haliti, Gani Xhafolli, Seida Beganoviq, Perikli Jorgoni, Reshat Sahitaj, Nehas Sopaj, Iliaz Bobaj, Vahit Nasufi, Irena Gjoni, Remzi Salihu, Etleva Tafa, Todor Çallovski, Dashnor Selimi, Bejtush Memeti, Bardhyl Maliqi, Xhelal Tosku, Fadil Curri, Delvina Kërluku, Mustafa Spahiu, Besnik Lena, Kujtime Kica, Rami Kamberi, Mimoza Vasku, Valdet Andoni, Klodiana Kullolli, Petrit Mënaj, Xhelal Ademi, Arben Ibrahimi, Safet Hyseni, Rrahim Ganiu, Ali Qerimi, Adem Xheladini, Fatos Rushiti, Xheladin Muça, Sheqir Podvorica, Dilaver Asani etj.
Natën e dytë, në restorantin “KALABRIA” nën moton: E përcolla Natën me poezi dhe këngë deri në agim, ku kantauturi i mirënjohur nga Kërçova, Ferid Abdiu me zërin e tij karakteristik u bënte konkurencë poetëve, u ndanë edhe çmimet letrare tradicionale. Çmime speciale morën poetët: Iliaz Bobaj, portretin e Lekës Madh të punuar në argjend nga skulptori Ymer Koka, dhe Fazlli Haliti dy shtamba me verë. Për poezi më të bukur lexuar gjatë dy netëve të takimeve: Etleva Tafa dhe Besnik Lena. Ndërsa, çmimin letrar për vepër erotike, botuar mes dy takimeve: Pano Taçi, i cili njëkohësisht rrëmbeu edhe një pikturë të piktorit Ymer Bajrami, në të cilën shihet Rrapi me poetët nën hije mes Çarshisë Vjetër, në Shkup. Çmimin letrar për vepër jetësore “RRAPI”, kësaj radhe e meritoi Hida Halimi nga Prishtina.
Vërtetë, Ali Ahmeti me shokë e solli në Shkup Skënderbeun, po ne poetët qemë ata të parët që me vargje i hapëm udhë mes maleve me kalë shale e shpatën në brez. E kaluam në mes të ditës në kufi pa pasaportë. Ne qemë ata të parët që e futëm për oxhaku vargun shqip në Bit – Pazar të Shkupit, që në vitin 1997 nëpër Qafë Thanë e Bllacë, nga të gjitha anët shqiptare. Poetët qenë ata, që me libra kokë më kokë u strehuan nën Rrap me vargje përqafe në pusi në vend të kollanëve me fishekë. Vargu i tyre nuk ishte vdekjeprues, po jetëdhënës e paqedashës. Varg i dashurisë. Varg që i afronte popujt, e jo të vazhdojë t’i ndajë ende me kufinj politik. Prandaj, këta “plumba” dum-dumë të poetëve i ulën edhe tytat e tankave të tërbuar gjatë luftës së 2001 - shit, që na kishin rrethuar natën gjatë një manifestimi kulturor: TAKIME NËN RRAP, në Shkup nga të katër anët. Rastin më mirë e di dhe ende e ka të freskët poeti ynë Pano Taçi me poetët e tjerë pjesmarrës në manifestim, kur dy policë si të tërbuar hynë në autobusin me targa TR dhe ia rrëmbyn kamerën nga duart me të cilën e kishte regjistruar mbarëvajtjen e Manifestimit Kulturor Tradicional: TAKIME NËN RRAP. Në atë kohë lufte, poeti ynë i mirënjohur Visar Zhiti, pjesmarrës në ngjarje do të shkruaj dhe botojë në gazetën “Dita” të Shqipërisë edhe reportazhin emocional nga Shkupi: Të lexosh pozi pranë tankeve.
Edhe plot pusi e atentate i kaloi ky manifestim kulturor nga mashat shqiptare për të arritur deri te Dita e sotme, nën hije të Rrapit ta lidhë Gjokun krah për krahu me Skënderbeun, në Shkup. Edhe, presë Miken me dy shtamba verë, t’u japë gji poetëve që nuk ikin nga Atdheu, fuqi për luftë me penë…
![]() |
Rrapi i vetmuar pa miqtë e tij poetë, në mes të Çarshisë Vjetër. |
![]() |
Shkëmbimi librave mes poetëve nën Rrap. |
![]() |
Fadil Curri, Irena Gjoni, Bardhyl Maliqi, Femi Kurexha, Ymer Bajrami dhe Skënder Hasani duke përcjellur Orën e Madhe letrare. |
![]() |
Hida Halimi dhe Gani Xhafolli pas pranimit të çmimit: “RRAPI”, për vepër jetësore. |
![]() |
Gani Xhafolli i vetmuar pa 33 dashnoret duke përcjellur Orën e Madhe letrare… |
![]() |
Iliaz Bobaj, Rami Kamberi dhe Dashnor Selimi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. |
![]() |
Delvina Kërluku, Gjon Gjergjaj, Pano Taçi, Iliaz Bobaj dhe Etleva Tafa në Orën e Madhe letrare. |
![]() |
Përcjellja e Natës me poezi dhe këngë deri në agim... |